GËZIM SULEJMANI-Akademi përkujtimore për Mujdin Al
Akademi përkujtimore kushtuar dëshmorit të betejës së Koshares, Mujdin Aliu
Tetovë, 15 prill - Atdhetarë dhe
veprimtarë të devotshëm të çështjes
kombëtare nga Kosova,
Shqipëria dhe nga vende të
ndryshme të Maqedonisë janë
mbledhur të shtunën në Tetovë për
të përkujtuar tetëvjetorin e rënies
heroike të dëshmorit të kombit,
Mujdin Aliu, që ra në Betejën e
Koshares, gjatë luftës së Kosovës.
Pjesëmarrësit kanë evokuar
momente nga lufta e përgjakshme
kur për herë të parë thyhet kufiri
shqiptaro - shqiptar në Koshare.
Përfaqësuesi i Shoqatës së
Veteranëve të Luftës të Ushtrisë
Çlirimtare Kombëtare, OVL-UÇK,
Besim Hoda, para të pranishmëve
në Akademinë përkujtimore tha se
luftërat dhe revolucionet zakonisht
kapërcejnë nëpër tri faza.
"Në fazën e parë vijnë në shprehje
luftëtarët e rezistencës. Profili
njerëzor dhe kombëtar i tyre përputhet
me frymën e lirisë kolektive.
Ata pas përfundimit të luftës
kthehen në jetën e tyre pa mos
kërkuar asnjë shpërblim. Kjo kategori
njerëzish është yll ndriçues, i
cili nuk përzihet në mjegullën që
më pastaj e hedhin në horizontin
kolektiv partizanët dhe militantët
partiakë, të cilët kanë qëllime përfituese
dhe vazhdimisht kërkojnë
që t'i turbullojnë frymëzimet e pastra
të idealistëve që korrespondojnë
me vlera të qenësishme kombëtare",
tha Besim Hoda duke nënvizuar
se kategoria e partizanëve
partiakë me ngulm kërkon ta
zhbëjë këtë vlerë, ngase në këtë
moment transformimi ata shohin
përfitimin e tyre. "Gjëja e parë që
ata bëjnë është identifikimi me
luftëtarët e rezistencës dhe
defokusimi i qëllimeve fillestare.
Ndërkohë, që në momentin kur
luftëtari i rezistencës shmanget,
ngase e konsideron si të kryer
misionin e tij, partizanët partiakë
dalin në skenë dhe fillojnë të flasin
me zërin e tyre dhe tani, këtu realisht
fillon edhe faza e tretë e
përvetësimit të frymëzimeve liridashës
nga kategoria e partizanëve
dhe militantëve partiakë", theksoi
Hoda duke nënvizuar se, nëse
kërkojmë shenjat e një idealizmi të
pastër, ato mund t'i gjejmë të
mishëruara në figurën e pastër të
luftëtarit të rezistencës, Mujdin
Aliu, fryma e të cilit duhet të përshkojë
misionin për lartësim kombëtar.
Ndërkohë që veprimtar i tri
luftërave të fundit, në Kosovë, në
Preshevë dhe në Maqedoni, gjenerali
nga Shqipëria, Kudusi Lama, i
njohur si "Babushi", tha se njerëzit
si Mujdin Aliu janë pishtarë të
dëshirës për çlirim dhe fitore kombëtare.
"Mujdin Aliu ishte ndër të
parët që iu përgjigj ftesës së lirisë,
sakrificës për t'u vënë në ballë të
luftës. Ai këtë e bëri duke marrë
pjesë në luftën e Koshares, ku edhe
ra heroikisht në altarin e sakrificës
kombëtare. Por, fryma e tij liridashëse
rikthehet edhe njëherë
duke u shndërruar në një emër që
do të personifikojë luftën e shqiptarëve
të Maqedonisë për liri.
Brigada 112 do të mbaj emrin e tij
dhe do të ngrihet në piedestalin e
qëllimeve të tija atdhetare", tha
gjeneral Kudusi Lama.
Po ashtu nga Shqipëria kishte ardhur
edhe Bardhyl Llagami, prindi i
dëshmorit Skerdilajd Llagami -
Komandant "Shpendi", i cili tha se
vetëm tani në këtë moshë ka kuptuar
mesazhin e vërtetë të mitit të
ndërtimit të Kalasë së Rozafës.
"Unë e kam dëgjuar si fëmijë atë
tregim që është dashur të sakrifikohet
dhe të muroset nusja e re dhe të
lërë jetim foshnjën e saj vetëm për
të mbijetuar kjo kala. Ndërsa tani e
kam kuptuar se sakrifica kërkon
pjesën më të dashur, pjesën më të
dhimbshme dhe më të mirë, pasi
edhe atëherë simbolika e Rozafës
është se besa është sakrifikuar për
të fituar mbi tradhtinë e dy
vëllezërve", tha Bardhyl Llagami
duke shtuar se Mujdini si edhe
shumë të dëshmorë të tjerë janë
palca e pastër kombëtare që është
sakrifikuar për një ideal fisnik.
Në emër të familjes Haradinaj nga
Kosova, telegramin e nënshkruar
nga gjeneral Daut Haradinaj, e
lexoi i autorizuari i tij, duke folur
për shembullin e sakrificës kombëtare,
Mujdin Aliun. Mujdini
bashkë me shokë nga Maqedonia i
dhanë goditjen e fundit okupimit
serb në Kosovë.
Mujdin Aliu ishte njëri nga ata që
mbeten pjesë më fisnike e kombit,
që thyen kufirin në Koshare. Ai
tashmë është mes nesh, si një
emblemë që na përkujton lirinë, që
na përkujton sakrificën. Vazhda e
tij është këtu, e ushqyer me
frymëzimet më të pastra atdhetare,
me të gjitha shenjat e rrugëtimit
tonë drejt vlerave kombëtare dhe
civilizuese", theksohej në letrën e
gjeneral Daut Haradinajt. Në anën
tjetër, veprimtari Beqir Berisha
para të pranishmëve tha se gjermanët,
anglezët dhe francezët nuk
janë popuj të mëdhenj dhe të përparuar
pse kanë numër të madh të
popullsisë ose pse kanë pasur dijetarë
dhe shkencëtarë të kalibrit
botërorë, por kanë mbijetuar duke
i përkujtuar dhe nderuar figurat e
tyre.
Akademia përkujtimore është përcjellë
edhe me një program artistik,
ku për nder të këtij dëshmori,
artisti i madh nga Shqipëria,
Reshat Arbana, ka recituar vargje
nga histori më e re e lavdishme
shqiptare, ndërsa Ilir Shaqiri ka
kënduar këngën kushtuar pavarësisë.
Nxënësit e shkollës fillore
"Skënderbeu" të fshatit Poroj për
nder të këtij dëshmori kanë organizuar
një kros, ndërsa qytetarët
kanë bërë homazhe te varrezat e
dëshmorëve në fshatin Poroj.
Në akademinë kushtuar Mujdin Aliut erdhën mysafirë nga të
gjitha trojet shqiptare
"Revolucionet kapërcejnë në tri faza.Të parët janë luftëtarët e rezistencës, që janë luftëtarët e idealit të pastër kombëtar, faza e dytë paraqitja e partizanëve dhe militantëve
partiakë dhe faza e tretë, e keqinterpretimeve dhe përvetësimeve të vlerave të luftës për përfitime politike dhe materiale", tha Besim Hoda,përfaqësues i OVL-UÇK
Dëshmori që theu kufirin shqiptaro-shqiptar