Gomur GURAKUQI-LEGALIZIM   I  XHELATSISË

17.02.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Analiza politike

Shkruar nga
Gomur GURAKUQI
 
 
    LEGALIZIM   I  XHELATSISË E   VRASËSISË   BARABARE   NË KOSOVË NË MBROJTJE TË
TRILLIMEVE SE KOSOVA ËSHTË SERBE
 
 
 Sipas asaj se ç' xhelatizëm, ç'  vrasësi, ç' barbarizëm u  demonstrua nga makina
policore-ushtarake e instaluar në Kosovë dje më 10.02.07,  gjatë demonstratës të
ligjshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe sipas asaj se çka u tha apo
çka  u shkrua sot nga ata që bëjnë  politikë të nejses, mund të thuhet se  ashtu
si më parë  edhe tani  të marrësh  jetëra shqiptarësh duarthatë nuk është e
paligjshme, nuk është e dënueshme, e  pamoralshme, nuk është brutalitet, nuk bën
aspak bujë, nuk është çudi, nuk është anormale, nuk është shqetësuese, nuk është e
tmerrshme, është diçka që kalohet në heshtje dhe relativizohet duke gjetur kurban
si më parë ata që protestonin kundër ndrydhjes së vullnetit të shqiptarëve.
 Ashtu si më parë edhe tani shqiptarët janë rendprishës, kundër-lilgjor vetëm e
vetëm pse guxojnë të protestojnë kundër legalizimit  të paqenave, e fantazive të
Planit të Ahtisaarit  nga Grupi i Unitetit dhe bashkësia ndërkombëtare, kundër
legalizimit  të  trillimeve të  komunave serbe fantastike që kanë rrënjë në
trillimet e politikës serbomadhe se Kosova është serbe, kundër legalizimit të një
shteti në shtet, kundër legalizimit të një kundërpeshe  e paralelizmit të trilluar
kundër një shteti nacional shqiptar në Kosovë si fuqi e vetme rregulluese
stabilizuese e organizimit të sotëm të shteteve tjera në kontinentin tonë, kundër
mekanizmit për pushtimin e Kosovës nga brenda,kundër mekanizmit për nënshtrimin  e
vullnetit të shumicës për interesa serbomëdha, kundër këtij mekanizmi  për mvarjen
e përfundimisht për ndarjen e Kosovës, kundër këtij mekanizmi për  libanizimin e
Kosovës e për futjen e fitilëve  të ndezur nën këmbët e saj, kundër këtij
mekanizmi kundërpeshë e
pavarësisë dhe që e  kthen vullnetin e pakicës  5 % në vullnet dominues dmth. që
kthen strukturat e vogla etnike, fisnore dhe Serbinë në fuqi centrale-rregulluese
paralele në Kosovë.
 Ashtu si më parë edhe tani po mbrohet dukshëm në planin ne Ahtisarit trillimi
serbomadh se Kosova është serbe dhe jo shqiptare, bëhet sajimi i fluskave të
sapunit dhe kapja pas tyre.
 Ashtu si më parë , shqiptarët po vriten, burgosen, keqtrajtohen vetëm pse po
guxojnë të shfaqin bindjet e tyre politike.
 Ashtu si më parë kthimi i Kosovës në kasaphane xhelatësh nuk është i paligjshëm,
por legal.
 Ashtu si më parë shfaqja e fanatizmit nacional ndaj shqiptarëve dhe çdo gjëje
shqiptare po bëhet legale.
 Ashtu si më parë xhelatësia  ndaj shqiptarëve dhe politika milosheviqiane që i
trajtonte serbët si viktima nga dhuna shqiptare po bëhet legale.
 Ashtu si më parë edhe tani çdo gjë shqiptare po paraqitet si burim i së keqes, i
së ligës dhe jo e denjë, ndërsa çdo gjë serbomadhe e denjë.
 Ashtu si më parë pa  asnjë respekt e pa mëshirë vriten shqiptarët sikur të ishin
kukulla.
 Ashtu si më parë mungesa e dinjitetit ndaj shqiptarëve po kthehet në praktikë të
ligjshme.
 Ashtu si më parë jo  vetëm që po u merret jeta shqiptarëve, por edhe po mundohet
t' u merret dinjiteti atyre duke i paraqitur këta si shkaktarë të kësaj
kasaphaneje.
 Ashtu si më parë po tregohet dinjitet vetëm ndaj serbëve, këta kanë të drejtë jo
vetëm të protestojnë , por edhe ta bëjnë ligj imponimin e  vullnetit serbomadh
ndaj shumicës.
 Ashtu siç ishim, jemi edhe tani kurban për të arsyetuar xhelatësinë barbare
policore, jemi të poshtuar e të akuzuar  si rendprishës , plangëprishës.
 Ashtu si më parë jetërat e shqiptarëve nuk janë me vlerë, por tani po bëhet
marrja e jetërave të shqiptarëve nga ata që po thirren në emër të vlerës së jetës.
 Ashtu si më parë  shqiptarët të përlotur, të përgjakur dhe kufoma për varrim.
 
