Fadil SHYTI- SA KRAHASIME TË SHËMTUARA SA VLERËSIM
SA KRAHASIME TË SHËMTUARA SA VLERËSIME TË VERBUARA!!!
REAGIM
Sot, pikërisht në ditën e përvjetorit të tretë kobzi kur me rastin e demonstratave
në Kosovë, më 17 - 18 mars 2004, kur populli i Kosovës i revoltuar nga vrasja e
tre fëmijëve nga kriminelët serbë dhe i revoltuar nga gjendja tepër e rëndë nga
politikat unmikase dhe të shërbëtorëve të tyre të etur për pushtetin fiktiv nën
çizmet e huaja, por tani jo serbe por të miqve të tyre evropianë; u ngrit në
demonstrata me ç´rast u vranë shumë demonstrues, në vend që fillimisht të nderohen
bile me një minut heshtje dhe të përkujtohen shqiptarët e vrarë, në vend se tani
të debatohet shtruar për faktin tejet të hidhur se çështja e dosjeve të
kriminelëve serbë dhe ato të milicisë ndërkombëtare për vrasjet e shqiptarëve po e
bëjnë gjumin siberik, (apo ndofta janë humbur fare), në sirtarët e gjykatave
unmikase pro-serbiane , pikërisht tani paturpësisht ngritën akuza të poshtra
kundër shqiptarëve, dënohen dhe burgosen ata, akuzohen se kinse paskan bërë kthim
prapakthehu në histori me ato
“frustrime” me ç´rast u dogjën disa kisha e manastire dhe disa shtëpi serbe.
Secili intelektual, njeri me mend në kokë, nuk guxon të mendoj se avaritë e tilla
janë të arsyeshme dhe janë ato të cilat i shërbejnë zgjidhjes së çështjes ende të
pazgjidhur të trojeve shqiptare dhe janë ato që mund t´i shërbejnë kapjes së
kriminelëve të huaj ngado çofshin ata shpirtzinj! Por, kjo nuk e arsyeton aspak
faktin e hidhur se si mund të krahasohen disa miliona euro se i pakan dalë
buxhetit të Kosovës nga dora dhe po aty të harrohen apo të flitet aq pak për
tragjedinë e madhe që e kaploi Kosovën ato ditë, kur në fushëbetejat me forcat
“paqeruajtëse” ranë 9 shqiptarë duarthatë, pavarësisht se dikush mundohet të hedhë
pluhurin e harresës, në mënyrën më cinike dhe më dinake mbi dëshmorët e atyre
demonstratave.
Jam i bindur se përpjekjet e atyre që e harrojnë aq lehtë gjakun e derdhur
shqiptar për një post o për një grusht euro apo dinarë , do të dështojnë me turp
sepse këtë s´do ta arrijnë kurrë! Populli, kurdoherë do t´i përkujtojë bijtë dhe
bijat e veta të rënë betejave për liri dhe ribashkim kombëtar!
Rasti më flagrant, revoltues dhe tepër i dukshëm qe kur RTK-ja kjo forcë mediale,
jo e pavarur por dorë e zgjatur e unmikut, e paraqiti vetëm një pamje filmike të
cilën për as një minut nuk e la, por e hoqi episodin ku shihej kur po bëhej
varrimi i një dëshmori të lirisë, ato ditë pas atyre demonstratave. Kjo, paraqitje
makabre qe më 17.03 2007 në emisionin e lajmeve ora 19.30, pastaj filluan
vajtimet për shtëpitë e djegura të kolonëve serbë! Filloj pastaj një plakë serbe
të ankohej se këtu në Kosovë s´jetohet, shumë fqinjë këtu afër meje i kanë shitë
shtëpitë e kanë ikur në Serbi, ani pse në televizion dukej fort e mirë shtëpia e
saj, e ndërtuar nga eurot e qeverisë së Kosovës. Duke e parë këtë skenë pothuaj të
përditshme kur sot shumë familje dëshmorësh apo invalidë të luftës së UÇK-së, nuk
po kanë një shtëpi modeste për fëmijët e tyre, po mendoja: kësaj i thonë: kur
xhelati vajton se viktima e tij e ka sulmuar! Këtë po e bënë sot propaganda e
politikës së
çoroditur pro-serbe alla unmikase. Dhe në këtë kor fatkeqësisht janë hedhur në
valle djalli dhe disa gazetarucë dhe politikanë servilë shqipfolës që kurrë nuk
qëndruan vertikalisht në ballë të historisë së re të Kosovës, por jetuan dhe po
jetojnë galuc, të majmur nga shpërblimet e huaja agjenturore, për shërbimet që po
ua bëjnë atyre në dëm të kombit shqiptar.
