Abaz Pllana-TË LUTEM QEVERI MË BËJ NJË VARR

30.04.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

TË LUTEM QEVERI MË BËJ NJË VARR !

Shkruan : Abaz Pllana

Të premtën, më 20 prill 2007, në Lyon të Francës tragjikisht humbi jetën 28
vjeçari B.H. nga Prishtina. Duke mos qenë në lidhje me shqiptarët e Lyonit,
ishte vetëm komisiariati i policisë së Lyonit që merr kontakt me kryetaren e
Shoqërisë Shqiptare ILIRIA, zonjën Rina çela, të mërkurën më 25 prill 2007
për t’i kumtuar lajmin e rëndë. Tashmë shtroheshin dy mundësi: që trupi i
bashkatdhetarit tonë të varrosej në varrezat e përbashkëta të endacakëve dhe
të atyre pa emër ose të procedohej me riatdhesimin e tij. Për riatdhesim,
familja e varfër nuk kishte mjete të siguronte, ndërsa zyra franceze në
Prishtinë edhe përkundër vullnetit shumë të mirë nuk kishte mundësi të
financonte këtë veprim. Mundësia e vetme mbeti vetëorganizimi i shqiptarëve
të Lyonit, Saint Julienit dhe Annemasit për t’i dalë në ndihmë për të fundit
herë bashkatdhetarit të tyre. Nisma del nga Shoqëria Shqiptare ILIRIA dhe
lajmi shkoi deri te secili mërgimtar. Bashkatdhetarët tanë nga të gjitha
trojet shqiptare u bënë krah për krah për të mbledhur ndihmat që të sigurojë
riatdhesimin e të riut të ndjerë nga Prishtina. Agjensioni turistik Reisburo
Prishtina nga Gjeneva, mori përsipër transportin pa para të të ndjerit dhe
çështja ngeli vetëm tek dikush që duhej patjetër ta shoqërojë arkivolin deri
në Prishtinë për shkak të çështjeve administrative. Azizi, një punëtor nga
Vitia, me leje e lë punën dhe paraqitet vullnetar për të kaluar edhe këtë
pengesë. Të premten, më 27 prill 2007, u arrit që të mblidhet shuma që duhej
paguar morgut të Lyonit, pagesa për arkivol, transporti deri në aeroportin e
Gjenevës dhe taksat tjera në aeroport. Të premten në orët e para të
pasditës, trupi i pajetë i bashkatdhetarit tonë arriti në aeroportin e
Gjenevës për t’u nisur në udhëtimin e tij të fundit, për në Kosovë të
nesërmen e hershme. Ai varroset të shtunën në Kosovë, ku do të pushojë
përjetësisht pranë nënës së tij.

Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes me rastin e humbjes të
birit të tyre. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës !



Kjo ishte në pika të shkurtëra kronologjia e kësaj ngjarje të dhimbshme. Do
të kisha dashur që familja e të ndjerit të mos lexojë shkrimin tim nga këtu
e tutje për shkakun e vetëm se biri i tyre u bë shkak për refleksione dhe
mendime të tjera të ngacmuara nga ky rast.



