Xhevat Bislimi -O me partnerët e donatorët, o me l
U mendova pak për të gjetur një shprehje në anglisht, frengjisht a gjermanisht për titull të këtij kundërreagimi, por hoqa dorë. Thash me vete: “Ne nuk po merremi vesh shqip e jo më në gjuhë të huaj”. Megjithëse në shënjestër të shkrimit tim nuk ishin KMLDNJ-ja dhe Behxhet Shala, sot, te “Epoka e Re”, lexova një “përgjigjje” të zotit Shala ndaj komentit tim: “Vandalizuesit akuzojnë Vetëvendosjen”. Me thënë të drejtën më erdhi mirë që autori ka marrë mundin të përgjigjet dhe të jap ndihmesën e tij në këtë “debat” me interes të veçantë për liritë dhe të drejtatë e shqiptarëve (edhe këta janë njerëz), për partitë tona politike, për institucionet, për demokracinë te ne, për demonstratën, etj., etj.. Janë këto tema që duan trajtim të gjithanshëm nga njerëzit e penës, nga institucionet, nga partitë, nga mediat, etj. Por, këto janë çështje për të cilat edhe duhet të luftohet me të gjitha mjetet dhe format që i njihen dhe lejohen një populli të copëtuar dhe të privuar nga të drejtat dhe liritë e tij të garantuara edhe me konventat ndërkombëtare. Kush si?, Kush ku? Kush kur? Kush me çka? Kush me kë? Kush… janë pyetje në të cilat përgjigjet secili në mënyrën e tij dhe me “takatin” e tij, zoti Behxhet. Qenësore është që secilit t’i njihet e drejta (meqë merresh me të drejtat…) dhe detyrimi për t’u përpjekur, për të luftuar dhe qëndruar për liritë dhe të drejtat e vendit dhe të popullit të tij.
Unë, i dashur Behxhet, kërkoj falje që nuk të kam njohur kur e ke bërë deklaratën (vlerësimin) tënd për demonstratën, por nuk është faji im. Me kasketën dhe syzet që kishe vënë ishte vërtetë e vështirë me të njoft. Në përgjigjen tuaj ju jeni pajtuar me të gjitha ato që kam shkruar në komentin tim dhe keni bërë një (ri)paraqitje të veprimtarisë dhe qëndrimeve të KMLDNJ-së. Mbase pa dashur ju jeni treguar i sinqertë edhe kur keni zbuluar arsyen ose shkakun që ju “detyroi” të jepnit me vrap vlerësimin (kualifikimin) tuaj për demonstratën dhe të tregoni se sa të “pavarur” jeni. “Jemi krejtësisht të pavarur, shkruani ju në përgjigjen tuaj ndaj shkrimit tim, andaj prej datës 17-18 mars 2004 jemi në shënjestër që të pengohemi me çdo mjet. Fushatën kundër KMLDNJ-së e patën filluar Grupi ndërkombëtar i krizave, zyra në Prishtinë dhe OSBE-ja duke u sugjeruar partnerëve dhe donatorëve që të mos e mbështesin financiarisht KMLDNJ-në për shkak të qëndrimeve të kësaj oeganizate për ngjarjet e marsit 2004, e më pastaj për arsye se KMLDNJ-ja e ka kundërshtuar në mënyrë kategorike decentralizimin…” Unë, zoti Behxhet, e kuptoj hallin tuaj, e kuptoj se ju rrezikoni t’i humbni paratë që merrni nga partnerët dhe donatorët tuaj, sepse jeni në “shënjestër”… Besoni se të njëjtin hall e kanë edhe shoqatat tjera dhe mediat që mbijetojnë me këto para të shkreta të partnerëve dhe donatorëve të tyre. Këtë hall ka edhe ndonjë politikan dhe funksionar institucional, ndonjë deputet, etj., që kanë marrë “koparin” (janë kapur). Prandaj, populli ynë i urtë thotë: “Buka e botës laku i kokës”. Por, halli më i madh, zoti Behxhet, është se në shënjestër janë vënë të drejtat dhe liritë e popullit tonë, toka e tij. Megjithatë, kam besim se KMLDNJ-ja do të qëndrojë e patundur në anën e kërkesave, lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, sepse nuk mund të ketë liri dhe të drejta të njeriut për pakicat në Kosovë, duke mohuar, shtypur dhe nëpërkëmbur të drejtat dhe liritë e shqiptarëve. “Pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës, tha edhe Atisari, nuk do të ketë paqe në rajon dhe Evropë”.
