6-vjetori i daljes publike i UCKsë(Kombëtare)

18.02.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

TELEGRAM PËRSHËNDETËS

-       Akademisë Përkujtimore me rastin e 6- vjetorit të daljes publike të
Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të organizuar nga Organizata e Veteranëve të
luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare

Të nderuar luftëtarë të UÇK-së, të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë
të luftës...

16. Shkurti i Vitit 2001, është datë që na përkujton emblemën e lavdishme
dhe heroike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, është datë që na përkujton
paraqitjen e saj publike. Pra ky gjashtëvjetor është një obligim moral dhe
kombëtar, me qëllim që të kthehemi në retrospektivë, të analizojmë punën dhe
angazhimin tonë, se me të vërtetë a u realizua programi politik i UÇK-së, a
u realizuan kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar. Edhe pas gjashë viteve
plagët e luftës shihen kudo, kurse ndryshimet me të cilat do të
identifikohet ideali i tyre nuk vërehen fare.

Ajo që e bënte madhështore UÇK-në ishte guximi i rinisë shqiptare,
gatishmëria e tyre për të dhënë jetën për liri, si dhe qëndresa heroike të
popullatës civile që kishte vendosur të vdesë në pragun e shtëpisë dhe jo ta
lëshoj vendin për së gjalli. Thënë me një fjalë UÇK ishte e ardhmja e
popullit shqiptar, emblema e gjakut dhe djersës kombëtare. Prandaj, ajo me
dëshmorët, invalidët dhe luftëtarët e lirisë do të mbetet një nga faqet më
të lavdishme të historisë së popullit shqiptar në përgjithësi dhe një nga
kaptinat më të rëndësishme të pjesës së popullit shqiptar në IRJM në
veçanti.  Paraqitja publike e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Tanushë më 16
shkurt 2001, ishte një rreze drite në horizontin e zbehur. Rënia e Muzafer
Xhaferit në mbrojtjen e vendlindjes, në Tanushën heroike dëshmoi edhe
njëherë se aty ku bien dëshmorë është rruga e lirisë. Më 2 Maj 2001 Zona e
Likovës do të shpallet zonë e lirë dhe mbeti kështjellë e pamposhtur deri në
ditën e fundit. Pas luftës së Sllupçanit dhe fshatrave për rreth pason
fortifikata tjetër shqiptare Haraçina. Pra, Tanusha, Sllupçani, Haraçina,
Radusha, dhe përsëri Tanusha e Gostivarit dhe fushëbetejat tjera do të
identifikohen me emblemën e UÇK-së dhe gjatë do të mbeten në kujtesën
kombëtare.

Por,

Pas luftës së përgjakshme të vitit 2001 shqiptarët po e paguajnë shtrenjtë
vetëdijen e pakriptë të politikanëve tanë. Në vend që subjekti politik  i
cili thirrej në emër të luftës dhe dëshmorëve të realizojë programin politik
të UCK-së, ajo filloi të merret me disa vendime të cilat edhe më shumë e
dëmtuan çështjen shqiptare si p.sh. Ligji për ndarjen territoriale, Ligji
për gjuhën dhe simbolet kombëtare etj. Kush ka të drejtë të nënshkruajnë
Ligjin për mospërdorimin e gjuhës shqipe në Kumanovë? -  komunë e cila në
gjirin e saj ka më se 59 dëshmorë, me dhjetëra e dhjetëra martirë, me
dhjetëra e qindra të ndëshkuar në mënyrë brutale, me dhjetëra invalidë dhe
me mijëra e mijëra luftëtarë lirie. Në vend që Marrëveshja e Ohrit edhe pse
e kufizuar të miratohet në paket, ajo filloi të copëtohet në nene e ligje të
veçanta, e cila mjerisht edhe sot e kësaj dite nuk është realizuar ashtu si
duhet.

Kemi pritur që luftëtarët e lirisë do të integrohen, por ata sot janë
shtresa më e diskriminuar.

Përveç kësaj kemi pritur që pas luftës do të bëhet më tepër për mërgimtarët,
sepse mërgimtarët ishin ata, të cilët sëbashku me Fondin „Liria Kombëtare“ u
bënë krah i fortë i UÇK-së në ditët më të vështira të ekzistencës së saj, i
cili fond ashtu sikurse u formua, u rritë dhe u zhvillua edhe u mbyll  me
raport përfundimtar të punës dhe financiar për një pune të sukseshme.  Pra
ky fond ishte ai, i cili ndihmoi më se dy vjet pas luftës 242 familje të
dëshmorëve dhe invalidëve në mënyrë institucionale nëpërmjet sistemit
bankar. Pra ishte Fondi “Liria Kombëtare” për Zvicër, është ai i cili i
ndihmoi familjet e dëshmorëve e jo partitë politike.

Fakt është se dëshmorët e kombit, invalidët e luftës, luftëtarët e lirisë
dhe veprimtarët e saj, me gjakun dhe djersën e tyre u bënë themel i ditës së
re. Këtë mesazh e kemi thënë më 2001 në të gjitha tubimet dhe aktivitetet
tona. E themi edhe sot. Ky mesazh vlen për të gjithë ata, që dalin në emër
të popullit shqiptar dhe thirren në emër të tij, sepse gjaku i dëshmorëve
është i shenjtë, sepse djersa e mërgimtarëve është e shenjtë!

Lavdi dëshmorëve të Kombit !

Rroftë populli shqiptarë!

Zürich, 16. Shkurt  2007                              
Atdhetare
Kryesia e Shoqatës
“Liria Kombëtare”- Zvicër
Vaxhid Sejdiu - kryetar