Mehmet Bislimi-KOSOVA U PËRGJAK EDHE NJË HERË !
KOSOVA U PËRGJAK EDHE NJË HERË !
Shkruan: Mehmet Bislimi
Këto ditë në gjirin e Kosovës u hapen edhe dy varre! Kosova në gjirin e vet mori edhe dy bijtë të saj- jeta e tyre përfundoj para kohe, dhunshëm, me plumba... edhe sa gjak dëshiron Kosovë, që ta gëzosh shtetin tënd, ku një ditë qytetari yt nuk do të vritet më me urdhër nga organet e pushtetit e as më urdhër nga politika të cilët i kemi votuar me dorën tonë, dhe ua kemi dhënë besimin, ku qytetari nuk do të vritet më me armën e policit që ia ke besuar ti vet, policit që ti Kosovë e mbanë me bukë e strehon dhe e mbron.... a thua po na vret buka jonë... edhe sa gjak të rinisë shqiptare duhet, që Kosova ta gëzojë lirinë e saj?!
Që nga pas luftës së dytë botërore, pra nga viti 1945 e këtej, ( pa u futur në periudhën e Mbretërisë Cariste Serbe, që masakroi Kosovën), deri me sot kanë kaluar 62 vite. Pushtuesi Serb, duke shfrytëzuar të drejtën e forcës vranë shqiptarët e Kosovës, nën akuza të ndryshme të cilat varioin në hapësirë dhe kohë, prej bijë Komitësh, ballistësh, nacionalist, separatistë, irredentistë e deri tek momenti kur u formuan radhët e UÇK-së, pra, kur popullit të Kosovës iu imponua lufta kundër Serbisë, për të gjakuar lirinë e vet të cilën e pagoi me kosto shumë të lartë në të gjitha rrafshet.
Me 1968, kur mekanizmat e UDB-së filluan një taktikë të re, që në emër të mbrojtjes së ligjit dhe të pushtetit të tyre mbi Kosovën, futën edhe pjellën e popullit tonë në ato valle, ku shqiptarët do të vriteshin edhe me “imzanë” e shqiptarëve, në emër të këtij absurdi që atë kohë quhej “shteti vetëqeverisës i bashkim- vëllazërimit”- sipas modelit Serbo-sllav!- shumë nga ish pushtetarët shqiptarë nën tutelën e pushtuesit, filluan që këtë detyrë ta ushtrojnë me besnikëri e zell të madhe në shërbim të Serbisë, pra ata u dashuruan në karrige, sa që mohuan edhe popullin e vet. Kujdes nga kjo sëmundje e cila më kohë mund të lazdroi personazhet e tillë.
Që nga rasti i vrasjes së nxënësit Murat Mehmetit, dhe mbytjes me dajak të të madhit Fazli Graiqevcit, duke i akuzuar e fyer në të njëjtën kohë ( edhe i vranë edhe i shanë!)... dhe duke na e treguar edhe vrimën e miut me 1981!- Populli shqiptarë është i ndjeshëm nga këto fyerje të tilla si: “ne dënojmë bartësit e dhunës!” kjo nuk u dashtë- të paktën sot, kur elita jonë politike, do duhej të mos mbillte gërdinë e ish pushtetarëve të dikurshëm kukull!
Është koha që t’i lëmë kryeneçësitë politike që shkojnë përtej fanatizmit cinik. Se kush provokoi dhunë e kush korri furtunë- kjo më se paku i konvenon çështjes së Kosovës sot. Ku do në botë demonstrohet- një demonstrues me duar bosh, bëka dhunë për ballë të një polici i armatosur deri në dhëmbë! Lëreni këto dokrra. Kush përcolli mediet, kjo u pa katërçipërisht se me as një herë, dhe me as një çmim, nuk e arsyeton provokimi i demonstruesve veprimin e egër të policisë deri në atë aq shkallë neveritëse. Gjithë ai arsenal armësh, gjithë ajo zbrazje mllefi, kujt i shërbeu vallë kjo?! Kjo është një nder pamjet më të shëmtuara që ndonjë skenarist me famë botërore mund të paraqiste rolin e një policie mbi rruzullin tokësor- aq më keq NË ROLIN E PAQËRUAJTËSVE !
