Arben Kaqiku -Korrupsioni dhe USAIDi

18.02.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

Korrupsioni dhe USAIDi

A jeni pyetur ndonjëherë pse aty ku ka korrupsion është edhe USAIDi dhe pse aty ku është USAIDi ka korrupsion? USAID është shkurtesë në anglishte e cila i bjen diçka si United States Agency for International Development, ose në shqip, Agjencioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.

USAID është një organizim i themeluar nga Partia Demokratike e SHBAve, shkurt nga Demokratët. Në fillim ky organizim kishte synime e qellime nga më të mirat. Në letër, ato synime e qëllime vazhdojnë të jenë të tilla. Pra, tu ofrohet ndihma amerikane shteteve të ndryshme për të zhvilluar e forcuar sistemin politik të quajtur demokraci. Kjo është kryer përmes metodave të ndryshme duke filluar nga mediat, qeveria, parlamenti, kuvendi, presidenca, komunat, etj., etj. Pra, programet ose projektet e ndryshme të UDAIDit janë realizuar përmes sistemit politik të vendit përkatës.  

Që nga themelimi i USAIDit e deri më sot kanë ndodhur gjithfarë zhvillimesh të llojeve e natyrave të ndryshme, si ekonomike, politike, arsimore, në përgjithësi shoqërore. Me këtë janë ndërruar edhe synimet dhe qëllimet si dhe puna praktike e USAIDit. Kjo vlen edhe për Kosovën.

Rast konkret është përzierja e kësaj organizate në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës, KEK. Përmes njoftimeve për shtyp, ata na lajmërojnë se kanë projekte për të ngritur pagesën e faturave elektrike nga banorët e Kosovës, pra, konsumatorët.  

Dihet që menagjuesit e KEKut, si ata vendorë si ata ndërkombëtarë, kanë rroga jashtëzakonisht të larta. Një përqindje e madhe e faturave të paguara elektrike nga qytetarët e Kosovës shkojnë në mbulimin e shpezimeve të rrogave dhe të logjistikës, siç janë mëngjeset, drekat e darkat, si private si zyrtare, veturat, si private si zyrtare, benzinën e hargjuar, blerjen e banesave, shtëpive dhe të trojeve nëpër Kosovë dhe në mirëmbajtje tjetër.

Për njeriun normal kjo nuk është asgjë më shumë sesa korrupsion, keqpërdorim i detyrës zyrtare si dhe mungesë e menaxhimit qeveritar-qytetar të KEKut. Fatkeqësisht, e njëjta vlen edhe për shërbimet e tjera njerëzore-natyrore siç janë shërbimi i ujit, ngrohjes qendrore, bërllogut, telefonit, et etj.  Edhe një herë, të gjitha llojet e faturave paguhen nga qytetarët e Kosovës. Edhe një herë, fatkeqësia është se ato fatura të paguara, pra, paratë e faturave, në një përqindje të madhe gjithsesi të patolerueshme, shkojnë për rrogat dhe shpenzimet e tjera të menaxherëve të këtyre kompanive në fakt private. Ato as nuk i japin llogari Qeverisë e as qytetarëve. Edhe një herë, USAID është mu afër këtyre kompanive të llojit të tillë, jo vetëm në Kosovë.  

Këto ditë lexova se faturat elektrike për amvisëritë do të shtrenjtohen sepse, siç njoftohet nga KEKu, ato paskan qenë të subvensionuara. Pra, amvisëritë paskan paguar më pak sesa që paskan shpenzuar. Edhe nga anketat e hulumtimet e ndryshme dihet që Kosova paguan këto shërbime shumë më lartë e më shtrenjtë sesa një vend i zhvilluar ekonomik.
Trajtimi i qytetarëve të Kosovës nga ana e KEKut dhe e kompanisë së ujit, bërllogut, ngrohtores dhe e shërbimeve të tjera që çuditërisht quhen komunale, është e patolerueshme, jashtë çdo mendje njerëzore dhe joligjore.  Dhe përsëri, USAIDi është aty. Me sjelljen e tyre këto kompani në fakt nxisin varfërinë shoqërore, çorientimin shoqëror, konfliktin qytetar, shtojnë vazhdimisht mosbesimin në Qeveri. Sillen thuaja rryma, uji, ngrohja janë pronë private, se ata i kanë shpikur këto gjëra e jo natyra, e jo Zoti.

USAID është asgjë më shumë sesa një organizim politik dhe organizim i biznesit. Nëse investojnë diku 1 milion dollarë, në anën tjetër, ata i marrin 10 milion dollarë. Ka shqetësime serioze në vet SHBAnë qe organizimi i quajtur USAID në fakt është një organizim përmes së cilit financohen fushata të ndryshme, përfshirë edhe politike, të Demokratëve të Amerikës. Shqetësimet shkojnë deri në atë masë saqë shpesh flitet e diskutohet seriozisht që ky organizim i biznesit të mbyllet sepse nuk po e plotëson qëllimin për të cilin është themeluar.  

Demokratët  e Amerikës janë asgjë më shumë sesa organizim politik. Kosovarët e njohin ketë organizim si patriotik përmes ish-presidentit Bill Klinton. Megjithatë, kjo nuk i jep arsye askujt, përfshirë edhe USAIDin, që të shkaktojë çrregullime serioze shoqërore në Kosovë por edhe në vendet e tjera.  

Ne Kosovarët jemi duke ecur nëpër teh. Na mungon vetëm edhe humbja e besimit tek amerikanët dhe çdo gjë, çdo përpjekje, si vendore si ndërkombetare, të shkojë jo më larg sesa në kantë të bërllogut, në kosh të plehrave.

A do të jetë kjo e pashmangshme?


Arben Kaqiku