BESNIK KRYEZIU-E hidhët është buka e diasporës

07.03.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Diaspora

Për një  debat të mirëfilltë për diasporën  

E hidhët është buka e diasporës



NGA BESNIK KRYEZIU


Ditën e dielë po diskutoja me mikun tim, inxhinierin e elektroteknikës për problemet
me të cilat po përballet aktualisht diaspora shqiptare në Evropë. Temë qëndrore
ishin fëmijët që janë lindur dhe po rriten në diasporë dhe natyrisht ne vetë. Biseda
zhvillohet nga pak edhe me një lloj nervozizmi. Sicili nga ne i ka argumentet e
veta. Psikologët thonë se frika është normale, në raste të veçanta ajo edhe na mbron
për të qenë të kujdesur. Mirëpo kur ajo kalon në përditshmëri dhe bëhet pjesë e
pandashme e jona është e rrezikshme. Pa dashur ta lodhi lexuesin e nderur me detalet
e bisedës vetëm dua të them se në fund të bisedës edhe unë edhe miku im e kuptuam se
sa të fiksuar jemi   për të ardhmen e fëmijëve tanë sepse ata po rriten në një
ambient tjetër, ku rreziku nga asimilimi është tepër i madh. Thonë se jeta nuk është
vetëm fat  por edhe zgjidhje, nuk e di se sa e vërtetë është sepse po të ishte
zgjidhje unë nuk do ta zgjidhja të jetoj në diasporë. Në mbrëmje si zakonisht i
lexoj gazetat. E filloj me Gazetën Express. Kureshtar më bën titulli i editorialit:
,,Për pishpirikat e diasporës", i shkruar nga Valon Syla. E lexoj me shumë kujdes.
Në fund ndihem i dëshpëruar. Nuk e di por ndoshta duke qenë larg atdheut dhe
njerëzve të mi nuk e dua ndarjen, për me  shumë e urrej. Pa dashur të merrem shumë
me tezat që Valoni i ngre në këtë editorial, dua të them se ne shqiptarët që për
fatin tonë të keq na ra hise të jetojmë në diasporë jemi njerëz të Kosovës.
Ndarja: ne të Kosovës dhe ju të diasporës është e keqe dhe shkakton dhembje të pa
nevojshme. Besoj se Valoni e dinë këtë, burimin e kësaj të keqe të madhe të
kurbetit. Ajo nuk është e sodit por shumë e hershme, na ka ndjekur gjatë gjithë
historisë sonë.

Gjyshja ime e ndjerë shpesh më fliste për këtë të keqe të madhe, pa e ditur e
shkreta se edhe unë nipi i saj një ditë do të bëhem pjesë e kësaj të keqe. Më
tregonte se si gjyshi im kishte punuar për vite të tëra si hamall për ta siguruar
bukën e gojës nëpër rrugët e  Beligradit, siç i thoshte ajo Beogradit, deri sa një
ditë sëmuret nga puna e rëndë, nga të ushqyerit e keq, nga ftohti, duke fjetur
rrugëve ku për shtrat e kishte tokën e për mbulojë qiellin dhe më në fund kthehet në
atdhe ku e merr vdekja. Buka e kurbetit është e rëndë Valon, shumë e rëndë. Po të
shprehem me fjalët e Migjenit ,,është kafshatë që skapërdihet dhe shpesh të zë
trishtimi". Për kontributin tonë për Kosovën nuk dua të flas sepse e kuptoj si
obligim njerëzor e moral, por pse jo edhe patriotik për vendin ku u lindëm. Duke
qenë larg atdheut e ndjen më mirë rëndësinë e tij dhe e kupton më mirë se pa atdhe
je njeri i humbur në botën e madhe. Dhe të gjitha ato figura kombëtare qe t'i i
përmende në kontekstin tënd, për ne në diasporë janë madhështore sepse e bënë
atdheun. Kam pritur nga klasa politike e Kosovës e sidomos nga ata që edhe vetë
ishin deri paralufte pjesë e diasporës të bëjnë diçka për ne, të paktën për fëmijët
tanë që ata të mos asimilohen sepse nuk besoj se Kosova është kaq e madhe që t´ia
kthej shpinën njerëzve të vet, kjo vërtetë do të ishte e pa falshme. Por pritja ime
si duket tani po na kthehet në dëshpërim. Diaspora  shqiptare  ka nevojë për një
debat  të mirëfilltë, ku do të diskutohej organizimi i mirëfilltë i saj, ku do të
debatohej se si mund të ruhen nga asimilimi këta shumë fëmijë të diasporës. Një
diasporë e organizuar do të jetë në shërbim të atdheut. Prandaj ta bëjmë këtë se
edhe ashtu jemi vonuar. Diaspora nuk ka nevojë për dëshpërime por ka nevojë imediate
për përkujdesje nga atdheu dhe instucionet e tij sepse edhe ne jemi pjesë e pa ndarë
e tij. Besoj se Valoni më ka kuptuar drejt dhe se si gazetar që është do të na
ndihmojë në këtë drejtim të organizmit dhe fuqizimit tonë si bashkësi, për tu
organizuar si shqiptar dhe jo në baza partiake si deri më tani, që për mendimin tim
fajtor janë shefat e partive politike në Prishtinë. Andaj na duhet bashkimi si komb
për të përballuar këtë fazë shume delikate për Kosovën. Sa për bombat besoj se po
pajtohemi se as nuk ju duhen juve e as UNMIK-ut, por assesi  edhe neve në
diasporë.Të fala shumë Valon, e ta ruajmë atdheun tonë të përbashkët dhe po pajtoj
me ty që ta bëjmë pjesë të Evropës. Deri atëherë mirupafshim se kemi shumë punë për
të bërë .