Sejdi Veseli-DREJTËSIA NDËRKOMBËTARE NË RAPORT ME

12.12.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik


E VJETRA!

Shkruan:Sejdi Veseli

Parimi i drejtësisë që vazhdon të aplikohet nga Bashkësia Ndërkombëtare, ka
mbetur ai vjetëri, "për dike nënë e për dike njerkë!"
Me 28 dhe 29 nëntor 2006 në Kryeqytetin e Letonisë, në Riga, u mbajt
SAMIT-i i radhës i subjektit më të  madh ushtarak të kohës i njohur me emrin
NATO.
Në kuadër të këtij SAMIT-i, përveç tjerash u diskutua edhe për çështjet e
ndjeshme e që kanë të bëjnë me sigurinë  në Evropën Juglindore, me theks të
posaçëm, në Ballkan.
Për koincidencë fillimi i këtij SAMITI përputhej me Festën më madhore
kombëtare të shqiptarëve-Ditën e Flamurit të tyre Kombëtar. Siç dihet, edhe
gjatë kësaj kremteje, shqiptarët ishin të detyruar të ngriheshin në
demonstratë paqësore, për të kundërshtuar pazarllëqet që po ribëhen me të
drejtat e tyre të natyrshme, edhe pse me këtë rast ata u përballën, si dhe
në të kaluarën me gazin lotsjellës, me lëndët paralizuese nervore dhe me
arrestime të bijve dhe bijave të tij besnike. Megjithatë, ata prisnin me
plotë të drejtë, se më në fund nga ky SAMIT i këtij organizmi serioz
ndërkombëtar, do të merrej ndonjë vendim i favorshëm për interesat e tyre të
ligjshme njerëzore dhe kombëtare. Por, për "çudi", përveç refrenit të
njohur, se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet pa u vonuar, nga ky SAMIT
diçka më konkrete në favor të shqiptarëve nuk rrodhi. Mjerisht ndodhi e
kundërta, ndodhi repriza e sjelljes së të "Mëdhenjve" pas përfundimit të
Luftës së Parë Botërore, kur shkaktari saj, Serbia, u shpërblye me trojet
shqiptare.
Ftesa që ju bë Serbisë nga foltorja e këtij SAMIT-i , për t'u futur në
Partneritetin për Paqe, jo vetëm se është një zhvlerësim i skajshëm ndaj
Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, të ngritur nga instancat më të
larta të vendimmarrjes ndërkombëtare, por dhe një mospërfillje e përbuzje
ndaj popullit kroat, boshnjak dhe shqiptar, ndaj të cilëve e ftuara e tyre
për Partneritet për Pare, jo vetëm se kishte ushtruar terror shtetëror në
përmasa të gjenocidit, por që deri më sot, jo vetëm se nuk është
deçetnikizuar e demilitarizuar, por as që e ka parë të arsyeshme, bile sa
për sy dhe faqe t'u kërkoj falje këtyre popujve.
Me këtë akt të instancës më të lartë vendimmarrëse të NATO-s, jo vetëm se u
inkurajua Serbia ( gjë që e festoi me eufori shoviniste) për mosdorëzimin e
kriminelëve të luftës, siç janë të "shumë"kërkuarit Ratko Mladiq dhe Radovan
Karagjiq, por ajo edhe u shpërblye për kasaphanat që ushtroi ndaj popullatës
së pambrojtur civile, në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë!
Arsyetimet e disa "analistëve" (letërnxirrësve të paguar mirë) vendor dhe
ndërkombëtar, se gjoja ky veprim i njëanshëm i atyre që kanë fjalën më me
peshë, jo vetëm në NATO, paska për synim inkurajimin e forcave demokratike
në Serbi, thjeshtë, të ndihmojnë këto forca për të ngadhënjyer në Zgjedhjet
serbe të 21 janarit 2006, janë edhe  një tentim për mashtrimin e shqiptarëve
i gjykuar si shumë pararendës të tij për të përfunduar turpshëm.
Thjeshtë, këto arsyetime nuk janë tjetër pos "përralla me tupan" të
dedikuara për ta mashtruar popullin shqiptar.
Fatmirësisht, shqiptarët kanë filluar të këndellen nga përrallat e
mëhershme, të sajuara nga ky soj i "analistëve" dhe "politikanëve"
shqipfolës, shpirtservil ndaj të huajve. Andaj, mund të nxirret një
përfundim i qëndrueshëm, se këto përralla do të konsumohen vetëm nga ajo
shtresë e cila është mësuar të ushqehet me iluzione, sikur gjelat e detit që
mbahen dhe ruhen për Bajram, Krishtlindje apo për Vitin e Ri, të cilët
gëlltisin topat e brumërave, pa u mërzitur fare se çfarë fshehët në brendinë
e tyre.
Po të kishte në Serbi bile ndonjë parti të vetme politike, vërtetë
demokratike apo të bërë synet nga ultrashovinizmi serbomadh, ky veprim i
njëanshëm i NATO-se do të mund të ushqente shpresën, se në zgjedhjet e 21
janarit 2006 do të fitojë demokracia.
Është e vërtetë, se në Serbi veprojnë disa parti politike para demokratike,
por tani për tani ato janë aq të vockla, sa që do të ishte iluzion i
kulluar, se ato do të mund të  ndryshojnë orientimin e zgjedhësve serbijan,
