Beqir ELSHANI-NOSTALGJIA E VONUAR MESJETARE

16.01.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

Beqir ELSHANI
NOSTALGJIA E VONUAR MESJETARE
Me të drejtë mund të thuhet se konfeksionet fetare (ortodoks dhe mysliman) e
keqpërdorin fenë në dëm të emancipimit të popullit maqedonas dhe shqiptar.
Duket qartë se investimi politik dhe ekonomik ka marrë ngjyrë fetare, që i
ngjan mesjetës së vonuar, prandaj grindjet fetare në të gjitha konfeksionet
janë më të zëshme se asnjëherë. Lulëzimin epokal që kanë bërë rilindësit
shqiptar në shekullin XIX për atdhe,me keqardhje duhet të them se ne ende
nuk kemi bërë ndonjë kthesë përparimtare. Rilindësit bënë më shumë se ne për
kombin dhe atdheun pa ndikime dhe pa dallime fetare. Besimtarët myslimanë në
Kosovë dhe në Maqedoni veprojnë sikur të kishin qenë një kohë të gjatë të
torturuar dhe të ndjekur nga politika e vetëqeverisjes Jugosllave. Nuk ka
nevojë të thuhet se fetarët myslimanë askush nuk i ka prekur, përkundrazi
janë dënuar dhe torturuar vetëm shqiptarët që kanë luftuar për kauzën e
drejtë - Kosovën Republikë; që kanë kërkuar arsimin në gjuhën shqipe,
flamurin kombëtar dhe të drejtat e tyre të barabarta me popujt tjerë në
ish-Jugosllavinë Federative. Pse maqedonasit dhe shqiptarët tregohen më
fetarë se gjermanët e emancipuar dhe të zhvilluar në çdo pikëpamje?!
Priftërinjtë gjermanë ankohen sesi kohët e fundit rinia gjermane po e
braktisë kishën, prandaj rinia shqiptare dhe ajo maqedonase nuk mund të jenë
më të mençur se gjermanët me kapital të madh shkencor e teknik, por edhe
kulturor - në fushën e artit dhe letërsisë. Kohët e fundit edhe shtypi
austriak njofton se gjysma e popullit austriak nuk beson në Zot, thënë
konkretisht është afetar. Këtu vlen të përmendet edhe vërejtja revolucionare
dhe kombëtare e udhëheqësit të “Lëvizjes Vetëvendosja”, Albin Kurti, i cili
me rastin e ndërtimit të katedrales në Prishtinë deklaroi se nuk është koha
të investohet në Zot, por duhet të investohet në vullnetin e popullit për
vetëvendosje për shpëtimin e përjetshëm të Kosovës nga kolonizimi serb.
Vetëm shpëtimi i atdheut, liria dhe pavarësia e Kosovës së përgjakur nga
pushtuesi i panënshtruar serb, mund të zgjidhë të gjitha problemet me
rëndësi jetike ekonomike, sociale, gjuhësore, fetare, kulturore dhe shumë
çështje tjera.
Kohët e fundit, në disa qytete shqiptare, dhe atë kryesisht në institucione
arsimore, u diskutua rreth rrobave dhe mjekrës fetare. Thënë shkencërisht,
nuk ka rroba fetare, ashtu siç nuk ka gjuhë fetare, sepse gjuha është më e
vjetër se feja. Gjuha shqipe është ajo, që Biblën dhe Kuranin i bëri të
lexohen shqip, prandaj edhe rrobat tona duhet të jenë shqiptare. Gjithashtu
gjuha shqipe është ajo, që kompjuterin e bëri të përdoret në gjuhën shqipe.
