Aktivistja skoceze e Vetëvendosjes
Aleksanda Channer erdhi në Kosovë për doktoraturën, por u përfshi në lëvizjen e
Albin Kurtit
Kur kishte vendosur të nisej për Prishtinë, nuk kishte mundur ta marrte me mend se
tema për të cilën po punonte do ta bënte pjesë të vetes. Si studente e shkencave
politike, Aleksandra Channer kishte mësuar se ndaj historisë duhet të krijosh
distancën e mjaftueshme, në mënyrë që puna shkencore të mos ngatërrohet me ndjenjat.
Por skocezja nuk ka mundur t‘u rezistojë të rinjve "revolucionarë" të Vetëvendosjes.
Po pse ky term duhet t‘i trembë njerëzit, pse konotacioni i tij ende përtypet si
negative në Kosovë? Aleksi, siç e thërrasin miqtë e saj, është e prirur t‘i shohë
gjërat ndryshe. Dhe jo vetëm kaq, por t‘u ndihmojë këtyre vajzave e djemve në
aksionet e tyre për liri dhe vetëvendosje. Shpesh me aparat fotografik në
duar, por ndonjëherë edhe me pranga të vendosura dhunshëm nga policët e SHPK-së, ajo
nuk mungon në asnjë aksion.
Lëvizjet për vetëvendosje
Gjithçka kishte filluar kur ajo kishte përcaktuar temën e saj të doktoraturës:
Lëvizjet për vetëvendosje. Shqiptarët nuk ishin një komb i panjohur për të,
përkundrazi, gjyshi i saj gjithmonë i kishte folur me nostalgji për një komb të
vogël, por me histori shumë të pasur. Ç‘rast më të mirë mund të priste veçse për të
ndërmarrë një udhëtim dhe për shkuar në mesin e shqiptarëve, aty ku lëvizja e viteve
‘90, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, ishte bërë e njohur në të gjithë botën. "Nuk
kisha informacion se një lëvizje tjetër po zhvillohej në Kosovë" thotë. Në gusht
2005 sapo kishte arritur, kishte kërkuar një takim me liderin e vetëvendosjes, Albin
Kurti, për të folur pikërisht për demonstratat paqësore nën kohën e Millosheviçit.
Më pas ishte njohur me filozofinë e lëvizjes. "Vendosa të shkoj nëpër fshatra dhe
qytete anembanë Kosovës, për të kuptuar vetë se çfarë mendonin njerëzit. Në atë
kohë, ashtu sikurse edhe tani, aktivistët e lëvizjes Vetëvendosja kishin shumë
tubime. ”Bisedonim rrugës, ata shpalosnin argumente dhe unë fillova të kuptoj
qëndrimin politik të kësaj lëvizjeje". Aleksandra thotë se është befasuar nga këta
të rinj që punonin në mënyrë vullnetare me kaq pasion. "Asnjëherë në jetën time
s‘kisha takuar njerëz të tillë. Me parime kaq të forta dhe me një dedikim kaq të
madh". I kishte bërë përshtypje intelekti i tyre, pavarësia e mendimit, por, mbi të
gjitha, të menduarit jashtë sistemit.
Skocezja në pranga
Janë të shumta momentet që mund të kujtojë nga pjesëmarrja e saj nëpër aksione. "Jam
shokuar nga dhuna dhe arroganca e policisë ndërkombëtare në Kosovë". Në vendin e
saj, por edhe shumë të tjera demokratike, policia nuk guxon të shohë qytetarët nga
lart poshtë, por i trajton si të barabartë me veten. Policia i ka vënë prangat për
herë të parë në një aksion në pranverë 2006, kur aktivistët kishin hartuar një listë
me 10 urdhra për evakuimin e UNMIK-ut. Ajo kishte qenë në majë të një pallati dhe po
fotografonte, por kur kishte parë miqtë e saj dorë për dore që i bënin rezistencë
policies, kishte zbritur për t‘i ndihmuar. Policët i kishin vënë prangat së bashku
me të tjerët dhe e kishin dërguar në qeli. "Kur morën vesh se jam shtetase e huaj,
thirrën zyrën britanike dhe e njoftuan". Përgjigjja e britanikëve ndaj autoriteteve
të policisë kishte qenë thjesht një "faleminderit". Por në
arrestimin e dytë policët i kishin lënë të kuptonte qartë, se po të vazhdonte me
probleme, qëndrimit të saj në Kosovë mund t‘i vinte fundi.