për të votuar për programet dhe kandidatët e tyre. Aktualisht, më e madhja
prej këtyre partive politike, nuk mund të mbushë bile dy-tre autobus me
anëtarësinë e vetë.
Ndofta, NATO edhe kësaj dite i përmbahet me kokëfortësi vlerësimit të saj të
mëhershëm, se me mënjanimin e Millosheviqit nga pushteti, në Serbi paska
fituar demokracia. Nëse është kështu, atëherë e ka gabim (besoj të
qëllimshëm).
Milloshevqi u mënjanua nga pushteti, si rezultat i luftës klanore ndërmjet
nacional shovinizmit serbijan dhe besoj, se për NATO-n është e qartë kjo e
vërtetë e madhe. Ndërsa, është për t'u besuar se edhe klasifikimi si
demokratë nga NATO i pasuesve të Millosheviqit , siç janë xhinxhiqët,
koshtunicët, tadiqët dhe popat e Kishës Ortodokse Shensaviane, siç është
Peshkopi Artemije, është pasojë e pazarllëqeve ndërmjet aktorëve të mëdhenj
të qarqeve vendimmarrëse të politikës botërore.
Në favor të këtyre pazarllëqeve, mund të radhitet edhe veprimi i fundit i
Monarkut unmikistanez, z. Joachim Rucker, i cili menjëherë pas përfundimit
të SAMIT-t të NATO-s, vizitoi tri komunat e enklavës serbe në veriun e
Kosovës. Po mos të ishin deklaratat e tij proserbe, një vizitë e tillë do të
ishte shumë normale. Por, deklarimet që bëri gjatë kësaj vizite ky zotëri i
edukuar në një vend me demokraci të zhvilluar evroperendimore, e barazojnë
me ata, të cilët janë edukuar nën mbikëqyrjen e babait të ultra-shovinizmit
serbomadh, Dobrica Qosiqit. Ai u deklaroj udhëheqësve të kësaj enklave
serbijane, se kompetencat e komunave të tyre serbe do të jenë shumë më të
mëdha se të atyre të drejtuara nga shqiptarët. Edhe pse nuk e tha
publikisht, nga deklarimet e këtij zotëriu mund të nënkuptohet, se kjo
enklavë serbijane, edhe nga unmikistanezët konsiderohet si një "Rrepublika
Serpska", brenda territorit të Kosovës.
Edhe nga kjo sjellje e fundit e NATO-s, nuk mund të nxirret përfundim
tjetër, pos se Drejtësia ndërkombëtare në raport me të drejta e shqiptarëve,
ka mbetur ajo e vjetra!
Si pasoj e kësaj sjellje të papërgjegjshme edhe e NATO-s, Serbia, kjo e
përkëdhelur e disa qarqeve ndërkombëtare me peshë, jo vetëm se e mbanë nën
pushtimin e egër dhe në gjendje shtetrrethimi të pa shpallur Luginën e
Preshevës, por ajo as që është duke dhënë as shenjen më të vogël, se është e
gatshme të pranoj realitetin e krijuar në Kosovën Unmikistan, pas luftës të
armatosur çlirimtare, të cilën u detyruan ta bëjnë shqiptarët për t'u
çliruar nga barbaritë e saj prej pushtuesi.
Sot, qarqe me peshë të Bashkësisë Ndërkombëtare, të dëshmuara
tradicionalisht prosllave, njëra pas tjetrës dalin me plane e do farë
standardesh të hartuara në përputhje dhe në bashkëpunim me Beogradin, të
cilave duhet t'u përmbahen vetëm shqiptarët, gjoja për të zgjedhur çështjen
e Kosovës, si njëri prej problemeve më të mprehta të Ballkanit.
Duke u bazuar në sjelljet e derisotme të Bashkësisë Ndërkombëtare, imponohet
konstatimi, se barazimin e viktimës (shqiptarve) me dhunuesin(ish pushtuesit
serbo-sllav), në shumicën e këtyre projekteve është synim parësor, për të
përjashtuar më vonë kërkesën e shqiptarëve për konsumuar të drejtën e tyre
legjitime për të vetëvendosur për të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
Në bazë të disa shenjave nga terreni, mund të nxirret edhe ky përfundim
shumë i qëndrueshëm, se të gjitha këto plane antishqiptare do të përfundojnë
turpshëm. Përpjekjet e kota për t'i jetësuar këto plane, kanë ndihmuar në
zgjimin e popullit shqiptar nga hipnoza e tiradave mashtruese, sidomos të
atyre që u sajuan e emetuan nga disa qarqe ndërkombëtare dhe që përsëriten  
edhe sot nga papagajtë e tyre vendor.
Shqiptarët kanë filluar përpjekjet e tyre serioze për t'i ringjeshur radhët,
të vendosur për të sakrifikuar çfarë është e domosdoshme, për një qëllim
madhor dhe të ligjshëm: zgjidhjen e drejt dhe përfundimtare të çështjes së
tyre kombëtare, duke ndërtuar një shtet të ribashkuar shqiptar sipas
standardeve më të avancuara të demokracisë, në të cilin do të garantoheshin
të drejtat e natyrshme edhe për minoritetet. Ata po binden përfundimisht, se
vetëm kur ta marrin fatin e tyre në duart e veta, mund ta nderojnë në sytë e
botës, ashtu si i ka hije vendin dhe kombin e tyre.
Zgjedhje tjetër nuk ju ka mbetur!


Prishtinë, me 11 dhjetor 2006