Dihet që gjuha dhe tradita persiane është më e vjetër se feja islame. Jehonë
bëri një mësuese me ferexhe, e cila me këmbëngulje kërkonte të mbante mësim
në një shkollë fillore në Komunën e Prishtinës. Mësuesja me ferexhe shkon aq
larg, saqë me këmbëngulje deklaron se kontestin gjyqësor do ta fitojë dhe
gjykata do ta kthej sërish në shkollë. Është hipokrizi të tregohesh shumë
fetar, thotë dijetarit ynë, Sami Frashëri. Të lejohet që mësuesja me ferexhe
të mbaj mësim në shkollë, apo studenti me mjekër dhe studentja me shami të
vijojnë studimet është kundërkombëtare. Në mbarë vendin pati shkrime
përparimtare nga femrat e emancipuara shqiptare, që mbronin normat
pedagogjike. Pikërisht mua më ka dhënë suedisht një murgeshë suedeze, mirëpo
ajo ka qenë e veshur me rroba qytetare. Prandaj hapin pedagogjik të shkollës
për largimin e mësueses me ferexhe duhet përkrahur edhe revistat fetare të
besimit mysliman, sepse janë pjesë e kulturës dhe emancipimit kombëtar
shqiptar. Veprimet fanatike mund të krijojnë përçarje kombëtare në mesin e
popullit shqiptar me tri konfeksione fetare. Me të drejtë mund të thuhet se
shamia (ferexheja) nuk është pjesë e kostumit tonë kombëtar, por e huaj.
Nëse një shqiptare del me ferexhe në Berlin, gjermanët do ta marrin për
arabe. Prandaj ky veprim është në dëm të atdheut dhe kombit shqiptar, sepse
shqiptari fanatik ndjek kulturën e huaj në dëm të kulturës kombëtare
shqiptare. Nuk ka asnjë dyshim që kostumet tona janë të bukura dhe me burime
autoktone shqiptare, saqë grekët dhe maqedonasit i kanë marrë prej nesh.
Asnjë valltare apo soliste nuk paraqitet në koncert me shami orientale,
gjithashtu asnjë valltar apo solist nuk paraqitet me kapelë orientale, por
vetëm me plis të bardhë dhe kostum të folklorit shqiptar. Dihet që folklori
është i mbarë popullit shqiptar pa dallime fetare. Ka raste kur disa
fanatikë (për fat të keq, të shkolluar) deklarohen se janë myslimanë
shqiptarë, kështu që me anën e identitetit të skajshëm shkelin etikën
kombëtare. Me të drejtë shkencore thuhet shqiptar mysliman, shqiptar
ortodoks, shqiptar katolik, dhe jo e kundërta. Nuk thuhet jam mysliman kurd,
katolik italian, apo ortodoks bullgar, por thuhet kurd mysliman, bullgar
ortodoks, apo italian katolik. Të tillët që identifikohen fetarisht janë
kozmopolitë, dhe nuk vlejnë as për fenë, as për kombin.
Standardi i ultë dhe investimi në rrugë të gabuar
Menjëherë pas ndërtimit të kryqit të lartë 86 metra në Vodno, po ndërtohet
edhe një tjetër kryq 30 metra i lartë. Me të drejtë qytetarët thonë se nga
rrënjët e kryqit të madh mbiu i vogli. Derisa kryqi i parë i madh kushtoi 2
milionë euro, i dyti apo i vogli do të kushtojë 50 mijë euro. Kjo tregon se
në Maqedoni është vonuar mesjeta e tmerrshme fetare, ndaj nxitojnë me
ndërtimin e objekteve fetare. Se feja po instrumentalizohet në dobi të
nacionalizmit dhe politikës sllavomaqedonase, këtë e vërtetoi edhe
koordinatori special i Paktit të Stabilitetit të Evropës Juglindore, Erhard
Busek. Padyshim që Buseku u nis prej Kryqit më të madh në Ballkan, i cili
gjindet në maje të malit Vodno në Shkup, për të cilin theksoi: "Kryqi, të
cilin para katër viteve e vendosi Kisha Ortodokse e Maqedonisë, ku ndizen të
gjitha dritat mund të shihet prej një largësie prej 80 kilometrave dhe është
vendosur si sinjal politik dërguar bashkësisë shqiptare, ku shumica janë
myslimanë". Për ndërtimin e egër të Kryqit madhështor në maje të malit Vodno
ka shkruar edhe poeti maqedonas, Ivica Antevski, “11 arsye pse nuk duhet të
vendohej kryqi në Vodno”. Prandaj dihet se kush po ecën me kohën - me trenin
e Evropës Bashkëkohore drejt zhvillimit tekniko-shkencor. Po të pyetet
populli i Maqedonisë, as një e katërta e tyre nuk do të pajtohej që një kiç
i madh të ndërtohet në maje të malit. Këtu nuk u mor parasysh as kritika e
mbrojtësve të amibientit për dëmtimin e kurorës së malit të gjelbër gjatë
verës dhe të bardhë gjatë dimrit, meqë lisat dhe zogjtë nuk kanë nevojë për
zhurmë dhe drita të forta. Dihet që kërkesat elementare të popullit
maqedonas dhe shqiptar janë që mjetet financiare të përdoren për ndërtimin e
shkollave, ambulanceve dhe rrugëve të vendit. Vendet ballkanike nuk kanë
fonde të trasha si në Evropën Perëndimre, prandaj duhet rrudhur dorën.