Policia e Kosovës së bashku me atë ndërkombëtare, të ndërsyer nga shefat e urdhërdhënësit e tyre- vranë me dorën e vet, bashkë me dy të rinj edhe besimin e popullit të Kosovës- nëse ka ekzistuar ndonjë çik, në këto institucione. Në veçanti kur një ditë më parë matanë urës së Ibrit të ftohtë, njërës prej demonstratave Serbe që në mënyrë të hapur ngërthente në vete edhe kërkesën e tyre për luftë!... interesant, as një qime floku nuk i mungoi as kujt, bile, as tytat e armëve të SHPK-së dhe të UNMIK-asëve, nuk kanë guxuar të kthehen nga Ura ndarëse e Ibrit të Kosovës! Edhe sot, protestë në Shtërpc, as edhe një qime nuk i mungoi Serbëve! A thua thjeshtë për shkakun se ata janë Serb e ne jemi shqiptarë?! Po njëjtë, edhe në kohën e Millosheviqit vlente i njëjti slogan: Serbëve nuk guxon të ju mungoi as qimja, e kokës- ndërkaq shqiptarëve guxon të ju mungoj edhe koka fare!!!
Me keqardhje, por vrasja e para dy dite ishte për pikë të qejfit- lë të më thotë dikush në mënyrë të argumentuar se nuk kishte rrugëdalje tjetër, pos vrasjes së dy të rinjve e plagosjes së dhjetëra të tjerëve!!!... Ku ishin partitë politike, ku është kuvendi, ku ishte Qeveria, që nuk bisedoi me atë njeri? Ne kemi përvojë nga e kaluar. DHUNA prodhon DHUNË! Mirëpo sot rolet janë krejtësisht tjetër fare, kjo kopje i kalon edhe konturat e së kaluarës- që thjeshtë i takojnë sistemit Millsheviqian që e kanë dënuar e gjithë bota përparimtare!
Që nga atëherë e deri më sot, të gjithë të rënët, duke përfshirë këtu të gjitha moshat e gjinitë; që nga pleq, plaka, të rinj, të reja e deri tek bebet me biberon në gojë ( rasti i bebes në Obri) , të rënët në fushën e nderit, ranë për interesat jetike të Kosovës dhe të shqiptarisë në përgjithësi, ose u vranë dhunshëm për shkak të këtyre interesave. Nuk u vranë dhunshëm duke qenë të pozicionuar në anën e kundër të interesave kombëtare, ta zëmë siç u vra Pasha Toptan.
Shqiptarët në Kosovë, por edhe një numër i konsiderueshëm i pakicave minoritare- qytetarë të denjë të Kosovës- barten barrën e durimit në mënyrë shembullore që mbi tetë vite, për të pritur STATUSIN përfundimtar të zgjedhjes së çështjes së Kosovë, dhe kurorëzimin e tij me një shtet të të gjithëve qytetarëve të saj, për një jetë më të avancuar, për një demokraci ku qytetari do të guxonte ta shprehte lirshëm mendimin e tij, për një jetë të pa degraduar e diferencuar. Kanë duruar skamjen, terrin, papunësinë, korrupsionin, degjenerimin dhe keq përdorimin e buxhetit të Kosovës deri në çoroditje, me dhjetëra shembuj tani edhe si lëndë para gjykatave, kanë duruar deri në skajshmëri- është fakt shqiptarët durojnë për gjera të tjera, kapërdijnë me sy mbyllur të gjitha, por nuk durojnë kur të cenohet shteti i tyre për të cilin ata janë flijuar në vazhdimësi, janë flijuar shumë, janë flijuar pakufishëm e përvuajtshëm deri me sot.- kjo dukuri do duhej të shpjegohej shumë çartë para Evropës dhe botës: MOS UA CENONI SHQIPTAREVE TË DREJTEN E TYRE PËR TË JETUAR MA NË FUND TË LIRË NË SHTETIN E TYRE- nga se ata për këtë kanë qenë, janë dhe do të jenë të gatshëm kurdoherë që të flijohen! Pakicat i mbrojmë vet- siç i kemi mbrojtur historikisht edhe në të kaluarën- është politika shoviniste e Beogradit (edhe në të kaluarën e tillë ka qenë), që me Serbet e Kosovës ka manipuluar në vazhdimësi e vazhdon të manipuloi edhe sot.
E tëra kjo ishte si pasojë e shushuritjes rreth gropave që janë evidente në pakon e Ahtisarit e cila gjërat e shtetit të Kosovës nuk i ka thënë troç, madje as me gjuhën diplomatike, kështu që duke lënë hapësirë për lloj- lloj interpretimesh,kanë gjuhën e dykuptimësisë, kanë gjuhën e pehlivanllëkut diplomatik, që nënkupton se kush kujt do të ia hedh në tryezën e bisedimeve, pra ai që është më i zoti, ai edhe do të fitoi!!! Ne nuk duam më dredhia e kurthe diplomatike, ngase nuk kemi luftuar për dredhi, por për LIRI. Populli ynë me të drejt druhet nga tradhtitë e mundshme, që kanë pësuar shumë herë në të kaluarën, ka filluar ( pa dashje), të shpreh dyshimin e vet në këto bisedime të stërzgjatura për të drejtën tonë. Në fakt ne jemi të përcaktuar, që tani më pas lufte çështja jonë të zgjidhet me mjete demokratike, por është edhe një e vërtetë tjetër se aty ku demokracia mbrohet me plumba dhe bomba gazi- aty veç ka humbur më kuptimi i saj.
