Fatos Aliu-Pranë kthesave të reja në Kosovën Li

18.12.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

[highlight]Pranë kthesave të reja në Kosovën Lindore [/highlight]

Përcaktimi për Autonomi, me Kosovë a Serbi?


Distancimi i deklaruar subjekteve shqiptare të tri komunave të Preshevës,
Medvegjës dhe Bujanocit, nga zgjedhjet parlamentare të Serbisë (PDSH,
shoqata e asociacione tjera të kësaj treve), paraqet veprim të vetëdijshëm
politik dhe kombëtar, veçanërisht në periudhën e tanishme të zhvillimeve
politike rreth statusit të Kosovës.

Besohet se veprimeve të lartëpërmendura do t'i bashkangjitet edhe elektorati
i subjekteve tjera të kësaj treve, duke i unifikuar më në fund qëndrimet në
pajtim me vullnetin e deklaruar të popullit. Subjektet e vetëdijshme
distancohen nga pushtuesi, e jo nga vullneti i popullit, votën e të cilit e
kanë marrë, në kohën e sundimit të ish-Jugosllavisë.

Kjo bashkësi tashmë nuk ekziston. Pse duhet vazhduar me kaq nxitim në Serbi,
sikur nuk paska zgjidhje tjera alternative dhe të natyrshme?! Tani, pas
shpërbërjes së ish RF Jugosllavisë, është koha e rikthimit në gjiun e
vullnetit të deklaruar të popullit për autonomi territoriale me të drejtë
vetëpërcaktimi, për rikonfirmimin e vullnetit se në cilin sistem dhe me kënd
dëshiron të jetojë, në parime të njohura të demokracisë direkte (nga
populli). Një sistem të vetëpërcaktimit e rekomandojnë edhe konventat dhe
aktet ndërkombëtare të Evropës dhe OKB-së.



Për ironi, por jo edhe për rastësi, strukturat e caktuara politike
pro-zgjedhjeve serbe të kësaj treve, me dëshirë e paramendim, duke u shitur
si "diplomatë" dhe "kooperative " me bashkësinë ndërkombëtare (për interesat
e tyre ekskluzive pushtetore e të biznesit), nuk e panë të udhës të bëjnë as
plane, as kushtëzime e kërkesa paralele me serbet e Kosovës!



Pjesëmarrja në zgjedhje në kuadër të Serbisë, është jo vetëm një presedan i
panjohur i përcaktimit dhe njohjes së një shteti të riorganizuar okupues (me
kushtetutë të re), por edhe distancim i kundërnatyrshëm nga entiteti dhe
etniteti përkatës, nga përcaktimi i popullit të kësaj treve për autonomi
territoriale me të drejtë ribashkimi me Kosovë, si pjesë lindore e saj, e
ndarë artificialisht, arbitrarisht dhe dhunshëm nga trungu shqiptar.



Shqiptarët e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me pjesmarrje
në zgjedhje të Serbisë (për Serbi!), do të viheshin në rrezik të madh për të
ardhmen e tyre e të territorit shqiptar. Deklarimi i partive pro-zgjedhjeve
të Serbisë ishte paradoks i marrëzisë dhe lojë e rrezikshmërisë ekstreme për
trojet dhe popullatën shqiptare në të ardhmen. Me këtë, në sy të botës,
Serbisë do t'i hapej dera e zbatimit të politikave dhe praktikave të
njohuara ekspanzioniste, si në Kosovë, Maqedoni e më gjërë.

Prandaj, argatët e këtyre politikave janë ekstremistët e vërtetë të
tradhëtisë që duhet demaskuar e izoluar, e jo shtresën më atdhetare të
sakrificës për çlirimin kombëtar, siç veprohet tinëzisht sipas planeve të
UDB-së, gjithandej ku ata ndodhen, si në vendlindje edhe jashtë saj, në
pamundësi kthimi nga ndjekjet e papushuara nga ana e regjimit të Serbisë.
Këto janë politika të renegatëve mashtrues që me ndihmën e Serbisë
zhvillojnë bashkëpunim e propagandë për ta helmuar popullin me virusin e
pansllavizmit. Sikur nuk ka mjaftuar mësimi/pësimi nga historia e politikave
dhe projekteve antishqiptare nga e kaluara?!

Subjektet e distancuara dhe ato që distancohen nga këto zgjedhje, kanë rast
t'i hapin rrugë një procesi të ri politik-demokratik në këtë trevë, me
nismat e reja, por deri më sot të sabotuara për Kuvend e Këshill Nacional.
Për këtë duhet paraprakisht të frenohen epshet pushtetore e përfitimet
materiale të individëve a grupeve që njollosin vlerat e kombit dhe
identitetit shqiptar.