Është hera e tretë që në Lyon ndodhin ngjarje të tilla dhe duke u lutur që
të mos ketë tjera, prapë mendoj se do të jenë të përsëritshme. Dhe çdo herë
mërgimtarët tanë duhen të vetëorganizohen siç dinë dhe siç munden. Dikush
mund të thotë se shumë mirë që arrijnë ta bëjnë këtë. Por çështja është se
ç’bëhet aty ku nuk mund të vetëorganizohen? Si do venin punët po që se nuk
do të kishte një komisioner policie si Kristensen apo zonjat Masson dhe
Landra nga morgu i Lyonit?  Si mund të lihen të vetëorganizohen mbi 700 mijë
shqiptarë të diasporës pa gëzuar mbështetjen ose ndihmën e qeverive të
Tiranës, Prishtinës, Shkupit ose Podgoricës që u dalin në pritje të
qyetetarëve të tyre përgjatë kufirit për të mbledhur kursimet e tyre sa herë
që ata kthehen në atdhe? Si ka mundësi që qeveritë tona të mos qajnë kokën
për fatin e gati një milionë mërgimtarëve që marrin pjesë aktivisht në
ekonominë vendase? Deri kur qeveritë tona do t’i duan bashkatdhetarët e tyre
në mërgim vetëm sa të jenë të gjallë, dhe posa të ndalojë zemra e tyre se
rrahuri, do të ndalojë edhe "dashuria" për ta? Qeveritë tona që harxhojnë
kohën, paranë dhe mundin e tyre për koncerte apo manifestime të tipit
"miss", "mister", "top bukuria" e të tjera si këto dhe nuk mund të gjejnë
mundin, kohën dhe paranë në rastet e riatdhesimit të bashkatdhetarëve të
tyre në kohën kur ata nuk mund ta bëjnë vetë sepse nuk janë më në mesin e të
gjallëve? Pse duhet të presin bashkatdhetarët tanë në arkivole për katër
javë (rasti i të riut nga Tirana) , tre javë (rasti i të riut nga Shkodra)
dhe një javë (rasti i fundit) për t’u kthyer në atdhe. Më duket se
qeveritarëve dhe institucioneve tona, nuk iu bëhet vonë as edhe për katër
vjet se një familje shqiptare nuk ka apo nuk pati mundësi ta marrë trupin e
familjarit të tyre nga vendi i largët ku e gjeti vdekja.



Shtroj pyetjen se si do të vepronte një qeveri tjetër e botës kur një
qytetar i saj do prekej nga vdekja? Me siguri se nuk do të shprehte një
moskokëqarje si qeveritë tona. Jo, jo. Këtë nuk e bëjnë as qeveritë e
vendeve më të varfëra se qeveritë në tokat shqiptare. Kjo çështje nuk është
e lidhur me varfërinë apo me paranë. Kjo çështje është e lidhur me njerëzinë
që qeveritarët tanë nuk e kanë. Fatkeqësisht, ne nuk kemi atë ç’kanë të
tjerët.



Mërgimtarët e Lyonit, Saint Julienit dhe Annemassit, deri të shtunën në
mëngjes arritën të paguajnë 2100 euro për morgun e Lyonit, 160 euro në
aeroportin e Gjenevës dhe biletën e shoqëruesit e pagoi vetë Azizi. Pra, të
gjitha këto nuk kalojnë shumën 2500 euro. Shqiptarët u treguan edhe më afër
familjes së të ndjerit duke iu dhënë edhe 1000 euro dhe 100 franga zvicerane
për ditën e varrimit. Ata ndoshta do të mund të u dërgojnë familjes edhe
ndonjë ndihmë tjetër në të ardhmen, por, kjo nuk ka rëndësi sa ka rëndësi
varrimi i mërgimtarit pranë nënës së tij nga familiarët e tij. A mund ta
marrë me mend lexuesi se çfarë lehtësimi i dhembjes për familjen ka qenë
arritja e arkivolit të birit të tyre në Prishtinë, kur deri të premten në
ora 11 nuk dihej se ç’fat e priste trupin e bashkatdhetarit tonë dhe
familjarit të tyre.



Zyrtarët e qeverive tona shkojnë deri në tre herë mbrenda ditës në ambasadat
apo zyrat ndërlidhëse të vendeve perëndimore për të siguruar një vizë për
vete apo për familjarët e tyre për ikur për turizëm apo biznes jashtë
atdheut. Si nuk mund të shkojë asnjëri prej tyre për një javë, dy javë apo
me muaj të tërë në këto zyra, për çështje si kjo që ndodhi këtë javë me
bashkatdhetarin tonë?  Si mund të jenë aq moskokëqarëse qeveritë tona për
familjet dhe për ata që vdesin jashtë vendit duke siguruar bukën e gojës,
atë që nuk mundën t’ua sigurojnë qeveritë e vendit?