Kjo demokraci 8 vjeçare, që në Kosovë e “solli” UNMIK-u , Kosovën po e përgjak që disa herë: dy të vrarë në qendër të Prishtinës me 1999, 11 të vrarë pranë urës së Ibrit me 2001, 19 të vrarë me 2004, dhe Dy të vrarë dje e qindra të plagosur, popullit sikur i ka luhatur besimin, populli po ndjehet i zhgënjyer në këto institucione, madje i zhgënjyer shumë keq në koalicionin qeverisës. As një përgjegjësi deri me sot, a thua gjithmonë populli me barrën e fajit mbi shpinë- kjo na qenka e drejta demokratike e jona dhe e ndërkombëtarëve?!
Në vijim, populli është i revoltuar që herët, për mënyrën se si koalicioni qeverisës është duke e menaxhuar buxhetin e Kosovës, politikën e saj me plotë qejfe e hakmarrje, me plotë keqpërdorime e bërryla, me plotë investime të pa mbulesë, me plotë kërkesa milionëshe të cilat kanë shkuar vend e pa vend, me plotë debate shterpa deri edhe në fyerje e banalitet, me plotë skena që irritojnë qytetarin e thjeshtë e hallexhi, me plot dështime e papërgjegjësi, me plotë premtime boshe deri në stërkeqej, me plotë anashkalime të atyre që janë meritor, me veprime të papërgjegjshme e kryeneçe që nuk duan t’i dhënë llogari “askush- askujt¨- populli po i sheh këto, kjo është pista e përgatitjes së terrenit, ku Kosove mund të rrëshqas deri në theqafje, kjo ishte edhe pasoja e djeshme e larjes me gjak të ri të rrugëve të Prishtinës.
Roli i opozitës në përgjithësi, kushdo qoftë ajo- në këtë rast është të veproi, të godas të gjitha ata të cilët po degradojnë procesin e shtetit për shkak të ambicieve të tyre të pashërueshme, të demaskojnë shkaktarët e vërtetë të së keqes, duke qenë misionar të stabilitetit dhe garantë për të ardhmen e ndritur të popullit. Opozita në këto raste, nuk guxon të marrë rolin e mbrojtësit të lëshimeve të shumta të koalicionit qeverisës, për të cilat ajo nuk është përgjegjëse, për të cilat ajo nuk ka pse të jap llogari, për të cilat ajo nuk ka autorësi. Opozita nuk është batanije për të mbuluar mihësit e ndyrë të ardhmërisë së Kosovës dhe popullit të saj, madje me as një çmim, as me çmimin e ruajtjes së qetësisë para statusit. As me çmimin e ngjarjeve që ndodhen, nga se ato e kanë të zotin që përgjigjet dhe që quhet “Vetëvendosja”- e populli lë të gjykoi. Opozita ( për mendimin tim), nuk ka nevojë as të marrë fanarin e sharjes... ka ligje, ka drejtësi, ka gjykim të drejt popullore- një ditë pa dyshim se kush ishte kushi?! Në raste të veçanta, kur gjërat stërkeqen, kur uji nuk ecë, ai as për pastrim nuk vlen, se mbushet me mikrobe, prandaj shpërthimi bëhet i pashmangshëm sikur ulcera kur fryhet që kërkon zbrazje, por pet vetëm një ndrydhje të vockël nga dikush, qoftë edhe spontanisht. Këtë nuk mund ta ndalin as sharjet e as plumbat- (kemi përvojë të mjaftueshme nga e kaluar). Këtë mund ta ndalë vetëm realizimi i aspiratave të popullit, dhe realizimi i premtimeve që para popullit është zotuar bartësi i vullnetit të tij, që këtë mision e ka marrë pikërisht nga vota e po këtij populli! Opozita nuk ka nevojë që të marr përgjegjësit e të tjerëve që kanë timonin në dorë, nuk ka nevojë as të dënoi e as të distancohet, nga se ajo nuk është prodhuesi i të ligave në pushtet- nëse ndihet si e tillë në brendësinë e vet- atëherë është diçka tjetër, megjithëse nuk e ka atë mundësi edhe po deshi, prandaj del absurde paraqitja në rolin e përgjegjësit.
