Mehmet Bislimi-PËR INAT TË SIME RE, IM BIR U MARTO

07.03.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

PËR INAT TË SIME RE, IM BIR U MARTOFTË PRAPË!

Shkruan: Mehmet Bislimi

Nuk do të duhej që të vlente më filozofia e urtësisë popullore, që në fakt në gjirin e vet, mbase pa dashje, ngërthen edhe ironi e cinizëm - deri në mohim, sharje e përbuzje.
Bie fjala, populli përdor shpesh thëniet e urta:

“Për inat të sime re, më vdektë im bir!” dhe “M’u dogj bishti u dogj dynjaja!”

Po të niseshim nga ky mentalitet, në ditët e sotme, do të na merr lumi të gjithëve dhe kur lumi vërshon, ai i përlanë të gjithë pa dallim. Ka disa që edhe mund t’i shpëtojnë vërshimit të lumit të harlisur, por që do të shpëtojnë të lagur, kjo s’ka dyshim! Ju të lagurit nga vërshimet politike në çdo kohë, do të duhej që fjalët e mësipërme të urta popullore t’i reformonit, duke ia përshtatur në mënyrën më shembullore realitetit të sotëm, si:

“Për inat të sime re, im bir u martoftë prapë!” dhe
“M’u dogj bishti, shyqyr më shpëtoi koka, e nuk u dogj dynjaja!”

Kjo ka shumë rëndësi, nga se burrat e mëdhenj që janë mjeshtër të urtësisë, në situata të caktuara, shpesh herë kanë ditur dhe kanë pasur aftësi, që gjërat t’i kthejnë me kokë mbarë. Është fakt se inatet dhe bërrylat nuk janë pjellë vetëm e gjeneratës së sotme, ato janë më tepër vese, që më kohë kalojnë në taborin e të ligut të cilat i përdor vend e pa vend dhe i bart nëpër kohë si barrën mbi shpinë, duke u ndier përgjegjës para unit të vet për dështimet, ose mosrealizimin e ëndrrës të cilën vetëm ai e ka parë!

Dhe kur kjo ëndërr, në kohën tonë, kaloi në bisht të ngjarjeve dhe krejt në fund u dogj fare, do të ishte mençuri e urtësi të themi: “U dogj bishti, shyqyr më shpëtoi koka!” Ngase do të kemi mundësinë që më kohë të riparojmë diçka, të largohemi nga mbretëria e ëndrrave të liga që i thurim netëve të gjata e pa gjumë.

Shushuritjet e shprushje se z. Thaçi e akuzoi (ose tha) që z. Haradinaj (Daut), i ka ndihmuar demonstratat e 10 shkurtit, nuk do të duheshin të zënin vend, as në ëndrrat e të të lagurve dhe as të atyre të të terurve. Ngjarjet kanë të zotin e vet, dhe ju do duhej që të kuptonit se një protagonist i së kaluarës, nuk mund të jetë edhe aktor i së sotmes?

Ne, njerëz jemi, dhe sa herë që njeriu bënë ndonjë gabim, lëshim, apo punë të mirë e të pëlqyer, futet në pusi të pritjes së një të share të rëndë apo të një lëvdate meritore. Nga kjo pritje, ndodhë që të mpihen edhe damarët e qafës, kështu që nga ngutja edhe mund të gabojmë në vlerësimin e të tjerëve. Me këtë rast, personazhi humb shijen përcaktuese të trofeut medalje e cila ka dy anët e veta, dhe kundërpërgjigja mund të jetë pa shije. Përballja mes lavdisë dhe sharjes e vë atë përballë reagimeve të pa kontrolluara, që shpesh herë e bënë të kërcejë në stilin e shenjës së parë të horoskopit! Për të mos i thënë në stilin e dashit - këtë rast. z. Haradinaj nuk kishte nevojë që të ngutej, nga se subjekti i tij, mbi bazën e kumbarive, ka fituar pushtetin e ëndrrave (e që më keqardhje, nuk i realizoi dot). Nga se ata, ia falën vet kësaj mbretërie ëndrrën e tyre të madhe - thjeshtë për faktin së kishin rënë verbërisht pre shkëlqimit të ëndrrave të thata mbretërore.

Ata se bashku me sejmenët, qatipët e subashët e tyre, duke u bërë rob i kësaj mbretërie, do duhej ta kuptonin fare mirë se trashëgimtari i mbretërisë së ëndrrave, kurdo herë është shumë jetëshkurtër - vetëm deri sa t’i dalë gjumi. Vetëm atëherë e kuptojmë së ëndrrat u tretën, dhe do të ndodhemi në udhëkryqin e së vërtetës, ku do duhej të pranojmë me modesti nuancat e ngjyrave dhe të shijeve, kur tjetri që mediton zgjuar i përdor herë - herë edhe me djallëzi!

Në shenjë revolte, kur humb edhe arsyeja, tjetri mendon se si t’ia bëjë kundërshtarit rrugën fare kthesa - kthesa, që ta ngrijë me murlan, që ta thajë me diellin e shkretëtirës, që ta vërshojë me çka ka, si lumi i furishëm, që ta mbysë me kolerë etj, etj., por që kur të ikë inati i këtyre lubive, me kokën e ftohtë, do të shihni se këto përmasa marrëzish që mbani në kokë godasin edhe të tjerët - jo vetëm juve, pra kanë qenë vetëm degradim i misionit të pa finalizuar.

Si konkludim. Deri sot, shumë nga aktorët politikë në Kosovë, kanë vepruar bashkë, në kohë të mira e në kohë të liga. Në një moment të lig, pa dyshim se kanë ngrënë njëri - tjetrin, ose ia kanë bërë hyzmetin kësaj pune, duke fërkuar duart: Më ka ardhur vera nga dera... Dhe nga ana tjetër, afshomi: Veç mos më ardhtë vera nga dera....Kjo nuk paraqet më tepër se shpirtngushtësinë e individit, që është futur fatalisht në lojën e shoqërisë - kushdo qofshin ata (ai). Uroj që të gjeni shpjegim të arsyeshëm para vetes. Duke u kthyer në fillim të shkrimit, a mos fjalët ironike dhe cinike, kanë zënë vend herët në strofullin tonë? O njerëz, ndërrojeni të sharën e thoni: Për inat të sime re, u martoftë im bir prapë! dhe “M’u dogj bishti, shyqyr më shpëtoi koka”, ngase sot më nuk drejtohen gjërat me bisht, por përfundimisht me kokë! Përndryshe, ata që pretendojnë që t’i drejtojnë gjërat me bisht - pa dyshim se do të mbesin në bisht të ngjarjeve, ose zhvillimeve shoqërore. Ambiciet për pallatin e ëndrrave, do t’i vras agimi i nesërm, që për fat të mirë nuk është në dorën tuaj zoti Haradinaj. Pallatit të ëndrrave në Kosovë i doli boja.

16 shkurt 2007-