 Ashtu si më parë po paraqiten heroizëm, kënaqësi  keqtrajtimet e vrasjet ndaj
shqiptarëve.
 
 Ashtu si më parë politikanët shqiptarë po manipulojnë për interesat e veta vetjake
dhe po janë në gjendje të shkelin edhe mbi kufoma duke legalizuar jo vetëm planin
e Ahtisaarit, por  marrjen e jetërave të atyre njerëzve që  guxuan të shfaqin
ëndrrën e tyre, të bëjnë detyrën  e tyre e të sakrifikojnë  për një Kosovë të
pamanipulauar që do ti kishte të gjitha  mekanizma e së drejtës së zotshtëpisë, ku
vullneti i shumicës do ishte  fuqi rregulluese pa mundësi të shfaqjes së Serbisë
si fuqi centrale në Kosovë.
 
 Nuk është provokim nëse dikush shfaq ëndrra të këtilla dhe kryen detyrën  e vet si
qytetar, por provokim është kur me brutalitet  dhe fanatizëm shtazarak  mbi
demonstrantët  që shfaqin vetëm prezencë dhe asgjë tjetër drejtohen plumbat.
 Prezenca nuk është provokacion. Vetëvendosja, nuk shkaktoi e provokoi  dhunën. Kjo
protestë u nxit dhe u shkaktua nga Grupi i Unitetit dhe nga ata që qëndrojnë prapa
paketës së Ahtisarit dhe jo nga Vetëvendosja.
 Legalizimi i paketës së  Ahtisarit është legalizim i Serbisë në fuqi
centrale-rregulluese paralele në Kosovë. Ky është koncepti i kundër-shtetit dhe jo
i shtetit. Në një shtet strukturat e vogla qoftë fisnore-krahinore, qoftë
jofisnore, klanore, fetare, etnike i nënshtrohen një qendre të vetme.
 Është frika nga Serbia si fuqi centrale paralele që parasheh plani i Ahtisarit ajo
që mobilizon njerëzit të kryejnë detyrën  e vet si qytetar dhe jo ndonjë dorë e
zgjatur.
 
  Demonstrata dhe shfaqja e mendimeve politike nuk është provokacion, nxitje apo
shkak dhe destabilizim politik, por është vrasja ndoshta e planifikuar,
urdhëruesit dhe kryerësit të saj, është konstelacioni pakicës serbe  dhe Serbisë
si fuqi centrale më vete e brendshme-e-jashtme  dhe jo detyruese ndaj Kosovës si
fuqi centrale-rregulluese shtetërore e brendshme shqiptare, pra është
konstelacion i atillë kundërpeshë që pakicën serbe nuk e bën detyruese ndaj
fuqisë centrale ,por vetëm kërkuese dhe vetëm që e kthehen këtë pakicë në
kundërpeshë të fuqisë centrale ; këtu fuqia centrale bëhet detyruese ndaj fuqisë
lokale etnike serbe, me një fjalë vullneti i shumicës i detyrohet vullnetit
kundërpeshë të pakicës,sepse në fund të fundit pa pëlqimin e pakicës nuk mund të
bëhet asgjë strategjike nacionale, ky është shkaku i destabilizimit.
 Pse duhet të vriten njerëzit për bindje politike dhe që nuk pranojnë Serbinë si
fuqi rregulluese?!
  Trillimet serbomëdha nuk mund të mbrohen me  dhunë dhe as me fuqi policore dhe
ushtarake, ky nuk është mekanizëm për të mbrojtur trillimet se Kosova është
serbe.
 
 Mekanizmi i politikës serbomadhe për  pushtim të Kosovës nga brenda ( pas
dështimit të mekanizmave tjerë  serbomëdha  të pushtimit nga jashtë )  është
trillim për të bërë kundërpeshë shqiptarëve e që po qelbet qysh kur u hap vrima  e
parë e vezës, ku ndodhet një krijesë e pangjallshme, e qelbur pasi që qysh në
embrion nuk pati jetë të gjatë dhe nuk do jetë  në gjendje të përballojë natyrën
me fuqinë dhe mjeshtërinë e saj.
 
