Dr. Jur. Korab R. Sejdiu-Mendimi i një skeptiku
Nga
Dr. Jur. Korab R. Sejdiu
Sikur shumë të tjerë, edhe unë, mezi prita ta shpalosë dokumentin e
Presidentit Ahtisaari që siq thotë ai e shtron rrugën për një Kosovë të lirë
dhe multi-etnike. Mirëpo unë e lexova atë dokument nga një kënd tjetër:
këndin e një avokati Amerikan. Avokatët Amerikan janë të njohur sikur
skeptik. Janë skeptik sepse paguhen nga klientët që të shpresojnë për më të
mirën, mirëpo të përgatiten për më të keqën. Skeptiku, dmth, mbron të
drejtat e klientit duke e parë çdo vrimë në një plan dhe duke mos lënë asnjë
skutë për mosmarrëveshje të mëvonshme. Kur e lexova planin, pash shumë vrima
të errëta. Prandaj, edhe vendosa ta shkruaj këtë koment. Nuk shkruaj te
kritikoj, sepse me siguri ata që po e shqyrtojnë këtë dokument janë
kompetent, mirëpo me qëllim që të jemi të vetëdijshëm se çka po
nënshkruajmë.
Natyrisht, unë e shkruaj këtë koment pa i ditur premtimet që janë bërë prapa
dyerve të mbyllura; besa edhe duke kuptuar se ndoshta mosnënshkrimi nuk
është opsion për ne. Por po shkruaj atë që do t'ia kisha thënë Kosovës sikur
ajo të ishte klienti i im…klienti i një skeptiku.
Sikur gjë preliminare, propozimi i Presidentit Ahtisaari është një kontratë
në mes të Kosovës dhe botës (prandaj tash e tutje do ta quaj atë
"Kontratë"). Serbia nuk është anëtare e kësaj kontrate sepse edhe pa e pare
fare atë dokument, e ka refuzuar ate. Mungesa e parë në këtë dokument është
data e skadimit - nuk ekziston. Presidenti Ahtisaari nuk ka deklaruar
përfundimin e saj, që do të thotë se ajo do të jetë e përjetshme. Ndryshimi
i saj nuk mundet me qenë unilateral (nga Kosova) mirëpo vetëm në pajtim të
dy palëve, botës dhe Kosovës. Prandaj, çka nënshkruajmë tani, vazhdon pa
fund. Ky është një gabim trashanik, sidomos duke marrë parasysh disa nga
kërkesat e këtij plani. Ta konsiderojmë pra këtë Kontratë në mënyrë
sipërfaqësore, duke i përmendur vetëm disa nga shkeljet më flagrante
ligjore. Ti përmendi të gjitha të metat do të më duhej të shkruaj libër. Nuk
i përmendi të mirat e kësaj Kontrate, të cilat janë të shumta, sepse me
siguri do ti dëgjoni nga tjerët.
Artikulli 1 - Dispozita e Përgjithshme
.
Në pikën 1.7 të Artikullit 1, Kushtetuta e Kosovës kërkohet të këtë disa
elemente të përmendura ne Aneksin 1. Së pari, në Nenin 1 të Aneksit 1,
Kushtetuta e Kosovës bëhet dokument inferiorë ndaj kësaj Kontrate.
Kushtetuta e një shteti sovran është dokumenti më i lartë shtetëror që nuk i
gjunjëzohet asnjë dokumenti tjetër. Së dyti, i njëjti Nen i Aneksit 1,
udhëzon Kushtetutën e Kosovës që ta kontradikton veten, duke thënë që Kosova
do të jetë e paanshme në çështjet e orientimeve fetare, mirëpo më vonë, i
ofron tretman preferues Kishës Ortodokse, përderisa nuk përmend të drejtat e
religjioneve tjera në Kosovë.
Neni 3 i Aneksit 1, ka tepër të meta për ti përmendur të gjitha. Përveç që
kërkon reprezentim joproporcional dhe anti-demokratik të minoriteteve, është
tepër joefikas. Dy mandatet e para zgjedhore do të jenë ato më të
rëndësishmet për ardhmërinë e Kosovës sepse do të ketë nevoja për përpilimin
e ligjeve të shumta dhe planifikim për zhvillim ekonomik. Duke rezervuar
gati një të tretën e ulëseve në Kuvend për pakicat, kjo Kontratë vështirëson
formimin e koalicioneve efikase për formim të qeverisë. Gjithashtu, do ta
vështirëson miratimin e ligjeve ne Kuvend.
