EDRI TAHIRI-Zot shpëtona nga mediokritetet!
[highlight]Zot shpëtona nga mediokritetet![/highlight]
Ndërgjegja vlen më shumë së
njëmijë dëshmitarë.
(Kuintiliani)
Sa herë që më merr malli për rilindësit tanë, fill më vete mendja
tek i madhi Faik Konica, dritë pastë. Po, po, se ai, më mirë e më thellë se
të tjerët i pa gjërat që e mundonin sojin tonë të stërlashtë. Atëbotë, mbase
edhe ia panë për të madhe dhe ndonjëri besa edhe e qortoi a e shau si
mendjemadh e si manar të pacipë të agallëkut. Jo xhanëm, jo, ai kishte sy
kritik dhe shihte edhe përtej kodrave. Mjafton të rikujtohet thënia e tij
profetike: Shqipërinë e krijuan idealistët, e ruajtën rastet, e shkatërruan
politikanët!
No comment!
Po sot vallë?!
Njësoj si dje, mbase edhe më keq. Pas gjithë asaj katrahure të
përjetuar, thuajse nuk ndryshuam asgjë në mbamendjen tonë të zënë nga myku.
Gjaku i dëshmorëve tanë, që solli agun e bardhë të lirisë, fare pakëz
ndërgjegjësoi trurin e grigjës së Perëndisë. Ah, të keqen vëllai, të keqen!
Për mjerim, që në fillim e nisëm ters e fare së prapthi. Veprimet tona
çoroditëse ranë ndesh me parimet e përgjithshme civilizuese. Humbja e krahut
luftarak ngjalli indinjatë tek bota përparimtare, e cila, me të gjitha
mjetet qe vënë në anën tonë, në anën e së drejtës. Dhe, për çudi të çudive,
ca udhëheqës e politikaj tanë mendjefyell e rrahagjoks, fët e fët zunë majën
e majës së Tomorrit dhe që andej çirren me gjithë zë: Perëndi ku je?!!!
Hajde marrëzi, hajde. Mjeranët ligavecë, të paturp e kokëgdhe!
Kanë shkëputur fare lidhjet me ata, të cilët u dhanë krah të ngjitën deri
aty ku janë. Dhe më, as nuk shohin, as nuk dëgjojnë gjë nga ajo lartësi
“hyjnore”. Zëri i skamnorëve, i hallexhinjve, i lypsarëve, i jetimëve, i
invalidëve të luftës, i familjarëve të dëshmorëve, i shkollarëve e i të
papunëve që sorollatën rrugëve dhe përballën me sfidat e jetës hileqare, nuk
arrin dot në brendinë e kullës së fildishtë.
- Lërë, lëre, ore burrë, mos u lodh kotnasikoti, se kështu kanë
qenë denbabaden pushtetarët tanë, -më tha një plak jetik që ishte lodhur e
mërzitur duke pritur për një dokument të thjeshtë identifikimi para një
ofiqarie komunale.
- Ndalem dhe i vë gisht kokës. Dale ore i uruar se nuk e ka keq
babëloku, mendova me vete. Vërtet, këtu qëndron gjithë fatkeqësia jonë
kolektive: Mohimi i brezave. Gjithmonë nisemi nga zeroja dhe nuk arrijmë dot
më larg se në zero. Gjithmonë e mohojmë vetveten. Kurrë asgjë nuk
trashëgojmë nga të mirat e të parëve tanë dhe nga e kaluara jonë. Gati-gati,
secili që vjen në pushtet krekoset si gjel deti dhe hakërrohet në stilin se:
Historia fillon më mua!!!
Obobo, sa keq! Një sjellje tjetër fare nga ajo e civilizimit botëror.
Prandaj edhe jemi këtu ku jemi!!!
- Po mirë lë të thonë ç’të donë, veçse të punojnë me mendje ama!-
përpiqem ta zbus veten dhe të tjerët.
- Ah, ç’llafe ke thënë ore të paça për jetë të jetëve, ma pret
tjetri si me qesëndi . Po ç’mendje kanë të tillët, që nuk shohin më larg se
hunda e vet?! Mendje mediokre. Meskiniteti i tyre shihet kudo. Hiqen si të
gjithëdijshëm, thuajse pa ta as dielli nuk do të rrezatonte. Çdo nismë dhe
punë e mirë e dikujt tjetër i pengon, andaj nxitojnë ta ngulfasin që në
embrion. Idetë për punë të mbara e të mira duhet të dalin vetëm nga mendja e
tyre e “pëlleshme”. Jo zotërinj mediokër, jo, nuk e keni mirë! Lërëni
zënkat, inatet e xhelozitë! Ato nuk u shpiejnë askund. Mos harroni se:
Pema e tharë nuk jep fruta.
Ena e zbrazët bën shumë zhurmë.
Kalliri pa kokrra e mban kokën lart...
Ju dini të tregoni, të reklamoni e të llafosni fjalë të mëdha, por ato nuk
janë gjë tjetër veçse gjepura e dokrra bajate, të cilat nuk i ha as gomari i
baba Tasit. Aman, zotërinj, mos i pengoni rrjedhat e mbara të shoqërisë me
paaftësitë tuaja! Lëshojuni rrugë atyre që dinë e që donë të punojnë mirë e
mbarë!
Secili në vendin e vet, secili në vendin e merituar!
Kështu thonë të mençuritë dhe ashtu është, ore jahu!
Po ne si vepruam?!
A logjikuam me mendje të kthjelluar?!
A erdhën në shprehje më të merituarit?!
Jo! Kjo dihet katërcipërisht. Këtë po e shohin të gjithë, tanët
dhe të huajt. Këtyre të fundit aq u bënë. Dëshira e tyre është që të zgjasë
kështu edhe sa e sa! Pse ku gjejnë më mirë?! Kanë rënë në kullosë të majme,
siç i thonë një fjale. Edhe vendorët u duhën asi që përpunohen më lehtë...As
për këtë nuk do lodhur shumë. Mjafton të vizitosh zyrat tona komunale,
ministrore e qeveritare dhe të bindesh brenda ditës se shumica e
kolltukxhinjve, me kravata deri në fund të këmbëve, me sjelljet e tyre të
babëzitura e përplot kodoshllëk, të neveritin dhe të bëjnë që, edhe për më
të madhin zor, të mos ia mësysh andej...
O popull, edhe sa mund të durosh e të mbash mbi kurrizin tënd të
lodhur e të drobitur?! Më fal, e kam pa të keq e pa hidhërime, pa tendencë e
pa qëllime, por po më dhimbsesh e po më prek në zemër, sepse në emrin tënd
po bëhen të gjitha. Në emrin tënd po bëhen edhe paudhësitë e atyre që deri
dje të kanë fyer e të kanë nënçmuar. Paskëtaj Ti gjithmonë ke ditur ta
dallosh shapin nga sheqeri... Ama sot sikur je përgjumur ca...Megjithatë,
çdo gjë e ka edhe fundin...
Në të përmbyllur të këtij shkrimi, i cili doli vetvetiu nga
përditshmëria jonë e nxirosur, sërish më doli para sysh mendjendrituri Faik
Konica kur lutej: Ruaje zot Shqipërinë nga shqiptarët!
Dhe, unë do ta përfundoja me një tjetër lutje: Zot shpëtona nga
mediokritetet!
Drenice, shkurt 2007.