Fadil Shyti- Mona A.-JO PJESËMARRJE NË ZGJEDHJE TË

16.01.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

Shkruajnë:
                    Fadil Shyti- Mona Agrigoroaiei
 
 
 
 JO PJESËMARRJE NË ZGJEDHJE TË SERBISË VRASTARE, PËR PËRFORCIMIN E
VËLLAZËRIM-BASHKIMIT TITIST!
 
 Analisti përparimtar, Koço Danaj ka drejt kur thotë: “Kur Presheva do të jetë
veriu i Shqipërisë, Ballkani nuk do të jetë fuçi-baruti”!
 
 Me vëmendje e lexuam shkrimin e analistit Koço Danaj, të cilin me shumë nderim
autorin do ta quanim një projektues modern i strategjisë gjithëkombëtare, një
vazhdues i denjë, një intelektual që po ecën në rrugën e ndritur që mëton ta
realizojë ëndrrën shekullore të breznive shqiptare që nga koha e Gjergj
Kastriotit, Rilindjes Kombëtare, periudhës së Pavarësisë, Konferencës së Bujanit,
por edhe betimin e ushtarëve të UÇK-së dhe vazhdimin e këtij betimi deri në
fitore, nga AKSH--ja, për RIBASHKIM KOMBËTAR, për një Shqipëri Natyrore.
 Duke e bërë këtë projekt-strategji aktuale, si një proces gjithsesi të mundshëm
dhe aspak tabu, intelektuali përparimtar, po ecën njëkohësisht rrugës së ndritur
të shumë intelektualëve të tjerë përparimtarë të cilët shumë herët e trasuan këtë
rrugë natyrisht e shtruar jo me dafina por me shumë pengesa - ferra, gjatë
përpjekjes së veprimtarisë së tyre. Kujtojmë këtu, atdhetarin e shquar Abdyl
Frashëri, i cili gjatë stuhive të viteve 1878, në Evropë, trokiti në portat e
Berlinit, që ne sot ta kishim një Shqipëri Natyrore, Ay me devizën politike të
Kastriotit i cili thoshte: “pa Kosovë e pa Çamëri, mos të thotë kush se ka
Shqipëri”, e ka paralajmëruar Evropën Plakë në kohën e Konferencës së Berlinit se:
"Në rast se Fuqitë te Mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të
mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, Gadishulli
Ballkanik nuk do të këtë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë
asnjëherë së luftuari për të përfituar
pavarësinë kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t'u njihen të drejtat
e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktori i paqes dhe do të jetë si një digë
kundër ekspansionizmit carist, i cili rrezikon jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por
edhe kontinentin evropian".
Parashikimi i frashërjotit doli i saktë sepse, tragjedia e ndarjes së trojeve
shqiptare nuk mund të kishte një përfundim ndryshe. Atdhetarë si Luigj Gurakuqi, i
cili kur në vitin famëkeq 1913-ës, kur  u ndanë trojet shqiptare,  Ay do të
shkruante: “Shqipëria, u copëtua nga fuqitë e mëdha, në dobi të shteteve të
Ballkanit, habitem si e mendoi jetën ky popull i ndarë, para se të vdiste”!!! Shoku
i tij i armëve, Hasan Prishtina, politologu i madh i strategjisë së RIBASHKIMIT të
trojeve shqiptare, do të reagonte plot zemërim në parlamentin turk: “unë, do të jem
i pari që do ta rroki flamurin e do të dal në malet e Kosovës, për lirinë  e
popullit tim”! Ky burrë i madh i kombit e dha tërë pasurinë e tij dhe më në fund
edhe jetën, për RIBASHKIMIN  e trojeve shqiptare. Po ashtu,  intelektuali, mësuesi
