KOSOVA NË DUAR TË MAFIOZËVE...
KOSOVA NË DUAR TË MAFIOZËVE...
-Grupi i Unitetit i ka dhënë këshilla policisë për të ndërhyrë mbi demonstruesit
-Në Kosovë po provohet të krijohet një republikë serbe si në Bosnje
-Policia ka qenë tamam në nivel të policisë së Millosheviqit, bile ia ka kaluar.
-Kanë demonstruar 25 mijë deri në 30 mijë qytetarë
-Sheremet Ahmetin po e mban Fatmir Sejdiu
-Thaçi, Ramushi e Surroi mafiozë, Sejdiu e Çeku viktima...
-Arrestimi i Kurtit si në kohën e Komiteteve Komuniste ...
-Nuk ka fuqi që do të mund ta ndalë Kosovën që të pavarësohet
-Jam i gatshëm të hidhem në krye të procesit... në qoftë se prej meje kërkon populli...
-Të mirat dhe të këqijat e Pakos së Ahtisarit...
"Epoka e Re"
Intervistoi: Burim ETEMAJ
Grupi i Unitetit i ka dhënë këshilla policisë për të ndërhyrë mbi demonstruesit
EPOKA E RE: Pse keni dalë të demonstroni më 10 shkurt në Prishtinë?
Demaçi: Shikoni... dihet se jam anëtar i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ që nga fillimi, dihet se kam thënë njëqind herë se për ‘Vetëvendosjen’ jam në gjendje edhe të vdes. Kjo organizatë, kjo lëvizje, është ndërgjegjja më e pastër e popullit, e cila guxon ta thotë të vërtetën. Është lëvizja e fundit e cila interesat madhore të popullit i ka para atyre personale, klanore... Albin Kurtin e vlerësoj shumë, sepse është tamam lider i vërtetë që duhet herët ose vonë të vijë në pushtet, sepse ky popull është i etur dhe po vuan pikërisht në mungesë të një lideri si Albini, për t’u çliruan nga dallaverxhinjtë, hilexhinjtë dhe mafiozët që na kanë mbuluar në çdo pore të jetës sonë politike, ekonomike, kulturore... dhe e kanë përçarë popullin për të qenë në gjendje që të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Që ka filluar përçarja edhe brenda partive si në LDK-në si rrjedhim i interesave të shumta të cilat janë bërë thikë dhe pyka midis popullit tonë. Prandaj, unë erdha këtu
(nga Kroacia) me qëllim që të jem edhe si një garant i një demonstrate paqësore. Dhe kur kemi dalë ne nga lokalet e Lëvizjes...
EPOKA E RE: A keni qenë paqësor?
Demaçi: Po shumë paqësor... erdhën informatat se policia i ka bërë disa barriera dhe ne vendosëm që t’i mbajnë disa fjalime, ku do të kërkojmë që të na lirojnë rrugën në mënyrë që ne të mund të marshojmë.
EPOKA E RE: Pasi keni qenë paqësorë, atëherë pse erdhi deri të ndërhyrja e policisë?
DEMAÇI: Policia ka ndërhyrë sepse ka qenë e përgatitur për një veprim të tillë. Ajo ka dalë me qëllim që të na japë një leksion... këshilla policia ka marrë pikërisht nga Grupi i Unitetit...
EPOKA E RE: Pse?
DEMAÇI: Sepse anëtarët e Grupit të Unitetit e shohin vetën shumë të rrezikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Grupi i ashtuquajtur i Unitetit
EPOKA E RE: A keni fakte se policia ka marrë urdhra nga Grupi i Unitetit?
DEMAÇI: Nuk kanë marrë urdhra. këta janë këshilltarë, se kush janë këta që të japin urdhra. Këta vetëm u kanë sugjeruar se demonstruesve duhet dhënë një leksion...
EPOKA E RE: Po a ke fakte se i kanë sugjeruar?
