Frashër Oseku-TURP TË KESH, ALI AHMETI!
Shkruan: Frashër Oseku, ish-ushtar i UÇ Kombëtare
Para ca ditësh doli edhe Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, në RTK-ë dhe na e dha një koment ndaj 10 shkurtit në Prishtinë. U zhgënjeva e u preka aq fort nga deklarata e Ali Ahmetit, sa s’di si ta spjegoj. Deklarata e tij ishte distancim komunist nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, kurse e miratonte pa asnjë sy kritik paketën e Ahtisaarit.
Asnjë fjalë për atë se kjo paketë e shpartallon Kosovën mozomëkeq! Dhe, ca më keq ende: asnjë fjalë për atë se UNMIK-u, qeveria kukull në Prishtinë, si dhe policia, na e vranë Mon Balajm (39) dhe Arbën Xheladinin (34) kurse spitalizuan 83 qytetarë tjerë të Kosovës, veç pse ushtruan të drejtën qytetare që të protestojnë kundër kësaj pakete!
Shume lehtë paska harruar Ali Ahmeti se po t’i bindeshim ne qytetarët patriotë të Kosovës UNMIK-ut, s’do t’u kishim vajtur kurrë për ndihmë vëllezerve e motrave tona kur kërkuan të drejtat e veta në IRJM. Qeveria jonë mafioze, kumbarët e saj ndërkombëtarë, e plot tjerë gjetkë, bënin asokohe lutje në qiell të mos ndihmohet UÇKom, sepse lufta në Iliridë qënkesh “thikë në shpinën e Kosovës. Ata na thonin troç ta këqyrnim punën tonë; na thonin të ju linim ju në baltë. E ne e shpërfillëm turpin e tyre, e luftuam e u vramë bashkë me ju nëpër fusha të nderit.
E pra, ata që të lanë në baltë ty, tashti na kanë lënë në baltë edhe neve,
bashkëqytetarët e vet. Ata kishin autorizim nga parlamenti i Kosovës për të qenë transparentë. E në vend të kësaj, ata spurdhën në terr, pa i dhënë raport as parlamentit, as qytetarëve: madje i zbardhën edhe faqet e gazetave, duke u cenzuruar lajmet! Ata kishin autorizim për të negociuar pavarësinë, e na i paskan negociuar kushtet e varësisë permanente: për serbët na e paskan krijuar një Republika Srpska, e për ne shqiptarët pa kufi e pa afat të ndërkombëtarëve! Edhe tash që gjoja shkuakan për "negociata" të reja, prapë i fshehin objektivat e tyre - jo para Serbisë, se asaj i sillen në dorë me shkrim, po para qytetarëve të vet! -Natyrisht: meqë i druajnë zhgënjimit tonë, zemërimit tonë!
A këta burra dashke t’i mbrosh ti, o Ali Ahmeti!? E kush ta lypi këtë ndihmë, o jahu? Kush të ftoi ty të përzihesh, a na e tregon troç?! E pra, gjaku ynë s’na është tharë ende ndër varret tona pa nam e pa nishan përreth Shkupit, Tetovës, Gostivarit, e Kumanovës, o Ali Ahmeti! Athua kaq larg paska shkuar “adaptimi” yt, sa ta mbytësh kaq lehtë rënkimin e tyre!?
Shpejt paske harruar, o Ali Ahmeti, se bota nuk shihet qartë nga kolltuqet e larta. E se duhet zbritur poshtë mes njerëzve tu, për ta parë realitetin siç është. Se qytetarët e Kosovës ndjejnë mosbesim për qeverinë e vet mafioze, e për kumbarët e saj ndërkombëtarë. Se shumë syresh mblidhen përreth lëvizjes VETËVENDOSJE! pse s’duan copëzim etnik, po një shtet qytetar për të gjithë, pavarësisht nga feja a etnia. E se janë mu këta bij e bija besnikë të Kosovës - e jo paria e shitur! - që e kanë shpier gjithmonë para në histori çështjen tonë. Apo mos je “adaptuar” ndoshta aq, sa ke harruar krejt se për cilën çështje bëhej fjalë...?
Më 10 shkurt, na i vranë Mon Balajn (30) dhe Arbën Xheladinin (34), e na i spitalizuan 83 qytetarë tjerë, pa pikën e fajit. Ata, bashkë me dhjetëra mijëra tjerë, kishin dalur për të marshuar paqësisht kundër copëtimit etnik të Kosovës. Megjithatë, policia u shkrehu pushkët në fytyrë nga distanca 10 hapa, duke stepur të madh e të vogël. Ky ishte një krim, o Ali Ahmeti! Si i tillë, pra si krim, ai është dënuar nga OJQ-të vendore e nga Amnesty International. MPJ Fatmir Rexhepi dhe “Komisari policor” Stephen Curtis janë rrëzuar nga postet e tyre, shkaku i këtij krimi.
Kriminelët tjerë, që planifikuan, udhëruan, e zbatuan udhërin për të vrarë
qytetarët janë nën hetime zyrtare, o Ali Ahmeti! Ato qelbësira kërkon ti t’i mbrosh!?
Pa kujto njëherë, o Ali Ahmeti, se si u bë rrëmujë jo fort moti Parisi i qytetëruar francez, me makina, e ndërtesa, e komuna të kthyera përmbys e të djegura flakë! E prapë, s’u vra asnjë protestues për be nga policia! Si del ti, o jahu, e mbron kriminelët në Prishtinë!?
Turp të kesh, Ali Ahmeti! Mos të qoftë kurrë hallall as gjaku i shokëve, e as mundi që kemi bërë për ty e tjerë leshko si ty.