Në përgjigjen e tij, Zoti Shala, ka ngritur një çështje me shumë interes, që kërkon shpjegim. Kësaj radhe do të përpiqem të them diçka shkarazi, sepse çështja që ka ngritur zoti Shala kërkon faqe të tëra të shkruara, mbase edhe libra e debate të shumta dhe nuk shterrohet. “Përcaktohuni, më urdhëron Behxhet Shala: Ose mbroni shqiptarët si PDK-ja, Kuvendi i Kosovës, Grupi negociator, ose dilni kundër interesave të Kosovës si Albin Kurti dhe “Vetëvendosja”! Përndryshe, sipas tij, do të jem “biseksual politik dhe institucional”! Unë zoti Shala nuk do t’ia lejoj vetes të të quaj “monoseksual”, “biseksual” (deledash), “heteroseksual” a “kozmoseksual”, sepse nuk jam seksolog dhe nuk më shkojnë për “lale” kualifikime të këtilla të ulta. Më kritikon edhe pse jam në PDK, etj. Po, zoti Shala jam në PDK dhe jam kundër bisedimeve me Serbinë, kundër “decentralizimit” dhe kundër të gjitha koncesioneve që i bëhen Serbisë (jo pakicës serbe) në kurriz të tokave shqiptare dhe në kurriz të lirive dhe të drejtave të kombit shqiptar. Ky qëndrim nuk është medial, por e kam thënë dhe mbrojtur në të gjitha organet e Partisë dhe në Kuvendin e Kosovës. Jam “detyruar” që këtë qëndrim ta them dhe mbroj edhe në media, edhe me protesta dhe nuk ndjehem absolutisht keq dhe as qyqar. Në programin e PDK-së, zoti Shala, thuhet shprehimisht: “PDK-ja angazhohet për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës nëpërmjet të drejtës për vetëvendosjes…” “Për PDK –në, dialogu dhe konfrontimi demokratik i ideve do të jenë si mjete parësore për të realizuar emancipimin dhe vazhdimin e procesit të pavarësimit të Kosovës . PDK është ngushtësisht e lidhur me lirinë e mendimit, laicitetit të shtetit dhe të shkollës…”
Prandaj, jam aty dhe angazhohem për jetësimin e këtij programi minimalist si një hap i rëndësishëm për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare dhe, vetëm pas kësaj, për integrimin e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Natyrale në Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim politik dhe kombëtar jam i gatshëm, me “takatin” tim të bashkëpunoj me cilëndo parti, organizim politik, lëvizje, shoqëri a individ atdhetar. PDK-ja nuk ka mbajtur mbledhje dhe as nuk ka marrë qëndrim “kundër” ose “për” demostratën e 28 Nëntorit. Deklarata është bërë në emër të kësaj Partie, si deklarata e jote në emër të KMLDNJ-së! Jam në Kuvendin e Kosovës, zoti Shala, dhe nuk ndjehem aspak keq dhe as qyqar, sepse po përpiqem me këto mundësit dhe dituritë e mija të paraqesë dhe përfaqësojë interesat dhe vullnetin e popullit që i takoj, për çka edhe jam aty, për çka edhe kemi kërkuar votën e bashkëkombasve tanë. Por, unë nuk jam as supermeni që rrotullon Kosovën me një gisht dhe as magjistari që bënë mrekullira. Le të largohen nga partitë, institucionet, mediat dhe shoqatat, ata që nuk e përfaqësojnë ose ata që tradhtojnë vullnetin e këtij populli, ata që përfaqësojnë vullnetin e qarqeve antishqiptare, ata që vranë liritë dhe të drejtat e popullit shqiptar, duke bashkëpunuar për shumë vite e dekada me pushtuesin dhe miqtë e tij, ata që u pasuruan në kurriz të lirisë së këtij populli… Le të bëhet lustrifikimi i politikës, i mediave dhe institucioneve tjera publike, siç bëhet në vendet që dalin nga pushtimi apo nga regjime totalitare,,, Sipas kësaj logjikës tënde zoti Shala, shqiptarët do të duheshin të ishin diku në kozmos e jo në vendin e tyre, sepse vendi i tyre ishte pothuaj se gjithmonë i pushtuar. Sipas teje unë dhe ti dhe as shqiptarët e tjerë nuk do të duhej të shkolloheshim në shkollat që ishin ngritur nga pushtuesit jugosllav! Nuk do të duhej ta kundërshtonim pushtuesin, sepse etërit ose vëllezërit tanë punonin dhe merrnin rroga në institucionet apo ndërmarrjet e kontrolluara dhe sunduara nga pushtuesit! Qesharake! Me këtë logjik të mbrapsht dhe me këtë koncept të dëmshëm u dorëzuan shkollat, fabrikat dhe ndërmarrjet e sektorët tjerë në Kosovë në vitin 1990-1991 pa bërë asnjë qëndresë! Duhej bërë e kundërta zoti Behxhet. Duhej mbrojtur çdo vend i punës dhe çdo institucion publik. Për këtë kam shkruar edhe atëherë. Me këtë logjikë, zoti