Fadil SHYTI - POPULLI SHQIPTAR DO TË ECË ME VENDOS
Fadil SHYTI
POPULLI SHQIPTAR DO TË ECË ME VENDOSMËRI NË RRUGËN E REVOLUCIONIT DERI NË FITORE!
Gjendja tepër konfuze që e ka përfshirë politikën “demokratike” shqiptare në
përgjithësi dhe politikën e “Grupit të Unitetit” në Prishtinë, në veçanti, për
zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe asaj të Kosovës si pjesë parësore gjatë këtyre
viteve, natyrisht se i ka bërë të bien në kundërthënie të papajtueshme dy shtresa
kryesore nga radhët tona shqiptare; të cilat po përpiqen për të mbrojtur qëndrimet
dhe veprimet e tyre për ardhmërinë e Kosovës.
Në shtresën e parë konsideroj se hyjnë politikanët pseudo-demokratë të cilët tani
janë të vetëkënaqur me pushtetin e pa shtet, të cilët janë kthyer në pashallarë të
kësaj kohe të pa kohë për t´i mbrojtur interesat e tyre personale: “pushtetin” dhe
pasurinë, lukset e tyre të cilat ua kanë errësuar sytë, e nuk po e shohin dot (apo
po i mbyllin sytë qëllimisht para realitetit të shantazhuar ) e nuk po e shohin
dot se Shqipëria Natyrore, gjegjësisht Shqipëria verilindore, Kosova sërish po
copëtohet nga mbretëritë e Evropës, për t´ua përmbushur orekset pushuese fqinjëve
të saj. Kujtojmë këtu copëtimet kufitare rreth Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të
Zi; për më keq enklavizimet , tani kur kanë marrë pamje e hapura, kësaj po i
shtohet edhe faktori i eksterritorialitetit, të gjitha këto të mbështjellura nën
maskën e decentralizimit etj, etj...
Këto, mbase do të ishin vetëm përpjekje të përkohshme të qarqeve kundër-shqiptare,
që mund t´i takonin një periudhe në tranzicion, pra periudhës së pasluftës e cila
si kudo në vendet tjera është e mbarsur me elemente të tilla përpjekjesh të
shteteve të huaja, apo më saktë të shteteve në konflikte, për të përfituar sa më
shumë territore dhe ushtrim të elementeve kolonizuese, mbi vendet që deri para
luftës i kishin nën kontroll-okupim. Por, nuk po ngjanë kjo e keqja më e vogël në
rastin e Kosovës, në Kosovë po ngjanë ajo që nuk do të duhej të lejohej nga klasa
e saj politike që sot pretendon se është udhëheqëse legjitime e popullit të
Kosovës. Kjo klasë politike nuk do të duhej të lejonte që për Kosovën të pranonte
të shkonte në bisedime, me Serbinë, e cila ende si ka përmbushur as pikat më
elementare: Serbia, ende nuk tregon ku gjendet ( i gjallë apo i vdekur) ,
politologu dhe intelektuali i madh, Ukshin Hoti. Serbia ende si ka kthyer të
gjitha kufomat e civilëve
shqiptarë të vrarë gjatë luftës, të hedhura lumenjve dhe maleve për t´ua humbur
gjurmët.
