Skënder Limani-Terrorizmi dhe Amerika

09.04.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

Terrorizmi dhe Amerika

Përkufizimi i shpeshtë i terrorizmit thotë që terrorizmi është veprim i dhunshëm si shkak i besimeve të ndryshme politike ose edhe të tjera. Ky akt manifestohet, përkatësisht, kryhet në publik dhe kundër publikut. Ndërsa vepra e dhunës terroriste rëndom theksohet të jetë ajo që kryhet në autobus, treg, pra, në vende publike që lëvizen nga civilë.

Në kuptimin politik, palestinezët shumë lehtë mund të etiketohen si terroristë. Në kuptimin medial, sa herë që flitet për terrorizmin, Palestina, përkatësisht, palestinezët, janë gjëja e parë ku të shkon mendja.  Më vonë edhe Nju Jorku, pastaj Hezbollahu, Iraku, Irani, etj., etj.  Në kuptimin gjeo-politik, terrorizmi përmblidhet në vendet myslimane.  Në kuptimin filozofik, e pse jo edhe fetar, e keqja vjen nga bota myslimane ndërsa e mira vjen nga bota e krishterë, nga kryqalitë.  

Sido që të jetë, në këto 7-8 vjetet e fundit ishim dëshmitarë të shumë ndodhive në Kosovë, por edhe në botë.  Shumicën e tyre i përjetuam dhe vazhdojmë t’i përjetojmë përmes mediumeve dhe marrëdhënieve me publikun. Sipas mediumeve, sepse ato edhe përdoren për marrëdhëniet me publikun, e tërë bota e krishterë është ngritur në këmbë për të luftuar terrorizmin.  Mjetet për këtë luftë janë ushtarake.  

Pavarësisht intervenimit Amerikan në Irak, për të cilën mendoj që ka qenë intervenim i drejtë politik, janë disa gjëra që, si duket, ose po keqinterpretohen ose po keqpërdoren për qëllime të caktuara politike. Po të kryhej intervenimi ushtarak në Irak në fillimvitet 90të, në ish-Jugosllavi nuk do të kishte luftë, pra, ajo do të shpërbëhej pa dhunë.  Por, e dimë që ky intervenim ishte i pamundur në atë kohë sepse në fakt Sadam Hysein ishte prodhim Amerikan, pra, Made in USA, për qëllime të caktuara politike.  Politika e jashtme Amerikane, si duket, e mban gjithnjë të njëjtin ritëm dhe qasje: ndërto, realizo qëllimet dhe pastaj rrëno për të ndërtuar përsëri, për të vazhduar realizmin e qëllimeve të tjera dhe pastaj rrëno përsëri për të ndërtuar… Kështu sillet rrota deri në pafundësi.  

Në kuptimin e marrëdhënieve me publikun, kjo politikë e jashtme Amerikane financohet nga buxheti Amerikan. Por, ajo se çfarë ndodhë jashtë syve të marrëdhënive me publikun, politika e jashtme Amerikane financohet edhe nga shtetet gjysëm-të-zhvilluara ose nga ato që pretendojnë zhvillimin, siç është Kosova. Përsëri, marrëdhëniet me publikun flasin që prania Amerikane, jo vetëm në Kosovë, ka për qëllim zhvillimin e demokracisë dhe të ekonomisë por situata në terren tregon diçka tjetër.  Askush nuk e njeh këtë mënyrë veprimi më mirë sesa ne këtu në Kosovë.
Pa u thelluar në teoritë e mundshme të komplotit ose të konspiracionit, moszhvillimi ekonomik i një vendi nga qeveria e po atij vendi lirshëm mund të quhet akt terroristë kundrejt qytetarëve ose civilëve, në këtë rast, të Kosovës.  Sidomos kur mundësitë për zhvillim janë ashiqare dhe të numërta.  

Megjithatë, Kosova vazhdon jetën e saj me fjalë të mëdha ndërsa me punë pak, sidomos nga ”miqtë tanë” Amerikan.  Thonë që fjala e mirë shëron sepse, nëse asgjë,  të jep “gajret”.  Por, Kosova e ka kaluar moti këtë faë.  Neve na duhet veprim dhe zhvillim. Ne nuk jemi lojtarë të mëdhenjë.  Tek e fundit, a mund dikush të bëj dallimin mes një terroristi dhe një amerikani?  

Skënder Limani