Skënder Limani -Tatimi dhe mediat në Kosovë
Të shkruash e të kritikosh aspektin medial në Kosovë nuk është asgjë e re, përkundrazi, tashmë është temë e mërzitshme. Se sa do të zgjasë kjo gjendje kështu, askush nuk e di. Megjithatë, ka shumë paqartaësi sa i përket rregullimit medial në Kosovë. Duket që të gjitha mediat e të gjitha llojeve e formateve, luftojnë vetëm për hesapin e vet. Ndërkohë, as që duan të dinë për shprehjet përgjegjësi ose llogaridhënie, as ndaj publikut e as ndaj qeverisjes në Kosovë.
E shohim shpesh që mediat në Kosovë përmes gazetarëve e analistëve të tyre, kritikojnë institucionet qeveritare në Kosovë për mungesë transparence për shumëçka, sidomos punësimit ose rekrutimit. Kjo kritikë është e drejtë. Por tashti shtrohet çështja e organizimit të punësimit edhe në vet mediat në Kosovë.
E shohim që, psh, në gazetat ditore, shumë shpesh, për ata që përcjellin, vërejnë që një gazetar ose gazetare sot punon në një gazetë, kurse pas disa ditësh e vërejmë në gazetën tjetër. E njëjta vlen edhe për mediat elektronike ose radiofonike. Pra, kalimi i gazetarëve nga një media në tjetrin kryhet pa asfar transparence.
Dikush mund të thotë që kështu punojnë e veprojnë shoqëritë ose edhe institucionet private. Por, kjo është asgjë më shumë sesa një kequptim. As “Koha Ditore” as “Zëri” as “Epoka e Re” ose edhe “Express”, pastaj as RTV21, KTV ose RTK, nuk janë media private. Të gjitha gazetat në Kosovë, përkatësisht, çdo medium në Kosovë, merr qindra mijëra euro në vit nga dikush i bashkësisë ndërkombëtare, në emër të zhvillimit dhe të demokratizimit të Kosovës.
Qënësorja është që mediat në Kosovë mund të ndodhë të jenë të organizuara privatisht por veprimi i tyre është publik. Ne si lexues, ose shikues e dëgjues, nuk ekzistojmë për arsye të përmbushjes mediale në Kosovë, por e kundërta.
Qeveria e Kosovës duhet që të sigurohet që ta kuptojë këtë gjendje sa më parë që është e mundshme. Kjo nuk do të duhet të vlejë vetëm për mediat por për tërë organizimin “privat” në Kosovë. Qeveria e Kosovës duhet t’ju bëjë me dije të gjithëve që Kosova nuk është tokë ose treg privat i askujt. Praktikat e punësimit, vjeljes së të hollave, fitimit nga burime të ndryshme, etj etj., duhet t’i nënshhtrohen praktikave zyrtare të caktuara nga Qeveria e Kosovës. Ato duhet të paguajnë tatim, licencë për të operuar, duhet ta kenë të caktuar rrogën minimale për çdo të punësuar, duhet t’i nënshtrohen kontrollit ose mbikëqyrjes së programit, përkatësiht, ciësisë programore, cilësisë së gazetës ose të programit radiofonik, etj., etj.
Këto ditë na u bë i njohur një vendim nga një këshillë a komision medial në Kosovë ku parashihet që TVtë e Kosovës të paguajnë një shumë të caktuar vjetore për të operuar në Kosovë, pra, për licencë. Vendimi, nëse aprovohet, vlen vetë për vitin 2007 e tutje. E çka me vitet e tjera? As RTV21, as KTV ose edhe RTK, ka gjasë që, në mënyrën më të sinqeritë, të mos kenë njohuri praktike që sa para vjelin nga burime të ndryshme në vjet në emër të demokratizimit të shoqërisë kosovare. Ndërsa nuk paguajnë asnjë cent tatimi ose edhe për operim. Kësaj punë zakonisht i thuhet “si në bahqe të babes.”
Nëse njërëzit në Kosovë nuk shikojnë as RTV21, as KTV e as RTK, ose nuk lexojnë cilëndo gazetë ose edhe nuk dëgjojnë asnjë radio, atëherë ky është më parë problem medial sesa i shikuesit, lexuesit ose dëgjuesit. Këto televizione nuk ofrojnë asnjë lloj cilësie programore, as pas sa vjet veprimi. As gazetat në Kosovë nuk ofrojnë ndonjë joshje. Ndërsa radiot s’ja vlen as të përmenden.
Në të njëjtën kohë, ky treg “i varfër” medial, pra, publiku, ka kthyer antenat nga Shqipëria. Njerëzit kanë nevojë të dijnë se çfarë po ndodhë edhe rreth tyre edhe pak më largë. Mediat në Kosovë kanë dështuar t’i informojnë qytetarët e Kosovës. Njerëzit që udhëheqin ose edhe punojnë në mediat në Kosovë vazhdojnë të mbesin njerëzit më të painformuar në Kosovë. Një kafe 10 minutëshe më çdokë, një muhabet i shkurtë, dhe ti je në gjendje të informohesh për gjëra të rëndësishme e të parëndësishme për Kosovën dhe për botën ndërsa lirshëm mund t’i kalosh 2-3 orë në ditë afër mediave në Kosovë e të mos informohesh për asgjë. Për më tepër, do të dezinforohesh. Pubiku ose qytetarët e Kosovës, edhe pas afër shtatë vjet pas vitit 1999, vazhdojnë të mbeten në terr informativ.
Për t’i rënë shkurt, edhe një herë, Kosova nuk do të duhej të trajtohej treg privat i asnjë mediumi ose kompanie, pra, organizimi privat.
Skënder Limani