Behxhet, Franca nuk do të bëhej kurrë republikë, sepse të gjithë ata që u angazhuan për përmbysjen e monarkisë ishin pjesë e asaj monarkie dhe e atyre institucioneve, madje edhe në parlament, ku u bë lufta kryesore politike për përmbysjen e monarkisë dhe vendosjen e republikës. Njësoj ka ndodhur pothuaj se në çdo vend dhe në çdo kohë. Po të ecej me logjikën dhe konceptin tëndë nuk do të kishte kurrë ndryshime dhe përparime… Të qenit në një parti, në një institucion, në një besim fetar, në një shoqëri, etj., nuk ma heq të drejtën të ndjehem, të jem, të mendoj, të sillem dhe të veproj si shqiptar! Jo vetëm kaq. Secili shqiptar, kudo që të jetë, e ka këtë të drejtë dhe detyrim ndaj Atdheut dhe popullit të tij. Ne të gjithë bashkë kemi detyrim qytetar, demokratik e kombëtar që të përpiqemi, të punojmë dhe t’i bashkërendojmë mendimet dhe veprimet tona me qëllim që institucionet tona politike, kulturore, arsimore, fetare, mediatike, etj. t’i vëmë dhe shfrytzojmë në interes të vendit dhe popullit, siç bëhet në vendet normale. Me sa duket ky është koncepti juaj edhe për protestën dhe demonstratën: “Të dilet në rrugë me lule dhe me qirinj në dorë, të mbyllet dhuna në një arkivol dhe të varroset ose t’u bihet kusijave dhe tenxhereve”! “Hyqymeti, thuhej dikur në odat tona nga dashamirët e tij, edhe nëse bëhet magar mos i hip”. Jo zoti Behxhet. Hyqymeti të mos bëhet magar se i hipin dhe e ladrojnë deri sa të lodhet… Kjo është logjika e disa mediave dhe politikanëve që institucionet, partitë, shoqatat dhe mbarë Kosovën e duan vetëm për vete dhe e kuptojnë dhe trajtojnë si çiflikun e tyre! Ka media që derdhin lotë krokoldili për shpenzimin e tridhjetë mijë eurove për xhamat e thyer, por “harrojnë” se “bosët” e tyre (grupi negociator) ka shpenzuar vetëm për 24 orë, 52 mijë euro në emër të telefonit dhe faksit! Të mos flasim për milionat që ka shpenzuar ky Grup, duke negociuar kundër Kosovës, për qindra miliona që ka zhvatur dhe zhvat klasa politike dhe institucionale, duke i vjedhur dhe stërvjedhur fondet publike, taksën e qytetarit!
Prandaj, them se po gabohesh zoti Shala. Populli i Kosovës i ka votuar këto parti dhe institucione për ta bërë Kosovën shtet (të paktën) dhe ka të drejtë të jetë i pakënaqur me politikat dhe punën e tyre. Ka të drejtë edhe t’i gjuaj me gurë dhe t’i nxjerr prej aty duke i tërhequr zvarr, nëse nuk përfaqësojnë vullnetin e tij. Mos prite ti dhe bashkëmendimtarët e tu që për dështimet e tyre dhe për politikat e tyre të turpshme të marrin lule dhe përqafime nga shqiptarët! Pakënaqësinë e popullit nuk e ka shpikur as prodhuar Albin Kurti dhe “Vetëvendosja”. Ajo është prodhim “Made in Grupi negociator” dhe “made in “elita” politike e Kosovës së këtyre shtatë viteve”. Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar punën e këtij Grupi dhe do të doja shumë të mos e miratojë kurrë. Kjo nuk do të thotë se e ka bërë punën e tij (për derisa nuk e shkarkon këtë Grup dhe për derisa nuk i shpallë të pavlefshme “marrëveshjet” e tij me Serbinë), sepse edhe Kuvendi, edhe partitë edhe institucionet tjera janë uzurpuar dhe “kapur” nga ky Grup, që ka përkrahjen e fuqishme të atyre qarqeve që kërkojnë dhe duan zgjidhje të pranueshme edhe për Serbinë!
Kësaj here, me të drejtë, shqiptarët nuk do t’i mbajnë inat Serbisë, që po kërkon Kosovën tonë, por klasës së tij politike dhe institucionale, që nuk po i del zot dhe që e ka nxjerr në treg. Një ditë të bukur vere shkuam me një shokë të shohim Debulldehun. Kur pa bukuritë e atij vendi, miku im u kthye kah unë dhe më tha: “Hëngërt m… ai shqiptar që i hidhrohet Serbisë që po kërkon tokat tona, por edhe nënën ia bëfsha atij shqiptari që nuk e mbron këtë vend”. Kështu pra i nderuar Behxhet, mund të përfundojmë se mund të jesh ku të duash dhe me kë të duash dhe të bësh diçka për Kosovën, për Shqipërinë Natyrale. Vetëm ata që kanë marrë “kaparin” nuk mund ta ngrenë kokën…
Me kaq e quaj të mbyllur polemikën me ty zoti Behxhet. Do të doja të japin ndihmesën e tyre edhe pena dhe personalitete të tjera për sqarimin dhe ndriqimin e këtyre çështjeve me interes kombëtar, politik e shoqëror…
Xhevat Bislimi