Kur shtojmë këtu edhe ca vlerësime të disa “analistëve” të majmur nga honorarët e
shkrimeve ngjyrë gri e zi; të marrë kuzhinave apo shesheve bulevardeske nga vendet
armike, profesion i tyre i regjur me vite nga koha titiste dhe pastaj e regjimeve
kundër-shqiptare prej vitesh të tëra! Në këto
vlerësime tejet i angazhuar u paraqit edhe një herë si hera të tjera “i ndrituri”
“largpamësi” dhe shumë servili, Baton Haxhiu, i cili madje shkoi deri aty sa u
kërkonte shqiptarëve që “ta ndërrojnë gjuhën” pra të flasin jo në gjuhën realiste
se serbët duke i përfshirë këtu edhe kolonët e ardhur nga kohët e krajlëve të
vjetër – të cilët na kanë torturuar e vrarë në shekujt plot stuhi- të mos i
theksojmë, por t´i harrojmë ato; pra, breznive të reja të mos u flasim me gjuhën e
urrejtjes, për pushtuesit serbë, por me gjuhën “e hollë” të vëllazërim
bashkimit!!!
Teori të tilla bajate titiste veshët tanë kanë dëgjuar vite të tëra nga
politikanët pro-unmikas, të cilët tani e kanë ndërruar terminologjinë; jo
vëllazërim –bashkim, por multi-etnicitet, jo autonomi por pavarësi nën mbikëqyrje
e të tjera gjepura maskuese dhe dështuese të një politike tejet kundër-shqiptare!
Në emisionin “Jeta në Kosovë”, analistët e “mirëfilltë” edhe njëherë për më tepër
i dënuan demonstruesit shqiptarë se edhe vet kriminelët serbë, duke mos harruar
këtu qëndrimin mjaft të matur dhe burrëror të ish-kryeministrit të asaj kohe,
Bajram Rexhepi, i cili jo rrallë herë tregohej i arsyeshëm dhe u rezistoi me
sukses sulmeve dhe akuzave të tipit policor- gazetarucit, “ të “famshëm”, B.
Haxhiu, i cili akuzonte pse ne shqiptarët u themi serbëve- “shkije”,?!!!
Bashkëbiseduesi, ia ktheu me të drejtë; - kjo nuk është diçka që çon shumë peshë
- mos harro se edhe ata ne na quajnë “shifrari” e të tjera shprehje fyese! Sipas
konstatimit të “mjekroshit”, shqiptarët gjithmonë do ta kenë shtetin e tyre
diskutabil, derisa të flasin me këtë gjuhë qeveritarë dhe parlamentarë shqiptarë!
Nga kjo akuzë paralajmëruese konstatoj se i deleguari “modernist” ia bënte botës
“demokratike” me dije se këtu ende ka shumë për t´u bërë, derisa të çrrënjoset
nacionalizmi shqiptar! Sepse, ajo
kokë gjendet në kupolën e udhëheqjes së Kosovës. Sulme dhe shpifje të zeza si kjo i
kemi dëgjuar vetëm në kohët e inkuizicionit herleviqjan dhe millosheviqjan!
Mendoj, se shërbim më të madh se kjo zor se mund t´i bëhet Serbisë
gjenocidale.
Në këtë debat shihej qartë dhe një tendencë nga “analistët” e shqetësuar: ata duke
i dënuar demonstratat dhe duke i injoruar shkakun kryesor që i nxitën ato e
“harruan” edhe një element kryesor ta theksojnë; kujtojmë këtu sjelljet politike
gjatë asaj kohe nga UNMIK-u, kur një makineri e tërë propagandistike ishte
drejtuar në favor të Beogradit dhe po tentohej herë hapur e herë maskuar që të
vendosej indirekt rikthimi i forcave serbe në Kosovë, që pastaj Kosova të mbetej
sërish nën juridiksionin serb. Kujtojmë këtu, dokumentin e “famshëm” Kornizën
Kushtetuese, kujtojmë këtu “lirinë” kur kryeadministratori i Kosovës i fshinte me
një të rënë lapsi të gjitha ligjet e parlamentit të Kosovës të cilat nuk i shkonin
përshtati, Serbisë.
Prandaj, çekanët e “mjeshtërve” godisnin andej-këndej por jo në gozhdë, rrahjet e
tyre bënin vetëm zhurma...
Ata, përpiqeshin që fajet për dështimet e UNMIK-ut, dhe të politikanëve të
Kosovës, t´ia hedhin popullit të shumëvuajtur! Nga kjo sikur doli hapur konstatimi
që: sikur të mos ngjanin ato demonstrata nuk Kosova nuk do t´i kishte këto “
ndërkëmbëza” politike që po e pengojnë pavarësinë e saj!!!
