Xhevat Bislimi-Kritikë për shefin e OSBE-së në Kos

11.12.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

[highlight]Kritikë për shefin e OSBE-së në Kosovë, zotin Verner Vnent[/highlight]

Xhevat Bislimi

Gjuha shqipe dhe shqiptarët edhe sot janë të diskriminuar në Kosovë zoti Vnent
Askush në Kosovë nuk besoj të jetë i habitur me kritikat që OSBE-ja i bënë në adresë të popullit shqiptar në Kosovë, ose "komunitetit shumicë", sic thotë zoti Verner Vnent. Nuk ishte nevoja që UNMIK-u dhe OSBE-ja të qëndronin shtatë vite në Kosovë për t’i kuptuar qëllimet e "misionit" të tyre… Sipas të gjitha gjasave largimi tepër i vonuar i UNMIK-ut do të bëhet së shpejti, por OSBE-ja dhe misioni evropian, që po përgatitet të vijë pas statusit në Kosovë, sic deklaroi z. Henri Magofnen (drejtor i degës për të drejtat e njeriut në OSBE), vec tjerash, do t’ua mësojnë edhe serbishten shqiptarëve!!
Mediat e shkruara dhe ato elektronike në Kosovë bënë të ditur se zoti Verner Vnent, shef i OSBE-së në Kosovë, është i pakënaqur me përdorimin e gjuhës serbe nga komunat "kosovare"! Të paktën në shtyp dhe në mediat elektronike nuk lexova as dëgjova që zoti Verner Vnent të ketë kritikuar pakicën serbe pse nuk përdor dhe as respekton gjuhën e atyre që përbëjnë shumicën absolute në Kosovë! Në asnjë shkollë, ambulancë, komunë a institucion tjetër publik, të "kontrolluar" (me ndihmën e UNMIK-ut dhe të OSBE-së) nga pakica serbe, nuk ka asnjë shkronjë a mbishkrim në gjuhën shqipe!! Me sa duket zoti Vnent njeh vetëm serbishten!!
Përpjekjet e OSBE-së, të UNMIK-ut dhe të disa qarqeve të tjera ndërkombëtare për të ruajtur me cdo kusht statusin e të priveligjuarit për pakicën serbe, nga njëra anë, dhe diskriminimin e shumicës absolute, nga ana tjetër, nuk janë shenja të mira për ruajtjen e paqesë, të sigurisë dhe demokracisë në Kosovë. Qëllimet, tashmë të tejdukshme, të UNMIK-ut dhe të OSBE-së për ta barazuar popullin shqiptar, që përbënë shumicën absolute (90 %) të qytetarëve të Kosovës me pakicat janë tepër të dëmshme dhe me rreziqe të mëdha. Kosova, zoti Vnent, historikisht ka qenë tokë shqiptare, pjesë e pandashme e Shqipërisë Natyrale. Shtrirja e saj ka qenë thellë në territorin që sot është nën juridiksionin e Serbisë. Shumë krahina, fshatra e qytete, që shkonin deri në Nish u spastruan me zjarr e hekur dhe u serbizuan. Beogradi, zoti Vnent, nuk ishte qytet serb deri në vitin 1806, kur u pushtua nga forcat serbe. As kishat ordodokse, që sot ju i quani serbe dhe i rrethoni me "zona speciale" nuk ishin serbe, zoti Vnent. Lufta Antipushtuese Clirimtare e UCK-së, që ju e quani "konflikt", u bë pikërisht pse në Kosovë, nëpërmjet Serbisë, ligjin e bënte pakica serbe, e cila ishte vënë tërësisht në shërbim (sic është edhe sot) të politikave të Beogradit, që synonte shfarosjen totale të shqiptarëve autokton! Pra, Kosova (kjo që ka mbetur) nuk ishte kurrë tokë serbe, por e pushtuar nga Serbia.
Asnjë shqiptar në Kosovë dhe as jashtë saj nuk ia mohon të drejtat pakicës serbe. Madje do t’i jepte më shumë se në cdo vend tjetër të botës. Por, zoti Vnent, asnjë shqiptar në Kosovë dhe as jashtë saj, nuk do të pranonte diskriminimin, injorimin, shkeljen dhe përbuzjen e kombit, gjuhës, trashëgimisë kulturore dhe historike, etj., të tij për "llogari" të Serbisë. Nuk ka shqiptar, që është shqiptar, që do të pranonte krijimin e territoreve serbe në Kosovë (sic po bëhen përpjekje nëpërmjet "decentralizimit"), kontrollin e Serbisë mbi territore të Kosovës, etj., në emër të të drejtave të pakicës serbe. Gjuha serbe, zoti Vnent, mund të përdoret nga pakica serbe pa asnjë kufizim në vendbanimet e tyre, por të përpiqesh t’ia imponosh gjuhën serbe shumicës absolute shqiptare do të thotë të vazhdosh me programet dhe politikat shoviniste të Serbisë, të cilat quanë në luftë. Ta mësoj pakica gjuhën e shumicës është krejt normale dhe në interes të vetë pakicës, por ta shtrish gjuhën e një pakice (5%) në tërë territorin e Kosovës dhe ta bëshë gjuhë zyrtare është punë me zarar, zoti Vnent. Punë që s’mundi ta bënte Serbia për një shekull. Prandaj, lërini më një anë eksiperimentet, zoti Vnent dhe zbatoni, të paktën, praktikat dhe normat e vendeve më të përparuara dhe më demokratike…
Pa shikojeni zoti Vnent, cfarë të drejtash kanë shqiptarët, që jetojnë në tokat e tyre në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në Mal të Zi e Greqi dhe sa mund t’i mbrojë dhe ndihmojë ata shteti shqiptar? Në sytë e juaj dhe të të gjithëve edhe sot në këto troje shqiptare po vazhdon spastrimi "paqësor" etnik. Apo nuk janë njerëz edhe ata? Pa shikoni, zotëri i nderuar, cilat janë të drejtat e shqiptarëve në "Maqedoni", megjithëse janë autokton dhe përbëjnë mbi 30 % të qytetarëve të atij vendi, që e bëtë shtet në tokat shqiptare?
Njiheni dhe respektojeni gjuhën më të vjetër në Evropë dhe botë, zoti Vnent… Mos harroni, zoti Vnent, se edhe fjala ADAM shpjegohet vetëm në gjuhën shqipe me fjalët, ATË dhe ËMË… Më shumë respekt për këtë gjuhë, më shumë përkushtim për liritë dhe të drejtat e popujve të pushtuar, të shtypur dhe viktimizuar gjatë shekujve…
Xhevat Bislimi-deputet në Kuvendin e Kosovës