DEMAÇI: Nuk kam fakte, por fakt më i madh është se ata nuk kanë provuar fare për ta ndalur intervenimin e policisë kundër demonstruesve... policia ka intervenuar me gaz lotsjellës.. dhe ka përdorur dhunë të paparë, ku fatkeqësisht u vranë dy dhe u plagës më shumë se 80 të tjerë. Policia barrierën e ka qitur pikërisht aty ku ka mundur të bëjë pengesa për të ndalur marshutën.
EPOKA E RE: A ka provuar dikush nga policia... për të biseduar me demonstrues, apo edhe me Ju para se të përdorin forcën?
DEMAÇI: Jo, jo hiq... pasi që u bë puna, kanë trilluar se ne kemi kërkuar bisedime, por ‘Vetëvendosja’ nuk ka pranuar. Kjo nuk është e vërtetë...
Në Kosovë po provohet të krijohet një republikë serbe si në Bosnje
EPOKA E RE: As nuk iu kanë paralajmëruar para së të intervenojnë...?
DEMAÇI: Po, kanë paralajmëruar se nuk do të tolerojnë të përsëritet ajo që ndodhi më 28 nëntor, ku u zhytën me ngjyrë të kuqe muret e qeverisë, kuvendit e UNMIK-ut, mirëpo nuk kanë tentuar për të hyrë në bisedime për ta gjetur një zgjidhje... edhe pse po them se nuk e di se çka do të kishin mundur të propozojnë... ne kemi dalë që të demonstrojmë me të vetmin qëllim që të mund të korrigjohet pakoja e Ahtisarit që këta të mund t’i tërheqin të gjitha ato dhurata të mëdha, skandaloze që ia dhanë Ahtisarit, po them Ahtisarit kushtimisht... atyre qarqeve që kanë bërë përpjekje që ta pajtojnë Serbinë, ta mbajnë afër duke u mashtruar se mos Serbia po ndërron qëndrim. Ishin pikërisht Evropa dhe Amerika që bënë lëshime të gabuara përbindëshit të Ballkanit në konferencën e Dejtonit, kur Millosheviqi pati qitur kusht që nëse hapet çështja e Kosovës “unë nuk do të marrë pjesë” dhe ata e mbyllën çështjen e Kosovës, e përjashtuan dhe i morën ato vendimet e njohura, që fatkeqësisht e morën në qafë Bosnjën dhe Hercegovinën, e krijuan një shtet ku janë koncentruar të gjithë çetnikët, hegjemonistët që i ka pasur Serbia...
EPOKA E RE: Keni frikë se i njëjti model mund të ndodhë edhe në Kosovë?
DEMAÇI: Këtu është pra frika jonë e madhe, parashikimi se qëllimi i Serbisë të krijohet diçka si republika serbe në Bosnje. Me këtë propozim që i ka bërë Ahtisari, sidomos me këto zgjerimet e territoreve rreth kishave e manastireve... këtu po iu merret toka njerëzve që u takon. Me fjalë të tjera, Evropa që po lufton për mbrojtjen e pronave private, vetë po e shkelë këtë parim dhe po iu jep dhurata atyre që nuk e meritojnë... e që më vonë të bëhet një rikolonizim i Kosovës në pajtim me Evropën dhe Amerikën. Këtë synim e ka Serbia. Ju e dini se çfarë të drejtash e privilegjesh parashihen për enklavat serbe. Këto fatkeqësisht do të kenë shumë të drejta në polici, në gjyqësi, në ekonomi, në arsim... kanë të drejtë për t’u bashkuar me Serbinë. Fatkeqësisht, ajo lidhja vertikale çka po parashihet do të jetë një lejim diçka që nuk ka ndodhur... nuk mund të them se e njoh tërë botën, por nuk di shembull në botë që të ndodhë kështu që një shtet, siç është Serbia, të mund të përzihet në mënyrë kaq flagrante brenda një shteti tjetër. Fatkeqësisht Serbia po i shndërron qytetarët serbë në qytetarë jolojal ndaj Kosovës edhe si spinë dhe bashkëpunëtorë për t’i përdorur kur të dojë dhe për çfarë të dojë, t’i bllokojë rrugët kur të dojë, të vrasë vetë e të na akuzojë ne... gjëra që i kemi parë ne gjatë këtyre viteve. Kështu që demonstrata e “Vetëvendosjes’ ka qenë përpjekje e alarmimit të popullit tonë, i cili po mashtrohet nga krejt mediat tona, në përjashtim të disave dhe nga mediat e botës, duke u mundur t’i paraqesin këto punë si asgjë, e në fakt janë shumë serioze për të ardhmen e Kosovës.