Miqtë në Skoci
Por si e kanë pritur miqtë e saj në Skoci angazhimin në vetëvendosje. Natyrisht në
fillim i kanë kërkuar të heqë dorë. Edhe pse skocezë dhe të rritur me një mentalitet
disi të ndryshëm nga ai i anglezëve, ata ende vazhdojnë ta kenë të vështirë të
kuptojnë "rebelizmin" e shqiptarëve, që në fakt nuk është veçse një kërkesë për të
vendosur vetë për fatin e tyre. "Britanikët kanë qenë perandori dhe e kanë pasur të
vështirë të kuptojnë të drejtat e popujve për vetëvendosje", thotë. Tashmë miqtë e
mbështesin dhe janë shumë të informuar se çfarë bëhet në Kosovën në saj dhe të
gazetës së Vetëvendosjes, që ajo e përkthen në anglisht çdo javë. Sa për 10
shkurtin, thjesht është shokuar. Të njëjtën gjë kanë përjetuar edhe miqtë e saj në
Skoci. Plumbin plastik që kishte marrë në shpatull as që e kishte ndjerë për shkak
të ritmit të protestës, ku ajo ishte në frontin e parë së bashku me aparatin
fotografik që përpiqej të kapte çdo moment. "Ajo që të çudit më shumë, është se
plumbin e kam marrë 3-4 minutat e para". Kur ishte kthyer në zyrë kishte hyrë në
internet dhe kishte gjetur se britanikët i kishin përdorur këto plumba kundër
protestuesve irlandezë dhe si pasojë kishin vdekur mbi 50 veta. Kjo ngjarje vetëm sa
e kishte rritur lëvizjen për pavarësi në Irlandën e Veriut.
Pse shqiptarët?
Aleksandra tregon se në pllakën e varrit të stërgjyshit të saj në Irlandë shkruhet
se ai ishte nipi i Gjergj Kastriotit. Ajo vetë ka bërë disa kërkime për këtë, por
nuk ka arritur të gjejë rrënjët e origjinës së familjes së saj. Por, gjithsesi,
varianti më i pranuar është se ai kishte qenë një arbëresh, i cili më pas kishte
udhëtuar për në Irlandë. Mbiemri De Renzi ka një domethënie, pasi një mal me të
njëjtin emër gjendet në afërsi të Lezhës. Por nuk ishte e vetmja arsye shkrimi në
pllakën e varrit ai që e ka shtyrë të zgjidhte shqiptarët për të bërë kërkime
shkencore. Në fëmijërinë e saj gjyshi Hugh i kishte folur shumë rreth origjinës
shqiptare dhe ishte ai që vazhdimisht e kishte nxitur të bënte kërkime rreth
shqiptarëve. Dhe tashmë gjendet në Prishtinë, e nuk dihet edhe për sa kohë, e
rrëmbyer nga historia komplekse e këtij vendi dhe zhvillimet e vrullshme politike.
Paketa
Ahtisari, e cila tashmë është bërë pjesë e doktoraturës së saj, për të nuk është
veçse një dokument që krijon mundësi për një konflikt të vazhdueshëm me serbët.
Mbishkrimi i stërgjyshit në gurin e varrit
Ky monument është ngritur për zotërinë e nderuar Sir Mathew De Renzi, kalorës fisnik
që u largua nga jeta më 20 gusht 1634 në moshën 70 vjeç, i lindur në Cullen të
Gjermanisë dhe rrjedhur nga luftëtari i famshëm dhe i njohur, Gjergj Kastrioti, i
quajtur Skënderbeg (që në luftërat kristiane luftoi në 52 beteja kundër Turqisë së
madhe me nder të madh dhe pa iu nënshtruar). Ai ishte një udhëtar i madh dhe një
gjuhëtar, dhe mbajti korrespondencë me shumë kombe në çështje me influencë dhe në
tri vite i dha një perfeksion të madh këtij kombi, duke formuluar një fjalor të
gramatikës dhe të kronikës në gjuhën e tyre irlandeze- në sajë të zotësive të mëdha,
të jashtëzakonshme për të cilat meriton një duartrokitje të zjarrtë. Kjo punë është
plotësuar nga i biri i tij, Mathew De Renzi Esq, 29 gusht 1635, Kisha në Athlon,
Republika e Irlandës.