Beqir ELSHANI-DITËLINDJA DHE PËRKUJTIMI

26.03.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

Beqir ELSHANI

DITËLINDJA DHE PËRKUJTIMI

Sot është 26 Mars, Përvjetori i Ditëlindjes më të madhe të Demonstratave të
Kosovës. Përvjetor i Ditëlindjes më të madhe, sepse pas Demonstratave të
vitit 1981 u rrënua Muri i Berlinit, i cili bashkoi një popull gjerman; u
rrënua perandoria e kuqe në Rusi dhe perandoria blu në Jugosllavi, ashtu siç
u rrënua një shekull më parë edhe perandoria osmane. Demonstratat e Kosovës
shkatërruan imazhin e shtrigës pansllaviste në Evropë. Në prag të
mijëvjeçarit të tretë, Lëvizja e Studentëve të Kosovës e zgjoi Evropën
hutaqe nga letargjia e gjumit propagandistik të Beogradit, me degën e
ullirit mu në grykën e tankut të blinduar ushtarak. Derisa nën qiellin
kaltërosh të Beogradit fluturojnë pëllumbat e ashtuquajtur të paqes, në
fushat e tyre dhe në thellësinë e Danubit ende gjinden trupat e pajetë të
shqiptarëve të masakruar. Kriminelët serbë të luftës tani merren me rritjen
e pëllumbave në Serbi. Kjo zejtari e tyre hipokrite është ndër më të
çuditshmit në historinë e njerëzimit: të rritësh pëllumba, por edhe të
vrasësh fëmijë shqiptarë. Më në fund, o fëmijë të dashur që edhe juve u ra
në hise të përjetoni luftën nga ushtria vrastare serbe, Jugosllavia vdiq,
kurse populli boshnjak që gjithashtu i përjetoi tmerret e luftës nga ushtria
jugosllave, thotë se Jugosllavia ngordhi.

Po në këtë ditë jubilar, mbesa ime, Driana, kremton ditëlindjen e saj. Ajo i
mbush nëntë vjet, që janë vite simbolike të qëndresës shqiptare. Nëntë vjet
kreshniku dhe simboli i forcës kombëtare, Gjergj Elez Alia, i bëri ballë
nëntë plagëve të luftës, derisa më në fund përfaqësuesin e dhunës - bajlozin
përbindësh, e zhduku nga faqja e dheut. Nëntë vjet motra stoike ia lante
plagët e Gjergjit me ujët e gurrës dhe me lotët e syve. Dikur moti,
pushtuesit e huaj ndërroheshin ashtu siç ndërrohen stinët e vitit. Nëntë
vjet Aga Imeri qëndroi i burgosur në kështjellën bizantine dhe ishte
optimist se nusja ende e priste në shtëpi. Pas nëntë vjetësh mbyllur në
kështjellën me mure të larta, Aga Imeri kishte parë një ëndërr të keqe, se
shtëpia ishte rrëzuar, babai kishte vdekur dhe nëna ishte verbuar, kurse e
dashura e tij ishte martuar. Aga Imeri ishte i tronditur për fatin e
familjes dhe të dashurës së tij që e kishte pritur nëntë vjet, e bija e
krajlit mëshirohet para karakterit heroik të Aga Imerit dhe e liron me besë
se do të kthehet prapë. Kjo legjendë madhështore e kohës bizantine të bën të
çuditesh, si nuk qe e mundur që tek populli serb të dalë një grua bujare, që
të mbrojë fëmijët dhe nënat shqiptare nga masakruesit e pashpirt serbë.

