Fadil SHYTI-GJENDJA E SOTME POLITIKE NË SKENËN PAC

16.01.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

Shkruan:
                    Fadil SHYTI
 
 GJENDJA E SOTME POLITIKE NË SKENËN PACIFISTE SHQIPTARE!
 
 Aktorët e tragjikomedive të politikës së sotme pacifiste: pozitë dhe opozitë gjatë
këtij viti herë më shumë e herë më pak pothuaj të gjithë njësoj i bënë shërbime të
mëdha UNMIK-ut, kësaj dore të zgjatur të Serbisë, kur me të gjitha forcat po
përpiqet sërish  ta lë Kosovën dhe vise të tjera shqiptare, nën juridiksionin
serb, gjegjësisht nën një kolonizim - okupim dinak, nën të ashtuquajturin
administrim (sundim)  i ri i EUMIK-ut.
 Me veprimtarinë e tyre kundër-kombëtare, tani së tepërmi i kanë mbushur kupat e
pista të dehur për pushtetin e pa-shtet , tani janë zhytur thellë në kënetat
pacifiste-obskurantiste, dhe si për pasojë gjendja e sotme në “gjirin e unitetit”
po shihet qartë se ka një përplasje të pariparuar, nuk riparohen lehtë goditjet jo
vetëm “argumentuese” por edhe grushtuese, ashtu siç riparohen karriget e tyre të
përgjakura në sallat luksoze të pushtuara nga injorantët e etur për pushtetin
fiktiv alla kolaboracionist të LDK-së. Populli, deri sot i mashtruar nga premtimet
boshe dhe i hipnotizuar nga krekosjet adoleshente të lidershipit pacifist të cilët
premtojnë e premtojnë, por asgjë nuk realizojnë -tani është ngopur e stërngopur
nga gënjeshtrat pa kripë se “pavarësia e Kosovës është arritur prej kohësh, tani
kjo është veç çështje formale – kur bota do të na njoh si shtet”, pastaj,
deklaratat si: “viti 2006 do të jetë viti i fitores së pavarësisë së Kosovës”, nga
politikanët
pacifistë u harruan, por ato s´i harroi dot populli i cili ka arritur të mbijetoi
qe sa vite në zgripet e një gjendjeje të rëndë ekonomike, sociale dhe politike; në
gjendjen as luftë as paqe!
 Tani, kur populli ka filluar ta humbë durim-pritjen boshte-boshe, natyrisht se
“politikanëve” po i dridhen karriget, po u tundet dheu nën këmbë! Po ngjanë kjo si
kurrë më parë në veçanti pas aksioneve të pandërprera të lëvizjes VETËVENDOSJE  e
cila nuk i ka hyrë rastësisht kësaj rruge të ndritur për ta çuar më tej
revolucionin popullor përpara, drejt fitoreve të reja, me armën më të fuqishme
VENDOSMËRINË, deri në arritjen e idesë së madhe dhe tepër legjitime demokratike:
VETËVENDOSJEN e kombit tonë për ardhmërinë e vet!
 Dëshmia më e  fuqishme qe demonstrata e 28 Nëntorit 2006, nën moton e vërtetë:
protesto për të festuar!
 Tani, pacifistët e Prishtinës të ndihmuar edhe nga faktorët e brendshëm vëllezërit
e tyre siamezë të Tiranës, po përpiqen të gjejnë njëmijë e një shtigje të ikin nga
përgjegjësia pa u lagur nga këneta ku janë futur dhe fatkeqësisht (për faktin se
tani e kanë “pushtetin” pra, janë shumicë), që më shumë po ju pëlqen ta thonë
shpesh me një fjalë të huaj : jemi maxhorancë, pastaj, si pasojë e kësaj në këtë
batak nuk kanë rënë vetëm ata por e tërë Shqipëria Natyrore. Do të ishte fat sikur
këta plangprishur të përpiqeshin ta nxjerrin Shqipërinë Natyrore nga kjo gjendje;
por ata nuk po denjojnë ta bëjnë këtë për asnjë çast por, po përpiqen duke kërkuar
edhe ndihmën e aleatëve të tyre në perëndim; (dëshmi janë paraqitjet në media dhe
ecejaket e miqve të tyre aleatë) ; ta shpëtojnë lëkurën e tyre dhe më tej ta
fundosin si mos më keq atdheun e shqiptarëve!  Kësaj loje dinake tepër cinike dhe
aspak të dobishme për popullin shqiptar i shërbyen edhe ecejaket e Ismail Kadaresë
dhe
Besnik Mustafajt, i pari i ra borisë së përçarjes kurse i dyti pa pikë hezitimi o
turpi e bëri barazimin e heroit tonë kombëtar, Adem Jashari me një lider partie si
Ibrahim Rugova i cili  kurrë s´ia tha armikut  një JO! Por, kurdoherë qe një servil
i mjerë para xhelatëve të kombit shqiptar; për ta bërë edhe më qesharake faktin ai
na mbajti leksione “ministrore” në mbrojtje të partisë simotër në shërbim të
PDSH-së. Kujtojmë që Mustafaj, nuk është ministër i jashtëm atëherë kur e devijon
punën e tij, kur sipas tekeve të politikës ditore, papritur kalon në ministër të
brendshëm!!!...
