Vaxhid Sejdiu-Në emër të popullit!
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Gjatë kohë kam menduar se si të shkruaj një artikull për faqen e parë. Një artikull në të cilin do të përshkruaj sjelljet, besimin, moralin, lëvizjet, punën, angazhimin dhe karakterin e politikanëve shqiptarë, të cilët vazhdimisht thirren në emër të popullit dhe veprojnë në kundërshtim me vullnetin e tij.
Paraqitja e tyre tepër kontradiktore jo vetëm me vullnetin e popullit shqiptar por edhe me normat njerëzore shpeshherë më ka munduar të bëj një “album”, i cili do t`i përmbledh veprat e tyre. Me vite mundohem por nuk arrijë dot, sepse nuk mundet brenda një letre të bardhë, të përfshihen të gjitha ato gjëra që ndodhin në agjendën e politikanëve tanë. Nuk munden të përfshihen as në një libër, as në një mori librash, sepse brenda ditës ndodhin aq gjëra të çuditshme që të çmendin, aq gjëra që nuk ia merr mendja e shëndoshë njeriut. Por politikanët tanë e bëjnë, sepse ata e bëjnë për vete, sepse qëllimi, ideali dhe dëshira është që ata të identifikohen me pushtetin, me pushtetin e pushtetshëm, me pushtetin – hije, me pushtetin ku njeriu mund të shndërrohet në palaço në dëm të popullit të vet, ku njeriu mund të shndërrohet në shumëftyrësh, ku njeriu mund të shndërrohet në përbindësh.
Gjatë kohë kam menduar se si është mundur që subjektet politike të ofrojnë njerëz të këtillë, brenda një mandati politik të shndërrohen në bateri të harxhuara dhe më keq në leckë, të cilët i përdorin të tjerët për t`i mbuluar plagët e popullit shqiptar.
Gjatë kohë kam menduar se si është e mundur të ngatërrohen gjërat në jetën e shqiptarëve, të ngatërrohen ka keq gjërat, sa që të paaftit synojnë majën e kombit shqiptar, të paditurit përfaqësojnë inteligjencën shqiptare, pseudopatriotët të rrahin gjoks në emër të popullit të përvuajtur shqiptar. Gjatë kohë kam menduar se si është e mundur të zgjidhet në një post politik, një njeri i paaftë, një njeri i dobët, një njeri që nuk e meriton. Si është e mundur që shqiptarët t`i përfaqësoj një ministër analfabetë, një drejtor interesxhi, një zv. ministër tenderaxhi, një kryetar i pa krye, një deputet që për 4 vjet mbetet statujë e parlamentit.
Si është e mundur që dyerve të universitetit t`ia mësyjnë politikanë, gjysmëpolitikanë, anëtar kryesie për ta kryer fakultetin me zor, me bodigardë. Si është e mundur këto gjëra të zeza të ndodhin në jetën e shqiptarëve edhe ashtu të përvuajtur.
Si është e mundur që njerëzit të blejnë me të holla shkollën fillore, të mesmen, fakultetin, postin e ministrit, deputetit, kryetarit të partisë.
Si është e mundur që shqiptarët të ngatërrohen kaq keq nga “udhëheqësit e tyre”.
Dikush betohet në emër të LSDM-së, dikush në emër të VMRO-s, tjetri në emër të Branko Cervenkovskit, tjetri në emër të Lupço Georgievskit, ai tjetri në emër të koalicionit qeveritar, në emër të marrëveshjeve, në emër të pushtetit, në emër të qeverisë, në emër të “dërzhavës”, në emër të djallit dhe të birit.
Si është e mundur që njerëzit t`i harrojnë hallet e popullit t`i cilit i takojnë dhe të bëjnë punë antishqiptare. Askund në botë nuk mund të gjesh figura kaq të veçanta si në jetën e shqiptarëve.
Shih partitë politike, shumë pak dallojnë në mes veti. Disa parti të vogla të cilat janë zënë pisk nga kryetarët e tyre, sepse kështu deshi dikush të bëhet kryetar partie, në emër të popullit.
Partitë e ashtuquajtura “të mëdha” janë bërë për turp të botës. Mjafton t`i lexojmë me vëmendje “ligjëratat” e tyre gjatë fushatës elektorale apo t`i vizitojmë faqet e tyre elektronike, të cilat i drejtojnë “partizanë” partiakë dhe do të kuptojmë se cila është platforma e tyre kombëtare, cili është synimi i tyre, ç`punë bëjnë brenda mandatit të tyre politik, ç`plane realizojnë, sa interesohen për popullin dhe si përfitojnë në emër të tij.