Bejtulla Musliu-Grupi negociator dhe qeveria me re

17.02.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

Grupi negociator dhe qeveria me represion mund të fitojnë vetëm PURRININ

 Si mijëra shqiptarë, edhe unë, u nisa për të marrë pjesë në demonstratën e
Lëvizjes "Vetëvendosja". Rrugës për në Prishtinë u "përballëm" me postblloqe të
KFOR-it dhe "zogjëve" të UNMIK-ut (SHPK-së) që ndalonin, kontrollonin dhe vononin
(me qëllim) kryesisht autobusët që në mënyrë të organizuar ia kishin mësy
Prishtinës për të protestuar nga komunat e Vitisë, Kacanikut e Ferizajit.
 Rruga që shpie te selia e UNMIK-ut dhe stacioni kryesor policor ishte bllokuar me
barrikada të hekurta nga "zogjtë" e UNMIK-ut e prapa tyre, si përforcim, ishte
policia "ndërkombëtare" (ukrainasë, rumunë, polakë, etj.) Derisa prisnim ardhjen e
"Vetëvendosjes" nga qyteza Pejton iu afrova atyre barrikadave për të parë se mos
po njoh dikend nga "zogjtë". I vështrova një nga një. Flisnin shqip. U habita pak
sa. Shqiptar qenkan?! A thua? Po, po shqiptarë. Dicka nga qenia ime, nga brendia e
trupit tim më pyeti: Shqiptarë?! Po, po shqiptarë. Po kujt ia kanë zënë rrugën ore
vëlla këta njerëz me helmeta në kokë. Si është e mundur?! A thua këta njerëz nuk e
ditkan historinë sa tragjike po aq të lavdishme të popullit të tyre? A u kujtohet,
të paktën, lufta e fundit këtyre policëve shqiptarë? A thua ka ndonjë prej këtyre
"zogjëve" dhe "bilbilave" ndonjë nga anëtarët e familjeve të tyre të vrarë, të
dhunuar, të masakruar, të sakatosur e të bërë shkrumb e hi nga armiqtë tanë
shekullor?!
 Në këto caste mbrrinën demostruesit nga pikënisja e tyre. Në ballë të tyre
qëndronin ballhapur e dinjitozë Albin Kurti, Baca Adem dhe Nysrete Kumnova.
Protestuesit brohorisnin parulla nga të cilat jehonte Prishtina: UÇK! UÇK! Grupi
negociator të bëjë vetvëvrasje! Decentralizimi sjell ndarjen, ndarja sjell luftën!
Kishat e manastiret faltore të stërgjyshërve tanë! Vetëvendosje! etj.
 Në trotuaret e rrugës rrinin e sodisnin "trumcakë", "qyqarë" e "dhelpra" që na
vështronin me një shikim qortues, sikur donin të na thonin: "Mosni bre njerëz! A
nuk po e shihni posterin e Rugovës që po ju përcjell me "shqetësime" të mëdha për
Kosovën? Më dukej se demonstruesit u përgjigjeshin: Ne po e shohim monumentin e
dëshmorit të kombit Zahir Pajaziti, që po na thotë: "Qëndroni dhe luftoni për
lirinë e kësaj toke shqiptare"!
 U ndalëm pranë barrikadave të vendosura nga "zogjtë" e "bilbilat" e të mbrojtur
nga luanët, krokodilët e hijenat e shteteve mike të Serbisë mu para Heroit
Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Aty mbajti fjalim Baca Adem, Fazli Veliu,
një shqiptar nga Presheva dhe Albin Kurti.
 Organizatori kishte bërë një kukullë me kokën-paketë të Atisarit e pas tyre ishin
radhitur kukulla të përulura në këmbë e duar që përfaqësonin grupin negociator të
Kosovës, që të kujtonin delet e trembura nga ujku, që kërkonin shpëtim te dhelpra.
Thash me vete: A thua këto "dele" a janë duke i parë popullin e tyre që qëndron
kaq krenar para këtyre egërsirave të ardhura nga tokat e huaja, që zënë rrugët
tona mu në qendër të Prishtinës?!
 Përnjëherë u dëgjuan krisma e të shtëna nga "mbrojtësit e rendit e të qetësisë
publike". Na mbuluan shtëllungat e gazit lotsjellës. Nisi përleshja e
demonstruesëve duarthat fyt për fyt e gjokës më gjokës me policinë. Nisën të binin
viktimat e para. Populli u përgjak. Të shtënat vazhdonin pa ndërpre nga armë të
llojeve të ndryshme. Dëgjoheshin sirenat e autoambulancave si në Palestinë mu në
mes të Prishtinës, në këtë skaj të Evropës. Pash me sytë e mi koka, fytyra e trupa
të përgjakur dhe njerëz të alivanosur. Disa qytetarë nga banesat përreth ofronin
ujë e qepë. Dikush thërriste: "Mos ju jepni ujë të plagosurëve"! Ngado rrëmujë,
tollovi e gjakosje. Të shtënat vazhdonin vertikalisht e horizontalisht. Një
gjuajtje vertikale shkaktonyte tetë shpërthime në ajr. Pjesët e tyre binin nga
lartë në kokat e trupat e demonstruesëve të pambrojtur. Kjo gjendje ka vazhduar
deri në orët e para të mbrëmjes.