 Kur e dëgjoje atë babaxhan duke folur në televizionin, “ALSAT”, të krijohej
përshtypja thuajse vetëm LDK-ja qenka ajo që e paska pasur fatin e Kosovës në duar
dhe vetëm rezistenca e saj paqësore e paska shpëtuar!
  ...Dhe, qenka kjo parti që edhe sot e paska në duar fatin e Kosovës dhe të viseve
të tjera shqiptare!!! Fatkeqësi më e madhe se t´i dëgjosh këto broçkulla të një
politike absurde-ditore, nuk paska!  Ky ministër i “famshëm” asnjëherë nuk qe në
gjendje bile njëherë ta kundërshtonte një raport kundër-shqiptar, por, kurdoherë
vetëm i falënderoi armiqtë, tani na doli me sihariqe të mëdha se gjendja në
Kosovë, po ecë drejt pavarësisë, veç duhet edhe pak durim!!! Si duket Besniku, po
i mbante me besnikëri amanetet absurde të Ibrahim Rugovës, kuptohet i porositur
gjithmonë nga qarqe të caktuara kundër- shqiptare.
 ... Përkrahja e qeverisë “berishjane” për titistët e Prishtinës nuk është e
rastësishme, ashtu siç mendojnë foshnjarakët politikë. Strategji e tyre, (nëse
mund të thuhet se kishin dhe kanë strategji) : ishin dhe janë përpjekjet se si ta
ulin e ta nënshtrojnë si mos më keq popullin shqiptar për këto vite të “sundimit”
të tyre! Jo vetëm brenda por, edhe përballë faktorëve ndërkombëtarë! Pikërisht,
për këto shërbime serviliste të pakufishme jo rrallë qarqe të caktuara
kundër-shqiptare ndërkombëtare i kanë vlerësuar këto qëndrime “parimore” si tepër
pozitive.  Shqipëria, për asgjë nuk është përkrahur dhe lavdëruar më shumë nga
“aleatët” e saj, sa për faktin që “ka kontribuar shumë për stabilizimin e gjendjes
në Kosovë”!...
 Nëse sot e shohim gjendjen e Kosovës në aspekte të shumë fushave të jetës:
ekonomike, politike, sociale, morale etj, vërtetë shihet katastrofë. Fatkeqësisht,
hiq më kënaqshme gjendja nuk është as në Shqipërinë e cila sot po drejtohet së
prapthi nga “qeveria Berisha” gjegjësisht nga këto aspekte po shihen nga aeroplani
hendeqe të mëdha; shqiptarëve sot iu mungojnë elementet parësore për jetesë si
uji dhe drita elektrike, për më keq atyre u mungon edhe siguria personale e cila
çdo ditë po bëhet edhe më kërcënuese nga bandat kriminale të hapura e të maskuara,
natyrisht këto nuk do ta bënin lesharapi Shqipërinë Natyrore, sikur të mos ishin
të lidhura me një mijë e një fije me pushtetarët. Mbase, për këtë jo rrallë janë
kritikuar “ashpër” edhe nga aleatët e tyre besnikë perëndimorë; por qeveritarëve
të Tiranës dhe të Prishtinës nga njëri vesh u hyjnë në tjetrin u dalin  vërejtjet
dhe këshillat e miqve! Nuk dëgjojnë mirë, për faktin e ata si duket veshët i kanë
të dhjamosur
shumëfish nga korrupsioni!
