Ramadan PLLANA- STOP VRASJEVE DHE SHTYPJES SË RINI

17.02.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

UNMIKUT, KFORIT, QEVERISË SË KOSOVËS, EKIPIT TË UNITETIT, PARLAMENTIT TË KOSOVËS DHE
PARTIVE POLITIKE TË KOSOVËS
 
[highlight]  STOP VRASJEVE DHE SHTYPJES SË RINISË SHQIPTARE![/highlight]  
 
         Ramadan PLLANA
 
 
 
 Thellësisht i revoltuar dhe i pikëlluar, njëkohësisht i brengosur për të ardhmen e
kombit tonë, me zë të lartë e shpreh revoltën time ndaj vrasjes së dy të rinjve
liridashës, Man Balajt dhe Arben Xheladinit, goditur më 10 shkurt 2007 nga plumbat
mizorë të vrasësve të lirisë e demokracisë shqiptare !
 
 E di se ka reagime të shumta kundër kësaj dhune ushtruar ndaj rinisë dhe popullit
të pafajshëm, po unë nuk do të zgjatëm shumë, por pikësëpari i drejtohem UNMIK-ut,
dhe KFOR-it, si vendimmarrës në të gjitha proceset politiko-shtetërore nga 1999
sipas Rezolutës 1244 të OKB-së :
 
 Zotërinj, nëse ju keni ardhur të mbani rend e të kultivoni demokraci, para se të
veproni për çdo gjë që ju lejon ligji ndërkombëtar, në këtë rast ishit në
kundërshtim kulminant ndaj vlerave të demokracisë, është mirë që të shikoni në
vlerat e KARTËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA, në të cilën edhe duhet të bazoheni, dhe
unë vetëm po ua përkujtoj kreun e 6 :
 
 Roli i shoqërisë civile dhe i mediave:
 Shoqëria civile dhe demokracia – Shoqëria civile është e rëndësishme për procesin
e demokratizimit dhe është shprehje e tij. Ajo luan një rol të fuqishëm në rritje
për funksionimin e demokracive të qëndrueshme. Ajo në mënyrë aktive u kujton
udhëheqësve politikë se ka një larmi kërkesash dhe interesash konkurruese që duhen
mbajtur parasysh kur merren vendimet për shpenzimet publike dhe politikat
shtetërore. Kjo është arsyeja pse ekzistenca e një shoqërie civile energjike është
kërkesë bazë për demokracinë. Shoqëria civile ka mundësi që të veprojë si
kundërpeshë ndaj kompetencave të shtetit, t’i rezistojë autoritarizmit dhe, për
shkak të natyrës së vet pluraliste, të sigurojë që shteti të mos jetë mjet në
shërbim të disa interesave ose grupeve të caktuara.
 
  Ju zotërinj të UNMIK-ut  e të KFOR-it, në vend që të dëshmonit se kultivoni e
mbroni vlera demokratike, në vend që të lejonit shprehjen e lire të rinisë, që
ende nuk e ka shijuar asnjë element të jetës së lire e të lumtur, ju mbrojtët
kundërvlerat e servilëve klasikë, që për interesa të veta degjenerojnë,
mashtrojnë e korruptojnë popullin e vet…e tani edhe e vrasin. Një mendimtar i
qytetëruar do të thoshte:  “L’importance! Monsieur, n’est-ce rien? Le respect des
sots, l’ébahissement des enfants, l’envie des riches, le mépris du sage.”etj.
 
 Zotërinj Qeveritarë, Kuvendarë e « Kompetentë » të të gjitha institucioneve e
partive politike !
 
