Bedri TAHIRI-Në nëntëvjetorin e
EPOPEJA QË NDËRROI RRJEDHAT E HISTORISË
Në nëntëvjetorin e Epopesë së Jasharëve
Drenica.
Një emër që nuk peshohet dot. Zemra e Kosovës më, pa të historia jonë do të
ngelte e varfër fare dhe e pakuptimtë.
Dymijë vjet beteja e luftëra çlirimtare.
Dymijë vjet mbijetesë e gjakime për liri.
Drenica e Millesh Kopiliqit, e Ahmet Delisë, e Shaqir Smakës, e Shotës dhe
Azem Galicës, e Hasan Prishtinës, e Shaban Palluzhës, e Mehmet Gradicës, e
Tahir Mehës...Tokë e saj e ashpër, shkëmbinj të thepisur, mbushur me
lulëkuqe erë gjaku. Aromë e saj dehëse mbajti gjallë ndër breza
atdhetarizmin.
Drenica djep i trimërisë e varr i barbarisë...
Dhe, më në fund, edhe mbi tokën e saj agoi ditë e bardhë. Adem Jashari dhe
Jasharët e tjerë lëkunden globin nga vendi. Me ta nisi epoka e re, epoka e
madhe e lirisë. Secili që shkeli në truallin e shqipeve u mahnit nga
madhështia heroike e atyre që u shkrinë deri në një dhe i dhanë jetë lirisë.
Bernar Kushner erdhi aty dhe pasi u ul këmbëkryq në odën e burrave me plot
gojën tha: “Sikur të kishte çmim Nobel për Liri, ai me siguri do t’i takonte
familjes Jashari”.
Ndërkaq shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, në librin e përshtypjeve
shkroi: “Këtu nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që ndriçoi
Prekazin, Drenicën e mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën
e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk
zbehet kurrë...”
Sa herë që të vemi në Tempullin e Trimërisë, në Prekaz, do të na fanitën
ditët e lavdisë, ditët kur me gjak u skalit Epopeja që ndërroi rrjedhat e
historisë...
Në gjakun e tyre bulbëroi liria
E enjte, 5 mars 1998. Ora 5 e 30 minuta. Toka u trand në themel. U zgjuam
frikshëm. Shkreptinte moti a dridhej toka?! Jo, as njëra, as tjetra. Prekazi
i Poshtëm, veçan Jasharët, po bombardoheshin nga qielli e nga toka. Në cak
familja e madhe atdhetare e Shaban Murat Jasharit. Qielli lotonte në
heshtje. Zogjtë ndërprenë këngën e lumthi ngadalësoi rrjedhën. Tymi e flaka
mbuluan diellin...
Qyqavica legjendare ngeli e nemitur. Ende nuk iu kishin tharë lotët nga
masakra e Qirezit dhe e Likoshanit. Drenica martire sërish në grykën e
vullkanit përvëlues. Soldateska e shfrenuar serbe, kishte mbledhur gjithë
fuqinë dhe tinëzisht ishte vërsulur drejt Kullës – Kala, ku dy herë më parë
kishte lënë brirët. Kësaj radhe puna qëndronte më ndryshe. Adem Jashari
ishte bërë tmerr për Beogradin. Kryesatanai po e shihte edhe në ëndërr. Dhe,
plani ishte stërholluar mirë e mirë. Ishin dërguar forcat e njësive më
speciale, komandosë e xhelatë profesionalë, me arsenalin më modern të
armatimit, dhe përnjëherësh ishte bllokuar e paralizuar mbarë Drenica.
Rrathët e hekurt ia mbërthenin shtatin pamëshirshëm. Jeta e vdekja sy më sy.
Nga kodrat përreth topat e minahedhësit e mëdhenj villnin zjarr pa pushuar.
Kudo tmerr e lemeri ngjethëse.
