KUVENDI I LDKsë-FUND I TMERRSHEM
FUND I TMERRSHEM APO TMERR PA FUND
Tregues real i situatës në LDK nuk ka qenë përqafimi i Dacit me Sejdiun, por grushtet dhe karriget që
delegatët ia kanë përplasur njëri-tjetrit në kokë
Berat Buzhala
Një ditë pas skenave të dhunshme në partinë më të madhe në
vend, flitej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Flitej sikur bëhet fjalë
për një rast të izoluar që nuk ka
kurrfarë ndikimi. Ky konstatim
mund të jetë i saktë vetëm nëse
problemi thjeshtësohet deri në atë
shkallë sa të shikohet në mënyrë
eksplicite vetëm kush shqepi
grushte në kuvend e kush jo. Në
këtë rast mund të konstatohet me
siguri të plotë se as Nexhat Daci e
as Fatmir Sejdiu nuk janë të përfshirë direkt në dhunë. Por,
gjithashtu mund të konstatohet
se si kurrë më parë janë armiqë
suar me njëri-tjetrin 190 delegatë
që e përkrahin presidentin Sejdiu
dhe 160 të tjerë që e përkrahin
Nexhat Dacin. Situatën e tensionuar në këtë parti nuk e ka
ndërruar as përqafimi i këtyre dy
burrave pas shpalljes së rezultatit.
Më të sinqertë kanë qenë grushtet
që delegatët ia kanë dhënë njëritjetrit sesa përqafimi i Dacit me
Sejdiun. Në fund të fundit dhuna
në Kuvendin e Përgjithshëm duket
që është vetëm një shprehje e nervozes së akumuluar për muaj të
tërë. Dozën e padurueshmërisë
që kishin delegatët ndaj njëritjetrit nuk mund ta amortizonin
ca përqafime kurtuazie. Por tash,
pas asaj që pamë të shtunën
mbrëma, në këtë parti është
vështirë të pritet një pajtim. Hendeku është thelluar aq shumë sa
vështirë që mund të riparohet
ditëve në vijim, nëse krijimi i hendekut dhe pastrimi i partisë nga
persona të papërshtatshëm nuk
ka qenë vetë qëllimi i këtij kuvendi. Por, kushdo që ka menduar
kështu, ka gabuar në kalkulime.
Votat e delegatëve e kanë treguar
një gjendje pak më ndryshe nga
ç'është menduar. Duket se është
krijuar aso situate që partia nuk
mund të pastrohet nga disa njerëz
të "papërgjegjshëm", sepse ata
janë aq shumë sa përpara që ta
braktisin partinë e tyre, do të parapëlqenin ta ndanin atë. Dallimi
për 30 vota në 350 delegatë nuk
lë shumë hapësirë për të menduar në një reformim nga brenda
të partisë më të madhe në Kosovë.
Sikur rezultati të ishte shumë më
bindës në favor të Sejdiut, gjërat
do të përthjeshtësoheshin tej
mase. Rebelët do të izoloheshin,
kurse LDK-ja do të ecte përpara.
Kjo punë do të kryhej në mënyrë
shumë elegante dhe pa ndonjë
tension. Mirëpo, fraksioni që e
mbështet Nexhat Dacin si duket
edhe vetë është befasuar me numrin e madh të delegatëve që e
mbështetën ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Për këtë arsye
dhe me plot të drejtë, ata kërkonin
një përfaqësim më proporcional
në Këshillin e Përgjithshëm të partisë. Të fitosh mbi 40 për qind të
votave të delegatëve dhe të marrësh më pak se 10 për qind të ulëseve në Këshillin Drejtues të partisë është politikisht e papranueshme. Por, këto lista për
Këshillin Drejtues të partisë vërehej ashiqare që ishin përgatitur
para se të mbahej Kuvendi i
Përgjithshëm. Askush nga kampi
i kryetarit të sapozgjedhur të LDKsë nuk e kishte pritur një rezultat
final të atillë çfarë erdhi. Lista e
përfaqësuesve për Këshill Drejtues
ishte përgatitur duke u nisur nga
supozimet që Sejdiu do t'i fitojë
mbi 200 vota të delegatëve, kurse
Daci do të sillet në rreth 100 vota
të fituara. Një rrjedhojë e tillë do
të sillte një kahe krejt tjetër të
punimeve. Një rezultat i tillë do
të dekurajonte edhe krahun më
militant të Nexhat Dacit për të
shkaktuar probleme. Shihet qartazi që në Kuvendin e
Përgjithshëm të LDK-së ka dështuar skenari i menduar më herët
që Fatmir Sejdiu do të fitojë dy-
fishin e votave të Nexhat Dacit dhe
në këtë mënyrë me pincetë do t'i
eliminonte një nga një eksponentët më radikalë të kundërshtarit
të tij pa e pasur asnjë problem. Në
këtë mënyrë, Sejdiu dhe përcjellësit e tij do të mund të fillonin një
reformim të partisë, duke ua kthyer shpinën atyre anëtarëve që tash
më nuk i duhen LDK-së, edhe pse
për një kohë të gjatë të njëjtit persona janë konsideruar si shumë
të afërt me presidentin e ndjerë
Ibrahim Rugova.