atdhetar, Avni Rustemi, tërë qenien e tij e kishte vënë në lëvizje për realizimin e
këtij ideali të shenjtë, pikërisht për realizimin e atyre aspiratave madhore u
formua “Komiteti i
Kosovës”, nën udhëheqjen e të cilit luftuan çetat kryengritëse të Kosovës dhe të
viseve të tjera shqiptare. Dihen pastaj përpjekjet titanike të breznive
liridashëse, brezi gjatë Luftës së dytë botërore, Nacional-Çlirimtare dhe pas saj;
në Konferencën e Bujanit, do të ngrihej kjo ide madhore, por kur pas luftës
tradhtia jugosllave u pa se po ngre kokë, atdhetari i madh Shaban Palluzha, luftoi
maleve të Kosovës kundër kësaj tradhtie të ndyrë. Ndërsa,  strategu i luftës
çlirimtare dhe ideologu i RIBASHKIMIT kombëtar , Enver Hoxha, do t´ia thoshte hapur
në Beograd fashistit Tito  më 9946: “Kosova, është e Shqipërisë, ajo duhet t´i
kthehet asaj”! Pastaj, është i njohur qëndrimi shumë i vendosur dhe guximtar nga
atdhetari i madh, Adem Demaçi, i cili në fillim të viteve 50-ta, në gjyqin serb
deklaroi: “jemi për ribashkim me Shqipërinë, nëse këtë se arrijmë me mjete
paqësore, ne do ta bëjmë këtë edhe me luftë”! Po, qëndrimit stoik të ideologut të
këtij ideali, Ukshin Hotit, çfarë
t´i shtohet më tepër veç faktit, çfarë bëri Ay, për atdheun, sipas motos
revolucionare: “Shqipërinë e pa bërë, bëje ose vdis!” Në këtë hulli historike po
ecin  tani me vendosmëri shumë atdhetarë e atdhetare të cilët duan që t´i çojnë
amanetet e të parëve në vend, FBKSH-ja, e cila kohëve të fundit e mbajti me sukses
në Tiranë, Këshillin Organizator të Kuvendit Mbarëshqiptar. Ky Këshill tani po
punon për mbajtjen e Kuvendit Mbarëkombëtar, ku do të parashtrohet me një mal
argumente e drejta e ligjshme e kombit tonë për RIBASHKIM, aty do të paraqitet edhe
strategjia që me vendosmëri do të zbatohet, e cila popullin tonë do ta çojë drejt
realizimit të kësaj ideje madhore.
 I shkruam të gjitha këto për ta njoftuar  konkretisht reaguesin, liderin e
“plotfuqishëm”, Riza Halimin, i cili shkrimin e Koço Danajt e ka quajtur pa të
drejtë shkrim folklorist, i cili na qenka jo i bazuar me argumente. Ne, do t´i
thoshim këtij politikani “largpamës” se do të ishte në nderin e tij, të
distancohej dhe të mos i dëgjonte mësuesit e prapë  pacifistë si Kolë Berishën me
kompani i cili shqiptarët e Kosovës Lindore i sugjeron paturpësisht që të dalin në
zgjedhjet e 21 janarit që do të mbahen në Serbi.
 Zotëri!
 Nëse jeni sinqerisht i interesuar t´i mbroni interesat e elektoratit që ju ka
besuar, nuk duhet t´i kontribuoni pushtetit serb që ato vise shqiptare t´i fus aq
lehtë në xhep, jo vetëm me armët e rënda (siç ia ka arritur përkohësisht), pas
marrëveshjes së Konçulit, por edhe me firmën tënde e cila shqiptarët nga këto
zgjedhje i çon në ferr të kësaj bote, pra, i futë qorrazi nën Serbi, Vetëm njëherë
mendojeni zotëri: pse derdhi aq shumë gjak Ay popull liridashës?! Edhe sa fëmijë
shqiptarë duhen të vriten nga ushtria kriminale e vrastare serbe, që ju të
zgjoheni? A luftoi populli ynë për të qenë i lirë dhe i ribashkuar me trungun e