Policia ka qenë tamam në nivel të policisë së Millosheviqit, bile ia ka kaluar
EPOKA E RE: Si dëshmitar i gjallë, si e vlerësoni ndërhyrjen e policisë?
DEMAÇI: Po, shikoni, policia ka qenë tamam në nivel të policisë së Millosheviqit, bile ia ka kaluar... sepse në raste të tilla, as policia e Millosheviqit nuk i ka përdorë tërë ato mjete dhune dhe në raste të tilla nuk ka ndodhur që të vriten njerëzit. Në demonstratën e studentëve në ’81 kanë dalë një numër i madh i qytetarëve, kanë “hëngër” shufra gome, kanë përdorë policia dhunë... por edhe janë ruajtur që të mos ndodhin vrasjet, edhe pse kanë mundur... kurse po them edhe njëherë, kjo ka qenë një përpjekje që t’iu jepet një leksion qytetarëve të Kosovës që të mos guxojnë të dalin më as në rrugë. Të thonë se “ata kanë të drejtë t’i shprehin pikëpamjet e tyre, kjo është demokraci...”, a në fakt ajo që ndodhi në demonstratë ka qenë ngulfatje e demokracisë, ngulfatje e së drejtës së qytetarëve që të mund ta shprehin mendimin e tyre lirisht. Me dhjetëra autobusë janë ndaluar që të hyjnë në Prishtinë, me pretekst se shqiptarët paskan ardhur nga vendet tjera këtu. Po ku qenkan ata shqiptarë të jashtëm, cilët janë ata, po ne jemi të rrethuar me shqiptarë nga të gjitha anët... tani kanë thënë se i paska ftuar “Vetëvendosja’. Po kush është ‘Vetëvendosja’ që t’i ftojë që të vijnë vëllezërit tanë nga Maqedonia. Po ata kanë ardhur vetë dhe kanë vdekur këtu, duke luftuar me ne bashkë kundër Serbisë. Po kanë luftuar edhe shqiptarët e Kosovës kundër çetnikëve maqedonë, kemi luftuar edhe në Luginën e Preshevës, sikurse që kanë ardhur ata e kanë luftuar kundër neve. Ligjet që na i ka vendosur Evropa populli shqiptar nuk i ka pranuar asnjëherë. Dhe në si trup... dhimbja e jonë është e gjithë shqiptarëve dhe ata janë çuar dhe kanë ardhur dhe me këtë punë është marrë edhe dikush që nuk i ka takuar hiq... por disa media ia mbajtën “isen” kësaj pune dhe disa herë e përsëritën se jo kanë qenë njëmijepesëqind demonstrues, jo kanë qenë dymijë... dhe asnjë televizion qytetar nuk i ka dhënë pamjet me rrugë të mbushura përplot demonstrues...
Kanë demonstruar 25 mijë deri në 30 mijë qytetarë
EPOKA E RE: E dini ju sa mijë demonstrues kanë marrë pjesë në demonstratë?