Derisa në Shkup ndërtohen objekte fetare që përçajnë popujt, në mes Suedisë
dhe Danimarkës është ndërtuar Ura e Baltikut, që lidh dy vendet për zhvillim
kulturor dhe ekonomik dhe konsiderohet një ndër urat më të mëdha në Evropë.
Kjo urë, që në të kaluarën ka qenë fantazi për njerëzimin në botë, me një
ceremoni madhështore është hapur më 1 korrik të vitit 2000. Ishte një
përjetim i madh, sepse e tërë Skandinavia po lidhej me kontinentin e
Evropës. Këtë vit ka filluar edhe ndërtimi i hekurudhës dyanësore
nëntokësore në qendër të Malmes që do të lidhet me kryeqytetin danez –
Kopenhagën. Përkundrazi Shkupi jo që nuk ndërton rrugët e reja, por pengon
qarkullimin e trenit të Kosovës në sipërfaqen e tokës në drejtim të Shkupit.
Maqedonisë i duhet një rilindje kombëtare për të luftuar terrin e “mesjetës”
së vonuar ortodokse të mentalitetit bizantin. Qeveria maqedonase nuk duhet
lejuar që qarqet e ndryshme fetare të përzihen në punët e shtetit, duhet të
jenë bashkëkohor dhe të sfidojnë të vjetrën që krijon grindje. Investimi në
arkitekturën fetare krijon përçarje në popull, sepse mjetet investuese nuk
janë vetëm të maqedonasve ortodoksë, por edhe të shqiptarëve myslimanë.
Ndryshe me vendet e Ballkanit ku ndërtohen simbolet mesjetare, në Evropën
Perëndimore ndërtohen shtatore universale që pëlqehen për të gjithë
qytetarët bashkëkohorë pa dallime fetare e moshave dhe gjinive të ndryshme.
Në një park të qytetit në Malme duket një shtatore e madhe e kalit me flatra
me kalorësin pranë. Krahasojeni bukurinë madhështore të shtatores së
kalorësit me karakter të forcës dhe humanizmit njerëzor, kurse një tjetër
shtatore e madhe me katër djem të fuqishëm me dy vasha të bukura që
simbolizojnë shtimin e popullit dhe ndërtimin e vendit të tyre në Suedi. Me
kureshtje të madhe i shikojnë shumë vizitorë shtatoret e skalitura nga dora
e skulptorit bashkëkohor, por edhe me kënaqësi fotografohen. Përkundrazi
panorama turistike me kryqin e Vodnos, do të ishte fyese për secilin
evropian bashkëkohor. Derisa pranë shtatoreve të gjithanshme në qytetet e
ndryshme të Evropës Perëndimore me kënaqësi fotografohen qytetarët pa
dallime fetare, në Shkup do të ndodh e kundërta, vizitorët do të fyhen.
