Xhevat Bislimi -Rusia dhe roli i saj në Ballkan

11.12.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

[highlight]Rusia dhe roli i saj në Ballkan-[/highlight]

Rusia pjesë e problemeve
 
Xhevat Bislimi  

Mosmarrëveshjet, përplasjet dhe konfliktet midis popujve dhe shteteve në anë të ndryshme të rruzullit tokësor, sot përbëjnë kërcënim serioz për paqen, mirëkuptimin dhe stabilitetin në botë. Kërcënim dhe rrezik të përhershëm për paqen dhe sigurinë globale paraqet prodhimi dhe përhapja në rritje e armëve bërthamore. Shqetësim dhe kërcënim tjetër real për njeriun e shekullit XXI është bërë edhe terrorizmi, që ka marrë hov dhe përmasa të panjohura më parë. Shkaqet e kësaj gjendjeje kërcënuese për paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale duhet kërkuar te dallimet e mëdha në zhvillimin ekonomik e teknologjik, te shpërndarja dhe shfrytëzimi i pasurive, te shtypja dhe mohimi i lirive dhe të drejtave njerëzore, kombëtare, qytetare e demokratike të popujve apo pjesëve të këtyre popujve, grupeve të ndryshme shoqërore, politike, kulturore, fetare, etj. Kjo gjendje është pasojë edhe e padrejtësive të mëdha historike. Janë të shumtë faktorët dhe aktorët që ndërlikojnë dhe tensionojnë marrëdhëniet ekonomike, tregtare, financiare dhe politike midis Fuqive të Mëdha, anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit, por edhe midis fuqive të tjera që nuk janë anëtare me të drejtë vetoje në këtë Këshill (Gjermania, Japonia, India, etj.)
  Njëri prej rajoneve të trazuara dhe me një cështje të madhe të pazgjidhur, që kërcënon paqen dhe sigurinë evropiane, është edhe Ballkani. Copëtimi i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar në vitin 1878 dhe në vitin 1913 e ka shndërruar rajonin në fuqi baroti. Rol të dorës së parë në copëtimin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar ka luajtur Rusia. Lufta e fundit Antipushtuese Clirimtare e UCK-së dhe angazhimi i NATO-s në këtë Luftë e vërtetojnë më së miri shkallën e ndjeshmërisë dhe të rrezikshmërisë së kësaj cështjeje që kërkon zgjidhje të ngutshme. Këshilli i Sigurimit, Grupi i Kontaktit dhe të gjitha vendet që aspirojnë paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale duhet të japin ndihmesën e tyre për zgjidhjen e cështjes shqiptare në Ballkan. Hallka kryesore e kësaj cështjeje sot është Kosova. Rusia është njëra prej pesë fuqive botërore që kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ky vend ka ndikim dhe gëzon autoritet të vecantë në Serbi, e cila, me politikat e saj shoviniste dhe ekspansioniste ishte dhe mbeti shkaktarja kryesore e luftërave dhe gjakderdhjeve në Ballkan.
  Gjatë shek. XIX dhe në fillim të shek. XX Rusia ishte prodhuesja dhe shpërndarsja kryesore e ideve pansllaviste, ishte nëna e këtyre ideve. Përkrahja dhe ndihma e saj ishin vendimtare në krijimin e Serbisë, Greqisë dhe të Malit të Zi. Ndihma që u dha Rusia këtyre popujve për t’u cliruar nga Turqia ishte e drejtë dhe e kuptueshme. Ajo që nuk ishte e drejtë dhe që ishte e rrezikshme për paqen dhe sigurinë e rajonit ishte përkrahja dhe ndihma e drepërdrejtë ushtarake, politike, diplomatike dhe ekonomike, që Rusia u dha këtyre vendeve për pushtimin e tokave shqiptare dhe për spastrimin etnik të shumë krahinave të Shqipërisë së asaj kohe. Përpjekjet dhe luftërat e shqiptarëve për clirimin e këtyre tokave nuk rreshtën asnjëherë. Por, ata që kishin zaptuar tokat e tyre ishin shumëherë më të fuqishëm dhe përkraheshin nga miqtë e tyre të mëdhenj si Rusia, Franca, etj. Rusia cariste kishte nën sundimin e saj popuj dhe territore të shumta. Edhe Bashkimi Sovjetik, megjithëse në parim njihte të drejtën e popujve për vetëvendosje, mbeti një “perandori” e përbërë nga popujt dhe tokat e trashëguara nga perandoria e Carit! Rusia me politikat e saj ekonomike, ushtarake e strategjike në Ballkan dhe në shumë rajone të botës u bë pjesë e pandashme e problemeve në këto rajone. Nyje e interesave të saj në Ballkan ishte Serbia, e cila gëzonte mbështetje të parezervë në shtypjen, përndjekjen dhe spastrimin etnik të shqiptarëve dhe të tokave të tyre. Mirëpo, fundi i shek. XX ishte edhe fundi i “perandorisë” ruse…
Rusia pjesë e zgjidhjes së problemeve  