Të premten kur shkova në aeroportin e Gjenevës të paguaj fakturën e fundit,
përgjegjësi i ndërmarrjes më pyet për emrin e bashkatdhetarit tonë të
vdekur. I përgjigjem, sepse atë na kishte thënë komisioneri i policisë. Më
pyet për adresën e tij në Kosovë. I them se nuk e di dhe se nuk e njoh dhe
nuk kam pasur rastin ta njoh asnjëherë. Më thotë se do të ishte mirë që të
kontaktoj Azizin, ai që do të shoqëronte arkivolin për të marrë informatën
që kërkonte. I them se as ai nuk e njeh. Ndoshta në fillim e ka marrur edhe
si tallje nga ana ime, por kur i them se fakturat e riatdhesimit paguhen nga
mërgimtarët shqiptarë që nuk e kishim pasur rastin ta njohin asnjëherë për
së gjalli bashkatdhetarin tonë, me shef me habi duke më thënë se
"solidaritet të tillë nuk mund të haset diku tjetër në botë". Në vend që t’i
them se gjithkush në botë ka qeverinë e vet, e ne nuk kemi qeveritë që i ka
bota, mjaftohem të ngris supet që të mos e zgjas më shumë këtë dialog. Merr
grumbullin e letrave që kishin ardhur nga Lyoni dhe nga aty ndau dy fleta
dhe duke mbajtur në dorë më drejtohet : "Më lejoni që edhe unë të marr pjesë
në dhembjen e familjes së bashkatdhetarit tuaj. Dua që edhe unë të bëj pjesë
në këtë solidaritet tuaj". Zemra e këtij zvicerani derdhi dy lot për fatin e
një shqiptari, të një shqiptari me fat tragjik. Në fakturën e re të gjitha
shpenzimet që do të duheshin fakturoheshin nga ndërmarrja e tij Transit’air
(rreth 60 euro) u dhanë dhuratë për humanizmin dhe solidaritetin e njerzve
që nuk kishin qeveri të tyre. Si mund që një zviceran që jetën dhe fitimin e
tij e ka në të ardhurat e kësaj pune, të heq dorë për një moment për të
ndihmuar një njeri që nuk do ta shohë kurrë më, për një njeri që nuk do të
presë kurrë nga ai t’ia kthejë një të mirë për kompensim, një njeriu që do
ikte nga sipërfaqja e tokës përgjithmonë? Pse nuk mund të gjykojnë e
veprojnë qeveritarët dhe institucionet tona si njeriu që unë e quaj
zviceran? Por përgjigjen mund ta jap edhe vetë që besoj është e saktë. Unë
takova një njeri, një krijesë humane, që mentaliteti i tij ndryshon nga ai i
qeveritarëve tanë.



Zvicerani, Rina, unë, zyra franceze në Prishtinë, Azizi dhe të gjithë
bashkatdhetarët tanë që ndihmuan që B.H. të varroset në vendin e tij, ndjenë
një lumturi në shpirtin e tyre. Ata bënë një vepër humanitare, ata lehtësuan
dhimbjen e familjes dhe treguan se janë qenie njerzore. Prandaj, edhe
njëherë në emrin e familjes falenderoj të gjithë ata që bënë që kjo çështje
u mbyll kështu e nuk u la nën mëshirën e qeverive dhe institucioneve tona.



Do të kisha dashur shumë që ky shkrim të mos shihet nga ndonjë prizëm tjetër
siç kanë qejf ta shohin disa "rraxhagji" por një ide e re për punën e
qeverive në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë. Ata duhet të mendojnë të
krijojnë organizmat përkatës pranë ambasadave apo zyrave përkatëse të
vendeve ku qytetarët e tyre kanë emigruar për të sjellur një kafshatë bukë
për familjarët e tyre në atdhe. Nëse nuk mund të "sjellin" për së gjalli
qytetarët e vet në vend, së paku të bëjë një gjest të vogël që ata të
pushojnë të qetë përjetësisht në dheun e tyre. Nëse nuk mund t’ua ndalin
vdekjen edhe nga sëmundjet e "lehta" së paku t’ua lehtësojë dhimbjen
familjes duke riatdhesuar për së vdekuri të afërmit e tyre.



Qeveri të lutem, më gjej një varr, nuk është një thirrje dëshpërimi. As një
thirrje revolte. Kjo është thirrje e mëse 700 mijë shqiptarëve anëkënd
Evropës dhe botës që edhe fundin e jetës së tyre e lidhin me tokën mëmë.
Prandaj, Qeveri të lutem, mos na leni pa varr...      



28 prill 2007