Sejdi Veseli-SHESHI SKËNDERBE U RINJOM ME GJAKUN E

17.02.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

ME 10 SHKURT 2007, NË PRISHTINË,
SHESHI SKËNDERBE U RINJOM ME GJAKUN E FRESKËT SHQIPTAR!


       Shkruan: Sejdi Veseli

Protesta gjithë popullore dhe paqësore e organizuar dhe e drejtuar nga
Lëvizja Vetëvendosje, me 10 shkurt 2007, tronditi jo vetëm trojet shqiptare,
por edhe kancelaritë e Evropës Njerkë...
Kjo protestë ishte paralajmëruar dy javë më parë. Ndërsa, qëllimi i saj
ishte shumë i qartë dhe shumë i drejtë, të demonstrohet kundër Grupit të
Unitetit (lexo: kundër atyre që po tregtojnë me interesat e ligjshme të
popullit shqiptar), kundër “Pakos” se Atisarit, kundër bisedimeve me Serbinë
dhe në kërkim të së drejtës universale për vetëvendosje.
Se sa është e dëmshme kjo farë “pakete”, nuk e shohë të arsyeshme të  
merrem, ngase këtë e kanë pasqyruar në detale, shumë analistë tanë të njohur
në analizat e tyre dhe shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me
diskutimet në seancën e fundit të tij.
Fillimisht kjo protestë e më shumë se 20.000 shqiptarëve, të të gjitha
moshave dhe gjinive, ishte diçka shumë madhështore.
Vërtetë, edhe marshimi i protestuesve ishte shumë paqësor.
Por ndodhi ajo e pa pritura.
Përballë Përmendores së Kryetrimit tonë Legjendar-Skënderbeu, të pa besët e
armatosur deri në dhembë u kishin nxënë pritë demonstruesve, përkundër
deklaratave të tyre se nuk do ta pengonin këtë manifestim paqësor.
Përballë kolonës së demonstruesve paqësor mercenarët e uniformuar si ruajtës
të rendit, prisnin vetëm një shkak për t’u vërsulur. Në momentin kur
demonstruesit filluan të largonin barrierat metalike, të vendosura në rrugën
“Nenë Tereza”, si egërsirat u sulën mbi kolonën paqësore.
Sa hapë e mbyllë sytë, sheshet e Prishtinës, në prag të tetë vjetorit të
përfundimit me sukses, të luftës heroike çlirimtare u ri mbuluan nga tymi
dhe flaka e mjeteve paralizuese nervore dhe u ri njomen me gjakun e dhjetëra
demonstruesve dhe të dy Dëshmorëve të Lirisë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini.
       Në lidhje me këtë protestë paqësore dhe të arsyeshme të shqiptarëve, porsa
ta hapësh shtypin ditor apo kanalet e mjeteve elektronike të informimit,
ballafaqohesh me shumë deklarata dhe komente të autorëve të ndryshëm, si të
atyre vendor ashtu dhe atyre të jashtëm.
Me këtë rast nuk dua të ndalem në ato deklarata të thurura në gjendje të
panikut nga disa përfaqësues të “pushtetit” dhe të (a)politikës vendore, jo
nga dhembja që ndiejnë për gjakun e derdhur dhe për dy dëshmorët, por nga
frika për karrierën e tyre(të turpshme), as në ato të cilat i pasojnë këto
të parat, që bëhen nga disa përfaqësues të atyre të shteteve të cilët
përbëjnë Grupin e Kontaktit, ashtu dhe të atyre të cilët qojnë selame nga
jashtë, ngase edhe qëllimi i tyre është shumë transparent, thjesht në
shërbim të mashtrimit të shqiptarëve.
“Pushtetarët” dhe (a)politikanët vendor përpëlitën (së koti)për t’u
shfajësuar për tradhtinë e tyre ndaj verdiktit të votës së popullit, për çka
i patën premtuar se do t’i prijnë me vendosmëri,  drejt rrugës së sigurt për
realizimin e aspiratave të tij shekullore, për të jetuar i lirë dhe me
dinjitet në vendin e vet. Ndërsa, ndërkombëtarët për të arsyetuar politikën
e tyre dyfytyrëshe, të njëanshme, në dëm të shumicës shqiptare dhe
burokracinë e skajshme të administratës të drejtuar prej tyre.
Siç është edhe e njohur, pafytyrësia e atyre që shkelin mbi votën e popullit
dhe gjakun e dëshmorëve nuk njeh kufi. Në përpjekjet e tyre (të kota) për
t’u shfajësuar nga përgjegjësia për atë që ndodhi, si “pushtetarët” ashtu
dhe liderët (a)politik, po i shfrytëzojnë edhe gjoja ngushëllimet e tyre në
familjet e dëshmorëve për të lansuar akuza të rafinuara ndaj organizatorëve
dhe drejtuesve të protestës, si p.sh. “ nxitësit e dhunës dhe urdhëruesit e
vrasjeve”, duhet të identifikohen dhe të nxirren para drejtësisë...