Këto tmerret e luftës, mbesa ime i ka përjetuar gjatë luftës, kur serbët i
shkrumbuan shtëpitë me çdo bimë në tokë, dhe vranë shumë njerëz të
pafajshëm. Të gjithë e dinë që në botë nuk ekzistojnë fëmijë fajtorë,
prandaj serbët nuk bënin dallime, dhe vranë shumë fëmijë shqiptarë. Unicefi
Ndërkombëtar në çdo skaj të botës i mbron fëmijët që janë ardhmëria jonë; që
janë bukuria dhe dielli i jetës sonë. Një ushtri që vret fëmijë, më mirë
është që kurrë të mos ec në tokë, do të thotë që këta katilë as në botën
bimore dhe shtazore nuk e meritojnë të lëvizin. Prandaj Driana, mos harro
t´i tregosh gjyshit se Jugosllavia cofi. Kështu tregoji gjyshit, meqë gjyshi
e kupton më mirë. E marr me mend se gjyshi, në fillim, do të qesh nga gëzimi
i zhdukjes së përbindëshit me emrin Jugosllavi, por edhe do të qajë nga
pikëllimi për tragjedinë e tmerrshme të popullit shqiptar që pësoi nga
ushtria barbare serbe. Gjatë jetës së vetë gjyshi ka përcjellë pushtuesit
italian, gjerman dhe bullgar, mirëpo ushtri brutale si pushtuesi serb Evropa
nuk ka dhanë, dhe kurrë mos dhëntë.

Për shkak të rrethanave pushtuese nga ushtria vrastare serbe, një kohë të
gjatë pranverat shqiptare kanë qenë të zymta. Nuk kishte fare zogj: as në
fshatra, as në male. Kënga e bilbilit ishte ngulfatur thellë në fyt, sepse
ishin vrarë zemrat e fëmijëve më të dashur në botë. Në vend të cicërimës së
zogjve, gjëmonin mortajat e serbëve që shkrumbonin tokën, kurse qielli
përflakej me tymin e barotit. Po a çel trëndafili pa këngën dhe pa krahët e
zogut? A hapen petlat e luleve, pa i mbëltuar bleta punëtore e fushave të
bukura të Kosovës kreshnike?

Shokët e klasës me një buqetë lulesh ia uruan ditëlindjen Drianës. Në bankën
e klasës mungonte një shoqe e tyre, gjatë luftës e vranë militaristët serbë.
Ajo u pushkatua në tregun e qytetit, kurse babai i saj ra dëshmor duke
luftuar kundër bandës serbe. Në fillim mbretëroi heshtja në klasë, pastaj
vunë një lule në bankën e nxënëses së vrarë. Drianës i rrodhën lotët e
dhimbjes për shoqen e bankës, pastaj me lot në faqe doli nga klasa. Në oborr
pa një kalë që po kulloste barin e njomë pranveror dhe të lagët nga shiu i
mbrëmjes. Dalëngadalë iu afrua kalit dhe me dorën e butë ia përkëdheli
kreshtat në qafë. Kali e dinte gjuhën e fitores dhe pranoi që vogëlushja t’i
afrohej. Pas pak, ajo i hipi kalit dhe kalëroi për në varrezat e dëshmorëve
të kombit. Me të arritur në vend, zbriti prej kalit dhe lulet e ditëlindjes,
që ia dhuruan shokët e klasës i vuri pranë lapidarit me simbolin e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës. Vështroi flamurin kuqezi që valonte mbi lapidar,
shqiponja kishte zbritur nga bjeshkët e Sharrit dhe zuri vend në lapidarin e
trimave shqiptar që ranë në altarin e lirisë. Pasi i nderoi dëshmorët e
lirisë, u kthye dhe pa se nuk ishte vetëm, ishin shoqet dhe shokët e klasës
me mësuesen e tyre. Nga mesi i nxënësve të klasës jehoi një këngë atdhetare
partizane:

Dalngadal´ po na vjen behari,
Dalngadal´ po na vjen.
Nëpër fusha rritet bari,
Dalngadal´ po na vjen.
Po na vjen, po na vjen,
Bota zien, bota zien,
Shokët tan´ kjo luft´ po na i rrëmben.

Shpati i malit jehoi nga kënga partizane, ku një erë e lehtë pranverore po i
luhaste degët e lisave dhe të gjithë zogjtë iu bashkëngjitën korit të
fëmijëve. Pas përfundimit të këngës, jehoi zëri i njërit nga nxënësit e
klasës: Lavdi Dëshmorëve të Kombit! Pastaj të gjithë, njëzëri, brohoritën:
Lavdi! Lavdi! Lavdi!

