Lajmet-27.03.07

27.03.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Lajmet

NJU JORK
Këshilli i Sigurimit në muajin prill do t'i fillojë diskutimet mbi raportin final të Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës, tha Michele Montas, zëdhënëse e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Moon.
"Sekretari i përgjithshëm e ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për raportin e të dërguarit të posaçëm Ahtisaari dhe propozimin për zgjidhjen e çështjes. Me dorëzimin e raportit dhe propozimit për zgjidhjen në Këshillin e Sigurimit, procesi i përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës ka mbërritur në fazën vendimtare", tha Montas.
Raporti prej 3 faqe e gjysmë që iu dorëzua Këshillit të Sigurimit, bën thirrje për pavarësi të mbikqyrur të Kosovës. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian e kanë mbështetur propozimin.
Pritet që Këshilli i Sigurimit të votojë për planin dhe rekomandimet deri në verë.

UASHINGTON
Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Tom Casey tha se plani i Martti Ahtisaarit ofron mbrojtje të gjerë për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera jo-serbe në Kosovë.
"Ne e mirëpresim dhe mbështesim propozimin e të dërguarit Ahtisaari për statusin e Kosovës. Ai është i drejtë, i balancuar dhe mënyra më e mirë për ta çuar përpara stabilitetin rajonal. Plani i Ahtisaarit, që bën thirrje për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, do të mundësojë zgjidhjen e çështjes së fundit të mbetur nga shpërbërja e Jugosllavisë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve t'i pranojnë kompromiset e propozuara nga Ahtisaari dhe t'i përkushtohen zbatimit të plotë të marrëveshjes", tha Casey.

BAGDAD
Ushtria amerikane tha se i ka kapur dy udhëheqësit e dyshuar të sulmeve me automjete bomba, që janë përgjegjës për valën e sulmeve, në të cilat rreth 900 civilë e kanë humbur jetën dhe rreth 2 mijë janë plagosur, shumica në Bagdad. Të dyshuarit janë kapur javën e kaluar më veri të Bagdadit.

JERUSALEM
Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice tha se kryeministrit izraelit Ehud Olmert dhe presidenti i Autoritetit palestinez Mahmud Abbas janë dakorduar që të takohen çdo dy javë. Në ditën e fundit të turneut në Lindjen e Mesme, Rice tha se bisedimet fillimisht do të përqëndroheshin në çështjet e sigurisë, por më pas do t'i përfshinin edhe diskutimet për formimin e shtetit palestinez, në bazë të planit të paqes.

TEHERAN
Irani ka filluar t'i marrë në pyetje 15 marincat britanikë që gjenden në paraburgim. Zv. ministri i Jashtëm Mehzi Mostafavi ka deklaruar se është Irani ai që do të vendosë nëse grupi "qëllimisht apo rastësisht" ka hyrë në ujërat territoriale iraniane.
Radikalët në Iran duan që britanikët të akuzohen për spiunazh dhe të gjykohen.

BAZA GUANTANAMO/KUBË
Australiani David Hicks është dakorduar të deklarohet fajtor para tribunalit ushtarak të Shteteve të Bashkuara, në lidhje me akuzat për furnizime materiale të terroristëve. 31-vjeçari Hicks akuzohet se ka luftuar për Al Kaidën në Afganistan gjatë invazionit amerikan në vitin 2001, dhe për më shumë se 5 vjet mbahet në bazën Guantanamo.
Ai e shpalli vendimin e tij gjatë seancës dëgjimore në tribunalin për krime lufte në bazën Guantanamo.

NJU JORK
Një studim i ri thotë se pica mund të jetë e mirë për shëndetin. Kimistët në Universitetin e Maryland-it në Shtetet e Bashkuara, thanë se kanë zbuluar mënyrën për t'i shtuar përbërjet antioksidante të grurit, të cilat mund të mos zhduken gjatë pjekjes në temperatura të larta.
Disa ekspertë besojnë që antioksidantët e zvoglojnë rrezikun nga kanceri dhe sëmundjet e zemrës.