Faik Smajli-KOSOVA SOT!
Faik Smajli
- Sot në Kosovë, të vrasësh një njeri dhe të jesh vetëm pak i zhdërvjelltë shpëton pa therrë në këmbë dhe ke mundësi të fshihesh e t'i kamuflosh gjurmët dhe të vazhdosh të jesh i lirë sikur nuk ke bërë asgjë! Poashtu, edhe të dhunosh, të plaçkitësh, të kidnaposh dikend, të vjedhësh në pikë të ditës, të merresh me kontrabandë të lloj-llojshme, të duhet vetëm ndonjë çorapë e edhe pak (jo shumë) kujdes dhe ti ke mbaruar punë, ja ke arritë qëllimit pa therrë në këmbë! Mjafton të jesh pak më i shpejtë se breshka. Kaq!
Se për delikte tjera më të vogla as të mos flasim, ato nuk hyjnë në asnjë kod shtetëror apo shoqëror në Kosovë. Me këto delikte tjera duhesh të merresh vetë , është puna jote, problemi yt se si gjindesh e si merresh me to.
Po u bë e ta dha zoti që të pështjellesh apo të pështjellësh politikë, atëherë ke bërë namin, e jo pak, atëherë fërkoj duart se të ka ra shi në kallamboq, veç kuptohet, në qoftë se ke arritë ta kesh ndonjë post, dihet pastaj, sa më i lartë posti aq më i madh të bëhet kallamboqi. Të vinë burime të ndryshme financimi që as vetë nuk e merr me mend apo nuk din mirë se nga të vinë. Mjafton ta kesh një post që të jesh pjesë e saj pastaj të tjerat vijnë vet. Edhe të jesh body-guard i tyre është sukses i madh, nuk është hiq keq. Është pak punë me rrezik por, eiiiih, ia vlenë. Nuk ke nevojë të kesh ndonjë kualifikim adekuat për këtë punë, mjafton të jesh i madh me trup edhe pak i mrrolur që me ta shti frikën kur ta shikosh ( politikanët duhet ruajtur nga populli apo jo)! Pra, vetëm të jesh me ata të lartit në pushtet dhe përfitimet mund të jenë ah sa të mira. Më së keqi është të jesh popull , edhe ate , në qoftë se nuk ke ndonjë anëtar të familjes në pushtet apo së paku ndonjë mik të familjes. Por më e keqja e të këqijave është të jesh i urtë, i shkolluar dhe i ndershëm. Po të jesh i tillë do të thotë se do të mbetesh fukara, e të jesh fukara do të thotë je i parëndësishëm, je kurkushi dhe nuk të mjaftojnë cilësitë tjera që mund t'i kesh sado të larta qofshin ato. Cilësitë nuk vijnë në shprehje, nuk janë sot në modë!
Sot në Kosovë gjithçka lejohet më shumë se kudo tjetër dhe është bërë normale jo normaliteti absurd. Ky absurditet nuk po i pengon shumë apo fare ata të lartit. Gjyqësia me policinë servile, në këto raste janë të dështuara dhe vetëm heshtin! Vetëm një gjë është e palejueshme e që gjyqësia me policinë e shumë të tjerë bëhen vigjilent, zgjohen si grejzit : TË KËRKOSH VETËVENDOSJE , DHE TË KËRKOSH LLOGARINË E VOTES TËNDE! Kjo është e palejueshme ...dhe larg qoftë, po gjuajte ngjyrë apo ndonjë guri edhe pa qëllim apo edhe nga revolta, kjo është e patolerueshme, është " krim", sepse i then jo vetëm gjamat e objekteve, por edhe subjektet me politiken e tyre si gjamat e brisht, e kjo dihet se është e "keqe"! Pastaj policia të ndjekë, vjen ta përmbysë shtëpinë, të kërcënon, të gjen ku je e ku s'je.
Mos harroni or ju të rebeluar! Me ujë, me zjarrë dhe me hyqymet nuk luhet, thoshin pleqtë në kohën e Ali Bungut! Edhe tash, nuk ka shaka me UNMIK-un e me Qeverinë. Është shtet ligjor ky, që nuk lejon dhe nuk i shpëton asgjë pa u ndëshkuar ( kur bëhet kundër tyre).
Qeveria ka rregull ore, ani pse Kosova s´ka kushtetutë!? Pastaj kanë edhe të "drejtë"! Ata po punojnë ditë e natë për “të mirën tuaj”, “nuk i zë as gjumi” që t'ua sjellin gjithë të mirat, ( mbase nuk po i shohim mirë sepse po na ndalet shpesh elektriku - as pë këtë nuk është faji i tyre apo jo), të gjitha ato për të cilat keni nevojë ndërsa ju, ua gjuani shtëpitë me ngjyrë. Ata po ju gjuajnë me bukë ndërsa ju me gurë! Ah sa i keq ky popull, është djalli vetë! Po i përbuzin gjithë këto të mira që ua kanë sjellë ata të lartit me aq mund e djersë. Ju duhet të jeni të "kënaqur" me gjithë këto të arritura që janë bërë. Kosova po "lulëzon" në të gjitha anët, në çdo segment të jetës janë arritur "suksese të mëdha" si në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në kulturë, sport etj.