Komentet e arkivuara (1)

Përgjigjet origjinale të ruajtura në forumin historik. Datat shfaqen sipas arkivit.

RTVZIK26.03.2007 · 20:59 UTC

ALBIN KURTI - SINONIM I VETËVENDOSJES
- Me rastin e 32 vjetorit të lindjes -
”Këtu ti duke hyrë dafinat lëri jashtë, mjerimi që na pllakosi, Horac ta qajmë
bashkë”.
Pjer Korneji
Beqir ELSHANI
Lëvizja Vetëvendosje që me mjete paqësore, me banderola thyen prangat e varësisë
politike dhe ekonomike të Kosovës shkon drejt lirisë dhe pavarësisë. Prandaj një
pushtet që mohon vetëvendosjen, do të thotë se mungon liria dhe demokracia në
popull. Ishte populli shqiptar që e përqafoi Lëvizjen Vetëvendosje, pa ndërhyrjen a
armiqve të rrezikshëm për pavarësinë e Kosovës. Një i burgosur kroat, Marko
Veselica, në burgun e Lepoglaves së bashku me revolucionarin, Adem Demaçi, kishte
thënë: "Po ta kishte një rini të tillë Kroacia që nga viti 1971 ne do ta kishim
shtetin tonë kroat, të lirë e të pavarur, se ju keni një rini të
mrekullueshme që nuk e ka çdo kush, të ngritur kombtarisht në një shkallë shumë të
lartë. Dashtë zoti që ju shqiptarët të keni një udhëheqësi vërtetë popullore që do
të dijë të orientojë dhe ta përdor drejtë këtë faktor, që është ndër më të mirit në
Ballkan e Evropë." ("ZËRI I KOSOVËS" NR. 2/1996). Vlen të përmendet me respekt ky
mesazh i intelektualit kroat që ia drejtonte popullit shqiptar, i cili një kohë të
gjatë vuajti për një udhëheqësi të vërtetë popullore.
Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u nis drejt çlirimit të Kosovës nga
pushtuesi më i zi serb. Serbia ka marrë të gjitha trajtat e kobshme të fashizmit,
dhe ato i ka zbatuar ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Fashizmi gjerman nuk ishte më
i keq ndaj popujve të Ballkanit, sa ishte i keq fashizmi serb, ky i fundit ua kalon
gjithë fashizmave në Evropë dhe në botë. Padyshim që Kosova ishte flamurtare e
shkatërrimit të ish-Jugosllavisë së qeverisur nga udba famëkeqe serbe. Kjo ngjarje
le të jetë shembull në botë, se një shtet kolonialist i armatosur deri në dhëmbë që
mundohet të zhduk popujt tjerë vetëm pse nuk i përkasin gjuhës dhe prejardhjes së
pushtuesit, është e destinuar të vetëvritet.
Albin Kurti shkoi edhe më lart, duke parë shqiptarët dhe boshnjakët e masakruar nga
fashizmi serb, kuptoi se forca e këtij përbindëshi të pangopur ishte diku në Moskë
dhe Athinë, falë gabimeve strategjike të diplomacisë evropiane dhe ndërkombëtare,
por edhe burokracisë së OKB-së, e cila në vend se të njoh pavarësinë e Kosovës,
merret me rehabilitimin e Serbisë kriminale. Shumë para të qarqeve shoviniste po
derdhen në drejtim të diplomacisë serbe, në mënyrë që Serbia ta rikolonizojë
Kosovën. Po e përkujtoj se njëri nga filozofët e famshëm të Tibetit, Paskia Pandita,
thotë: "S´mund t´i japësh flakë një pylli të madh po nuk të ndihmoi era”. Prandaj,
kësaj radhe, le të na falin diplomatët evropianë dhe ndërkombëtarë, dhe ta pranojnë
gabimin
që me përkushtim e përkëdhelën pushtuesin tonë me emrin Serbi. Po kjo OKB, kohët e
fundit, Serbisë, si protagoniste kriminale në Evropë dhe në botë, ia hoqi fajësinë
për gjenocidin ndaj popullit boshnjak. Nuk ka dyshim se kjo përulje ndaj Serbisë
kriminale po ndodh pikërisht për inat të popullit shqiptar, sa për ta lejuar