Neni 6 i Aneksit 1, është i pakuptimtë. Kërkohet që Kosova të ketë tre
gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjyqin Kushtetues (faktikisht gjyqit më të
rëndësishëm) për një kohë të pakufizuar. Nuk di asnjë vend tjetër ku të
huajt e interpretojnë kushtetutën e një vendi. Përveç asaj, zgjedhja e katër
nga gjashtë gjyqtarëve tjerë do të jetë shumë e vështirë sepse kërkohet
shumica e 2/3 në Kuvend. Paramendojeni, pa përkrahjen e minoriteteve, të
gjitha partitë Shqiptare duhet të pajtohen se kush është kandidat i
pranueshëm.
Neni 10 i Aneksit 1 e bën ndryshimin e Kushtetutës praktikisht të
pamundshëm. Ndërsa Neni 11 i Aneksit 1, edhe një herë, kërkon që Kushtetuta
ti bën zot ndërkombëtarët në Kosovë. Gjithmonë kam menduar se një vend
demokratik e bën popullin Zot.
Pika 1.10 e Artikullit 1 është më e rrezikshmja. Ajo i jep ndërkombëtarëve
të "gjitha fuqitë e nevojshme" që ta zbaton këtë Kontratë. Edhe një herë,
kjo vulose qe ndërkombëtarët e jo populli udhëheqin Kosovën.
Artikulli 2 - Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut
Në përgjithësi, Artikulli 2 nuk është pjesë e dëmshme e kësaj Kontrate, me
përjashtim të disa komenteve që i bëra më lart rreth Aneksit 1.
Artikulli 3 - Te Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre
Artikulli 3 është i idhët (duke konsideruar se si kanë vepruar disa nga
komunitetet në Kosovë), mirëpo i nevojshëm për një Kosovë demokratike.
Garanton barazinë e të gjithëve. Është e paqartë se çka do të thotë fjala
"Komunitet" në Aneksin 2, që inkuadrohet në Nenin 3 të Kontratës. A
përfshinë ajo fjalë edhe Shqiptarët aty, apo ka domethënien "minoritet"?
Sqarimi është i nevojshëm sepse shpjegon se kujt i garantohen këto mbrojtje.
Përveç asaj, Aneksi 2 mund të shkruhet në mënyrë më të qartë, mirëpo në
përgjithësi nuk është i dëmshëm.
Neni 4 - Të Drejtat e Refugjatëve dhe Personave të Zhvendosur
Artikulli 4 është i turbullt. Ai ka nevojë për sqarim se për cilët refugjatë
është fjala. A inkuadrohen aty Shqiptarët që lëshuan Kosovën me vite të tëra
ti ikin agresionit Serb? A kërkohet edhe kthimi në Kosovë i refugjatëve Serb
nga Kroacia dhe Bosnja që i solli Slobodan Millosheviqi në Kosovë dhe pas
luftës u larguan për në Serbi? Përveç asaj, fjala refugjat duhet të
inkuadron edhe personat e zhvendosur në brendësi të Kosovës, sikur që janë
Shqiptarët që janë zhvendosur nga Mitrovica Veriore. Një definicion i fjalës
"refugjat" është tepër i rëndësishëm.
Artikulli 5 - Personat e Zhdukur
Artikulli 5 është tepër i nevojshëm, mirëpo është tepër optimist sepse
pritet që Serbia do të bashkëpunon në këtë çështje.
Artikulli 6 - Vetëqeverisja Lokale dhe Decentralizimi
Decentralizimi është i nevojshëm në çdo shtet demokratik. Mirëpo, si
përshkruhet në Aneksin 3 është tepër i dëmshëm dhe jo praktik. Përveç që do
të jetë një barrë në ekonominë e dobët Kosovare, ky decentralizim nuk ka
aplikim sepse një vend i vogël sikur Kosova nuk ka burime të nevojshme
financiare që të gjitha komunat ti kenë spitalet e tyre, shkollat e tyre,
etj. P.sh. Mitrovica, një qytet relativisht i vogël, do të ketë nevojë për
duplifikim të spitaleve, që do të thotë blerjen e dyfishtë të çdo aparati
mjekësor. Mjekësia e Kosovës është në gjendje të mjerrë pa pas nevojë për
blerje të panevojshme.
Sikur anëtarë i diasporës së Kosovës, me veçanti e shikoj Nenin 14 të
Aneksit 3, ku thuhet se refugjatët në shtetet fqinje te Kosovës do te
regjistrohen, duke mos përmendur fare Shqiptarët që lëshuan Kosovën me vite
të tëra dhe nuk u shpërngulen në shtetet fqinje. Ku do te mbesim ne?
Aneksi 3 ka aq shumë të meta që duhet të fshihet, siç thuhet nga populli, me
gomë të traktorit dhe të shkruhet nga fillimi. Është pritur që një njeri
intelektual sikur Presidenti Ahtisaari të përpilon një plan efikas të
decentralizimit, mirëpo frika nga hidhërimi i Serbëve e ka shtyrë atë ta
përpilon një plan, që nuk ka aplikim në realitet.