vet Kosovën -Shqipërinë verilindore, apo luftoi u vra e u persekutua për të mbetur
sërish nën kthetrat e xhelatëve “demokratë” serbë në petkun e bashkim-vëllazërimit
të modernizuar “multietnik”?!
 Mos iu dogj shpirti për të mbetur sërish nën Serbi?!!!
 Jo kurrsesi!...
 A luftoi ky popull për të qenë i lirë dhe i ribashkuar me trungun e vet
Kosovën-Shqipërinë verilindore, apo luftoi u vra e u persekutua për të mbetur
sërish nën kthetrat e xhelatëve “demokratë” serbë?!
 Ne, e kuptojmë dëshirën tuaj naive: ju doni që ta paqësoni rajonin, ju shpresoni
se duke hyrë në zgjedhje do të fitoni “prej borgjlisë së keq, bishtin e sëpatës”;
por ju nuk e kuptoni dot se duke e bërë këtë, nuk do ta fitoni bishtin, por doni
ta humbni edhe sëpatën; apo thënë shkurt do të mbeteni bishti i historisë, por
këtë shpërblim do ta merrni jo vetëm ti por edhe shumë nga ithtarët, apo
përkrahësit “politikë” që na Prishtina, Tirana e më tej...
 Ju, nëse nuk  e keni të dehur nga pushteti kujtesën, mendoni vetëm për një çast:
kjo përpjekje juaja, nuk është hera e parë që populli shqiptar është ftuar me dalë
në zgjedhjet e Serbisë, por, pas daljes në zgjedhje ka fituar kafshata të hidhura,
druajmë që ky popull i shtrënguar nga darët e jetës luftë; ende po u beson fjalëve
e jo veprave; prandaj, verbërisht  po del në zgjedhje, po voton, për këtë apo atë
parti, po voton për këtë apo atë liderë të cilin e beson më shumë; e pastaj po
zhgënjehet si mos më keq! Tani, shtrohet pyetja: çfarë po fiton ky popull i
mashtruar nga këto zgjedhje?! Përgjigjja dihet: po fiton robërinë që pastaj si
dhuratë e kësaj po i vinë rreziqe nga më të ndryshmet dhe krajata jetësore nga më
të këqija si papunësia, mërgimi, shtypja e egër kulturore etj, etj...
 Kujtojmë këtu se edhe kur Kosova gjendej nën një rrethim të egër ushtarak-policor,
pikërisht në vitin 1994, pacifistët rugovistë si Fehmi Agani, Veton Surroi,
Shkëlzen Maliqi e të tjerë të këtij soji, i bënin thirrje popullit të Kosovës të
del në zgjedhjet serbe, që ta rrëzonte me vota të lira demokratike satrapin e
popujve të Ballkanit, S. Millosheviqin, pastaj në Serbi , pushtetin do ta merrte
opozita e drejtuar nga Koshtunica dhe Drazhkoviqi , pastaj për popullin e Kosovës
gjithçka do të shkonte si në vaj ulliri!!!
 Pas luftës, erdhën në pushtet miqtë “demokratë” serbë, tek të cilët shpresonin
pacifistët, por tani po shihet qartë se gjithçka paska qenë  mashtrim apo tradhti
cinike ndaj popullit!
 Prandaj, thënë shkurt e shqip: hiqni dorë nga mashtrimet dhe cinizmat e tradhtive
të tilla!
 Ju duhet ta dini fort mirë një mësim të vjetër nga historia jonë tragjike
shekullore se: me Serbinë, nuk kishte as nuk ka shqiptar as parti që mund të
merret vesh me mjete “demokratike”, gaboheni rëndë duke u përpjekur të hyni së
koti në lëvozhgën e tyre parlamentare.
 Koço Danaj duke bërë ftesë që ne shqiptarët të reflektojmë pozitivisht në favor të
RIBASHKIMIT dhe të mos kënaqemi me ca shpërblime autonomiste të politikës
ditore-djallëzore,  kudo që jetojmë ne shqiptarët në viset tona etnike:
njëkohësisht e ka parashikuar qartë se me shtetet sllave dhe në veçanti me Serbinë