Në kullën e qëndresës, që pa gdhirë, ishte dhënë kushtrimi. Trimat u zgjuan
rrufeshëm. Plaku Shaban hapi frëngjinë dhe shkrehu pushkën e parë lajmëtare,
si dikur Muji i Jutbinës, kur lajmëronte kreshnikët për ndonjë të ligë që u
kanosej. Edhe nipat, që flinin me të, Besimi e Fitimi, i zunë dy frëngjitë e
tjera. Hamza, në kullën tjetër, andej lart, nga ana e Fabrikës së
Municionit, i bëri fora të paudhët, që përpiqeshin të zvarriteshin e të
afroheshin tinëzisht.
Po komandant Adem Jashari?!
Ah, trimi i trimave, nuk po ngutej fare. Ai, si përherë, i qetë e fare
gjakftohtë. Pasi u përgatit mirë e mirë, drodhi mustakun deri pas veshit
dhe u sul furishëm drejt dyerve të oborrit. Tanku ngjyrë blu shtangu në
vend. Djajtë ranë si bari në arë përgjatë murit rrethues. Nga zëri i tij
lemeritës u tmerruan edhe komandantët gjakpirës që me dylbi të stërgjatura
përcillnin aksionin nga pirgu famëkeq. Ushtarëve të rinj u ranë armët nga
dora. Lufta mori hov të paparë. Granatat e kalibrave të ndryshëm bënin
kërdi. Dita u bë natë nga tymi, e nata u bë ditë nga flaka. Dielli i
zymtuar, tri herë lindi e tri herë perëndoi. Beteja e përgjakshme s’kishte
të sosur. Kënga e trimave sfidonte krismat e topave. Në gjoksin e Hamzës u
shkri granata, por u fik tanku. Plaku, mbetur pa fishekë, rroku flamurin
kombëtar, atë me të cilin dikur e kishte mbështjell Ademin, dhe u doli
përballë, duke brohoritur me sa zë që kishte :
Rroftë Kosova!
Rroftë Shqipëria! ...
Edhe të tjerët, i madh e i vogël, qëndronin heroikisht. Askush nuk i druhej
vdekjes, as gratë, as fëmijët.
Heroizmi i pashoq.
Altruizëm e sakrificë mbinjerëzore, mahnitëse.
Zëri kushtrimtar i komandantit kishte tundur edhe dheun. Pas tij shkonin
edhe malet, edhe fushat, edhe lumenjtë. Gjurmëve të tij ecnin edhe më të
moshuarit. Dajë Osman Geci i Llaushës e nip Aliu nga Luboveci, edhe pse
kishin rrafshuar të gjashtëdhjetat, kurrë nuk iu ndanë trimit.
- I duhet Adem Drenicës, i duhet Ademi Kosovës, - thoshte daja Osë, i cili
shkrihej për niposhin sypatrembur.
Atë natë s’patën kohë t’i rroknin çiftelitë e t’ia thoshin këngës së Zhujë
Selmanit, sepse erdhën vonë nga Rezalla, ishin për t’i vizituar të
plagosurit e Betejës së Likoshanit, dhe u zgjuan herët nga gjylet e
topave...
Flaka e luftës, sakaq, u ndez ashpër në gjithë lagjen Jasharaj. Në hyrje, si
male më dëborë, qëndronin nënë Sala me të shoqin Hamitin. Tringa e Prekazit,
me nëntëshen në dorë i qëndiste në lule të ballit ata që guxonin të
kapërcenin pragun e pashkelur.
-O Shën Savë, ky është i vrari ynë i tetëdhjetë e tetë,- thanë më vonë
cerberët, duke bërë kryq, kur nën rrënojat e murit të shtëpisë së saj gjeten
skërmat e një polici kokëprerë...
...Tutje Sadiku me djalë Ramizin e veçan Qerimi me djemtë sokola: Shahinin e
Ukshinin ia thoshin këngës së dyfekut për mrekulli. Në anën tjetër të
rrugës, mbanë varrezave, pandërprerë gogësinte gacatorja italiane. Luftonte
Smajl Jashari pa e honepsur dot vdekjen.