përzierjen e saj në dëm të çështjes kombëtare shqiptare, jo vetëm në Prishtinë, por
edhe në Tiranë. Ndërkohë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës po dënohen luftëtarët e
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vend se në bankën e të akuzuarve për krime ndaj
njerëzimit në Bosnjë e Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë të dalin kriminelët
serbë të drejtuar nga Beogradi, po akuzohen çlirimtarët. Prandaj duke dënuar
çlirimtarët shqiptarë, Gjykata Ndërkombëtare po e dënon ndërhyrjen e forcave të
NATO-s dhe OKB-së në Kosovë. Duke parë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush
Haradinaj, në
bankën e të akuzuarve për krime, kam parasysh se po e shoh kryengritësin zviceran,
Vilhelm Telin, gjithashtu duke parë udhëheqësin Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti,
kam parasysh se po dënohet oficeri francez, Alfred Drajfus. Dihet që Serbia llomotit
fjalorin e llamarinave beogradase, kinse me pavarësinë e Kosovës po bëhet Shqiperia
e Madhe. Ky blof serbosllav është bërë traditë e shovinizmit serb, me anën e së
cilës bën shantazh sa për të mashtruar opinionin ndërkombëtar. Me këtë vërtetohet se
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Serbisë zbaton gënjeshtrën, prandaj publicistika
e tyre merret me mashtrime dhe trillime në dëm të shqiptarëve.
Duket qartë, që Albini me kohë kundërshtoi negociatat para se Kosova të bëhet shtet
sovran, dhe para se Serbia të kërkojë falje ndërkombëtare, por edhe të dënohet,
ashtu siç u dënua Gjermania e madhe po aq edhe e fuqishme pas përfundimit të Luftës
së Dytë Botërore. Nuk ka më bukur se të bëhesh shtet, pastaj shko dhe bëj negociata
gjithë ditën me Serbinë fqinje, që ka interesa të ndërsjella, do të thoshte populli
i shumëvuajtur shqiptar. Ngjarja e pushtetarëve shqiptarë si në Prishtinë, ashtu
edhe në Tiranë më kujton dramën ”Horaci” të Pjer Kornejit, kur Sabina i drejtohet
burrit: ”Këtu ti duke hyrë dafinat lëri jashtë, mjerimi që na pllakosi, Horac ta
qajmë bashkë”. Prandaj, me të drejtë mund
të shkruaj se Albin Kurti me simbolin e qëndresës, Adem Demaçin, nuk pranuan dafinën
e Qeverisë së Kosovës, por qëndruan stoikë krah popullit shqiptar, që në mënyrë të
tërthortë po e përjeton shtypjen dhe shfrytëzimin e egër serb. Kjo e fundit u pa me
zbardhjen e agjenturës serbe, e cila me anën e policëve rumunë të Unmik-ut vrau dy
dhe plagosi me dhjetëra protestues paqësorë, vetëm pse kërkonin Vetëvendosjen e
popullit shqiptar. Sinonimi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kundërshtoi Rezolutën e
OKB-së 1244, që Serbinë Fashiste lejon të veprojë si të dojë me Kosovën, që kishat e
ndërtuara nga dora e shqiptarit të bëhen pronë e pakicës serbe, jo për qëllime
fetare, por për qëllim të rikolononizimit diplomatik të Kosovës; kundërshtoi që
populli shqiptar me 95% të quhet komunitet krahas me pakicën serbe dhe turke,
aferim, dy pushtuesit më të urryer të popullit shqiptar, që e sakatuan Shqiperinë
Etnike: e mbrapsën si në fushën e emancipimit, ashtu edhe në fushën ekonomike, në
mënyrë që shqiptarët të jenë qiraxhinj në trojet e veta stërgjyshore, por edhe argat
në qytetet serbe dhe greke. Albinin e luti Qeveria e Kosovës që krahas tyre të bëhet
ministër me rrogë, por ai kundërshtoi, sepse VETËVENDOSJA e popullit shqiptar për të