Serbia, ende si ka tërhequr trupat e saj nga veriu i Mitrovicës, dihet mirëfilli
se ato trupa nuk i furnizon vetëm me pemë e perime, por i furnizon edhe me armë,
për të vrarë shqiptarë, dihet nga opinioni sa shqiptarë janë vrarë pas luftës
pikërisht nga këto forca të errëta paramilitare, të cilat emërtimet i ndërrojnë
sipas stinëve politike por qëllimin e kanë njësoj: ta mbajnë të okupuar atë tokë
shqiptare. Serbia, ende s´ka hequr dorë nga politika pushtuese e S. Millosheviqit,
liderët e saj “demokratë” po vinë në Kosovë e po betohen se nuk do ta lëshojmë
Kosovën për asnjë çmim! Pikërisht, për këtë për hatrin as nga presionet e askujt
nga diplomatët ndërkombëtarë, nuk do të duhej të fillonin bisedimet me qeverinë
serbe. Qeveritarët e sotëm serbë kanë qëllime ushtarake që pas decentralizimit
t´i lidhin territoret serbe, kështu serbët kanë bërë edhe në Kroaci dhe më në
fund atje kanë pasur qëllim ta shkëpusin një pjesë të madhe nga Kroacia, pas
ndërhyrjeve të rrepta
ushtarake dhe politike ata arritën në Kroaci të formonin territore, por me
vendosmërinë e klasës politike dhe ushtarake kroate , kjo tendencë serbe u shkri si
flluskë sapuni, ra edhe për faktin se: kur Gjermania e pa që Serbia po fitonte
territore të huaja dhe kur BE e pa se Serbia po rritet reaguan dhe e njohën si
shtet dhe mu aty tek kufiri formuan përgjatë një rrip të gjerë të serbizimit në
Bosnjë, vendet që gjendeshin mes pikave serbe i zhdukën p.sh. Srebenicën që ishte
mes pikave strategjike dhe ishte një ishull me pika serbe. Tani, kur është momenti
kritik për Kosovën, dinakërisht Serbia lëshon pak pe, derisa të formohen pikat
strategjike, në favor të saj, pastaj do fillon luftën, për mbrojtjen e “territoreve
serbe”, brenda Kosovës, d.m.th ajo do të luftojë t´i lidhë pikat e kolonive të
saj mes vete.
Këtë po duan ta realizojnë tani në Kosovë, ata me bisedime, duan t´i formojnë
fillimisht pikat strategjike pastaj të gllabërojnë territoret tona!
Prandaj, është nevojë tepër e ngutshme që shqiptarët që u shpërngulën p.sh. nga
Mitrovica veriore duhet të kthehen në pronat e tyre.
Vetëm me këtë hap të qëlluar do t´i ndalet turri serbizimit të veriut të Kosovës
dhe viseve të tjera ku banonin para luftës shqiptarët!
Kur i shtohet gjithë kësaj katrahure pas “pavarësisë në mbikëqyrje” edhe kontrolli
i ashpër i EU, që do ta zëvendësojë UNMIK-un, hapur po shihet se autoritetet
“pushtetore” në Prishtinë nuk do të kenë asnjë element shtetësie me rëndësi
ekzekutive në duar.
Kur jemi këtu, kujtojmë se: aty afër Vukovarit që ishte pika e fundit strategjike
u krijuan territore serbe, Vukovari ishte beteja e fundit dhe me ketë u krijua
rripi që duhej të shkëputej nga Kroacia.
Në këtë kohë kur po ndërhyjnë edhe fuqitë e mëdha aleatet e hapura dhe të maskuara
të Serbisë, e cila po përdhelet dhe po shpërblehet si goca e llastuar që ndezë
shtëpinë, nga Evropa, tani edhe me hapjen e negociatave të hapjes së derës në BE,
ende pa i plotësuar kushtet elementare të një shteti që meriton të quhet
demokratik; Serbia pa dyshim po shpreson dhe është e mundshme kjo; jo edhe pa
baza të thella se: sikur dikur nën federatën jugosllave, kur e sundonte Kosovën,
edhe më tutje do ta bëjë këtë sundim të maskuar nën maskat e kontrollit evropian,
pra në emër të EU. Prandaj, me keqardhje të thellë konstatoj se: një pushtet i
tipit të Ali Shukriut, (nën udhëheqjen e titistëve) po përgatitet nga faktorët
ndërkombëtarë të instalohet në Kosovë!