Jo, mor zotërinj!
Mos tentoni kot, që fajin ta fshihni si kukuvajkat!
Nuk është faji tek populli se ju atij që në Rambuje ia keni bërë me të pabesë!
Pastaj, pas luftës gjatë fushatave elektorale i keni thënë se do të merr koha me
diell, por ju doli stuhi me erëra të pista në shumë drejtime!
Mbase, vetëm një faj jo të vogël e ka populli ynë; sepse shumë herë ju besoi dhe
ende po ju beson besëprerëve, prandaj e ka pësuar dhe do ta pësoj gjatë historisë,
derisa të kthjellohet, e të dijë kujt po ia japë votën, pra besimin.
Prandaj, populli u revoltua kur e pa pjesërisht dinakërinë tuaj!
Ndërsa, planet e UNMIK-ut ishin të fillohet me ato 8 standardet e “famshme” e
pastaj më vonë të shtohen të tjera mynxyra mbi popullin shqiptar të Kosovës, si
decentralizimi. eksterritorialiteti etj, etj, për t´ia vënë kupolën e turpit me
një pavarësi me mbikëqyrje, nën tutelën e huaj evropiane, apo më saktë të themi
shul shqip: me një autonomi të zgjeruar nën protektoratin evropian, por jo të
shkëputur nga kthetrat gjakatare serbomadhe.
Mbase, nuk meriton të humbet koha me këta soj - sorollopësh servilë, që po mbijnë
si këpurdhat pas shiut, sikur të mos e dija se pikërisht mbrëmë plaku i Paketës së
tymit e barotit për Kosovën, M. Ahtisari deklaroi: “pavarësinë nën mbikëqyrje për
Kosovën e propozova, kur e dorëzova planin tim në OKB, nga sjelljet e S.
Millosheviqit me shqiptarët dhe nga sjelljet e udhëheqjes së Kosovës me serbët e
Kosovës, pra, kinse kjo klasë politike nuk qenka sjellë si duhet me serbët e
Kosovës; (bile këta as i quajti as minoritet, ashtu si janë në të vërtetë)! -
Këtë e konsideroj një kompromis”- përfundoi ai.
Një krahasim i tillë kaq i poshtër dhe cinik, është tejet i tmerrshëm!
Të krahasosh krimet dhe shkatërrimet serbe nën udhëheqjen e S. Millosheviqit, me
përpjekjet e pandërprera të pushtetarëve të Kosovës, “kukulla” në administratën
unmikase, të cilët përkundër faktit se nuk kishin as nuk kanë në dorë organe
ekzekutive as legjislative, por bënë dhe po bëjnë gjithçka për t´i ofruar
minoritarët alias kolonët serbë në shoqërinë kosovare, është si t´i krahasosh
natën me ditën, si t´i krahasosh stuhitë e tornadove në Amerikë, me qetësinë
detare gjatë një mbrëmjeje vere në Sarandën tonë të bukur.
Kjo, natyrisht nuk i shkon përshtati askujt më tepër se serbëve kolonë, të cilët
gjatë kohës së regjimit të S. Millosheviqit, ishin të armatosur deri në dhëmbë dhe
pa hezitim i torturonin dhe i vrisnin fqinjët e tyre shqiptarë! Kjo, i shkon
përshtati gjithashtu edhe qeverisë dhe pushtetarëve “demokratë” në Beograd dhe
Moskë, të cilët nuk po lënë gur pa lëvizur për ta penguar ecjen përpara të
zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Marti Ahtisari, don apo nuk don ta di se tani,
këta shovinistë dinakë të rryer e kanë ndërruar gëzofin sipas motit, nga ata
trimat e egër që ishin dikur, që kërkonin gjak rrugëve të Kosovës në mesin e
viteve 90-ta, që qirreshin deri në qiell në demonstrata të vriten të gjithë
shqiptarët, ose të dëbohen përtej Bjeshkëve të Nëmura, tani janë kthyer kinse në
viktima! Mbase, për këtë edhe nuk po e kanë fort zor, sepse për t´i arritur të
gjitha objektivat e tyre, këtë po ua mundëson politika unmikase e cila u bëri
privilegje të pakufishme gjatë këtyre
viteve, sikur të ishin nën gëzofët e arushave të bardha ruse!
Revoltues është fakti se konstatimi tjetër që doli sonte nga goja e presidentit të
Kosovës, Fatmir Sejdiut qe jo vetëm servil por edhe tejet kundër-historik; kur e
pyetën gazetarët për konstatimin e “kompromisit” të Ahtisarit, për
kritikat-krahasimet se jeni njësoj ju ballkanasit- kurdoherë sipas stilit evropian
që fajtorë tragjik i lënë shqiptarët, ky “politikan i rryer” dhe elastik
“modern”, deklaroi: “Ahtisari, duke e kërkuar në KS pavarësinë me mbikëqyrje, ka
dashur të na ndihmojë më tej, me praninë e ndërkombëtarëve në Kosovë”!!!
