Festat e Nëntorit u shënuan edhe në Francë

30.11.2006 · Labinot Bislimi(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

Festat e Nëntorit u shënuan edhe në Francë

Në rrethinën e Lyonit të Francës jetojnë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të ardhur nga viset e ndryshme të Shqipërisë. Që nga viti 1991 ata janë të organizuar në Shoqërinë Shqiptare FAN NOLI që në vitin 2002 e ndërroi emrin në ILIRIA, emër ky që e mban edhe sot kjo Shoqëri.

Me organizimin e Shoqërisë Shqiptare ILIRIA dhe në bashkëpunim me Shoqërinë FËMIJËT SHQIPTARË, bashkatdhetarët tanë shënuan Festat e Nëntorit edhe në Lyon të Francës.

Duke qenë një ndër festat që është shënuar rregullisht nga viti 1991, edhe këtë vit bashkatdhetarë të shumtë ia mësynë sallës festive për t’iu bashkuar grupit të bashkatdhetarëve që në Francë shënonin Festat Kombëtare Shqiptare – Festat e Nëntorit.

Mbrëmja festive u hap me himnin e flamurit për të pasuar me fjalën përshëndetëse të Kryetares së Shoqërisë Shqiptare ILIRIA, Mr. Rina Cela, drejtuar anëtarëve të shoqërisë dhe bashkatdhetarëve të ardhur në mbrëmjen festive. Në vazhdim para të pranishmëve foli edhe kryetari i Shoqërisë FËMIJËT SHQIPTARE, Dr. Xhemail Xhemaili.

Për rëndësinë historike të ngjarjeve të Nëntorit dhe Festave që shënoheshin foli veprimtari Abaz Pllana. Urimi i tij që nëntorin e ardhshëm shqiptarët ta presin të lirë, të pavarur dhe të bashkuar në një shtet u përcoll me duartrokitje të mëdha nga salla, gjë që aprovon edhe njëherë se populli shqiptar kudo që është do të punojë e do të sakrifikojë edhe më tutje deri në realizimin e kësaj kërkese të natyrshme dhe të drejtë.

Para të pranishmëve foli edhe Adem Grabovci, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së si dhe anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Një ngjyrë akoma më shqiptare kësaj mbrëmje i dhanë fëmijët shqiptarë me recitimet e tyre kushtuar atdheut, Flamurit, Adem Jasharit dhe UCK-së.

Deri vonë kënga dhe vallja shqiptare kalonte përtej mureve të sallës për të shpërndarë tinguj festivë edhe në lagjen përreth ku ishta pika festive e Nëntorit shqiptar.

Lyon 28 nëntor 2006                                             Labinot Bislimi