Xhemil Zeqiri – Fadil Shyti -PAVARËSIA E KUSHTËZUA
Shkruajnë:
Xhemil Zeqiri – Fadil Shyti
Siç ngjanë kurdoherë në situata dështimesh të rënda historike, ata që i krijojnë
këto, janë përpjekur dhe përpiqen për t´i mbuluar dhe arsyetuar ato, për më keq për
t´i fshehur mashtrimet e tyre para popullit.
Kjo, gjendje amullie, kjo gjendje në rrugë pa krye po ngjanë sot me të
ashtuquajturin “Grupi i Unitetit” dhe me tërë katalizatorët e politikës së “mençur”
shqiptare, të cilëve u ka hyrë lepuri në bark nga faktori vendimtar për pavarësinë e
Kosovës, nga faktori popull të cilit aq shumë ia premtuan pavarësinë, të cilin aq
shumë e mashtruan sa tani më edhe naivët më të mjerë kanë filluar të kthjellohen dhe
ta kuptojnë se të gjitha paskan qenë premtime të kota, nga faktorët e politikës
kundër-shqiptare dhe ajo ndërkombëtare. Por, një fjalë jona popullore thotë: “kur të
vinë mendtë të humbin dhentë”!
Si duket tani këto “dhenë” (dele) , “Grupi i Unitetit” po i kërkon jo vetëm brenda
por edhe jashtë atdheut. Por, ato dele të shkreta s´do t´i gjejnë kurrë, sepse vetë
i kanë humbur (pjesërisht edhe me fajin e popullit) sepse i votoi të pabesët; ky
grup mafiozësh, nuk do ´i gjejë kurrë delet, sepse vet i ka shitur tepër lirë në
konferencat famëkeqe në Rambuje, Paris dhe në Vjenë.
Këta bukëshkalë edhe pse popullit ia dhanë premtimin se: “për pavarësi të Kosovës
nuk negociohet”, pas kapjes së pozitave të pushtetit pa shtet, të shtyrë nga
interesat e tyre personale ata jo vetëm bënë negociata tepër të pafavorshme për
Kosovën dhe viset tjera shqiptare, por gjatë atyre negociatave për të cilat u bënë
shumë shpenzime për ahengjet e sejmenëve të Fatmir Sejdiut si: Lutfi Haziri, Agim
Hyseni, Veton Surroi dhe Hashim Thaçi e të tjerë të cilëve u ka marrë koka erë, të
cilët i ka dehur opiumi i premtimeve boshe nga “aleatët e mëdhenj” apo më saktë ua
kanë verbuar sytë interesat personale, klanore dhe partiake. Kjo, për pasojë solli
prapakthimin e madh në historinë e re të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të
okupuara nga shovinistët sllavë. Duke bërë lëshime të një pas njëshme përballë
delegacionit të Serbisë, erdhi pastaj e “famshmja” Paketë e Ahtisarit e cila Kosovën
tani po e shpie drejt disfatave të reja; duke e kthyer nga një krahinë autonome siç
ishte dikur në Serbi, në një krahinë autonome por tani jo vetëm nën Serbi, por edhe
në tutelën ballkanike dhe evropiane- kjo me siguri do të jetë për ne shqiptarët një
fatkeqësi e madhe sepse trojet tona po ri copëtohen sërish, të përshkuara jo vetëm
me kufi-zinj por dhe me tragjedi të reja rreth këtyre kufijve dhe në brendi të
territoreve tona, aty ku pushtetin paralel do ta kenë kolonialistët e vjetër dhe të
rinj serbë.
U bë aq zhurmë e madhe, për dëmtimin e disa xhamave të lokaleve të “institucioneve
të popullit”, kinse qenkan bërë humbje të mëdha materiale në demonstratën 28
Nëntorit 2006, kurse harrohen ato mijëra euro të cilat po shpenzohen për ecejaket e
“elefantëve” për t´ia bërë hendekun shqiptarisë. Tani, kur popullit po i mungon
streha mbi kokë dhe në sofër po i mungon koromania e thatë!