Kjo tendencë e “pushtetarëve” dhe e liderëve (a)politik për t’u shfajësuar
nga përgjegjësia, si për veten ashtu dhe për institucionet e partitë e
drejtuara prej tyre, për terrorin brutal që u ushtrua ndaj demonstruesve
paqësor dhe për pasojat tragjike të tij, po kufizohet me pafytyrësinë e
skajshme të tyre. Sa që, në këtë drejtim i doli rend edhe njëfarë Ulpiana
Lamës, që të deklarohet zyrtarisht para mjeteve të komunikimit masiv, me
plotë urrejtje ndaj organizuesve të kësaj demonstrate paqësore dhe fjalë
miradije për veprimet brutale të policisë. Duhet theksuar, se për fjalorin
plotë urrejtje histerike të kësaj të përkëdhelure të Kabinetit Qeveritar,
ndaj organizatorëve dhe drejtuesve të kësaj demonstrate paqësore  (në ballë
të cilës ishte edhe Simboli i rezistencës, Bacë Adem Demaçi), do të ja
kishte për lakmi edhe serbomadhja dhe antishqiptarja e tërbuar, Sandra
Rashkoviq-Iviq.
Është e natyrshme që t’u thuhet troç këtyre zotërinjve, se tendencat e tyre
për t’u shfajësuar, do të mirëpriten vetëm nga kolegët bashkëfajtor dhe
servilet e tyre, ndërsa nga populli i përgjakur kurrë!
       Duke i dëgjuar dhe lexuar komentet e disa penave të shitura, të cilët
pasuan pas kësaj proteste, qytetarit të ndërgjegjshëm do t’i ngjallen
kujtimet e hidhura nga 20 vitet e fundit të shekullit të kaluar. Ngase
përmbajtja e tyre në tërësi, si dhe kërkesat që dalin prej tyre për një
diferencim (politik), me shumëçka ngjasojnë me reagimet e atëhershme të
Beogradit zyrtar dhe të zyrtarëve vendor, servil dhe sahanlëpirës të tij.
       Mjafton që të analizohen edhe përciptazi komentet e këtyre letërnxirësve,
të cilët janë të dresuar që në raport me pushtetarët, të luajnë rrolin e
“mizës së kalit” dhe të konstatohet lehte e drejt, se këto të tanishmet, në
krahasim me të atëhershmet janë pakëz më të rafinuara, por për nga
përmbajtja nuk dallojnë me ato të vitit 1981.
Realisht, prej këtyre mjeranave as që mund të pritet diçka më mirë, ngase po
të njëjtit edhe themeluesit e Famëmadhes UÇK, Komandantët legjendar Adem
Jasharin dhe Zahir Pajazitin i quanin bashkëpunëtor të UDB-së, pra tradhtar.
Fatmirësisht, numri i këtyre mjeranëve të cilët ia kanë shitur shpirtin
djallit është i vogël. Ata janë të njohur për popullin, si pena të
financuara nga burime të dyshimta. Ata, në komentet e tyre plotë mllef,
kërcënime dhe disfatizëm, si organizatorët ashtu dhe të gjithë ata që morën
pjesë në këtë protestë, pa hezitimin më të vogël i quajnë dorë e zgjatur e
Beogradit.
       Përkundër të gjithave, më 10 shkurt 2007 përfundojë turpshëm një politikë,
bashkë me autorët e saj, të cilët e mbarësuan atë në Ramboulet të Francës,
në gjysmën e parë të vitit 1999.
Para ngjarjeve të kësaj date, ishte shansi i vetëm dhe i fundit për të
reflektuar drejt, mirë dhe përfundimisht, si politika ndërkombëtare, ashtu
dhe ajo servilja e saj vendore. Por, për sa u pa nga veprimet e aktorëve të
saj, para dhe pas protestave, të as njëra palë nuk u vërejten dhe nuk
vërehen shenja të gatishmërisë për të reflektuar.
Preferojnë të vazhdojnë me avazin e vjetër.
Dëshmia më e mirë për këtë janë: denoncimi, fajësimi dhe arrestimi i
organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestës. Përveç kërkesave sa për sy
dhe faqe për zbulimin e vrasësve, nga ana e nuk po bëhet asgjë konkrete për
evidentimin dhe eliminimin e shkaqeve reale të cilat sollën deri te kjo
protestë gjithë popullore.
       Në fund parashtrohet pyetja: A thua, mos nuk është e njohur për të gjithë
këta ekspert ndërkombëtar me përvojë për ndërtimin e “demokracive” dhe për
të dresuarit e tyre të dëgjueshëm vendor:
-se pa eliminimin e shkaqeve nuk mund të eliminohen vatrat e krizave,
thjeshtë nuk mund të shkohet përpara;
-se kur kërkohen vetëm pasojat e jo shkaktarët, mjegulla e luan rolin më së
miri.
Përgjigjen e merituar në këtë pyetje do ta jap populli!

Prishtinë, me 12 shkurt 2007