Artikulli 7 - Trashigimia Fetare dhe Kulturore
Ky Artikull i Kontratës kundërshton qëllimin e Kontratës - themelimin e një
shoqërie ku të gjithë janë të barabartë. Mbrojtja e trashëgimisë fetare dhe
kulturore është tepër e rëndësishme, mirëpo nuk duhet të veçohet asnjë fe
apo kulture, siç veçohet ajo e Kishës Ortodokse Serbe.
Është qesharake qe vetëm një fjali në Aneksin 5 (përkatësisht Neni 6) është
ruajtur për kthimin e artefakteve arkeologjike dhe etnologjike të Kosovës të
cilat qenkan "huazuar" nga Kosova. Përveç asaj, Beogradi duhet ti kthen
vetëm gjërat e "huazuara" gjatë viteve 1998-1999. A thua ku mbeten gjërat që
i murrën këmbët gjatë kohëve më të hershme?
Artikulli 8 - Çështjet Ekonomike dhe Pronësore
Pika 8.2 e Artikullit kërkon që Kosova të merr përsipër pjesën e saj te
obligimeve financiare te ish-RSFJ-së. Askund nuk përmendet që Kosova të jetë
trashëguese e një pjese të pasurisë së ish-RSFJ-së. Nuk ka kuptim që një
vend ti trashëgon obligimet e jo pasuritë. Përveç asaj, prona që po i mbetka
Kosovës, ajo që gjendet në Kosovë, është shkatërruar nga Serbia gjatë luftës
dhe para saj. Përveç shkatërrimeve, çdo devalvim dhe amortizim i pronës në
Kosove që është shkaktuar nga Serbia duhet të zvogëlohet nga borxhi që
trashëgohet nga Kosova. Këto gjëra nuk mund të injorohen, sidomos duke marrë
parasysh buxhetin e vogël të Kosovës.
Aneksi 7 dobëson gjyqësorin Kosovar. Përderisa në të gjitha vendet e botes
gjykatat i vendosin të gjitha mosmarrëveshjet pronësore, në Kosovë ato do të
shqyrtohen nga ndërkombëtarët. Gjithashtu, apelet për privatizimin e
ndërmarrjeve shoqërore dhe publike shqyrtohen nga ndërkombëtarët. Kosova ka
kuadro që merren me çështje të korporatave prandaj nuk e shoh këtë të
arsyeshme.
Artikulli 8 gjithashtu harron të përmend pronën e Kosovës që para luftës u
uzurpua nga Serbia, sikur që është pasuria që gjendej në bankat e Kosovës.
Artikulli 9 - Sektori i Sigurisë
Edhe Artikulli 9 ka të meta të shumta. Neni 1 i Aneksit 8 kërkon që
zhvillimi i sektorit të sigurisë në Kosovë të jetë "transparent" ndaj
fqinjëve të Kosovës. D.m.th. kërkohet që Kosova ti tregon sekretet e veta
ish-armikut të saj, Serbisë. Përveç asaj, Neni 3 i Aneksit 8 kërkon që
kufiri në mes të Kosovës dhe Maqedonisë të jetë ai që u negociua nga Serbia.
Kjo është e papranueshme. Negociatat në mes të Kosovës dhe Maqedonisë rreth
demarkacionit të kufirit nuk rrezikojnë integritetin territorial të
Maqedonisë, prandaj edhe nuk janë në kundërshtim me normat ndërkombëtare.
Neni 5 i Aneksit 8 është pothuajse i papranueshëm. "Ushtria" e ardhshme e
Kosovës do ti ketë 3300 ushtarë që do të jenë të armatosur lehtë dhe
vendimin për rritjen e saj prapë e rezervojnë ndërkombëtarët. Detyrat e
kësaj ushtrie do të jenë minimale, pa opsion te zgjerimit për kosovarët.
Neni 6 i Aneksit 8 është një shuplakë e rëndë ndaj atyre që na e siguruan
lirinë. Shpërndarja e TMK-së që të formohet një forcë tjetër më qëllime
pothuajse të njëjta nuk është racionale. Përveç asaj, e mundon shumë
buxhetin e Kosovës.
Në përgjithësi ky Artikull bën që siguria e brendshme e Kosovës të mos jetë
e sigurt.
Artikulli 10 - Komisioni Kushtetues dhe Zgjedhjet
Edhe një herë, në pikën 10.3 të Artikullit 10, ndërkombëtarët e rezervojnë
të drejtën e vetos mbi Kushtetutën e Kosovës. Kjo do të thotë se një
Kushtetutë që nuk pranohet nga të gjithë nuk do të ketë mundësi të aprovohet
nga Kuvendi. Duke e dite historinë e bashkëpunimit të Serbëve në Kosovë me
organet qeveritare, vështirë se kjo do të mund të arrihet në praktikë -
sidomos nëse Kushtetuta e ardhshme e Kosovës thotë se Kosova është shtet
sovran dhe i pavarur.