“Katastrofa më e madhe e shek. XX, sipas Kryetari rus, Vladimir Putin, ishte shpërbërja (shembja) e Bashkimit Sovjetik”. Kjo deklaratë e Putinit dëshmon më së miri nostalgjinë ruse për kohët kur Rusia ishte “perandori”, superfuqi botërore dhe pjesë e problemeve globale. Megjithatë, Bashkimi Sovjetik, i shtrënguar nga kriza e gjithanshme ekonomike dhe nga tendencat tashmë të pakontrolluara të popujve për shkëputje nga kjo “perandori”, nisi të bëhej pjesë e zgjidhjes së problemeve. Pa dëshirën e saj, Rusia pranoi të drejtën e Gjermanisë për t’u ribashkuar. Shembja e murit të Berlinit hapi një faqe të re në marrëdhëniet ndërkombëtare. Blloku i vendeve të Paktit të Varshavës nuk ekzistonte më. Rusia ua “njohu” të drejtën për vetëvendosje (shkëputje) një varg republikash të dikurshme sovjetike. Kjo ishte fitore e madhe e popujve të pushtuar apo të bashkuar me forcë me Rusinë (BRSS). Bashkëpunimi i Rusisë me superfuqinë e vetme botërore, SHBA-në, për zgjidhjen e krizave të ndryshme në botë duket se po merr udhë. Rusia si e zënë në faj dhe me shumë kujdes po bashkëpunon me SHBA-në dhe antaret e tjera të Grupit të Kontaktit edhe për zgjidhjen e problemeve ballkanike, vecmas për zgjidhjen e cështjes shqiptare. Pranimi i saj në Organizatën Botërore të Tregtisë ishte edhe një lëshim tjetër që SHBA-ja i bëri Rusisë për ta patur partnere në zgjidhjen dhe administrimin e shumë krizave në botë. Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i Rusisë me SHBA-në dhe vendet e demokracive perëndimore është interes afatgjat i saj dhe është edhe në interes të shtensionimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Rusia, duke bashkëpunuar, sidomos me SHBA-në, mund të ndihmojë shumë edhe në zgjidhjen e problemeve dhe mosmarrëveshjeve në Ballkan. Ndihma e saj është vendimtare për nxjerrjen e Serbisë nga ideologjitë obskurantiste dhe politikat nacionaliste, shoviniste e luftënxitëse. Rusia duhet ta ndihmoj Serbinë që të kuptojë se njohja dhe respektimi i të drejtës së shhqiptarëve për të jetuar të lirë dhe të pavarur nga fqinjët e tyre është interes edhe i Serbisë. Rusia duhet ta ndihmojë Serbinë që ajo të kuptojë se kombi shqiptar në Ballkan nuk është më ai i para pesëdhjetë a njëqindë vjetësh. Shqiptarët sot janë faktor dhe aktor i pakapërcyeshëm për rikonfigurimin e Ballkanit dhe për ruajtjen e paqesë, sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Heqja dorë e shteteve të Ballkanit nga tokat shqiptare dhe kthimi i tyre Shqipërisë, është rruga që garanton paqe, siguri dhe stabilitet afatgjat në rajon e më gjerë. Përpjekjet dhe angazhimi i këtyre vendeve për t’i mbajtur me forcë dhe dhunë, me gjenocid dhe holokaust trojet shqiptare, sic ndodhi në luftën e fundit shqiptaro-serbe për Kosovën, cojnë pashmangshëm në konflikte dhe luftra të reja, të cilat mund t’i kushtojnë shumë edhe popullit shqiptar, por nga këto luftra, që nuk i dëshirojnë shqiptarët, Serbia do të dal edhe më e humbur se në luftën e fundit. Në këtë cështje, Rusia, mund të bëhet pjesë e zgjidhjes së problemeve. Koha kur Rusia ishte pjesë e problemeve duhet të shpallet e përfunduar. Ky është interes shtetëror dhe kombëtar edhe i vetë Rusisë, e cila, ka ende nevojë të ndihmohet nga SHBA-ja për t’i kthyer krahët kohës së konfrontimeve dhe konflikteve. Kërcënimet e Rusisë për përdorimin e vetos në Këshillin e Sigurimit për cështjen e Kosovës janë taktika dhe politika tashmë të vjetruara dhe kundërproduktive. Procesi për zgjidhjen dhe përmbylljen e cështjes shqiptare me një Shqipëri Natyrale mund të pengohet, por nuk mund të ndalet. Prandaj, Kosova dhe kombi shqiptar i bëjnë thirrje Rusisë që të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-në dhe me demokracitë perëndimore edhe për zgjidhjen e drejtë të cështjes së Kosovës, e cila duhet të shkëputet edhe “de jure” nga Serbia, dhe të cështjes shqiptare në Ballkan si kusht sine qua non për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë. Presim, me të drejtë, që në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit, Rusia të jetë përkrah SHBA-së dhe aleatëve të saj për cështjen e Kosovës. Kjo do të ishte ndihma më e madhe e Rusisë edhe për miken e saj Serbinë, kjo do të ishte edhe shkëputje përfundimtare e Rusisë nga koha kur ajo ishte pjesë e problemeve në Ballkan.
                                                                                          Xhevat Bislimi