 Dita e 10.02.07 është dita e vdekjes së paketës së Ahtsarit, e humbjes së
politikës nejse të Grupit të Unitetit dhe dita e shenjtërimit të Kosovës përmes
Mon Balajt dhe
 Arben Xheladinit, dita e fillimeve të fitores kundër përpjekjeve të reja të
Serbisë për legalizimin e rikthimit në Kosovë si fuqi centrale-rregulluese.
 Është dita historike e fitores së  pushtetit të butë mbi atë të  fortë.
  Fuqia e natyrës liridashëse do të fitojë, sepse mund të gjitha fuqitë! Fuqitë
ushtarake-policore janë të dobëta përballë kësaj fuqie!
 Kryesore është të bëhet e dukshme me hapjen e vezës, me hapjen e paketës së
Ahtisaarit e cila përmban një zog të pajetë,  të qelbosur dhe jo një zog
fluturues, të bukur,zëëmbël.
 Demonstrata e 10. 02.07 ka arritur këtë. Roli dhe ndikimi  i saj pozitiv në
histori është i madh dhe vendimtar për pasrrjedhat e përgjithshme strategjike të
ardhshme.
 Shqiptarët e arritën me sukses të përballen kundër Serbisë, sepse, pandalshëm që
nga paslufta e Dytë Botërore, Radio dhe TV shqiptare  pa nejse  bëri betejën
kundër pushtetit të butë kombshkatrrues shqiptar të ngritur në Kosovë dhe e gjithë
kjo j çoi në demonstratat e vitit 1981.
 Në vitet e 70 tjetërsimi dhe identifikimi me serbizmin ishte bërë modë e
rrezikshme, por demonstratat e vitit 1981 ndryshuan gjithçka.
 Demonstrata e 10.02.07 çjerri politikën  e nejses së Grupit të Unitetit, çjerrën
pushtetin e butë kombshkatrrues të ngritur në Kosovë dhe legalizimin  e tij në të
ardhmen.
 
 Demonstrata e 10.02.07 dëshmoi se kapja e serbomdhenjëve dhe jo vetëm  e këtyre
pas komunave të trilluara dhe  fantazma, të paqena   është një degë e pafuqishme,
shumë e hollë, por shumë e rrezikshme që  do këputet e do bie poshtë, nëse vijnë
impulse të këtilla vetëdijshmërie e vendosmërie  shumë më shpejt se pushtimi nga
jashtë si mbetje e tij.
 Shqetësimi i ndërkombëtarëve është bërë shumë i madh, madje këta po detyrohen të
marrin masa për të shpëtuar pakon  e Ahtisarit duke larguar ndonjë zyrtar apo duke
bërë ndonjë proces falso të padëmshëm kundër vrasësit. Kapja pas fluskave të
sapunit dihet se do të jetë e kotë, por kjo nuk do të thotë se nuk është e
rrezikshme dhe e pasuksesshme vetvetiu!
 Vetëvendosja theu heshtjen dhe nisi procesin për të paraqitur kapjen e
serbomdhenjëve dhe të tjerëve pas decentralizimit si trillime serbomëdha për
qëllime jashtëvetëvetës, si fluska sapuni të sajuara dhe jo si diçka që ka pasur
jetë ndonjëherë në Kosovë, qoftë edhe gjatë veprimit të  pushtimit nga jashtë që
nuk arritën asnjëherë të mbysin faktorët e veprimit të brendshëm.
 Pushteti i butë do të fitojë mbi pushtetin e fortë!
 Dita e 10.02.07 është disfatë politike,është disfatë e pushtetit të butë,e
manipulimeve politike  kombshkatrruese që e bënë të pamundshëm mbajtjen,
legalizimin e pushtetit të fortë ushtarako-policor dhe enklavizues paralel
kombshkatrrues në Kosovë të ngritur pas luftës së UÇK-së.
 Demonstrata e 10.02.07 do loz rol të madh ndikimi pozitiv për kthimin në drejtimin
e duhur strategjik, që politika e nejses e Grupit të Unitetit  po përpiqet të
jepte deri më tani  përshtypjen se hëpërhë nuk kemi të bëjmë me përvijimin e
drejtimit strategjik, me futjen e Kosovës deri në fyt në llucë (kënetë politike) ,
me legalizimin përfundimtar të Serbisë dhe strukturave të vogla fetare, fisnore ,
etnike si forca centrale rregulluese  dhe se koha e veprimit në rrafshin
strategjik do jetë vendimtare vetëm më vonë dmth. vetëm  atëherë pasi që Kosova të
jetë futur deri në fut në ujëra të turbullta dhe baltë, mund të dilet nga balta,
vetëm atëherë pasi të jetë  thyer kerri (qerrja), duhet të gjenden rrugët e
sigurta, pa baltë dhe llucë deri në fyt.
 Për të fshehur këtë barbarizëm dhe shkelje të vullnetit të shumicës ata që
qëndrojnë prapa Planit të Ahtisarit e  Grupit të Unitetit një ditë kur të
legalizohet ky plan do të përpiqen të paraqesin rikthimin e Serbisë në fuqi
centrale-rregulluese paralele në Kosovë si shkëputje nga Serbia me një manifestim
të madh fishekzjarrësh.
 Sa më shumë fishekzjarre, aq më e madhe manifestime, sa më shumë shkëlqime, aq më
i suksesshëm mendohet se do jetë mashtrimi, argumentet për, dhe aq më lehtë
mposhtja e kundërshtarëve.
 Asgjë tjetër përpos fjalëve të zbrazëta, retorikës dhe shkëlqimeve mashtruese,
akrobacioneve  nuk do mund të ofrohen.
 
 Më 17.02.2007