DEMAÇI: Përafërsisht ne e kemi vlerësuar 25 mijë deri në 30 mijë, por ndoshta ka pasur edhe më shumë, pa llogaritur ata që janë ndaluar nëpër hyrjet e Prishtinës. Në demonstratë ishte një parlament i vërtetë popullor, i cili e dha fjalëve që u folën aty dhe nëpërmjet shkrimeve që na e ka botuar “Epoka e re” dhe “Kosova sot”. Ne i kemi dhënë mendimet tona dhe në këtë mënyrë kemi dashur ta alarmojmë botën, e cila nuk po e dëgjon sa duhet fjalën e vërtetë të popullit dhe po më duket se arritëm në bazë të disa ngjarjeve që ndodhën më vonë që Evropa të ndalet dhe të na dëgjojë...
EPOKA E RE: Konsideroni se demonstrata ka pasur efekte pozitive?
DEMAÇI: Patjetër...
EPOKA E RE: Cilat janë?
DEMAÇI: Efektet pozitive janë se ne kemi të bëjmë me Evropën dhe Amerikën. Ato ishin faktorët kryesorë që na ndihmuan që ushtrinë serbe ta mundim...
Sheremet Ahmetin po e mban Fatmir Sejdiu
EPOKA E RE: Jemi te demonstrata e 10 shkurtit. A ka prodhuar efekte pozitive?
DEMAÇI: Po more zotëri...
EPOKA E RE: A mundesh t’i përmendësh ato?
DEMAÇI: Efekti kryesor është se ne po e përfitojmë faktorin ndërkombëtar dhe po ia çelim sytë dhe po e detyrojmë që të bëjë rishikime dhe të korrigjojë edhe ato propozimet e Pakos së Ahtisarit dhe të heqin dorë nga krejt ato që kanë planifikuar që Kosova të mbetet një burim i marifetllëqeve dhe çrregullimeve të vazhdueshme. Shikoni, iu ka dhënë serbëve mundësi që nëse dy të tretat e deputetëve serbë nuk do ta pranojnë një ligj që e nxjerrë kuvendi, ai nuk do të shkojë... unë nuk di që ka në botë që pakica mund ta bllokojë shumicën. Kjo është në mënyrë indirekte me fjalë të tjera sovranitetin e Serbisë po e heqin mbi Kosovën, por në anën tjetër, po na fusin sovranitetin e pakicës mbi shumicën, e cila do të dirigjohet pa u penguar nga Serbia.
EPOKA E RE: Pas demonstratës a jeni kontaktuar nga ndonjë politikan vendor apo perëndimor?
DEMAÇI: Jo, jo... vetëm disa media si BBC... kanë ardhur dy vetë nga Ombudspersoni, të cilët kanë kërkuar disa sqarime. Ka ardhur edhe dikush nga Komisioni i Pavarur që e ka krijuar Agim Çeku që të marrë hetime, por nuk e pranuam...
EPOKA E RE: Pse?
DEMAÇI: Çka kemi ne për t’i treguar, ne... ata duhet të marrin hetime te ata që i vranë qytetarët në demonstratë. Ne i kemi veprimet ashiqare. Hetimet duhet të merren ndaj atyre që shkaktuan gjakderdhje dhe u munduan po them edhe njëherë, ta zbatojnë projektin e nënshtrimit dhe të frikësimit të qytetarëve.
EPOKA E RE: Deri tash për shkak të atyre ngjarjeve kanë dhënë dorëheqje shefi i policisë së UNMIK-ut, Kurtis, dhe ministri Fatmir Rexhepi, por jo edhe Sheremet Ahmeti...?
DEMAÇI: Shikoni, këto nuk janë dorëheqje, këto janë shkarkime. Nuk kish dhënë dorëheqje zotni Fatmiri për njëqind vjet, por atij i kanë thënë jep t’i dorëheqje mos ndoshta po e mashtrojmë popullin e po thonë ja ky paska qenë fajtor, edhe pse ai në fund si shqiptarët kur donë me vdekur që i flasim disa fjalë të mira, tregoi drejt se nuk ka pasur asgjë në dorë. E Sheremet Ahmetin po e mban Fatmir Sejdiu. Sejdiu deklaroi se nuk është që Sheremeti të japë dorëheqje...
