Adem Demaçi flet për protestat dhe reagimet

19.02.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Intervista

PRESS - BBC

Adem Demaçi flet për protestat dhe reagimet

Adem Demaçi, njëri prej aktivistëve më të mëdhenj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, tash anëtar i Lëvizjës Vetëvendopsje, thotë se "E vërteta për Kosovën është kjo e Vetëvendosjes".

"E vërteta dhe zgjidhja është, vetëvendosja, ku populli do të vendosë për veten e vet, dhe jo të vendosë dikush tjetër nëpër kancelaritë e tyre dhe të mundohet të ndajë drejtësi, (pak për neve pak për ata), e të mos zgjidhet problemi."
Kjo do të thotë që të mbetet rreziku që Kosova sërish të shndërrohet në një vatër të re të gjakderdhjeve.
Intervistën me Adem Demaçin, e realizoi kolegu Muharrem Nitaj.

BBC: Si i vlerësoni cilësimet se protestat e vetëvendosjes ishin të dhunshme sepse u filluan si të tilla?
A.Demaçi: Vetë formulimi i shpejtë i vlerësimit se demonstratat e lëvizjes Vetëvendosja ishin të dhunshme, tregon se pushteti, edhe përfaqësuesit e pushtetit real dhe këta të pushtetit formal, që janë vegla dhe vasalë të tyre, kanë qenë të përgatitur për ta shkaktuar dhunën.
Prandaj kanë pasur nevojë që këto protesta, më paqësoret të mundshme, t'i shpallin të dhunshme dhe të palejueshme dhe prandaj ne kemi vepruar kështu siç kemi vepruar.

BBC: Po është vlerësuar se vetë thirrja e liderit të Lëvizjes "Vetëvendosja" që të vazhdohej marshimi i demonstruesve dhe të shpërtheheshin barrikadat e vendosura nga policia, ka qenë thirrje për dhunë?
A Demaçi: Jo, kjo nuk ishte kështu. Ishte përpjekja për ta eliminuar dhunën që na imponohej neve.
Këtu shihej se ata që janë bërë gadi dhe kanë pasur në kokën e tyre një mendim të shtrembëruar, që të na japin neve një leksion dhe që ne të mos guxojmë të marshojmë e të protestojmë rrugëve.
Prandaj ata e kishin vendosur pritën në mes të rrugës "Nënë Tereza" dhe kanë dashur të kufizojnë lëvizjen tonë.
Ata shpejt e shpejt e trilluan arsyetimin se gjoja ne kemi dashur të hyjmë në ndërtesat e qeverisë dhe parlamentit, mirëpo ky ishte një trillim shumë transparent, siç po thonë, dhe gënjeshtra doli e kulluar.

BBC: Jeni parë të jeni në ballë të kësaj proteste. Në çfarë cilësie keni qenë pjesëmarrës?
A Demaçi: Po unë jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosja. Kam qenë jashtë dhe kam ardhur enkas për të marrë pjesë në këto protesta. Kam marrë pjesë edhe në mbledhjen apo takimin final, ku ne ishim marrë vesh që ne të bënim një demonstrim krejtësisht paqësor.

BBC: Thoni se nuk keni pasur për qëllim që ju të shkaktoni dhunë?
A Demaçi: Aspak.

BBC: Lidershipi dhe misioni i OKB-së, thonë se nuk ka pasur asnjë arsye të protestohej.
A. Demaçi: Arsyet për të protestuar janë të panumërta në Kosovë.

BBC: Njëri prej anëtarëve të Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, ka kërkuar përgjegjësi për thirrjet e rrejshme të aktivistëve të Lëvizjes, por edhe nga policia që goditi në kokë demonstruesit.
A Demaçi: Veton Surroi ka frikë siç kishin "Titistët" dikur, kur ne sulmonim rregjimin dhe diktaturën komuniste. Në këtë pozicion është sot edhe Vetoni, i cili nuk mendon për interesin e Kosovës, por mendon se ku po mbetet ai vetë.

BBC: Po edhe presidenti i Kosovës, Sejdiu, ka pasur të njëjtin vlerësim. Ai i ka ftuar qytetarët e Kosovës që të kenë besim tek udhëheqja e vendit se nuk do të ketë zgjidhje të tjera që mund të jenë në kundërshtim me përcaktimin e popullit.
A.Demaçi: Mua më vjen shumë keq. Fatmiri është një burrë shumë inteligjent. Por është për keqardhje se edhe ai mundohet të "shesë mjegull", sepse këto çfarë pamë, çfarë lexuam e dëgjuam nga pakoja e hapur të Ahtisaarit, po na e heqin Serbinë nga qafa, po e heqin sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe po na fusin nën sovranitetin e pakicës serbe, e cila do të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me Serbinë dhe do të marrë instruksione prej saj.