Përgjegjësitë ju takojnë atyre që kanë timonin e pushtetit në duar, dhe që janë duke abuzuar me ligjet dhe pasuritë e Kosovës për ditë e më shumë, nën moton: “ Zhgërryej se të na ka ardhur dita!”... Në këtë kohë, po edhe në të gjitha kohërat: secili përgjegjësinë dhe detyrat që i takojnë- nëse nuk iu dalin zot- atëherë të japin dorëheqje në mënyrë të sinqertë dhe publike siç e kanë bërë edhe në të kaluarën, por edhe tani individ të caktuar, që i ka ardhur era më shumë burrëri, ose përgjegjësi individuale, por jo edhe kolektive!?
Zjarrit po i fryjnë me dhe pa vetëdije, edhe dhjetëra analist, të cilët japin komente të momentit, dhe sipas motit! Nëse është vetëm kaq aftësia e tyre profesionale, nuk ua shohim për të madhe, nga se themi: u falët se janë naiv e nuk kanë njohuri, por ata do të ndihen të fyer me këtë konstatim. Mirëpo si ta shpjegojmë faktin kur ditë më parë z. Buzhala thotë: Të gjitha ata që kundërshtojnë pakon e Ahtisarit bëjnë punën e Koshtunicës!
Ky mendim tregon jo më pak se të shprehurit e një diletanti që është futur gabimisht në gazetari. Ai nuk qenka në gjendje të bëj dallim mes kërkesave të pushtuesi dhe të robit, qoftë edhe kur ato puqën krejt në formë aksidentale, mirëpo ato nuk përputhen në përmbajtje- as njëherë në analët e filozofisë. Rasti tjetër kur z. Haxhiu para ca dite( në fund të një shkrim), thotë: Lëreni njeriun ( për Albin Kurtin e kishte fjalën) lë ta provoi rrugën e vet- se ju klasa politike jeni djegur! ndërkaq dje, nën ethet e tymit lotsjellës; thotë të kundërtën madje bukur rëndë akuzon edhe demonstruesit, por edhe pjesëmarrësit pleq, si Adem Demaqin dhe Fazli Veliun! Analist e gazetarë që kthehen nga fyen era, në fakt anija e tyre me vela trumbeton në vendnumërim... Zotëri Haxhiu, ka vdekur ajo kohë kur mundoheshit që të lidhnit paqe me Millosheviqin në Brezovicë me pleqtë tuaj koçobash të ish pushtetit Sulltanian.
Kosova që prej 8 vitesh është në gjendje të status-quos, pra STATUQUA- thotë: gjendje në të cilën janë gjërat, pa lëvizur!- populli, nuk po sheh se po duket një STATU NASCENDI- që do të thotë gjendje lindjeje, gjendje formimi, gjendje lëvizje...Kështu që ekziston frika e bazuar se edhe në statusin e ardhshëm mos gjërat po mbesin aty ku ishin : në Statuqua!
Është kërkesë imediate, dhe përgjegjësi shumë e madhe e grupit të unitetit që të shtroi e kërkoi me mençuri e në mënyrë shumë serioze kërkesat e qytetarëve, në mënyrë që statusi i ardhshëm i Kosovës, mos të na vjen i gjymtë, nga se nuk na duhet, dhe pastaj do të ishte shumë vonë e me pasoja të paparashikueshme për të riparuar diçka, por edhe përgjegjësi totale e bartësve të këtyre bisedimeve. Ende janë të freskëta tradhtitë, që i bartën jo pak “burra” të ish politikës në Kosovë, kur trumbetonin se: “Kosova nuk humb gjë nëse ndryshojmë kushtetutën e vitit 1974!”- Kosova fiton më këtë- thoshin ata dikur- janë armiq studentët, se po duan me e prishur vetëqeverisjen Jugosllave!!! Interesant, edhe sot i shoh duke i dhënë vetës të drejt, madje edhe të fusin hundët në vorbullën e politikës Kosovare... Azem Vëllasi, këshilltar i ish Kryeministrit Kosumi, i ndjeri Mahmut Bakalli, këshilltar dhe deputet i ish Kryeministrit Haradinaj!!! Ku do me e kajtë të ëmën e vet Kosova me këta personazhe gërdallës që kanë mbjellë neveri decenie me radhë, duke ulëritur për pushtetin e huaj, e sa e sa të tillë sot ulërijnë në Kosovë, në forma të ndryshme, të fshehur nëpër faqet e historisë së dhimbshme dhe plotë me gjak të Kosovës!- kujdes nga rënia, qoftë edhe pa dashur në kurthe të tilla- historia nuk e fal më askënd.