Zotërinjtë “diplomatë” të Kosovës së plagosur dhe të varfër po derdhin lekët kot së
koti jo vetëm në Evropë por edhe në Amerikë, “për konsultime”, siç thonë ata; por,
kjo është vetëm farsë politike, ata shkojnë e vinë, poshtë e lartë vetëm për t´i
realizuar planet e tyre famëkeqe dhe për t´i hedhur më tej hi syve popullit; kinse
Kosova po e fiton pavarësinë, Kosova do të integrohet në Evropë e të tjera përralla
politike, tepër të pa kripë, të cilave tashmë u ka dalë boja, si dikur deklaratave
të I.Rugovës, atje në barakën e tij, tani e ashtuquajtura, “shtëpi e pavarësisë”!!!
Madje, këto ditë ata e përgatitën skenën tragji-komike, si në teatrin e kukullave,
dolën me idenë “e madhe” : “Kosova, në 120 ditët e para të pavarësisë”!
“Mrekulli” të tilla, bota s´ka parë, ende pa u fituar pavarësia, kur kjo po sulmohet
nga të gjitha breshëritë e armëve diplomatike nga Serbia, Rusia dhe miqtë e tyre
nëpër botë për ta penguar të arrihet: jo pavarësia e plotë por as kjo autonomi(
“pavarësi e mbikëqyrur”), e lartshënuar! Po, bëhen plane, për 120 ditët e “mjaltit”
të pas pavarësisë!!!
Dëshmi më bindëse për këtë s´ka se situata e krijuar pas mbledhjes së Këshillit të
Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kjo situatë tejet e vështirë
politike , sepse tërë propaganda e shërbëtorëve të UNMIK- ut, “institucionalistëve”
të Prishtinës dështoi, dhe janë po këta “mendjendritur” që ende po shohin ëndrra në
diell për pavarësinë e Kosovës.
Tash po përgatiten të vinë më 26 dhe 28 prill, 2007, -misionarët e shekullit të
kaluar, të ngjashëm me ata të vitit famëkeq të 1913-ës, por, tani të maskuar nën
petkun demokratik, të ashtuquajturit, “misioni faktembledhës” , kjo mesiguri do të
jetë dhe një goditje tjetër kundër politikës shqiptare në përgjithësi.
Pasuesit e Ibrahim Rugovës dhe servilët e tyre “opozitarë” si mos më keq e ulën
“pazarin politik ” duke i bërë pre trojet shqiptare, përballë Serbisë dhe faktorëve
ndërkombëtarë, pa harruar këtu të theksojmë edhe pjesën e përgjegjësisë historike që
e kanë sot edhe pushtetarët në Tiranë dhe në Shkup dhe gjetiu në trojet shqiptare,
ku sundojnë liderë partiakë pa vizione të qarta dhe pa strategji pozitive kombëtare.
Mbase, për vizionet “largpamëse” të I. Rugovës se: do të jemi të hapur ndaj Serbisë,
këta politikanë dritëshkurtër dhe mund të krenohen, sepse vërtetë Kosova
fatkeqësisht po mbetet e hapur ndaj Serbisë...
Pas çdo muaj që kalon popullit shqiptar i Kosovës, duhet të pres “deri në ditën e
moskurrit” “sihariqe” ogurzeza nga UNMIK-u dhe OKB-ja, kurse altoparlantët e tyre
“pushtetarë” i transmetojnë ato si suflerët: “jo, presim edhe një, muaj, presim edhe
3 muaj, presim edhe gjashtë muaj”! Por, kjo nuk është e keqja më e madhe përballë
asaj se: Kosova me këto plane të diplomacive të huaja kundër-shqiptare, po mbetet
sërish nën thundrat e huaja, po mbetet koloni “mish për top” nën tutelën serbe dhe
evropiane.