Nga kjo konstatoj me hidhërim të madh, sa poshtë ka rënë politika
shqiptare-kosovare e “Grupit të Unitetit”!
Nga kjo del dyshimi i bazuar, mos vallë këta “zeusët” e Kosovës e paskan kërkuar
atje në instancat e larta ndërkombëtare, vetëm një pavarësi të mbikëqyrur?! Nga
kjo konstatoj se jo kurdoherë me kohë iu tha dhe po i thuhet e vërteta popullit
tonë të shumëvuajtur. Këta politikanë syleshë dhe sharlatanë, atje kanë pasur
mundësi të flasin me dyer të mbyllura dhe me ide të mykura!
Tani, kur po shihet hapur se janë fort të ekzaltuar nga kjo “fitore” e aq
shumëpritur, prej tyre.
Por, këtu konstatoj dhe paralajmëroj se: zotërinjtë i kanë bërë hesapet pa
hanxhiun; ngadalë beg se ka hendek- thotë populli ynë, mos merrni valë me avull,
kaq shpejt, nga kjo “hallvë” sepse prapa e keni historinë , përballë e keni
Lëvizjen Vetëvendosje dhe forca të tjera përparimtare kudo në trojet shqiptare, të
cilat nuk e hanë dot këtë hallvë turpi e sheqerosur me erëza tradhtie!
Populli i Kosovës, duhet t´i bashkohet dhe të jetë kurdoherë mirënjohës ndaj L. V.
e cila me dinjitet dhe guxim po organizon demonstrata ku po shprehen qartë
pakënaqësitë popullore, aty po i tregohet qartë popullit se nga po ecën lokomotiva
e zezë e historisë së re të Kosovës, kjo natyrisht po i i ndihmon shumë popullit
të Kosovës, që të dalin si në dritën e diellit dhe të shihen qartë kërkesat tona
të drejta, ashtu i bëhet bllokadë çdo anarkie politike si kjo që e ka vënë “Grupi
i Unitetit” politikën shqiptare në Kosovë dhe më tej në të gjitha viset shqiptare.
Ashtu, u bëhet bllokadë edhe të gjithë atyre që në emër të demokracisë po e
shkelin atë, duke ia mohuar kombit tonë të drejtën për vetëvendosje!
Përpara drejt vetëvendosjes!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Suedi, 17 mars, 2007
Komentet e arkivuara (1)
Përgjigjet origjinale të ruajtura në forumin historik. Datat shfaqen sipas arkivit.
Kiki(Guest)17.04.2007 · 12:58 UTC
Mos i vajto ti ata qyqar që i nxorën nga bugjeti i Kosovës ato "pakë"të holla që të mbulohet mospjekurinë e tyre.Se na i patëm institucionet e dala nga vota e popullit pas lufte,prandaj nuk ishte e nevojshme që të dalin sikur njerëzit jashtëtokësor e t'a ndërsenin rininë!!!Mos po thua që ata të shpallen heroj,bashkë me RTK-në.Jo ore Zotëri,se ato nuk pinë ujë më,është HELM.Ato punë ishin dëmtuese tejet mase.kush të thotë se vrasja e tre fëmijve të pa fajshëm është mirëpritë por ajo ishte prap hallk e sprovave që i bëri armiku.Deshën që tërë mundi dhe gjaku të përmbysën menjëherë.Kurse ata të Gjeneralëvet STANKOVECIT deshiruan me rrahagjokës, prap të kthehemi ndoshta edhe më poshtë se 1981.E pranoni apo jo kjo është realiteti.Po prap varet nga diapazoni i përceptimit të arritje së njohurisë gjatë jetës.(shkollimit).Diapazoni ka rëndësi të madhe që të arrihet ku synohet!!!.Sepse,nuk është një jetë në pyetje as një emër,po është një KOMB NJË SHTET>Leni ato mendime të krisura.Dhe mos u mundoni të shitni mençuri para popullit të vuajtur me lak të lidhur rreth qafe.Ate njëherë e menjanuam nga qafa po sa do të zgjat deri të finalja varet dhe nga llojet "heronjëve'' si të 17-18-marsit 2004.dhe nga trimat Stankovecit.
U kuptuam se ajo vij edhe tani po vazhdon me B.Adem e Albini.
Por kot e keni,se Fatmiri jo që nuk gabon por ika të tjerët që nuk i lënë të gaboi,është populli që i dha votën.prandaj ai duhet të matet e të matet gjatë për një veprim aq madhor.