Artikulli 11 - Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar
Pa hyre në detaje të këtij Artikulli të Kontratës, duhet theksuar se
Presidenti Ahtisaari ia ndërron emrin UNMIK-ut dhe dedikon autoritet
diktatori mbi Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar (PCN). Prapë vetëqeverisja
nuk iu lejohet Kosovarëve pa pas një "rojë" ndërkombëtare. Përveç asaj, ky
nuk do të ketë mandat me afat skadimi, që do të thotë se zgjat deri kur
ndërkombëtarët vendosin Kosova është e gatshme të mos ketë diktator
ndërkombëtar. Mund të presim që çdo ligj me të cilin Serbët nuk pajtohen, të
anulohet nga PCN.
Artikulli 12 - Përkrahja Ndërkombëtare në Fushën e Sundimit të Ligjit
Përveç ofrimit të përkrahjes, ky është edhe një rast i kufizimit të
autoritetit të Gjyqësorit, policisë, doganës dhe burgjeve të Kosovës.
Artikulli 13 - Prania Ushtarake Ndërkombëtare
Artikulli 13 e bën Kosovën tokë të okupuar. Edhe pse NATO është e
mirëseardhur, ushtarët e saj qëndrojnë në Kosovë pa ftesën e Kosovës. Përveç
asaj, largimi i tyre varet nga ndërkombëtarët e jo Kosovarët. Një revizion i
Kontratës, ku Kuvendi i Kosovës do të udhëzohej ta adapton një Rezolutë me
të cilën ftohet prania e NATO-s në Kosovë do të respektonte integritetin e
Kosovës.
Artikulli 14 - Aranzhimet Kalimtare dhe Dispozitat Pëfundimtare
Ky Artikull është transferim i autoritetit të UNMIK-ut tek PCN.
Është me rëndësi të ceket se shumë prej Artikujve dhe Anekseve të kësaj
Kontrate parashikojnë pjesëmarrje të minoriteteve. Duke parë historinë e
deritashme, pakica Serbe me siguri se nuk do të merr pjesë për një kohë të
gjatë, që do ta bën funksionimin e shtetit gati te pamundshëm. Gjithashtu,
mospranimi i Komunave Serbe të jenë nën direktivën e qeverisë së Kosovës do
të krijon probleme të reja.
Përveç asaj, Serbët fitojnë tretman preferues në shoqërinë e ardhshme të
Kosovës. Prandaj Kosova nuk do të jetë një shoqëri e qytetarëve të
barabartë. Zakonisht, tretman preferues iu jepet atyre që kanë qenë viktimë
e diskriminimit, si p.sh. zezakët në SHBA që u shfrytëzuan sikur skllav për
mbi 200 vite. Serbët, me përjashtim të disa rasteve të veçanta në vitet e
fundit, nuk iu kanë nënshtruar diskriminimit prandaj edhe nuk ka nevojë për
tretman special për ta. Faktikisht, ata që ushtruan Apartejd në Kosovë, tash
prapë do te kenë tretman preferues. Ajo nuk iu ofrua të bardhëve në Afrikën
Jugore, prandaj nuk duhet tu ofrohet as Serbëve në Kosovë. Një tretman i
tillë vetëm do ti bën Serbët shënjestër të urrejtjes nga pjesa tjetër e
shoqërisë.
Në përfundim, kjo Kontratë ka potencial që ta shndërron Kosovën në një
shtet. Mirëpo, ky organizim shtetëror do ta ngarkon buxhetin e Kosovës pa
masë dhe do të ndikon negativisht në investime kapitale në ardhmërinë e
Kosovës. Pa disa revizione të rrënjësishme, ky skeptik kishte rekomanduar që
Kosova mos ta nënshkruan këtë Kontratë…natyrisht nëse mosnënshkrimi është
opsion.
(Autori është Doktor i Jurisprudencës, i shkolluar në SHBA. Ka qenë
Ndihmës-gjykatës në Gjyqin Suprem të New Jersey-it dhe në Gjyqin Kancelar të
shtetit Delaware.
Aktualisht është avokat në një ndër firmat më prestigjioze të avokaturës në
qytetin Philadelphia, ku reprezenton klientë në mosmarrëveshje komplekse në
arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, përfaqëson korporata multi-nacionale në
gjykime dhe arbitrime ndërkombëtare për çështje të pronës intelektuale,
zgjedhjeve politike, çështjeve kushtetuese, interpretimeve të
legjislacionit, shoqërive aksionare, aksioneve, anti-trusteve të korporatave
dhe falimentimeve).