Pastaj jeni të lirë plotësisht, mund të qarkulloni lirshëm kudo nëpër Kosovë përveç nëpër disa enklava serbe, por ju nuk keni nevojë të kaloni andejpari, ju mund të lëvizni lirshëm në pjesët tjera, Kosova është e madhe!. E si do të duket Kosova nesër e dinë ata të lartit, ju nuk keni nevojë ta dini këtë gjë. Ju vetëm duhet të keni besim dhe mos t'i pengoni në këtë punë . Ata nuk kanë nevojë të ju pyesin ju, i dinë të gjitha për bukuri dhe për ketë të jeni të bindur. Kosovën do ta bëjnë shtet ( veç është mbetë të merren vesh me ndërkombëtarët, me kompromis, se cilat elemente nuk duhet t'i takojnë këtij shteti), sepse ata duan që Kosova të ketë status special që s'e ka kush në botë, status që shkëlqen! Po a ka më lezet se, edhe kushtetutën do të na e bëjnë ndërkombëtaret e me siguri edhe simbolet shtetërore. Me "siguri" edhe në këtë rast do të ju pyesin!
Pa më thuani , a ju kanë gënjyer ndonjëherë deri më sot? " JO"!
E pra, e shihni! E shihni që nuk keni të drejtë t'u bini më kot në qafë!
S'ka kuptim! Ju lutem...!
Ata gjithmonë ju kanë pyetur, gjithmonë kanë qenë të preokupuar deri në maksimum për mirëqenien tuaj. Gjithmonë kanë qenë në shërbimin tuaj, dhe këtë shërbim e kanë kryer me përgjegjësinë më të madhe ani pse kanë hequr keq, kurrë s'janë ankuar! Ata prap do të ju pyesin edhe në të ardhmen e sidomos kur të vijë koha e votave(në qoftë se do ta presin atë ditë), mos keni dert se nuk ju harrojnë. Edhe po të shtyhen zgjedhjet e reja për muaj me radhë prap se prap nuk kanë ku të shkojnë, do të vijë ajo ditë gjithsesi. Përrallat i kanë gati për ato pak ditë të fushatave, do të ju lënë gojëhapur me përrallat e bukura. Dhe ju "mos i pyesni" se çka kanë bërë deri tani për ju. Të shkuara E të harruara. Nuk duhet shikuar mbrapa, por veç përpara, apo jo! Dhe posa të mbarojë dita e votimeve, ata do të ju lënë të qetë, nuk do të ju shqetësojnë më, bile as që do t'u bie më ndërmend për ju, i kanë punët e tyre, do të jenë shumë të zënë.
Pastaj, të gjitha ato pasuri që i kanë bërë, nuk i kanë bërë në kurrizin tuaj, "JO", ruana zot! I kanë bërë vet, "me djersë" e me punë që veç ata dinë të ju tregojnë se sa kanë hequr!
Prandaj, "nuk keni të drejtë" t'i akuzoni për asgjë e aq më pak t'ua gjuani institucionet me ngjyre, ani me ngjyrë të kuqe!? Po të ishte e bardhë ajo ngjyrë prap e ka pasë një derë, por ngjyrë e kuqe...! Edhe që ta dini ju , ato institucione nuk janë tuajat, janë të UNMIK-ut, të Qeverisë, të Grupit të Unitetit...! Ku keni të drejtë ju t'i gjuani institucionet e të tjerëve me ngjyrë. Të gjithë e pranojnë se edhe frustrimet janë veti njerëzore dhe gjithmonë vijnë në shprehje kur mllefi grumbullohet e zien përbrenda dhe në një moment të caktuar shpërthen, lirohet dhe përplaset diku. Kur shuhen pakënaqësitë, shuhet mllefi. Ah ky mllefi (që po gjendet me bollëk), po na e grinë shpirtin dhe sado që po mundohemi, nuk po i kuptojmë ata që po na thonë se nuk ka arsye për mllefe, se qenkan shumë të dëmshme për Kosovën. Dhe e thonë njerëzit që nuk kanë arsye të jenë të pakënaqur, e thonë njerëzit që janë të kënaqur! Nuk thonë kot: "I pasuri nuk ia beson të varfrit", as, "I liri robit".
A thua pakënaqësitë po u blekan në treg? Sigurisht se po, pasi që kurrsesi "nuk gjenden" në UNMIK,Qeveri dhe rreth tyre! Urdhëri ka dalë nga lartë që të gjitha këto tregje ilegale të pakënaqësive, të mbyllen dhe të gjithë ata që merren me këtë punë, të ndëshkohen. Dikush paska shkuar edhe më larg duke kërcënuar seriozisht ekzistencën e padronëve të plotfuqishëm. Nuk dihet se kush, por hetimet vazhdojnë. As kjo nuk "është trillim", kurrsesi! Dhe shihni se ku i ka vajtur mendja pleqnarit të sotëm të Kosovës:
Politika nuk do të ishte politikë në qoftë se nuk do t'i ndërlikonte problemet e thjeshta sipas qejfit të vet! Problemi i Kosovës është shumë i thjeshtë dhe do të mund të zgjidhej brenda ditës; Të mbahej një Referendum ku populli do të deklarohej se çka dëshiron, dhe për këtë do të mjaftonin vetëm disa orë. Nuk do të kishim nevojë më për ngjyra, për gurë e veprime tjera. Kaq!
Këto disa orë, po na i bëjnë vite e vite të tëra dhe kushedi edhe çka do të detyrohemi të ndërmarrim që ta zgjidhim këtë problem "shumë të ndërlikuar"!
Paradoks apo jo!!!
"Populli pa shtet jeton gjithë kohën në gjendje lufte", thotë Tomas Hobs. Ndërsa Gëte thotë: "Kush dëshiron të mbrojë të pavërtetën ka arsye të veprojë i qetë dhe me sjellje "njerëzore", por kush e di se e vërteta është në anën e tij, duhet të veprojë ashpër, pa miklime".
Londër, 9 Dhjetor 2006