Arrestimi i Kurtit si në kohën e Komiteteve Komuniste ...
EPOKA E RE: A jeni për një mision të ri të Evropës në Kosovë ?
DEMAÇI: Po, jam për një mision të vërtetë të Evropës që do të vijnë e ta pastrojnë Kosovën nga krejt mafiozët dhe kriminelët të cilët e kanë mbuluar Kosovën. Pa pastrim gjeneral të tyre ne nuk mundemi të shkojmë në Evropë. Evropës nuk i duhet një Kosovë e kriminalizuar. Të gjitha llojet e kriminalitetit janë duke lulëzuar në Kosovë. UNMIK-u nuk bëri gjë për ta ndaluar këtë të keqe, si e krijoi edhe vetë njëfarë klime që ato larvat e kriminelëve që ishin të instaluara nëpër grupe poshtë e përpjetë të lulëzojnë e të shumëzohen edhe më shumë. Unë kam besim të madh që Evropa nuk do të ketë qare, deshi apo s’deshi, pa e bërë njëfarë pastrimi për të na përgatitur për të hyrë në familjen evropiane. Këtë populli ynë e dëshiron, nuk kemi asgjë kundër forcave të NATO-s, e as të atyre që do të vijnë nga Evropa, të cilët do t’i marrin punët në dorë e ndoshta do t’i hapin ato dosje, të cilat UNMIK-u si hapi asnjëherë. Aq shumë janë forcuar kriminelët dhe mafiozët tanë me këtë pushtet formal... sa që u mblodhën e kërkuan ta gjejnë fajtorin për Kosovën, ta gjejnë fajtorin e këtyre demonstratave, ta gjejnë se kush qenka ai fajtori, ai i cili iu priu këtyre demonstratave, i cili u përpoq që me gjithë ata djem e vasha t’ia hapin sytë këtij populli, t’ia hapin sytë Evropës që të na shoh në dritën e vërtetë, të na shoh ashtu siç duhet. Anëtarët e Grupit të Unitetit, duke dashur ta eliminojnë Albin Kurin, kërkuan ta qojnë në burg duke dhënë urdhra të arrestohet si dhe të dënohet, sikur në Kohën e Komiteteve Komuniste.
EPOKA E RE: Pasi që dolëm te arrestimi. Si e konsideron arrestimin e Albin Kurtit dhe caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh?
DEMAÇI: Ky është një gabim i madh i forcave evropiane ... këtë e bënë edhe këta tanët. Njëherë me qëllim që ta gjejnë fajtorin e të rehatohen, pastaj kinse kanë punuar mirë të huajt që i kanë vrarë djemtë tanë... e në anën tjetër, me hipokrizi se gjoja po iu shprehim ngushëllime familjeve të të rënëve. Disa prej tyre thanë edhe se janë manipuluar djemtë. Me fjalë të tjera, ky është një gabim për shkak të mosnjohjes së situatës dhe të realitetit dhe së vërtetës në Kosovë. Ky është një gabim, i cili do të mund të shkonte në interes të marshimit të jetës së këtyre mafiozëve dhe kriminelëve, të cilët janë instaluar në të gjitha poret e jetës në Kosovë.
Arrestimi i Albin Kurtit më 10 shkurt 2007
EPOKA E RE:Kush tjetër ka mbetur pa qenë i inkriminuar ?
DEMAÇI: Vetëm ‘Vetëvendosja’.
EPOKA E RE:Mendoni se është e zonja ‘Vetëvendosja’ të udhëheq... ?
DEMAÇI: Po është e zonja... por shiko, në Kosovë ka edhe plot njerëz që janë të gatshëm të udhëheqin dhe të cilët kanë aftësi dhe kapacitete .
EPOKA E RE: ‘Vetëvendosja’ po thonë se nuk e kanë synim pushtetin?
