Andreas Zobel-Mos e lypni Kosovën, sembeteni pa Vo

13.04.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

Ambasadori gjerman në Beograd, Andreas Zobel, vlerëson se Serbia mund të mbetet edhe pa pjesë të tjera të territorit
Mos e lypni Kosovën, sembeteni pa Vojvodinën.

Nuk është e vërtetë se Kosova ka qenë gjithnjë në Serbi, sepse ajo është bërë pjesë e
Serbisë në vitin 1912, kurse Vojvodina ka hyrë në përbërje të Serbisë më 1918. Nëse Serbia
destabilizohet, Hungaria do të mund të insistonte ta kthejë Vojvodinën, tha Zobel

Beograd, 12 prill - Ambasadori i
Gjermanisë në Serbi, Andreas Zobel, tha të
mërkurën mbrëma se problemi i Kosovës
duhet të zgjidhet sa më parë në kuptimin e
pavarësisë së mbikëqyrur, sepse në të
kundërtën, do të mund të hapeshin problemet
në Vojvodinë dhe në Sanxhak.
"Insistimi për Kosovën si pjesë të Serbisë
do ta destabilizonte Serbinë dhe pastaj
do të mund të bëhej çështje e hapur
Vojvodina, e cila është e re në Serbi. Ky
nuk është kërcënim, kjo është analizë",
tha ambasadori gjerman në Forumin për
marrëdhënie ndërkombëtare të Lëvizjes
Evropiane Serbe, kurse transmetoi
agjencia Beta.
Zobeli tha se nuk është e vërtetë që Kosova
ka qenë gjithnjë në Serbi, sepse ajo është
bërë pjesë e Serbisë në vitin 1912 dhe rikujtoi
se Vojvodina ka hyrë në përbërje të
Serbisë në vitin 1918, duke shtuar se nëse
Serbia destabilizohet, Hungaria do të
mund të insistonte ta kthente Vojvodinën.
Ambasadori i Gjermanisë tha se insistimi
i kryeministrit të Serbisë, Koshtunica, për
mbajtjen e Kosovës nën Serbi çon në stagnim
dhe vendosjen në istikam, por pa
gjasa për fitore. Ai vlerësoi se kurrë nuk
mund të ketë marrëveshje ndërmjet serbëve
e shqiptarëve, andaj insistimi për
vazhdimin e negociatave paraqet vetëm
shtyrje të zgjidhjes.
Sipas tij, misioni faktmbledhës për
vlerësimin e përmbushjes së standardeve
në Kosovë do të konstatojë vetëm një gjë
- se këta dy popuj nuk dëshirojnë të jetojnë
bashkë, gjë që është e njohur. Andaj,
ky mision vetëm do ta shtynte zgjidhjen
e problemit të Kosovës për dy muaj.
Zobeli tha se propozimi i Martti
Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur
nuk është i mirë, por është më i miri nga
të gjitha zgjidhjet e këqija.
Në vijim, ai theksoi se Koshtunica, presidenti
Tadiq, sikundër edhe "këshilltarët e
mençur" të tyre, nuk kanë mundur t'ia
sqarojnë ç'do të thotë formula "më shumë
se autonomi, më pak se pavarësi" dhe shtoi
se sipas mendimit të tij Serbia meriton
elitë më të mirë politike.
"Shumëkush në Serbi do të dëshironte që
në Kosovë të shohë trazira të shkaktuara
nga shqiptarët, në mënyrë që pastaj të
mund të thonë se ja që kanë pasur të
drejtë kur kanë tërhequr vërejtjen për
kërcënime me terrorizëm". Zobeli shtoi se
statusi i Kosovës do të duhej zgjidhur me
rezolutë të Këshillit të Sigurimit të KBve,
sepse në të kundërtën do të shkaktoheshin
mospajtime brenda BE-së dhe
mungesa e konsensusit për misionin e
BE-së në Kosovë, e cila do të duhej të qëndronte
atje në 20 vjetët e ardhshëm.