 Korrupsioni, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare, sot ka hyrë si kanceri në
piramidën shtetërore e cila po ia bënë popullit jetën ferr! Për t´i shpëtuar
dënimit dhe për të gjetur hapësirë më tej për veprimtarinë e tyre kundër-ligjore
pushtetarët fiktivë në relacionin Tiranë-Prishtinë, kanë bërë dhe po bëjnë ca
ndryshime taktike në emërime, për ngritje dhe shkarkime në kupolën shtetërore, në
aleancat e përkohshme derisa të kaloj “stuhia”, pa qoftë edhe në stilin sipas
këshillave të “miqve” pajtim si macja me miun! Sipas këtyre ecejakeve të Besnik
Mustafajt , lind dyshimi i bazuar me fakte se mos Berisha e ka dërguar ministrin e
tij”të jashtëm” , edhe për ndonjë lloj kontrabandë si ajo me naftën dikur me
“allishverishe” me Serbinë; sepse Berisha me kompaninë e tij nuk mbijeton dot pa
kontrabandë të zezë!
 Për më tepër as ”homologët ” e tij në Kosovë nuk bëjnë tjetër punë, pra diçka të
mirë  për atdhe përpos kontrabandave.
 Pastaj, hiqen kinse këtë  paskan bërë vetëm për hir të “unitetit”, për ta çuar
Shqipërinë përpara, pra, drejt integrimit evropianë; apo për t´i shërbyer
pavarësisë së Kosovës – ku i dëgjon populli  këto fraza boshe, sikur i mbushet
mendja : ah!  sa të devotshëm qenkan pushtetarët tanë!!! Shihni sa sakrifikojnë të
shkretët, për ta bërë Shqipërinë të përparuar! Por, në fakt çdo ditë që po kalon
oratoria e tyre mashtruese “demokratike” po pëson fiasko!!! Këta, pushtetarë “të
djegur” për  unitet se paskan hallin për Shqipërinë, por për karriget e tyre që ta
trashin turpin dhe pasurinë!!!
 Tani, pas skandalit të turpshëm me karrige dhe për karrige në “shtëpinë e bardhë”
paqësore të LDK-së, po dëgjohen zëra se LDK-ja, do të ndahet në dy pjesë; sipas
terminologjisë së re kronikale “krahu i Dacit” dhe ai i Sejdiut, thua se po u bëka
çameti: harrohet tani qëllimisht se ka kohë që po na ndahet Kosova, e nuk u bë kaq
zhurmë as s´ u mor kurrë nga politikanët kjo si tragjedi; por si krejt diçka e
natyrshme, si diçka e paqëndrueshme, si diçka e përkohshme!!! Klanet për pushtetin
fiktiv po i hapin “krahët” e qyqeve, ndërsa Kosova e përgjakur po heq të zitë
ullirit, nga ndërkëmbëzat që po ia sjellin deri sot, pikërisht këta qyqarë me
fluturimet e tyre në relacionin: Vjenë-Prishtinë dhe gjetiu...
 Tani, si duket makinacione të reja politike po dalin sheshit në skenën politike të
Kosovës; Bexhet Pacolli, po i përgatitë valixhet të kthehet në Kosovë, nga anët e
botës: Rusia apo Johanesburgu (si biznesmen i madh që është) sikur dikur Ante
Markoviqi dhe Leka Zogu, që i premtonin ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë pasuri
përrallore, edhe Bexhetit, iu paska mbushur  mendja të kthehet në Kosovë me
valixhen plotë deviza, a pastaj do ta bënë Kosovën “kopsht me lule”!!! Lexuesit e
nderuar duhet ta kuptojnë se qëllimi i Rusisë është që në Kosovë të “investojë" ,
të bëjë komplote ekonomike me qëllim që Kosova të  dështoj  edhe si shtet d.m.th,
indirekt përmes misionarëve të saj si Bexhet Pacolli të pushtoj ekonomikisht
arteriet   shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron dhe zhvillohet Kosova. Para dy
javësh Kohë më parë këtë ide bashkëpunimi ekonomik  e ka dhënë ambasadori rus, në
televizionin “ALSAT” . Ky, është një plan shumë i rrezikshëm strategjik që forcat
kundër-shqiptare të
jashtme të dominojnë nesër mbi fatet tona! Pra, Bexhet Pacolli, në këtë moment kaq
delikat po dërgohet nga shërbime armike (ruse) për ta marrë kalanë nga brenda!