Thënë troç, për pjesën
akademike të LDK-së, hiç këtu
Nexhat Dacin, është përçmuese
që t'i kenë afër vetës aktivistë si
Gani Geci apo Adem Salihaj.
Kampi i Fatmir Sejdiut tashmë
janë të bindur se luftë më nuk do
të ketë në Kosovë dhe kështu nuk
do t'ua kenë nevojën familjeve
kryeneçe, si ajo e shtatë vëllezërve
Geci nga Llausha, që në kohë
shumë të vështira e kanë ruajtur
dinjitetin e LDK-së edhe në komuna tmerrësisht të papërshtatshme, si bie fjala Skenderaj apo
Drenas. Kanë kaluar kohërat kur
familja Geci është dashur ta marrë në mbrojtje presidentin Rugova në kohën kur aktivistë të tjerë
të kësaj partie e kanë fshehur lojalitetin e tyre dhe e kanë shpallur presidentin Rugova të vdekur
politikisht. Tash kur Rugova është
i vdekur edhe politikisht e edhe
fizikisht supozohet se eksponentëve radikalë u ka skaduar afati
dhe se LDK-ja nuk ka më nevojë
për mbrojtje, qoftë edhe fizike,
karshi partive tjera.
Këto janë disa probleme të
brendshme të partisë më të madhe në vend, por të cilat probleme
pashmangshëm përcaktojnë
rrjedhën e zhvillimeve të gjithëmbarshme politike në Kosovë. Ato
tash do të reflektohen edhe në Kuvendin e Kosovës e sidomos në
qëndrueshmërinë e koalicionit
qeverisës. Është krejtësisht i pasaktë konstatimi se devijimet e ndodhura në LDK nuk e dëmtojnë koalicionin LDK - AAK, që rrezikon ta
humbasë shumicën parlamentare
nëse krahu i Dacit vendos ta minojë koalicionin në ndonjë
votëbesim potencial. Ky koalicion
mbahet gjallë nga votat e 68 deputetëve LDK + AAK dhe disa parti të vogla. Rreziku bëhet edhe më
i madh për koalicionin, bazuar në
tretmanin që i është bërë shefit të
grupit parlamentar të LDK-së,
Alush Gashit. Në këtë mënyrë
është rritur numri i deputetëve që
do të kenë disponim armiqësor
për koalicionin. Përpos Nexhat
Dacit, tash pritet që radhëve t'i
shtohet edhe Alush Gashi, ministrja, gjithashtu e lënë pas dore,
Melihate Tërmkolli, Lulzim Zeneli,
Fadil Geci dhe Besa Gaxherri. Në
një votim të fshehtë, sipas të gjitha
gjasave, kundër koalicionit do të
votonte edhe deputeti i Partisë
Demokristiane, Zef Morina. Pra,
pa u futur në konspiracion më të
thellë, së paku gjashtë ose shtatë
deputetë kanë disponim armiqësor për koalicionin. Përndryshe,
tash nuk dihet se si do të votonin
edhe dy deputetë që vijnë nga partia e ministrit të përjashtuar, Sllavisha Petkovic, e as ndonjë deputet
i hidhëruar nga radhët e AAK-së..
Kur kihen parasysh gjitha këto
zhvillime, i vetmi person që do të
mund t'i gëzohej gjendjes së
mjerueshme të koalicionit qeveritar është Hashim Thaçi. Kreatorët
e koalicionit nuk do të bënin keq
sikur të mendonin pak më shumë
për gjendjen ku janë futur, para
se të shprehin optimizmin e tyre
për situatë stabile. Fjalët e mira
dhe optimizmi janë gjëra pozitive,
por në praktikë nuk kanë ndonjë
efekt të veçantë.
Së fundi rezulton se nga Kuvendi ka pas një logjikë tjetër që lidhet shumë me atë thënjen e njohur: Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr i pafund. Duke shpresuar se në këtë mënyrë po krijohet një LDK e fortë. Por gjasat janë që nga ideja e një LDK-je të fortë të krijohen dy tjera.