VETËVENDOSJE-Thirrje për demonstratë

15.01.2007 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

Thirrje për demonstratë

Thirrje për demonstratë: -Kosova po hyn në vitin e tetë nën administrimin e sistemit
antidemokratik të UNMIK-ut i cili popullit tonë po ia mohon të drejtën për
vetëvendosje. Jo vetëm që liria po na mohohet, por atdheut po i kanoset copëtimi
nëpërmjet decentralizimit, uzurpimi i historisë e kulturës nëpërmjet
'eksterritorialitetit' si dhe konsolidimi i entitetit serb brenda Kosovës nëpërmjet
rikolonizimit. Këto projekte të dëmshme që po synojnë bosnjëzimin e Kosovës, e të
cilat na e rrezikojnë të ardhmen neve e brezave që vijnë, do të jenë pjesë e pakos
së Ahtisaarit për statusin e Kosovës.
Prandaj, ju bëjmë thirrje të bashkëngjiteni në demonstratën e Lëvizjes
VETËVENDOSJE! kundër UNMIK-ut, Grupit Negociator të Kosovës dhe Serbisë; kundër
negociatave për lirinë tonë – liria është e panegociueshme; kundër decentralizimit
– çfarëdo copëtimi i Kosovës duhet luftuar; kundër 'eksterritorialitetit' e
rikolonizimit – Kosova është atdheu ynë, ajo i takon vetëm popullit të saj.
Demonstrata mbahet përpara Zyreve të OKB-së në Gjenevë më 27 janar dhe fillon në
orën 14:00.