DEMAÇI: Jo, jo ‘Vetëvendosja’ se ka synim pushtetin, por ka njerëz të tjerë jashtë ‘Vetëvendosjes’, të cilët janë këtu gjallë, të kualifikuar të ushtruar për të udhëhequr me proceset politike në Kosovë .
EPOKA E RE: Kush janë ata që nuk po iu dëgjohet zëri ?
DEMAÇI: Njerëzve të zotë e të vërtetë nuk iu dëgjohet zëri. Ata nuk shtyhen, sepse e dinë se deri këtu ka ardhur situata... që njerëzit s’po guxojnë as ta hapin gojën... po e sheh se si po ndodh një organizim kaq i guximshëm si ‘Vetëvendosja’ çka po i bëjnë... po sheh çfarë programesh po shohim nëpër media, krejt programet po bëhen për t’ua shpërlarë trurin njerëzve. Kështu që ka intelektualë të vërtetë të cilët mund ta qeverisin këtë vend.
Jam i gatshëm të hidhem në krye të procesit... në qoftë se prej meje kërkon populli...
EPOKA E RE: Ju personalisht, a jeni të gatshëm të hidheni në krye të procesit... ?
DEMAÇI: Jam i gatshëm në qoftë se prej meje kërkon populli i vërtetë, por nuk jam i gatshëm të instalohem diku dhe të punoj me mafiozë... sepse me ta nuk mund të bëj asgjë.
EPOKA E RE: Agim Çeku a është mafioz?
DEMAÇI: Agim Çeku është viktimë e butësisë dhe dëshirës së vet që ta shpëtojë këtë popull, mirëpo më dhimbset shumë që ai nuk po sheh se ku është e tek është e me kënd po punon e tjera e tjera...
EPOKA E RE: Hashim Thaçi a është mafioz ?
DEMAÇI: Hashim Thaçi është mafioz i kulluar...
EPOKA E RE: A ke fakte apo...?
DEMAÇI: Fakti po tregon vetë, ai po qohet kundër një lëvizje e cila po lufton për t’i mbrojtur interesat e këtij populli...
EPOKA E RE: Ramush Haradinaj, a është mafioz?
DEMAÇI: Shiko, Ramush Haradinaj është një luftëtar i madh, por edhe ai ka ra viktimë e qarqeve të cilat e rrethuan dhe tash ai nuk ishte në gjendje ta kontrollojë situatën. Mirëpo, edhe Ramushi e ka përgjegjësinë dhe nuk mund të lahet... edhe Ramushi është i ndotur me lloj-lloj mafiozë me të cilët ka pasur punë dhe s’kam çka i bëj.
EPOKA E RE: Veton Surroi a është mafioz ?
DEMAÇI: Mafioz, mafioz i madh, ku i bëri Veton Surroi 90 milionë euro.. i ka vjedhur.
EPOKA E RE: E Fatmir Sejdiu a është mafioz ?
DEMAÇI: Fatmir Sejdiu, i shkreti është viktimë e butësisë së vet dhe politikës së vet që ishte mbrapa Rugove dhe i mbeti...kur erdhi në fuqi u mundu t’i largonte mafiozët... disa i largoi, kurse të tjerët dalëngadalë iu afruan, kështu që s’ka as ai me këtë punojë ndryshe, prandaj edhe e ka përgjegjësinë.
EPOKA E RE: E Kolë Berisha ?
DEMAÇI: Kola është një njeri i aftë, i cili nuk besoj se merret me mafiozllëqe, mirëpo politikisht nuk sheh shumë larg. Edhe ai mundohet ta vazhdojë njëfarë rruge, duke menduar se Rugova e ka pasur një politikë të drejtë....
EPOKA E RE: Ta lemë pak demonstratën anash...
DEMAÇI: E lëmë...
Të mirat dhe të këqijat e Pakos së Ahtisarit
EPOKA E RE: A ka diçka që sheh të mirë në Pakon e Ahtisarit?
