Skënder Limani-Njësia e Inspektimit Gjyqësor
Në Kosovë, brenda strukturave qeverisëse të UNMIKut, ekziston një organizim që quhet Departamenti i Drejtësisë ose në shqip Dega e Drejtësisë. Brenda kësaj Dege ekzistojnë disa nëndegë e ndër to është Sektori për Zhvillim Gjyqësor. E brenda këtij Sektori gjinden Njësia e Inspektimit Gjyqësor dhe Njësia e Auditimit Gjyqësor, mes tjerash.
Njësia e Inspektimit Gjyqësor (NJIGJ) merret me inspektimin e punëve të gjyqtarëve. Ata i inspektojnë gjyqtarët vetëm pasi që rastet, përkatësisht, palët e përfshira në kundërshtitë gjyqësore, të ankohen kundër gjyqtarit që ka vendosur për lëndën. Ankesat e palëve, në shikim të parë, janë qesharake, aq sa, thjeshtë, nuk mund të besohen. Pas inspektimit të rastit, tashti lëndës, del që shumica e pretendimeve të palës të jenë të sakta, të vërteta. Bile, gjatë inspektimit, përkatësisht, hulumtimit të lëndës, dalin më shumë të bëma negative nga ana e gjyqtarëve sesa janë paraqitur nga pala. Ankesat kundër gjyqtarëve janë nga më të llojllojshme, duke përfshirë marrjen e mitos, ryshfetit, animit ndaj njërës palë për arsye personale, profesionale ose edhe nga mëria, pastaj, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, etj., etj.
Njësia e Inspektimit Gjyqësor ka mjaft telashe dhe kokëçarje morale. Çfarë të bëhet më tërë këtë parregullsi të verifikuar dhe të faktikuar nëpër gjykatat e Kosovës, të kryer nga ana e gjyqtarëve? Nëse kjo Njësi fillon të denoncojë gjyqtarët, pra, t’i ndjekë ata për shkak të veprimeve të tyre, atëherë brenda tre muajve në Kosovë nuk do të mbetet asnjë gjyqtarë. Në anën tjetër, nëse nuk ndërmerret asgjë kundër veprimeve të gjyqtarëve, veprat e tyre negative vetëm sa do të thellohen. Veç gjykatës, në procedurat e vendimit ligjor përkatësisht gjyqësor, varësisht nga rasti, përfshihet çdo institucion i mundshëm, si privat ashtu edhe shtetëror/publik. Krahas gjykatave, më së shumti janë të përfshira komunat, përkatësisht, Kuvendet Komunale në Kosovë, pra, për prona të ndryshme, pra, toka, lokale afariste, shtëpi, banesa, pra, kundërshti pronësie, etj.
Siç e përmenda, aty afër funksionon edhe Sektori për Auditimin Gjyqësor (SAGJ). Ky Sektor, gjatë auditimit, vetëm sa thekson edhe më shumë parregullësitë që kryhen në gjykatat në Kosovë. Dallimi këtu është se ky Sektor auditon ligjet e aplikuara në Kosovë. Sektori i Auditimit Gjyqësor vetëm sa paraqet në sipërfaqe përdorimin e ligjeve të aplikuara në Kosovë nga ana e gjyqtarëve për të kryer veprat e tyre. Arsyeja e vetme pse është kjo situatë e tillë është se ligjet e aplikuara në Kosovë janë kryekëput përkthime nga gjuha serbo-kroate (deri më 1999) dhe nga gjuha angleze (pas 1999). Gjuha e përdorur në këto ligje është e paqartë dhe hutuese, edhe nenet dhe paragrafet janë të renditura në mënyrë hutuese, një i vetmi nen mund të interpretohet në shumë mënyra, etj etj. duke u lejuar gjyqtarëve, por jo vetëm gjyqtarëve, por edhe prokurorëve, avokatëve, në përgjithësi, çdo juristi, që të përdor ligjin për llogari te veta. Shkurt, veprat negative në Kosovë janë të mbështetura në ligjin e shkruar.
Se situata me ligjin e aplikuar në Kosovë është e tillë, e di çdokush që merret vetëm nja dy javë drejtpërdrejt me ligjin, përkatësisht, drejtësinë në Kosovë.
Por tashti shfaqet dilema, pse ekziston Dega e Drejtësisë në Kosovë, pse ekziston Ministria e Drejtësisë, pse ekziston Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pse ekziston Zyra e Posaçme e Prokurorisë në Kosovë, pse ekziston Oda e Avokatëve të Kosovës, pse ekziston Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës, pse ekziston Gjykata Supreme e Kosovës, pse ekzistojnë tërë këto gjykata të Qarkut dhe Komunale në Kosovë, pse ekzistojnë tërë këto organizata ndërkombëtare në Kosovë, sidomos Amerikane, që pretendojnë të merren me reformimin e sektorit, përkatësisht, të sistemit të drejtësisë në Kosovë?
Miliona euro sillen nëpër dyert e këtyre zyreve për çdo javë. Milionat thuhet që janë për reformimin e drejtësisë në Kosovë. Por, ku treten ato?
Ose, a e dinë këto organizime se çfarë nënkupton shprehja “drejtësi” dhe pse është ajo e nevojshme për shoqërinë, sidomos për ne në Kosovë? Ose, çfarë nënkupton për këto organizime shprehja “drejtësi”? Nëse për këto organizime shprehja “drejtësi” nënkupton diçka tjetër, atëherë besoj që ne, qytetarët e Kosovës, duhet të dimë për të para se të shfarosim njëri-tjetrin mu për shkak të mungesës së drejtësisë në Kosovë. Në këto kushte, Njësia e Inspektimit Gjyqësor do të ishte më mirë të quhej Njësia e Mbulimit të Korrupsionit Gjyqësor.
Skënder Limani