Baton Haxhiu-Pështymja e Rugovës

11.12.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

Pështymja e Rugovës

Për hir të një historie dhe një jetese të përbashkët, ndoshta, delegatët e Kuvendit të LDK-së kanë mundur të mos e bëjnë vetëm një
gjë. Të mos e pështyjnë liderin e tyre historik dhe LDK-në. Të gjitha
tjerat kanë qenë të pritura, sepse Miti ka vdekur.

Baton Haxhiu

Një foto, e ngritur përballë të gjithë delegatëve dhe
mbi kokën e grupit udhëheqës të Kuvendit të LDK-së,
ishte pështyrë qindra herë ditën e nëntë dhjetorit. Ajo
ishte fotoja e liderit dhe krijuesit të LDK-së, Ibrahim
Rugova. Ishte pështyrë çdo e bërë e tij për shtatëmbëdhjetë vite.

Frazat hipokrite të thëna dhe të ngritura lartë gjatë
diskutimeve të përçarta, ishin padyshim, modeli i
përkryer i të rrënuarit të gjithë asaj që ishte ndërtuar
për vite.

Po të isha anëtar i LDK-së apo edhe delegat i saj do
të thosha dhe mendoja ndryshe. Do të thosha: Duhet
ta urresh shumë LDK-në. Duhet ta humbësh kujtesën
se si është rritur ajo lëvizje. Duhet ta përçmosh figurën e Rugovës si prijës të saj. Duhet të jesh edhe i paditur për historinë e lëvizjes të kësaj partie. Duhet të
jesh politikisht injorant, ose i manipuluar, që të kesh
aftësi të shkatërrosh diçka të ndërtuar nga një popull
me një histori krejt të veçantë.

Do të thosha: Delegatët e Kuvendit të LDK-së ishin
përshtypja e keqe, ishin pasqyra e një LDK-je që kishte
akumuluar për vite injorancën, jo-qëndrueshmërinë
politike dhe parapolitikën si formë të menaxhimit.

Do të thosha: Delegatët e kësaj partie në Kuvendin
e saj treguan se edukata akademike, aq shumë e përfolur për vite me mburrje, u shkri për vetëm një ditë.
Por çka është më kryesorja, ata njerëz që folën për Rugovën dhe për LDK-në, hiq këtu Sabri Hamitin, nuk kishin kuptuar asgjë nga e kaluara dhe nga ideja LDKiste. E kishin shndërruar një parti në pre të grabitjeve, ndarjes së interesave, eliminimeve dhe në një frymë
që e shndërroi atë në mentalitet të një konjukture ilegale që së pari e poshtëroi e pastaj ia shoi namin e saj për vetëm një orë.

Por nga kjo pozitë, e njohësit të asaj që është zhvilluar për vite brenda kësaj lëvizjeje, për çka kam dhënë kontribut edhe personalisht do të shkruaj diçka tjetër.

E gjithë kjo atmosferë e krijuar në muajt e fundit
tregoi një dyshim të qëndrueshëm prej kohësh se LDK-
ja ishte shndërruar në një parti me funksionim dualist: Një vizual televiziv, kisha me thënë e me kollare
akademikësh, si dhe një e nëntokës që diktonte jetën
politike dhe dinamikën e procesit. Një pjesë e saj pa
dashje ose qëllimisht kishte hyrë në dosjet e krijuara
dhe vazhdimisht ishte shantazhuar, siç zakonisht
ndodh në Ballkan, nga parapolitika dhe nga ideja e
ndërtimit të konceptit në mes tradhtarëve dhe patriotëve. Viktimat diheshin.

Nëse të gjithë kanë qenë në dijeni se brenda LDK

së, për shkak të rrethanave historike, ka pas jugosllavizëm, parapolitikë, të dyshimtë, të infiltruar, intelektualë, bujq, konjuktura të shërbimeve sekrete, që më
shumë kanë hutuar se treguar të vërtetën dhe rrugën
që duhet, janë elemente të mjaftueshme për të shpjeguar pse ka ndodhur ajo që ndodhi dje në Kuvendin
e LDK-së.

E gjithë ajo infrastrukturë ka qenë e menaxhuar nga
një njeri. Ibrahim Rugova. Jo pse ka ditur ta bëjë në
mënyrë mjeshtërore, por për faktin se të gjithë kanë
gjetur të ai një kulm për mbështetje. Këtë, Ibrahim
Rugova, e kishte arritur duke i thyer rregullat
demokratike brenda LDK-së, duke i futur të gjithë në
poste partiake dhe duke ua ngopur gushat secilës
shtresë të LDK-së.

Prandaj ajo LDK-ja që ka qenë dikur s'ka më kuptim. S'ka më kuptim pa njeriun që iu ka dhënë strehë
të gjithëve. S'ka kuptim pa Ibrahim Rugovën. Sepse
kjo që ka ndodhur dje nuk është më LDK. Nuk është
as hija e saj. Përveç një fotografie që shëmbëllente një
lider dhe një parti të udhëhequr prej tij.

Historia e kësaj lëvizje ka përfunduar me vdekjen e
njeriut që i ka strehuar të gjithë në një vend: Edhe intelektualët, edhe akademikët, edhe bujqit, edhe kriminelët, edhe hajnat, edhe vrasësit, edhe të korruptuarit dhe korruptuesit. Edhe njerëzit që kanë luajtur lojën e shërbimeve edhe ata që kanë kryer ndonjë vrasje rrugës. Edhe tradhtarëve edhe patriotëve. Edhe ata që kanë qenë e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e
kësaj partie.

Kjo LDK nuk ka mundur ta vazhdoi rrugën kështu.
Nuk ka mundur të jetë strehë e të gjithëve. Nuk mund
të jetë strehë e një fjalori vizionar, të qëndrueshëm
dhe të saktë, intelektual si Sabri Hamitit dhe të injorantëve që s'kuptojnë asgjë nga ideja politike. Nuk
mund të jenë bashkë ata që zhvatin nga LDK-ja dhe
ata që prodhojnë politikë në LDK.

Koha ka qenë për të reflektuar. LDK-ja e Ibrahim
Rugovës ka vdekur. Është vetëm në sirtarë ose pjesë
e Historisë. Prandaj është dashtë të pastrohet LDK-ja.

Fatmir Sejdiu, kryetari i tashëm i LDK-së, deshi të
bëjë pastrimin e LDK-së me listë. Por ai kishte mungesë
talenti dhe liderizmi për këtë. Atij i ka munguar sen-
si për të pastruar partinë. Për dijeni të atyre që e njohin pak këtë parti, LDK-ja nuk pastrohet me krijim të
listave dhe eliminimeve, sepse duhet të shkelen rëndë
procedurat demokratike. Por, pastrimi bëhet me
prokurori dhe ligj. Ndryshe, ndodh ajo që u pa në skenë
të hapur. Kaos dhe rrahje si pasojë e mungesës së mi-
tit Rugova. Sejdiu nuk ishte as hija e tij. Thjesht s'ishte
lider. Për fund edhe kjo duhet thënë: Për hir të një historie dhe një jetese të përbashkët, ndoshta, delegatët
e Kuvendit të LDK-së kanë mundur të mos e bëjnë
vetëm një gjë. Të mos e pështyjnë liderin e tyre historik dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Të gjitha
tjerat kanë qenë të pritura, sepse Miti ka vdekur.