DEMAÇI: Në pako shoh të mirë se Kosovës i jepet mundësia që të aderojë në organizatat ndërkombëtare, eventualisht edhe në OKB. Do me thënë se po bëhen përpjekje që Kosova të lirohet nga sovraniteti i Serbisë, që nuk është punë e vogël kjo, por brenda po e krijon përsëri një gabim të madh që u krijua në Dejton. Dhe Ahtisari nuk ka faj këtu, sa kanë faj disa qarqe të cilat e bënë Dejtonin, ato qarqe ende po na përcjellin. Po ashtu, faj kanë këta liderët tanë të cilët lejuan që Ahtisari të bie nën ndikimin e atyre qarqeve.
EPOKA E RE: A kanë mundur qytetarët dhe kjo klasë politike të bëjë më shumë në këtë kohë për Kosovën?
DEMAÇI: Qytetarët kanë mundur të bëjnë, po të ishin të vetëdijshëm dhe në demonstratën e 10 shkurtit e kanë dhënë maksimumin, kurse që po thua ti klasë, kjo nuk është kurrfarë klase, kjo është një bandë e njerëzve që luftojnë për t’u pasuruar, për të mbetur në pushtet. Pra, nuk janë në pushtet për t’i shërbyer këtij populli, por janë në për t’u pasuruar.
EPOKA E RE: Si i sheh konsultat e ardhshme Prishtinë- Beograd, që do të mbahen në Vjenë?
DEMAÇI: Evropa po insiston dhe po i detyron palët që të bisedojnë përsëri, të bisedojnë qengji me ujkun, të bisedojmë ne me Serbinë. Nuk shoh se çka kemi ne të bisedojmë... mundemi eventualisht që liderët tanë të shkojnë në Vjenë dhe të fillojnë t’i korrigjojnë gabimet, lëshimet që i kanë bërë nëse kanë mundësi në mënyrë që të korrigjohen ato pika kërkesa që kanë të bëjnë me kisha dhe manastire...
EPOKA E RE: Këtë çështje e konsideroni si një nga pikat e dobëta të pakos...?
DEMAÇI: Kjo është një nga pikat e dobëta, kurse pika më e dobët është se iu bëhet e mundur dy të tretave të deputetëve serbë që ta bllokojnë nxjerrjen e çfarëdo ligji... ka edhe pika tjera, siç është mundësia që Serbia të përzihet në mënyrë aq flagrante në Kosovë nën firmën e përkrahjes dhe ndihmës së serbëve të cilët jetojnë këtu. Ne jemi për atë që serbët ta kenë dyshtetësinë dhe të drejta të tjera, por të jenë lojal ndaj Kosovës.
EPOKA E RE: A ju ka mbetur ndonjë fije shprese se Kosova do të pavarësohet?
DEMAÇI: Unë e di që nuk ka fuqi që do të mund ta ndalë Kosovën që të pavarësohet, mirëpo kam frikë nëse Evropa do të tregohet e shurdhër ndaj kërkesave tona dhe nëse Evropa ende do t’i bëjë lëshime Serbisë, sepse do të rritet kostoja... kam frikë se këtu jo vetëm shqiptarët, por edhe serbët do të humbin... kam frikë sepse disa herë jemi mashtruar, disa herë Evropa nuk ka pasur vesh për t’i dëgjuar sa duhet kërkesat tona, kam frikë mos po na përsëritet ajo e keqe edhe njëherë. Por, në fund të fundit edhe kur e kam filluar luftën atëherë, para pesëdhjetë vitesh i vetmuar me një grup entuziastësh, kam qenë i bindur se do të fitojmë. Nuk kam menduar se do të pres ndonjë farë fitore... por kam qenë i bindur dhe kjo është edhe në programin tim të ’64 se Jugosllavia do të shpartallohet... unë kam shpresë se do ta pres edhe pavarësinë e Kosovës.
EPOKA E RE: Faleminderit për intervistë dhe shëndet të gjatë...
DEMAÇI: Gjithashtu.
(FUND)/ 18 02 2007/F.F.