Kush i hoq pasojat- veç populli, prandaj fare thjeshtë; populli nuk dëshiron dhe nuk lejon më që të tradhtohet- qoftë edhe me çmimin e gjakut- këtë duhet bërë çartë para botës- ne nuk po kërkojmë që t’i pushtojmë të tjerët, ne po kërkojmë që të lirohemi nga pushtuesi, pra të jemi të lirë- as gjë më shumë, dhe me forcat tona të përbashkëta ta ndërtojmë shtetin tonë më pastaj.
Është kohë e fundit që institucionet të bashkohen me vullnetin e popullit, dhe jo të distancohen nga populli i vet, t’i mbrojnë interesat e tij. Deklarata se një grusht njerëzish as nuk e mbajnë dhe as nuk e shembin punën e Qeverisë etj. Doli e pa saktë dhe e gabuar, mos bëni më lëshime të tilla Kosova ua falë të gjitha me jetësimin e aspiratave të popullit te saj, por me punë e fakte- jo më me fjalë e fraza që përjetësisht do duhej t’i takonin të kaluarës dhe vetëm të kaluarës.
Duke ndjerë dhembje e duke e ndarë atë së bashku me ju në këtë çast pikëllimi, Familjar të të rënëve, uroi me shpirt që kjo mos të ndodhë më as një herë në Kosovë. Mendoj se Lëvizja e Vetëvendosjes do duhej të gjykoi shumë sinqerisht, dhe ta pyes veten shumë seriozisht, pas tërë kësaj që ndodhi: A janë shterur rrugët tjera të veprimit? Mendoj se kjo mënyrë ( e demonstrimit në rrugë) nuk i sjell Kosovës sot, më shumë se ç’prej keni filluar të veproni. Do të isha shumë i kënaqur, me që i keni të gjitha mundësitë që si subjekt politik t’i kontribuoni ( pa e mohuar të kaluarën tuaj) ndërtimit të shtetit. Të provoni peshën tuaj para popullit, të tregoni peshën tuaj me votën e elektoratit që do të fitoni, dhe me peshën e juaj nesër në Parlament, ta thoni fjalën tuaj- jo më në rrugë, janë kohë tjera tani- nuk e besoi se mund ta ndritni karizmin tuaj, duke demonstruar në rrugë, këtë demonstrim forcash e idesh, mendoj se do të ishte shumë më me peshë që ta thoni dhe vulosni nesër me vulën e ligjit në institucionet e Kosovës- që po duam t’i themi shtet, por që edhe duhet pa tjetër ta bëjmë shtet- bashkërisht.
Edhe unë dikur, kam qenë pjesëmarrës i demonstratave kundër regjimit pushtues Serb, por që nga ajo kohë e deri sot, shumë gjëra më nuk mund të thuhen, ose imitohen në të njëjtën formë, ka ndryshuar mënyra e të paraqiturit, këtë do duhej ta kuptoni edhe ju- jemi në Kosovën e pasluftës. Mendoj së në politikë do duhej një qasje tjetër- duke mos vuajtur më nga kryeneçësia politike, nga e cila vuajtje nuk jeni të kursyer as ju. Me qëllimin më të mirë, por që mund të kam gjykuar krejt gabimisht.
Ka disa herë që shefi i diplomacisë së jashtme Serb- z. Drashkoviq thotë: Serbia do të ndihej e turpëruar po që së Kosova pavarësohet! Nga këtu del konkluzioni shumë i qartë i një ambicie të etur për të mbajtur popuj të tjerë të robëruar e të pushtuar! Këtë fakt Evropa ( për dallim nga Amerika), nuk po dëshiron ta kuptoi?! Cila Qeveri në botë, sot turpërohet që të ia njoh lirinë e vet një popullit të robëruar- përveç Qeverisë së Serbisë! Në cilën filozofi qenka e shkruar, apo prej nga ky përfundim se: Qenka turp për të ju njohur lirinë të tjerëve!
Vetiu shtrohet pyetje: A mos qenka krenari që popujt të tjerë të jetojnë në robëri?!- në këtë rast populli shqiptarë u dashka të ndihet krenar që të pranoi jetën e robin nën pushtimin Serb! Kur është dëgjuar kjo më parë- madje as në kohën e fashizmit! Nëse për Serbin qenka njëherë turp që ta lë të lirë në rrugën e saj Kosovën dhe popullin e saj, për ne është njëqind herë më turp që ta pranojmë jetën e robit nën tutelën e pushtetit fashist Serb- dhe këtë me as një çmim.