T´jua përkujtomë lexuesve se këta politikanë dështues asnjëherë nuk e morën guximin
të kundërshtojnë asnjë projekt ose raport që kishin përgatitur organizatat e
ndryshme për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
Kur dihet nga të gjithë se në çdo mbledhje të KS të OKB-së, kishte debate kundër
shqiptarëve , kundër rrjedhave në Kosovë, kurse kjo klasë e mjerë politike, i
përshëndeste ato pa hezitim!...
Politika dinake serbe duke e parë me kohë politikën servile shqiptare, fillimisht e
provokoi dinakërisht, politikisht situatën ; shefi i diplomacisë serbe, çetniku Vuk
Drazhkoviq , duke u hequr si super demokrat, në KS të OKB-së, do të deklaronte se:
”Ballkani, është i ndjeshëm nga nacionalizmat dhe nëse Kosovës i jepet pavarësi
çohen në këmbë ekstremistët serbë, nëse Kosovës i jepet autonomi çohen në këmbë
ekstremistët shqiptarë; pra ta gjemë një rrugë kompromisi, një zgjidhje të
përshtatshme për demokracinë dhe të jenë të kënaqur dy palët, se: zgjidhja më e mirë
do të jetë që Kosovës t i jepet një status, më shumë autonomi dhe më pak pavarësi”.
Me këtë taktikë perfide shoviniste, “Ujku me këmbën e futur në miell”, trokiti në
dyert e diplomacisë botërore. Fatkeqësisht, teori famëkeqe gjeti përkrahje në OKB
dhe diplomacia ndërkombëtare me nxitjen e miqve të Serbisë, erdhi në përfundimin e
gabuar se kjo qenka ide si më demokratike dhe reale; prandaj, e pranuan lojën e
shefit
të diplomacisë serbe.
Ekipi i Marti Athisarit e pranoi këtë teori reaksionare dhe Pakon për Kosovën, pas
17 -18 muajsh e reduktoi, me pavarësi të kushtëzuar, pasi u konsultua edhe me
politikanët kompromisaxhinj të Tiranës “demokratike”, kujtojmë këtu rastin kur pas
takimeve me Solanën dhe të tjerë këtë status i pari e paralajmëroi, ministri i
jashtëm, Besnik Mustafaj. Ky, qe “sihariqi tragjik”, të cilin pastaj e përkrahën pa
rezerva i pari, Veton Surroi dhe pastaj “elefantët” e zhytur në kënetën politike
kundër-shqiptare.
Theksojmë këtu faktin që fuqitë e mëdha po tallen me të drejtat tona, ata duke e
bërë këtë po e rrezikojnë sërish paqen në rajon.
Por mjerisht, këtë gjellë helmuese e kanë gëlltitur pa hezitim edhe politikanët “ e
ndritur” shqiptarë!
Kujtojmë këtu se në botën demokratike janë bërë shumë referendume; për shembull në
Danimarkë qe bërë referendum për monedhën evropiane, danezët me referendum euron e
hodhën poshtë,
Në Suedi, ka pas referendum, të pranohet euro si monedhë, kjo gjithashtu nga
suedezët u hodh poshtë!
Para disa muajsh në Portugali u mbajt referendum për abortimet, atje po veprohet
sipas rezultateve të tij.
Merreni me mend të dashur lexues: atje mbahet referendum për euron dhe abortet,
kurse shqiptarëve s´ju lejohet referendumi për pavarësinë e shtetit apo ribashkimin
e tij; rilindjen e shtetit- nëse mund të konstatojmë kështu figurativisht.
Vallë si mund të qohen proceset tona historike përpara, me këto kute kundër
demokratike?!