- Po Faiku, Kajtazi, Aliu, Isaku ç’bënin vallë?!
Ata, si me flatra dragoi ngarendnin drejt kraterit përvëlues. Atje, si në
ishullin e sirenave, i ftonte pavdekësia. Edhe në shtëpinë e rapsodëve
kishte heshtur melodia e çiftelisë. Vendin e saj kishin zënë grykëhollat, që
këndonin bukur në duart e Halitit e të Hajzerit. Atyre iu bashkëngjiteshin
edhe ato të Halitit, Beqirit, Sherifit, Nazmiut... Edhe gurët e kullave
sfidonin mordjen dhe i thurnin himne lavdisë.
Mbijetesa, kënga dhe pavdekësia
Muzgu krahzi sikur nxitonte të vinte pushtet dhe t’ua errësonte edhe më
verbërinë gjakatarëve karpatianë. Hëna, si vashë e ndrojtur, skuqej para
barbarisë dhe fshihej pas resh. Në pusin e kroit të Jasharëve, nën ca
shelgjishte të rralla, pehateshin ca si hije të përhitura. Vallë, cilët
ishin ata, që shikoheshin sy më sy me vdekjen?! Ishte Bashkim Jashari me
kushërinjtë: Bilallin, Ragipin, Halilin, Qemalin dhe me Shekipin nga Klina e
Poshtme.
-Bashkim çajeni rrethimin!- e kishte dëgjuar si për mjegull zërin e balit
Hamzë dhe, me shpirt ndër dhëmbë, pas tetë orë kacafyetjeje me bishat e
shfrenuara, ia kishin dalë mbanë dhe kishin arritur deri aty. Por, rrathët e
ferrit ende s’kishin mbaruar...Tanku, me sy çiklopi, u qëndronte fare
pranë...
-U vra Zenë Jashari!... U zhduk Zenë Jashari!
Jo, ai ishte gjallë, por fati e kishte goditur rëndë. Gruan, Bahtijen me
djemtë: Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin ia vranë katilët. Valdetin ku e
kam?- pyeste ai duke e kërkuar kodër më kodër. Nëpër flakë pushkësh e kishte
parë që bashkë me Shahinin e Qerimit kapërcenin lumthin. Edhe shumë plumba
kishte parë të suleshin drejt tyre... Djaloshi sërish kishte kthyer prapa.
Hamitin e kishte qëlluar granata në kokë dhe trupi po i digjej flakë. U
përpoq ta ndihmonte e ta fikte, por kot. Mezi u ngjit në tavan dhe prej
andej shihte skena tmerruese. Krisma... britma...sharje...tym... flakë...
Kur kriste mitralozi i bacë Ademit, mbanin frymë edhe lisat e malit. Ai
dallohej nga të tjerët, jehonte më shumë se edhe topat e hasmit.
Autoambulancat s’pushonin kurrë. Dikur flaka zu t’ia lëpinte edhe këmbët e
tij të zbathura. Terri ia mundësoi Valdetit ikjen nga ferri...
Po errej edhe dita e tretë e betejës. Një shqipe sogjetonte kujdesshëm nga
lartësitë qiellore. Zymtësi mbytëse pllakoste mbi çdo gjë. Krismat kishin
pushuar. Kishte pushuar edhe kënga e trimave. Veç tymi ende fjollonte
qetë-qetë nga hambarët më grurë, që digjeshin në vete. Nëpër qiellin e
përflakur retë e trazuara bartnin acar, shqotë e fërfëllizë.
Në kullat gërmadha mbante erë e rëndë shkrumbi e baroti. Gjë e gjallë
s’pipëtinte. Një si hije e përhitur kapërcente mbi kufomat e panumërta, në
oborr, në lëmë e në rrugë.
- O Zot, ishte zanë mali a fantazmë?