 Secili prej nesh duhet të ketë pyetur: "Pse masakrohen, vriten e priten vetëm
shqiptarët në këtë Evropë"? Pse nuk reagoi askush një ditë më parë kur në
Mitrovicë protestuan serbët? Sepse ata kur është fjala për Kosovën e kanë
mbështetjen e institucioneve të tyre shtetërore, ndërsa tek ne gjithmonë ndodh e
kundërta. Kështu ka ndodhur edhe vitin 1968, 1981, 1989, 1997, 1998 dhe 1999.
Kështu po ndodh edhe sot…
 Derisa përgjakej populli duarthat, derisa në Prishtinë bëhej luftë e pabarabartë,
"elefantët" bënin vizitë në veri të Kosovës me helikopter, ndërsa Koshtunica,
Tadici, Drashkovici… vijnë në Veri e në qendër të Kosovës me vetura e përcjellje
të OKB-së, sepse ndjehen më të sigurtë se udhëheqësit "tanë" mu në tokën e
Kosovës.
 Dhe pas gjithë kësaj fillojnë akuzat, natyrsiht nga udhëheqësit e "popullit".
Zotërinj pse e akuzoni "Vetëvendosjen"? Sepse jeni vazhdimësi e një fare të keqe
që është kultivuar e për fat të keq po kultivohet edhe sot në Kosovë. Më 1968
fajtorë ishin studentët dhe forcat liridashëse në Kosovë. Më 1981 dhe 1989 fajtorë
ishin seperatistët dhe irredentistët shqiptarë, më 1 tetor 1997 fajtore ishte
Lëvizja studentore, më 1998-1999 fajtore ishin disa "grupe të frustruara", UÇK-ja.
 Por a u vërtetua more zotërinj se populli kishte të drejtë. Fajtorë ishin
"udhëheqësitë" politikë (kolaboracionistët) të Kosovës sic jeni edhe ju sot. Jeni
dhe nuk keni kah t’ia mbani. Kulla juaj ka filluar të rrënohet nga themeli…
 Një gjë të mirë e ka kjo qeveri. Më falni se ndoshta u ngatrrova. Desha të them të
bukur. E kam fjalën për zëdhënësen tuaj zotri Kryeministër, Ulpianën. Turp që mban
këtë emër. Kjo "zogëz" e natës [lakuriq] del në orët e vona të natës, sepse i
frikohet dritës [vetëvendosjes] dhe hedh akuza aq të rënda kundër demonstruesve,
saqë nuk do të kishte dijtë me i thënë as e famshmja Sandra Rashkoviq-Iviq. I
lumtë. Por kjo nuk është për t’u cuditur, sepse zonja në fjalë ndoshta është
frymëzuar nga vizita që ka bërë para disa dite në rusi. Për cka ishit atje oj
zonjë? Për të kërkuar nga Rusia liri e pavarësi? LIRIA NUK FALET, AJO FITOHET ME
GJAK. Këtë gjë e kam mësuar qysh në klasën e parë të shkollës fillore. Megjithatë
ia vlen ta provosh. Sepse dicka mund të marrësh edhe në Rusi. Dicka që fillon me
shkronjën "P", por jo pavarsinë. Ti dhe Qeveria e Cekut mund të merrni PURRININ
nga Rusia. Je e verbër moj Ulpian. Nuk sheh, nuk kupton e nuk dëgjon cka flet… Nga
goja jote del helm e
vrerë për demonstruesit tanë shqiptarë.
 Nuk ke faj ti jo! Nuk e ke provuar në lëkurën tënde asnjëherë helmin e pushtuesve
serbë, por së paku duhet të kesh dëgjuar e parë në fotografi e filma se si i kanë
shfry epshet e tyre shtazarake e gjakatare pushtuesit mbi këtë popull.
 A thua ke lexuar ndojëherë për vuajtjet e këtij populli ndër shekuj. Duke lexuar
libra historik për shqiptarët mësohet se trojet shqiptare gjithandej kah shtrihen
janë pikë për pikë të prekura e të mbushura me gjak e kufoma shqiptarësh të
varrosur e të pa varrosur. Mosrespektimi i kësaj sakrifice do të na hakmerrej s’ka
për të na lënë t’i hapim sytë kurrë…
 Ndoshta dikush do të thotë "tash nuk është koha". Kjo thënie po përsëritet
vazhdimisht. Kohët po shkojnë e po vijnë e ne po vendnumrojmë, derisa popujt e
zhvilluar e përparimtar të Evropës dhe të botës betohen në kohën dhe benë më të
madhe e kanë "pasha kohën".
 Koha zotri të qeverisë, të parlamentit e të Grupit të unitetit fatmirësisht nuk po
punon për ju… Në vend që të ofroni dorëheqje ju akuzoni liridashësit. Mbajeni mend
mirë! Çdo zgjidhje e problemit të Kosovës, që nuk është në përputhje me vullnetin
politik të popullit shumicë në Kosovë, shqiptarëve, do të jetë me pasoja të pa
parashikuara…
 Zotërinj, keni burgosur disa anëtarë të "Vetëvendosjes", por a e dini ju se pas
ngjarjeve të 10 shkurtit 2007 kjo lëvizje ka dal edhe më e fortë. Ju po bëni
politikë repressive. Por, ju kurrë nuk mundeni me e burgos idealin e popullit
shqiptar për liri e pavarësi. E "mira" juaj e vetme është se do të shpalleni
tradhtarë të kombit, sepse epitetin e vrasësve tashmë e keni marrë. Ju qoftë për
hajr!
 Bejtulla Musliu