Sepse kryqi në Vodno po bëhet vrasës i vizitorit joortodoks, gjë që nuk
është aspak etike. Dihet, sepse pranë kryqit në malin Vodno kurrë nuk do të
fotografohen dy miq të vërtetë me besime të ndryshme fetare. Prandaj një
objekt që ngrihet me motive nacionaliste për inat të kombit dhe fesë tjetër
është e destinuar të zhduket. Së shpejti koha do ta tregoj se investimet në
drejtim të gabuar do të falimentojnë, sepse nuk janë universale dhe
bashkëkohore. Jo vetëm kaq, sepse derisa ushtria terroriste maqedonase me
dhjetëra xhami i ka shkatërruar, në anën tjetër stimulohet ndërtimi
objekteve ortodokse.
Më e frytshme, më përparimtare dhe më madhështore do të ishte që në qytet të
ngrihej ndonjë shtatore me motive legjendare, siç është Pegasi me fletë, me
të cilin kalëronin muzat, që simbolizon frymëzimin poetik. Jo vetëm kaq,
sepse shtatorja e Pagasit të zgjon parafytyrimet që lidhen me të gjitha
bëmat e Herakliut, Poseidonit, Orfeut etj. Kjo shtatore universale do t’i
tërhiqte vizitorët e vendeve të ndryshme pa dallime kombëtare dhe fetare.
Kuptohet që skulptorët në siujdhesën ballkanike kanë motive të reja
përparimtare që i bashkon të rinjtë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur pa
dallime fetare, mirëpo i detyrojnë kushtet ekonomike të merren me ndërtimin
e objekteve fetare. Për dallim me fanatikët ortodoks, vetëm një zë i mekur i
KOS-it është ndier që ka kundërshtuar ndërtimin e një kryqit tjetër me
karakter propagandistik, përndryshe një kiç pa ndonjë vlerë estetike.
Prandaj ashtu siç vepronte inkuizicioni kishtar në mesjetë i gjithëfuqishëm
dhe i pasur, bëjnë qarqet e prapambetura fetare në vendet e ndryshme të
gadishullit ballkanik.
Shtypit dhe internetit shqiptar shkruante se Dibra kreshnike dhe e bukur
vuan nga varfëria: nuk ka fabrika apo ndërmarrje të vogla bujqësore, që do
të zbutnin papunësinë. Prandaj sa herë përmendet Dibra, më kujtohen kërkesat
e forumeve shqiptare për ndihmë nga diaspora shqiptare. Besoj se edhe
dibranët e dinë se nuk janë të vetmit që i ka pllakosur varfëria, por në të
gjitha trojet etnike, siç thuhet me pak dallime sociale. Megjithatë më
habiti lajmi në shtyp, ku shkruante se 61 dibranë morën rrugën për në Mekë.
Mendoj se ky mesazh i shkuarjes së dibranëve në Mekë e rrëzon kërkesën
humanitare për ndihmë financiare. Dy ditë më parë shtypi “Fakti” shkruante
se skamnorët kërkojnë ndonjë kothere bukë nëpër hedhurina të kontejnerëve,
prandaj ku është humanizmi i fetarëve?! Latinët e vjetër thonë se në luftë
heshtin muzat, prandaj me të drejtë mund të thuhet se në kushtet e varfërisë
dhe skamjes së popullit shqiptar, duhet të mendohet për sigurimin e bukës së
gojës. Jo vetëm që Dibra është e varfër, por edhe mbarë Kosova është e
varfër, e rraskapitur dhe pa dritë elektrike. Dihet që parajsa më e mirë
është po të sigurohet drita elektrike, që të sëmurët i shëron nëpër spitale
dhe nxënësit e mësojnë më bukur abetaren shqipe, pa të cilën nuk ka ardhmëri
të lumtur. A ka më mirë se të kemi dritën elektrike, siç thotë, poeti ynë i
madh, Naimi Frashëri, ”që t'u ndrinj mirë e t[ch279] shihni, njëri-tjatrin të
njihni”.
Suedi,