ardhmen e tij ka nevojë për djem dhe vajza si Albin Kurti trim dhe Adem Demaçi me
përvojë të madhe revolucionare, po aq edhe të pakënaqësisë diplomatike ndaj çështjes
shqiptare që kurdoherë ka nevojë për mbështetjen e ligjshme drejt lirisë dhe
bashkimit kombëtar.
Fill pas theqafjes së kolonizatorit të rrezikshëm serb nga Kosova, albin Kurti u
lirua prej burgut në zgafellen e Serbisë mesjetare, që me të drejtë quhen burgje
shqiptare. Ishin kërkesat e pandërprera të popullit shqiptar dhe KËSHILLIT PËR
MBROJTJEN E TË DREJTAVE E TË LIRIVE TË NJERIUT, që kërkuan lirimin e luftëtarëve të
lirisë; Ukshin Hoti, Albin Kurti, Nait Hasani dhe shumë shqiptarë tjerë të burgosur.
Qysh atëherë, kur trimoshët e Kosovës vendosën posterët për lirimin e Albin Kurtit
nga burgu serb, disa ushtarë të KFOR-it i kishin hequr. Albini midis Serbisë i
sfidoi armiqtë e të gjitha kategorive, prandaj patjetër me anën e vetëvendosjes në
mënyrë demokratike do të zgjidhë fatin e
Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësisë. Fill pas kësaj udhëheqësia kundërshqiptare e
Serbisë do të tronditet, dhe pas tyre do të vendoset një udhëheqësi e re
demokratike, që do t’ia ketë lakmi gjithë populli shqiptar dhe pakica serbe.
Një politikë të ngjashme ka ndjekur edhe Jugosllavia titiste, e cila edhe pse bënte
reforma, Adem Demaçi me bashkëveprimtarë tjerë të burgosur, vazhdonin të mbaheshin
në burg. Prandaj, edhe sot, përkundër Pranverës Demokratike në Evropë, udhëheqësi i
Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vazhdon të mbahet në burg, vetëm pse mbron
vullnetin e popullit për vetëvendosjen e atdheut të tij. Nuk ka asnjë dilemë se
burgosja e Albini me shokë do të thotë burgosje e mbarë popullit shqiptar. Nuk kam
besuar se ligjet kundërshqiptare të Serbisë do të mund të prekin edhe në Kosovën nën
administrimin e Unmik-ut. Duket se pasardhësit e diktatorit, Sllobodan Millosheviç,
janë
inatosur ndaj Lëvizjes Revolucionare Vetëvendosje, prandaj kërkojnë që biri i
popullit shqiptar të burgoset dhe të dënohet.
Një kohë të gjatë Qeveria e Kosovës kishte pritur se ç’do të sjellë Plani e
përfaqësuesit të OKB, Marti Ahtisarit. Planit i ndërmjetësuesit të OKB-së popullin
shqiptar e “transformon” në komunitet krahas pakicave tjera joshqiptare, e
transformon me një riprodhim të gjuhës kosovare, dhe atë sa për ta larguar nga gjuha
e mëmëdheut shqiptar të djepit Ilirik. Fatkeqësia nuk ka të ndalur, sepse Kosova me
95% shqiptar jopushtues, por viktimë e pushtuesit serb, detyrohet të ndërrojë
flamurin kombëtar për nder të pakicës ardhëse nga Serbia dhe nga Turqia pushtuese.
Kur është fjala për flamujt, këtu gjërat ndryshojnë: derisa flamuri shqiptar është
mbrojtës i trojeve shqiptare, flamuri serb dhe ai turk janë simbole të pushtuesit
barbar, pushtues, të cilët një kohë të gjatë i kanë robëruar trojet shqiptare.
Udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje uroj Ditëlindjen dhe u trashëgoftë në Kosovën e
lirë dhe të Bashkuar me Shqiperinë nënë, sepse jemi bijë të saj, kështu shkruajnë
poetët e lavdishëm të Rilindjes Kombëtare! Ashtu si mbarë populli shqiptar kërkoj
lirimin dhe kthimin e albinit në gjirin e nënës, sepse ajo e do më shumë se shumë!
Suedi, 24 Mars 2007