Kjo do jetë fillimi dhe përfundimi tragjik i historisë së re të Kosovës; këto
përpjekje i ka Serbia, këto përpjekje verbërisht po i përkrahë Evropa, që do të na
sundojë me administrimin e firmës, EU. Vallë, a nuk u deklaruan hapur për këtë
projekt strategjik kundër-shqiptar, gjatë një Konference në Prishtinë disa nga
zëdhënësit e projektuesve të kësaj e “pavarësie “ për Kosovën?! A nuk u shprehën
hapur me një skepticizëm të theksuar për ardhmërinë e hidhur të popullit tonë,
edhe disa intelektualë dhe politikanë përparimtarë të Kosovës?!
Zëdhënësit e EU-s, deklaruan: "EU-, do të ketë kompetenca të fuqishme ekzekutive
deri aty sa do të mundet t´i largoj nga pushteti edhe liderët e zgjedhur nga vota
e popullit; nëse ata nuk do t´i respektonin qëndrimet e EU që dalin nga çanta e
dhe pakos së Ahtisarit”.
Tani, me të drejt kujtojmë këtu rastin e Bosnjës, e cila u sundua nga Piter
Eshdauni, i cili kur deshi i rrëzoi apo i ngriti në poste politikanët e
padëgjueshëm apo të dëgjueshëm- pra, servilët e tij. Po, a nuk e bëri këtë shkelje
flagrante mbi demokracinë e mirëfilltë edhe diplomacia botërore “demokratike” kur
organizata palestineze “Hamas”, i fitoi zgjedhjet, por vetëm për faktin se kjo
organizatë çlirimtare nuk bënë kompromise me Izraelin në dëm të Palestinës, bota i
vë sanksione ani pse e zgjedhur nga populli!!!
Tani, shtrojmë pyetjen, pse vallë po shkelet kaq lehtë e drejta e votës nga popujt
liridashës?! Ku mbeti tani drejtësia që po trumbetohet me aq bujë, nga demokracia
moderne?!Nga kjo rezulton fakti se EU, serbët po i përkrahin në atë masë sa
shqiptarët, të mos bëhen dot zot në vendin e vet! Ndërsa, Serbinë, po e përkrahin
në atë masë sa të mos bëhet e madhe dhe e fuqishme sa t´i dëmtoj interesat e tyre;
që të mos mund të lëviz as andaj e as këndej: p.sh të pamundësojnë marrjen nën
kontroll të politikës ruse në Ballkan.
Nga kjo situatë që po zhvillohet sot në dëm të interesave shqiptare, kujtoj me
respekt këtu qëndrimin fort parimor dhe të drejtë të shokut Enver Hoxha, i cili
theksonte: “Popujt e Ballkanit nuk duhet të lejojnë që superfuqitë të përzihen në
punët e tyre të brendshme, por problemet e pazgjidhura t´i zgjidhin vet”! Shikuar
nga optika e drejtësisë po shihet qartë largpamësia e tij prej vigani që me aq
guxim e drejtonte politikën shqiptare!
Duke i parë të gjitha këto zhvillime, kujtoj këtu një fenomen të përditshëm që po
trumbetohet nga politikanët e etur për pushtet në Kosovën pa shtet: pikërisht më
të zëshëm po tregohen anëtarët nga “Grupi i Unitetit” si : Haziri, Thaqi,
Mustafaj, Godo e të tjerë liderë dhe gazetarucë, zëdhënës të mjerë të politikës
ditore; thirrjet e tyre mos dilni rrugë; demonstruesve të pavarësisë së Kosovës ua
kujton me trishtim politikanët titistë si Azem Vllasi me kompani kur çirreshin nga
tribunat e tyre të pista me tradhti: “shkoni në shtëpijat tuaja, Kosova, asgjë
s´po humbë me ndryshimet Kushtetuese”; pastaj thirrjet për dëgjueshmëri qytetare
në Kosovë, janë zëvendësuar me thirrjet e dikurshme të LDK-së, në krye me I.