Ndërsa, tani Bexhet Pacolli, po hiqet se këtë e bënë vetëm për veten e tij!!!
 Jo, zotërinj, këto broçkulla politike bajate nuk shkojnë!
 Po, ky njeri i “sakrificave të mëdha” për Kosovën, nuk mundet ad-hokë me ardhur në
pushtet pa ndihmën e sharlatanëve titistë të cilit do “krah” të LDK-së, pa harruar
orekset e Veton Surroit, të cilit po i bie kambana e “Orës” gati në 05 min pa
12.00; për ta futur nën sqetulla homologun e tij biznesmen!...
 Kujtojmë këtu se derisa, Leka Zogu, ishte jashtë vendit (në Johanesburg e gjetiu)
; shqiptarët shpresonin dhe thoshin: kur të kthehet mbreti në Tiranë do të bëjë
mrekullira; por pasi u kthye ky “burrë i djegur për Shqipërinë Etnike” bile
“triumfalisht” hyri në Tiranë, me (patllake), revolver në dorë; por, pastaj iku si
pulë e lagur, as nuk bëri as po bënë mrekullira, në dobi të Shqipërisë.
 Çudira po bënë Berisha, i  cili në vend se t´ia kërkojë arin e popullit të
grabitur nga babi i tij, Saliu, me qeverinë e tij i jep troje dhe pallate si me
qenë ato troje dhe ato pallate të babës Ramë!!!
 Tani, popullit të Kosovës, s´i mbetet tjetër veç të qanë prej gëzimit, se pas
ndryshimit të aktorëve të dramës në  skenat e tragjikomedive të politikës
kosovare, gjithçka do të shkojë si në vaj ulliri...
 Sido që të rrokullisen ngjarjet e reja; për popullin shqiptar duhet të kuptohet me
kohë dhe të dihet si në dritën e diellit se: asgjë e  mirë nuk i erdhi nga
pacifistët dje, asgjë e mirë s´po i vjen as sot, dhe asgjë e mirë s´do t´i vjen as
nesër!!! Prej atyre që si atdhe, e kanë shndërruar “mëhallën” e tyre, në mos
ardhshin të këqija tjera , si ato që i dimë deri sot; për të mira të mos
shpresohet!!!
 Në Shqipërinë Natyrore po ngjanë kështu, sepse në fakt  askund në trojet shqiptare
sot nuk ka një opozitë të fuqishme brenda institucioneve të shtetit që t´i mbrojë
fuqishëm interesat e vërteta gjithëkombëtare! Sot, kjo i duhet Shqipërisë më shumë
se gjithçka. Siç po e shohim opozita e vërtetë (kujtoj këtu partitë dhe shoqatat
përparimtare kudo në Shqipërinë Natyrore), që po mendon dhe po vepron ndryshe në
dobi të atdheut, ka mbetur jashtë kornizave të institucioneve, për faktin e hidhur
se populli dje dhe sot ende po ju beson fjalëve e jo veprave të atyre që se
meritojnë pushtetin dhe të atyre që i shkelin në çdo ditë dhe orë ligjet e
shtetit. Të atyre që dinë të bëjnë njëmijë e një dredhi për veten e tyre por nuk
dinë apo nuk duan të bëjnë ligje që i duhen shtetit shqiptar. Kujtojmë në këtë
rast se në Kosovë ka kohë që ka kaluar afati për t´i mbajtur zgjedhjet e reja
qendrore; ato nuk po mbahen sepse po pritet “statusi i Kosovës”!!!
 Nga kjo konstatojmë se këta pushtetarë të tipit bajraktarë ka kohë e kanë humbur
legjitimitetin!
Populli shqiptar, duhet të kthjellohet sa më parë aq më mirë për të: t´i nderojë dhe
t´i dëgjojë bijtë e bijat më të mirë të tij; ata që interesat e tyre personale i
kanë shkelur dje, po i shkelin sot dhe do t´i shkelin edhe nesër për interesat e
mëdha gjithëkombëtare!
 Pra, me votën e tij, t´í qes në ballë këta udhëheqës atdhetarë që gjatë tërë jetës
së tyre e deri sot nuk u pajtuan kurrë që trojet shqiptare të bëhen monedha
kusuritjeje në dobi të interesave të shteteve të huaja sllave e të tjera...
 
 Suedi, 25.12.2006