 Juve që pretendoni të jeni pronarë e kompetentë për kufinjt e historinë aktuale të
Kosovës dhe për ardhmërinë e saj, Ju që prej mendjemadhësisë e krenarisë tuaj « të
pagabuar e largpamëse », me servilizmin tuaj, a nuk u ngopet ma « sukseset » tuaja
të papara deri më sot në politikën e diplomacinë tuaj nënshtruese ndaj faktorit e
lobit pro-serb ndërkombëtar !...
 Me vrasjen e Man Balajt dhe Arben Xheladinit, si dhe me plagosjen e shumë të
tjerëve, ju më në fund vratë edhe ndërgjegjen politike që u ka mbetur, se ajo
morale shihet se u mungon…
 Mjaft më me mashtrime, fraza e dokrra boshe në emër të pavarësisë !
 Zotërinj, mjaft më me krekosjet talljet e lëvdatat si të Don Kishotit ! A ju kanë
verbuar sytë e nuk shikoni realitetin, bëni pazar pa hanxhiun, tregtoni me trojet
e Kosovës. Shikoni vetë fjala negocim e ka kuptimin e tregtisë. A nuk jeni ngopur
me diplomacinë e historinë pro-serbe, që për ne shqiptarët ka qenë gjithmonë
shtrigë ! Ledhatimi diplomatik e dhelparak alla franka te i shtypuri ka prodhuar
lidershipe dhe  lajkatarë që përherë kanë qenë pengesa për kurorëzimin e plotë të
lirisë, si dhe thikë prapa shpine ndaj luftëtarëve të lirisë. Tani « Qendrat e
Vendosjes » (miqtë e Serbisë) duan një Kosovë multietnike, të lidhur me Serbi, të
vulosur nga ju o të mjerë !
 Si shqiptar që jam, i syrgjynosur nga regjimi serb, kam të drejtën morale që t’ju
sugjeroj edhe juve që t’i shikoni vlerat e demokracisë së një shteti të qytetëruar
dhe të veproni konform normave e ligjeve të sanksionuara në KARTËN E KOMBEVE TË
BASHKUARA, në pikat ku flitet për DEMOKRACINË E DREJTPËRDREJTË DHE RATIFIKIMIN E
TRAKTATEVE NDËRKOMBËTARE DHE MARRËVESHJEVE TË TJERA TË RËNDËSISHME – Rasti i
Zvicrës :
  Në Zvicër, në procesin e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare përfshihet
Parlamenti Federal (Qeveria) dhe popullsia. Marrëveshjet që kanë rëndësi për
vendin behën objekt jo vetëm i debatit parlamentar, por edhe i debatit publik.
Nëpërmjet referendumit shoqëria mund të shprehë mendimin e saj për marrëveshjet
për të cilat janë zhvilluar bisedime. Përveç kësaj, me anë të referendumit mund
t’i japë Këshillit Federal mandatin që të zhvillojë ose të ndërpresë zhvillimin e
bisedimeve për marrëveshjet e ardhshme. Referendumi kërkohet kur qeveria dëshiron
të hyjë në një «  organizatë të sigurisë kolektive ose në një bashkësi
ndërkombëtare ». (Neni 140.b i Kushtetutës Federale).
 
 
 
 Zotërinj, në fund vetëm po ju përkujtoj se, me këtë gjendje e pozitë që përpiqeni
ta vulosni statusin e Kosovës, nuk jeni të parët për dredhi e shitje të trojeve
kombëtare, se gjaku i dëshmorëve të të gjitha kohërave, e posaçërisht i këtyre që
jemi dëshmitarë, si ’68, ’81, ’79, e  gjaku i të madhit komandant Adem Jashari me
shokë të UÇK-së, dhe më në fund gjaku i njomë i filizave të VETËVENDOSJES, që ranë
si lule të demokracisë së mirëfilltë më 10 shkurt 2007 nuk ju lejon një marifet të
tillë,  se ky gjak i ka rrënjët në damarët e thellë të ATDHEUT, dhe nuk do të
bëhet ujë, se me sakrificat, mundin e gjakun e bijve e bijave  më të lavdishme
historia jonë nuk do të ndalet asnjëherë, ajo do të vazhdojë rrugën e vet deri në
fitoren e plotë-në
 
  P A V A R Ë S I N Ë  D H E   RIBASHKIMIN   K O M B Ë T A R.  
 
   Zvicër, 12 shkurt 2007
 
(Autori , është ish - i burgosur politik, i cili ka qëndruar
shumë vjet burgjeve jugosllave për çështje kombëtare).