Rugovën, kur i përsëriste ditëve të xhumave: “keni durim, bota do të na
shpërblejë, ju lutemi mos e provokoni situatën” e të tjera gjepura të një politike
reaksionare të përgjumur dhe të dështuar! Duke e bërë këtë liderët manipulatorë,
jo vetëm po bëhen
qesharakë por po e rrezikojnë çdo ditë seriozisht ardhmërinë e Kosovës. Them
kështu, sepse vet z. Thaqi këto ditë deklaroi: “Pakoja e Ahtisarit mund të mos e
përmend fare pavarësinë, por në thelb brenda asaj pakoje, është pavarësia e
Kosovës!!! Mos qenka kjo mesele “e hollë” drenicake e “pleqnarit”, Thaqi, apo
pavarësia qenka kutia e Pandorës?!
Zotërinj!
Lërini këto “mesele”, që s´janë asgjë tjetër veç zhurma nëpër tym!
Një udhë që shihet kallauz nuk do- thotë populli ynë!
Ju, “Grupi i Unitetit” me politikën tuaj të gabuar të kompromiseve përballë
UNMIK-ut dhe Serbisë e keni sjellë situatën kritike deri këtu!
Ju, z. opozitarë të parlamentit kukull të Kosovës, prej se keni hyrë në aleancë me
të ashtuquajturin K.P.A, e deri sot, Kosova ishte dhe është pa opozitë të vërtetë!
Opozita në Kosovë, dje dhe sot i ka mbrojtur vetëm interesat e veta, partiake hiq
këtu rastin kur PDK-ja, e kundërshtoi në parim Kornizën Kushtetuese; por në fakt
praktikisht e zbatoi atë; pastaj, përballë qeverisë kukull- në duar të UNMIK-ut,
nuk e ngriti zërin fuqishëm në mbrojtje të interesave Kosovës.
Po, në këtë linjë reaksionare ka ecur edhe “Ora” e cila jo rrallë herë me
qëndrimet pro-serbe, të kryetarit të saj, Veton Surroi, në dobi kinse të
minoritetit serb, i ka sjellë dëme të pariparueshme politikës dhe popullit
shqiptar.
Duke i parë zhvillimet e reja: popullit Kosovës i duhet të kthjellohet dhe ta
përkrahë shtresën e dytë , pra shtresën e polit tjetër të politikës shqiptare e
mishëruar me kërkesat e drejta popullore e cila është padyshim shtresa më
përparimtare, që me politikën e saj vërtetë vizionare për një ardhmëri të ndritur,
e cila nuk po pajtohet dot me komplotet e egra pushuese që po i përgatiten Kosovës
dhe viseve të tjera shqiptare. Kjo, shtresë e drejtuar nga udhëheqës të vendosur,
të palodhur dhe të guximshëm, nga udhëheqës që kanë dalë nga lufta, por lufta s´i
frikësoi as i ndaloi dje, as i ndalon sot, për ta realizuar betimin e ushtarëve të
UÇK-së, për lirinë e popullit shqiptar dhe për ribashkimin e tij. Atdhetarë të
devotshëm që i prijnë popullit në ballë si Adem Demaçi, Sejdi Veseli, Albin Kurti,
e të tjerë; trojet shqiptare kishin, kanë dhe do të kenë deri në fitore!
Populli shqiptar duhet ta dëgjon zërin e tyre të arsyes e të trimërisë e jo t´i
dëgjon kukuvajkat serviliste – titiste që po zhurmojnë klithshëm ta mbysin zërin
e së vërtetës të drejtën e popullit tonë për
VETËVENDOSJE, e cila çon drejt fitoreve tona të dëshiruara në shekuj!
Duke dalë në rrugë, për t´i kërkuar me protesta ( por, jo me dhunë) të drejtat
tona, ashtu i shërbejmë lirisë, njëkohësisht do t´i shërbejmë paqes së vërtetë,
sepse nuk do të ketë nevojë, që përsëri të dalin burra me maska dhe armë, në
qytetet dhe në malet tona.
PËRPARA DREJT VETËVENDOSJES, DERI NË VETËVENDOSJE!
Suedi, 7 janar 2007