nuk duhen kompromise, kur janë në pyetje fatet e atdheut. Analisti politik fort
mirë ua përkujton referendumin e shqiptarëve të 1 dhe 2 marsit 1992,në ato vise
shqiptare, pra në Shqipërinë Veriore, e cila gjatë luftës çlirimtare e udhëhequr
nga e famshmja UÇPMB, u përgjak nga sllavo-okupatorët, pastaj ra  pre e
marrëveshjeve tepër të reaksionare  nga e nxitur nga vet udhëheqësit pacifistë.
 Ne, e përkrahim pa rezerva të gjitha ato parti , shoqata dhe individë që sot po i
thonë JO, daljes në zgjedhje të një shteti fqinj aspak mik , siç u dëshmua Serbia
në shekuj.
 Kështu duhet të veprojë edhe krahina tjetër e Kosovës , Sanxhaku , i cili përmes
referendumit (1992) , është shpallur Krahinë e republikës së Kosovës. Kjo, është
edhe një shembull i qartë që u bëhet me dije krajlëve të rinj serbë se: me
shqiptarët nuk mund të luani si të doni me aktrimet tuaja politike, pra,
mashtrimet politike t´i ktheni në favorin tuaj...
 Zotëri, Halimi!
 Ju keni bërë alibinë tuaj aspak të bazuar në fakte se: po hyjmë në zgjedhje :
pikërisht në suaza të luftës për ruajtjen e substancës kombëtare!!!
 Jo, z. gaboheni rëndë kur ashtu mendoni!
 Përkundrazi, duke hyrë në zgjedhje me armiqtë shekullorë, ju po e rrezikoni sërish
substancën kombëtare!
 Përvoja e hidhur me ndarjen e pushtetit me të huajt kolonizatorë e ka dëshmuar
këtë fatkeqësi historike katërçipërisht.
 Ti dhe pasuesit tuaj e gjeni alibinë ta mashtroni popullin duke i thënë se:
radikalët serbë dhe socialistët, pra ithtarët e V.Sheshelit dhe të  e
S.Millosheviqit, qenkan kundër pjesëmarrjes së shqiptarëve të asaj pjese të
Shqipërisë në zgjedhjet e 21 janarit 2007.
 Kjo, s´është hiq më pak se një foshnjëri politike, kjo i ngjanë faktit sikur të të
thonë armiqtë, ne nuk ua  japim dot helmin, ndërsa fëmijët e paditur u vërsulen
atyre t´ua t´ia marrin nga dora!...
 Historia çdo ditë po na mëson se sa dinakë janë pushtuesit serbë, ata edhe kur e
fitojnë luftën, ata  gjithnjë paraqiten humbës, ata edhe kur janë xhelatë,
gjithmonë para botës paraqiten viktimë; e bëjnë këtë aktrim politik për të dalë
fitues nga betejat e tyre reaksionare.
 Ne, duhet ta kuptojmë thellësisht që: me Serbinë ende nuk e kemi fituar luftën
kudo që në viset shqiptare, ku ende valon i lirë flamuri i tyre pushtues me
simbolet çetnike, pra as e kemi fituar luftën në veri të Mitrovicës, as e kemi
fituar luftën në Kosovën Lindore. Të mendosh ndryshe s´është hiq më pak se një
mashtrim që po i bëhet çdo ditë popullit. Prandaj, vlerësojmë që dalja në zgjedhje
nga popullsia shqiptare do të ishte prapakthim në historinë tonë të re, do të
ishte dëshmi që ne shqiptarët pavarësisht se Serbia na vret dhe na terrorizon kur
të dojë, ne sërish i kthehemi asaj si viktima tek xhelati...
 Prandaj, më në fund konstatojmë: pavarësisht lajkave të pushtetarëve të
“plotfuqishëm”, populli shqiptar nuk duhet të bie pre e këtyre mashtrimeve
politike të biznesmenëve politikë, të cilët nuk shohin jo vetëm deri në hundë, por
as përtej karrigeve të tyre...
 
 Suedi- Rumani 14 janar 2007