Bedri TAHIRI-Plumbat e “demokracisë” përgjaken rru
Plumbat e “demokracisë” përgjaken rrugët e Prishtinës
Demokracia.
Një fjalë e bukur, e ëmbël dhe e butë, të cilët ne shqiptarët në përgjithësi
e kemi ëndërruar me shekuj. Dhe, më në fund, pas gjithë atyre sakrificave,
sikur e arritëm të uruarën. Madje-madje, ne në Kosovë një demokraci të
shumëfishtë. Demokracia e gjithë botës u zbraz si me gurgule në Kosovën tonë
të vockël sa një lagje kushërinjsh në periferinë e Pekinit.
-Lum kush do ta pres e do ta gëzojë atë ditë!- shpreheshin ata që dhanë edhe
jetën për të.
-Lum për ne!- uruam ne mjeranët e gjallë, pa e ditur se do të na dilte për
maje të hundës.
Vallë, nga i gjithë ky si mallkim?!!!
Mbase morëm në thua herët, kur po bënim çapin e parë të foshnjërisë. Po, po,
mu atëherë në të feksur të ditës së bardhë. Një hoxhë i vjetër drenicar, që
në ditët e para u kishte thënë luftëtarëve të lirisë se, edhe pse është e
ndaluar, po të më rrokte zori, do të shkelja edhe mbi Kur’anin dhe mbi
bukën, por kurrë nuk do të shkelja mbi gjakun e dëshmorëve të lirisë!
-Po ju ç’zor patët, ore të uruar, që gati me të dy këmbët shkelet mbi atë
gjak!- do të pyeste hoxha, po të qe gjallë, sepse edhe ai vetë ra dëshmor.
-Hiç fare!- do të gjegjeshim, më shumë me rrudhje krahësh, pa ditur t’i
japim përgjigje, edhe pse mbi kurriz po e ndjemë atë si mallkim që po na
përcjell si ogur ndjellazi.
-O popull liridashës e liribërës, këndellu, bëji sytë katër dhe merre rrugën
e mbarësisë, sepse Atdheu është në rrezik!!!
Kështu sikur më vegohen ca zëra nga nëndheu, nga varret e të parëve. Odiseu
dëgjonte zërin e sirenave magjepse që e ftonin në ishullin e vdekjes, por
të tjerët i kishin mbyllur veshët me dyllë dhe çanin përpara.
Bjeri kah të duash dhe prapë nuk ke derman pa u takuar me të madhin Faik
Konica, i cili thoshte: Shqipërinë e krijuan idealistët, e ruajtën rastet
dhe e fundosën politikanët!
Aman, aman sa keq! Të vije për të plasur nga marazi i shkretë me ca
politikanë tanë kokëgdhe. Që nuk kanë gjë në dorë, e dimë të gjithë, edhe
kalamajtë, dhe i arsyetojnë. Por, kur krekosen dhe të pispillosur si gjelat
e detit, duke na dhënë dushk për gogla, nuk durohen dot, ore të keqen
vëllai.
Dhe, pika-pika mbushet pusi!
Pavarësia jonë- mollë sherri e dardhë me bisht.
Pakoja e z. Ahtisari si Kutia e Pandorës. Nga gjithë ato folje e përfolje,
ngeli vetëm ajo e fundit- Shpresa! Shpresa dhe ëndrrat.
Obobo!!!
A jetohet me to?!
Jo, ore jahu, jo!
Ah, më falni, se u nxitova. Jetohet, si nuk jetohet. Me shpresë jeton
populli, ndërkaq me ëndrra jetojnë politikanët!
Ama gjaku që vlon nuk duron shumë. Ai shpërthen e brufullon si vullkan i
pashuar kundër padrejtësive, sepse nuk beson
në ëndrrat syhapur e ditën për diell.
Jo negociata- Vetëvendosje!
Kjo është motoja e atyre që për datën 10 shkurt 2007 organizuan
demonstratë të qetë e paqësore nëpër rrugët e kryeqendrës sonë. Asgjë e
keqe, do të logjikonte çdo mendje normale e botës së qytetëruar. Kështu
veprohet kudo në globin tokësor . Një shprehje e pakënaqësisë në mënyrë
demokratike.