Po pse vallë “miqtë tanë” sipas këtij “Grupi të Unitetit” dhe të zyrtarëve të
Shqipërisë “demokratike” të cilët i kanë formuar më shumë se mbi 100 parti
demokratike, nuk marrin guximin që me këmbëngulje të kërkojnë para diplomacisë
ndërkombëtare që për kombin tonë të respektohet e drejta e VETËVENDOSJES ?! Pse nuk
u lejohet shqiptarëve të vendosin për ardhmërinë e tyre:
- duan të kenë shtetin e ribashkuar shqiptar, pra t´i bashkohen shtetit amë,
Shqipërisë?
- duan një pavarësi për Kosovën?
- Kjo, pavarësi e cila i detyron ata për të jetuar të ndarë nga shteti amë dhe nga
viset tjera shqiptare të okupuara nga sllavët shovenistë.
Apo, duan të jetojnë ende nën terrorin serbomadh, pra nën juridiksionin e Serbisë?
Ashtu, siç po pretendon sot të na lë padrejtësisht bota “demokratike”!
Kjo, mund të arrihej me një referendum krejt të ligjshëm, gjithëkombëtar.
Vetëvendosja, iu është premtuar shqiptarëve, para dhe pas luftës së dytë botërore,
por kjo e drejtë madhore u është mohuar pa të drejtë deri sot; prandaj në trojet
tona kanë ngjarë kaq shumë luftëra, kaq shumë tragjedi...
E drejta e vetëvendosjes, është çelësi ku mund të hapeshin dyert e arsyes dhe të
paqes në rajon.
Për këtë të drejtë kaq të natyrshme, kaq të arsyeshme njëkohësisht, sot po përgjaket
rrugëve të Kosovës rinia heroike shqiptare, për këtë të drejtë sublime, sot po vuan
burgjeve, po torturohet dhe po qëndron dhe në grevë urie, heroi ynë, Albin Kurti i
përkrahur nga shumë ithtarë/e, përparimtarë..
Për këtë të drejtë kaq të dobishme historikisht, simboli ynë i rezistencës, Adem
Demaçi, thotë: për vetëvendosjen jam i gatshëm të vdesë njëqind herë”! Prandaj, del
dhe demonstron përkrah rinisë dhe popullit.
Lëvizja Vetëvendosje, e ka projektuar dhe po i zbaton çdo ditë me besnikëri teorinë
dhe praktikën revolucionare. Ajo, po ndeshet guximshëm, përballë reaksionit kombëtar
dhe ndërkombëtar! Me ata që herë hapur herë maskuar po dalin kundër kësaj të drejte
tepër legjitime.
Ne, jemi të bindur që pavarësisht sakrificave të mëdha,kjo Lëvizje nuk mund të ketë
suksese të menjëhershme për realizimin e këtyre objektivave kaq të madhërishme. Për
t´u arritur kjo kërkohet urgjentisht, të bëhet bashkimi i të gjitha partive dhe
organizatave përparimtare, të cilat sot nuk janë të kënaqura me situatën e krijuar,
për mosarritjen synimeve tona, si rrjedhim i gabimeve të pafalshme që janë bërë dhe
po bëhen në politikën pacifiste globale shqiptare.
Pra, të organizohemi në një organizatë të vetme çlirimtare, të veprohet me një
program, me një synim të caktuar, drejt realizimit të fitoreve tona.
Vetëm kështu kombi ynë do t´u tregoi miqve dhe armiqve se nuk mund të luhet lehtë me
fatet tona, më nuk mund të copëtohen lehtë trojet tona në tavolinat e pista të
diplomacisë ndërkombëtare.
Vetëm të bashkuar fort rreth flamurit tonë kuq e zi do të marshojmë fitimtarë në
betejat e luftës çlirimtare, nga të gjitha fushat: politike, ekonomike, ushtarake,
kulturore, e të tjera...
Kjo, qe dëshira dhe amaneti i shumë e shumë luftëtarëve i heronjve dhe heroinave
shqiptare ndër brezni, që nga koha e Gjergj Kastriotit e deri në epokën e Adem
Jasharit.
Përpara drejt bashkimit të forcave tona përparimtare!
Danimarkë-Suedi, 23.04.2007