BBC: Kryeministri i Kosovës Çeku, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e qytetarëve dhe të anëtarëve të lëvizjes "Vetëvendosja", mirëpo ka thënë se adresimi i këtyre shqetësimeve nuk mund të jetë rruga.
A.Demaçi: Shikoni, ne nuk jemi anëtarë të parlamentit…

BBC: A do të thotë kjo se ju i keni shfrytëzuar të gjitha mundësitë tjera?
A. Demaçi: Ne i kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë tjera. Ju e dini se e kemi botuar gazetën Vetëvendosja për çdo javë.
E kemi dhënë mendimin tonë kudo që na kanë dëgjuar dhe nuk kami pasur rrugëdalje tjetër, përpos ta thërrasim popullin që të dali në rrugë që bashkë me të ta ngremë zërin dhe t'u tërheqim vërejtjen miqve tanë, të cilët nuk janë të paktë e të cilët nuk e dinë gjithë të vërtetën për Kosovën.
Dhe e vërteta për Kosovën është kjo e Vetëvendosjes. E vërteta dhe zgjidhja është vetëvendosja, ku populli do të vendosë dhe jo të vendosë dikush tjetër nëpër kancelaritë e tyre dhe të mundohet të ndajë drejtësi "pak për neve, pak për ata", e të mos zgjidhet problemi. Kjo do të thotë që të mbetet rreziku që Kosova sërish të shndërrohet në një vatër të re të gjakderdhjeve.

BBC: Zv.kryenegociatori i OKB-së, Steve Shuck, tha se Lëvizja Vetëvendosja kishte rekrutuar anëtarët e saj jashtë Kosovës…
A.Demaçi: Po kush është Vetëvendosja, që të rekrutojë anëtarët e saj jashtë. Po ti nuk mund ta ndalësh popullin shqiptar që t'i ndihmojë njëri-tjetrit…

BBC: Me sa po kuptoj unë, ata kanë ardhur nga shtete të tjera, por jo nga shtete…
A.Demaçi: …Ata janë nga shtete tjera, por janë fqinjtë e Kosovës dhe dhimbjen tonë e kanë dhimbje të vetën, o, zotëri!

BBC:Është spekulluar edhe me emrin e Daut Haradinajt i cili thuhet të ketë ndihmuar organizimin e protestës…
A. Demaçi: Po e kanë marrë në qafë kot. Ky Hashimi vetëm trillon poshtë e përpjetë, andej e këndej dhe mundohet ta luajë rolin e një farë pacifikuesi e të një farë qetësuesi. Ai në të vërtetë i bën sherr këtij populli dhe atyre që mund të mendojnë se mund të ndihmojë si pacifikues.

BBC: Është spekulluar shumë edhe me financimin e Lëvizjes Vetëvendosja dhe se kush qëndron prapa saj. Në fakt kush e financon këtë lëvizje?
A.Demaçi: Ne e financojmë vetën tonë. Secili anëtar, i cili ka mundësi, i paguan nga 50 euro.

BBC: A janë të mjaftueshme këto për organizimin që keni?
A. Demaçi: Po, p.sh. neve gazetën na e boton "Kosova Sot" pa para. Të njejtën gjë e bën edhe "Epoka e Re". Kur mbetemi ngusht, na bëhen shërbime të ndryshme, bile nga ata biznesmenë që nuk i kanë punët edhe aq mirë.

BBC: Strukturat udhëheqëse të Kosovës ju shohin përgjegjës për dy viktimat e demonstratave. A e shihni vetën sadopak përgjegjës për këtë?
A. Demaçi: Përgjegjësinë e kanë ata që i kanë vrarë, o, vëlla! Ne që kërkojmë, liri e drejtësi, që kërkojmë drejtësi e barazi, nuk kemi përgjegjësi. Ne që kërkojmë, nga këta që kërkojnë përgjegjësi prej nesh, të heqin dorë nga marrëzitë dhe lëshimet që kanë bërë.

BBC: Si i vlerësoni dorëheqjet e ministrit të policisë, Rexhepi dhe të Komisarit të policisë së Unmikut, Curtis?
A.Demaçi: Këto dorëheqje janë një gjë pozitive që tregojnë se disa qarqe që e kanë pushtetin, sepse nuk ka dhënë Fatmiri e as Curtis dorëheqje vet, por i kanë shkarkuar ata që dijnë më shumë, do të ndalen një herë dhe do të thonë…po dale një herë, le ta dëgjojmë këtë farë populli…sepse ne tjetër interes përveç interesit të Kosovës nuk kemi.

BBC: Qeveria e Kosovës, presidenti, grupi i Unitetit, BE, SHBA, e të tjerë, thonë se dokumenti i Ahtisaarit përfill vullnetin e shumicës për krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës. A nuk janë të gjitha këto të mjaftueshme që ju të bindeni se nuk keni arsye të protestoni?
A.Demaçi: Unë ju thashë se do të hiqet sovraniteti i Serbisë si shtet në Kosovë, mirëpo do të vendoset sovraniteti i pakicës serbe mbi shumicën shqiptare në Kosovë.

BBC: Ju falënderoj që ishit në studion e BBC-së në Prishtinë, zoti Demaçi.
A.Demaçi: Ju falendëroj edhe unë që ma dhatë mundësinë për ta thënë të vërtetën tonë për këto ngjarje, sepse po manipulohet shumë me të vërtetën pikërisht nga shumë media në Kosovë, të cilat janë bërë pjesë e interesave të ngushta.