Dhe, në orën 14, sheshet dhe rrugët e Prishtinës gumëzhinin nga
njerëzit e moshave, gjinive e profesioneve të ndryshme. Të gjithë kishin një
hall e një brengë: Fati i Kosovës martire, që pas një shekulli robërie,
sërish ishte vënë në shtratin e Prokrustit!
Mirëpo, sakaq shkrehu si moti për se kthjelli. Turmës së qetë ia
kishin zënë rrugën forca të shumta policore. O Zot, çfarë paradoksi! Sërish
të huajt, në bashkëpunim me tanët, po na e cenonin lirinë e lëvizjes e të
shprehjes. Jo vetëm kaq. Ata po kërkonin edhe sherr. Si duket do të
hakmerreshin në djelmoshat me të bardha, të cilët më 28 nëntor 2006 kishin
skuqur muret e ndërtesave qeveritare. Hajde mendjekrisur, hajde! Ata me
ngjyrë e këta me gjak! Keni parë kështu?! Jo, as në filma horror! Kontrast
çmendurak: Ngjyra dhe Gjaku!
Dhe, pa një, pa dy, plasën bombolat me gaz lotësjllës, krisën
armët me plumba sferikë. Një armatë e tërë, me mjetet më të përsosura kundër
njerëzve duarthatë...
Në fillim gati nuk më besohej. Fët e fët mendja më fluturoi në
Pranverën ’81 e në vitet e mëvonshme, kur demonstronim kundër regjimit
shtypës serbsllav. Një copë herë i blova dhe i krahasova në mendjen time.
Për çudi, ato më dilnin si të klonuara, identike. Madje, shikuar hollë e
hollë, edhe ua kalonin atyre, ishin më të sofistikuara e më të përsosura. Ta
zëmë atëbotë nuk qe përdor shumëtytëshi dhe rrallëherë është qëlluar me
plumba drejt në kokë e në fytyrë...
Tek kur më ranë njerëzit e përgjakur para këmbëve, erdha në vete dhe mora
kthesën e parë pas hotel “Ilirisë”.
Sheshi “Nenë Tereza” për tri orë rresht u shndërrua në arenë
gladiatorësh. Kudo tym, flakë, gjak...Autoambulancat bartnin sa mundnin të
plagosur për në Emergjencë. Gjaku i rinisë sonë skuqi asfaltin e zi. Plumbat
e “demokracisë” shitonin më keq se ata të tiranisë. Policët ndërkombëtarë,
të ardhur nga anë e botës e të dalë nga gjene të prishura fisesh endacakësh,
lëviznin si robotët pa ndjenja dhe shfrenin pamëshirshëm mbi njomëzakët
sypatrembur, që nuk kërkonin gjë tjetër pos atë që na takon: PAVARËSINË.
Rrugët dhe sheshet u skuqen nga plumbat e demokracisë.
Por, nuk e di a u skuqen ata që përdorën dhunën, ata që morën
jetët e ata që plagosen mbi tetëdhjetë veta!!!
Athua a do t’i vete mendja ndonjërit nga eprorët a qeveritarët që
të skuqen, makar kur të shkojnë në varrimin e të vrarëve e në ngushëllimin e
familjarëve të tyre, apo, Zoti mos e dhëntë, të ofrojnë dorëheqje nga postet
e tyre?!!!
Kurrë nuk e besoj një gjë të tillë! Ata që kanë ardhur janë të
pacipë fare e tanëve ka zënë t’u griset. Si zakonisht, edhe kësaj here, do
të luhet loja e strucit dhe do të vije në shprehje logjika sllaviste: secila
çudi zgjat veç tri ditë!
Edhe këta rreshta, që më dolën nga zemra gjatë përjetimit të
skenave tmerruese, besoj nuk do t’u pëlqejnë atyre që e kanë mizën nën
kësulë dhe, nëse pranon t’i botojë ndonjëra gazetë, e do të lexohen nga ata,
ka gjasa të prekën në “sedër”...
Drenice, 12 shkurt 2007.