Skënder Limani-Njësia e Inspektimit Gjyqësor

09.04.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

Njësia e Inspektimit Gjyqësor

Në Kosovë, brenda strukturave qeverisëse të UNMIKut, ekziston një organizim
që quhet Departamenti i Drejtësisë ose në shqip Dega e Drejtësisë. Brenda
kësaj Dege ekzistojnë disa nëndegë e ndër to është Sektori për Zhvillim
Gjyqësor. E brenda këtij Sektori gjinden Njësia e Inspektimit Gjyqësor dhe
Njësia e Auditimit Gjyqësor, mes tjerash.

Njësia e Inspektimit Gjyqësor (NJIGJ) merret me inspektimin e punëve të
gjyqtarëve. Ata i inspektojnë gjyqtarët vetëm pasi që rastet, përkatësisht,
palët e përfshira në kundërshtitë gjyqësore, të ankohen kundër gjyqtarit që
ka vendosur për lëndën.  Ankesat e palëve, në shikim të parë, janë
qesharake, aq sa, thjeshtë, nuk mund të besohen. Pas inspektimit të rastit,
tashti lëndës, del që shumica e pretendimeve të palës të jenë të sakta, të
vërteta. Bile, gjatë inspektimit, përkatësisht, hulumtimit të lëndës, dalin
më shumë të bëma negative nga ana e gjyqtarëve sesa janë paraqitur nga pala.
 Ankesat kundër gjyqtarëve janë nga më të llojllojshme, duke përfshirë
marrjen e mitos, ryshfetit, animit ndaj njërës palë për arsye personale,
profesionale ose edhe nga mëria, pastaj, keqpërdorimi i detyrës zyrtare,
etj., etj.

Njësia e Inspektimit Gjyqësor ka mjaft telashe dhe kokëçarje morale. Çfarë
të bëhet më tërë këtë parregullsi të verifikuar dhe të faktikuar nëpër
gjykatat e Kosovës, të kryer nga ana e gjyqtarëve?  Nëse kjo Njësi fillon të
denoncojë gjyqtarët, pra, t’i ndjekë ata për shkak të veprimeve të tyre,
atëherë brenda tre muajve në Kosovë nuk do të mbetet asnjë gjyqtarë.  Në
anën tjetër, nëse nuk ndërmerret asgjë kundër veprimeve të gjyqtarëve,
veprat e tyre negative vetëm sa do të thellohen.  Veç gjykatës, në
procedurat e vendimit ligjor përkatësisht gjyqësor, varësisht nga rasti,
përfshihet çdo institucion i mundshëm, si privat ashtu edhe
shtetëror/publik.  Krahas gjykatave, më së shumti janë të përfshira komunat,
përkatësisht, Kuvendet Komunale në Kosovë, pra, për prona të ndryshme, pra,
toka, lokale afariste, shtëpi, banesa, pra, kundërshti pronësie, etj.

Siç e përmenda, aty afër funksionon edhe Sektori për Auditimin Gjyqësor
(SAGJ).  Ky Sektor, gjatë auditimit, vetëm sa thekson edhe më shumë
parregullësitë që kryhen në gjykatat në Kosovë.  Dallimi këtu është se ky
Sektor auditon ligjet e aplikuara në Kosovë. Sektori i Auditimit Gjyqësor
vetëm sa paraqet në sipërfaqe përdorimin e ligjeve të aplikuara në Kosovë
nga ana e gjyqtarëve për të kryer veprat e tyre.  Arsyeja e vetme pse është
kjo situatë e tillë është se ligjet e aplikuara në Kosovë janë kryekëput
përkthime nga gjuha serbo-kroate (deri më 1999) dhe nga gjuha angleze (pas
1999).  Gjuha e përdorur në këto ligje është e paqartë dhe hutuese, edhe
nenet dhe paragrafet janë të renditura në mënyrë hutuese, një i vetmi nen
mund të interpretohet në shumë mënyra, etj etj. duke u lejuar gjyqtarëve,
por jo vetëm gjyqtarëve, por edhe prokurorëve, avokatëve, në përgjithësi,
çdo juristi, që të përdor ligjin për llogari te veta.  Shkurt, veprat
negative në Kosovë janë të mbështetura në ligjin e shkruar.

Se situata me ligjin e aplikuar në Kosovë është e tillë, e di çdokush që
merret vetëm nja dy javë drejtpërdrejt me ligjin, përkatësisht, drejtësinë
në Kosovë.

Por tashti shfaqet dilema, pse ekziston Dega e Drejtësisë në Kosovë, pse
ekziston Ministria e Drejtësisë, pse ekziston Këshilli Gjyqësor i Kosovës,
pse ekziston Zyra e Posaçme e Prokurorisë në Kosovë, pse ekziston Oda e
Avokatëve të Kosovës, pse ekziston Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës, pse
ekziston Gjykata Supreme e Kosovës, pse ekzistojnë tërë këto gjykata të
Qarkut dhe Komunale në Kosovë, pse ekzistojnë tërë këto organizata
ndërkombëtare në Kosovë, sidomos Amerikane, që pretendojnë të merren me
reformimin e sektorit, përkatësisht, të sistemit të drejtësisë në Kosovë?

Miliona euro sillen nëpër dyert e këtyre zyreve për çdo javë. Milionat
thuhet që janë për reformimin e drejtësisë në Kosovë. Por, ku treten ato?

Ose, a e dinë këto organizime se çfarë nënkupton shprehja “drejtësi” dhe pse
është ajo e nevojshme për shoqërinë, sidomos për ne në Kosovë?  Ose, çfarë
nënkupton për këto organizime shprehja “drejtësi”?   Nëse për këto
organizime shprehja “drejtësi” nënkupton diçka tjetër, atëherë besoj që ne,
qytetarët e Kosovës, duhet të dimë për të para se të shfarosim njëri-tjetrin
mu për shkak të mungesës së drejtësisë në Kosovë.  Në këto kushte, Njësia e
Inspektimit Gjyqësor do të ishte më mirë të quhej Njësia e Mbulimit të
Korrupsionit Gjyqësor.

Skënder Limani