Ah, jo, ishte Besarta e padjallëzuar, që kishte sfiduar vdekjen. Si e
nemitur, mezi kalonte midis tyre. Ç’pamje llahtarie, që të shokonte në vend.
Lloj- lloj uniformash e lloj – lloj suratësh të ngjyrosura e çoroditëse.
Midis tyre gjeti edhe gjyshin e gjyshen, Shabanin e Zahiden. I gjeti edhe
prindërit e dashur, Hamzën e Feridën. Babanë Hamzë me gjoksin e groposur, si
të Mic Sokolit. Çudi, në ato çaste loti i kishte ngrirë në qepallë. Pak më
tej i gjeti edhe tjerët: Zarifen, Hidajeten, Igballen, Igballin, Selveten,
Afeten, Besimin, Lirinë, Blerimin, Fatimen, Blerinën, Adilën, Fitimin dhe
Kushtrimin...
- Po baca Adem ku ishte vallë, që nuk po e gjente dot?! Deri vonë ia kishte
dëgjuar krismat dhe këngën. Pse nuk po qëllonte më?! Po këngën pse e kishte
ndalur?! Sërish zuri ta kërkonte... Por, kot, atë nuk mund ta gjente
andejpari. Jo, jo. Ai po shëtiste në ballë të protestuesve nëpër rrugët e
Prishtinës, të Tetovës, të Tiranës, të Bonit, të Nju-Jorkut...Ishte bërë
shpirti i luftës sonë çlirimtare...
Sakaq sikur iu vegua një zë. E ndali frymën dhe mbajti vesh. Puhiza
krahëlehtë depërtonte zhurmshëm mureve të zhbiruara dhe arrinte deri tek
magjja, nën të cilën kjo kishte mbijetuar vdekjen vellozezë, duke sjell
jehonën:
Ku m’je nis oj lulja me erë?
Në Drenicë te baca Adem...
Aman, o madhëri, sa shpejt e paska marrë kënga me vete, për ta mbajtur të
gjallë përherë! Ashtu e ka ajo, vetëm të pavdekshmit i pranon në gjirin e
vet. Shpirti i tij luftarak shëtiste si me krah dragoi nëpër istikame, duke
u dhënë zemër luftëtarëve të lirisë, në Drenicë, në Dukagjin, në Llapushë,
në Llap, në Pashtrik, në Shalë... Emri i tij kishte zënë vend nderi në
zemrën e madhe të popullit dhe ishte bërë legjendë e legjendave.
Një zog këngëtar, nga maja e oxhakut, që kishte përballuar rrebeshet
rrënuese dhe krenarisht mbante kokën lart, ia thoshte këngës ëmbëlsisht:
Amanet ore djali – djalit,
M’i këndue Adem Jasharit,
Që i tregoi mirë barbarisë,
Si qëndrojnë shqipet e lirisë...
Dhe, sërish vjen marsi!
Marsi i trimërisë, siç thoshte Lasgushi ynë mendjendritur.
Dhe, sërish, kujtesa jonë shënon, nderon, përkujton...
Mbase edhe nuk bënë ndryshe.
Kush e harron historinë është i detyruar ta përsërisë!- këshillojnë të
mençuritë.
Dhe, kësaj here do të veprojmë ndryshe. Do të bëhemi tok, si një grusht i
vetëm dhe, amanetin e brezave, do ta mbajmë vath në vesh deri në realizimin
e synimit tonë jetësor: BASHKIMIT KOMËTAR!
Kështu na obligon edhe gjaku i dëshmorëve.
Kështu na obligojnë edhe mbi dhjetëmijë të vrarë.
Kështu na obligojnë edhe mbi tremijë të zhdukur.
Kështu na obligojnë familjet e dëshmorëve dhe jetimët.
Kështu na obligojnë invalidët e luftës sonë çlirimtare.
Mbase, mbase, më mirë së të gjithë, edhe vetë arrestimet dhe burgosjet e
çlirimtarëve!!!
No comment!!!
Galice-Drenice, 25 shkurt 2007.