Qosja: Kadare njëri prej robëruesve të Shqipërisë

21.11.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Intervista

Akademiku Rexhep Qosja i është kthyer edhe njëherë polemikës me shkrimtarin Ismail Kadare. Në një intervistë të dhënë në Prishtinë për emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, profesor Qosja shpjegon edhe njëherë raportin me Kadarenë. Përse deklarohet ateist dhe përse mendon se polemika ka patur edhe anë pozitive. Sipas Qoses, Kadare duhet të ndjehet përgjegjës për pozitën e tij gjatë regjimit komunist, pra për regjimin që robëroi shqiptarët. “Kadare është një robërues”, deklaron bindshëm Qosja. Më poshtë po shkëpusim një pjesë nga intervista.
(...)
Keqardhje për raportin me Kadarenë?
Sigurisht që më vjen keq, por unë mendoj se janë një varg çështjesh që duhen të shpjegohen këtu: Ka një dallim më esencial, intelektual mes meje dhe Ismail Kadaresë, dhe këtë duhet ta them shkoqur. Unë kam proklamuar në jetën time intelektuale mendimin e R. Rolanit: Të mendosh ndershëm dhe vetëm ndershëm, qoftë edhe kundër të gjithëve, sepse ashtu mendon për të gjithë. Unë e kam proklamuar si parim timin jetësor mendimin e Zhan Pol Sartrit: Në qoftë se duhet të bëjmë diçka, të shpëtojmë kuptimin e njeriut, atëherë njeriut duhet t’i dhurojmë të drejtën, që në çdo situate t’i thotë “jo” çdo gjëje që nuk është e vërtetë. Unë i them “jo” çdo gjëje që nuk është e vërtetë dhe nuk është e drejtë. Ky nuk është parim i kolegut tim, Ismail Kadare. Fatkeqësisht, Ismail Kadare ka dëshmuar në vazhdimësi mjerisht, se i ndërron qëndrimet, i ndërron pikëpamjet, i ndërron konceptet, i ndërron pozicionet intelektuale. I ndërroi brenda dy ditësh në Prishtinë. I ndërroi ato që ka thënë me vite në Evropë, që ka thënë në Shqipëri, i ndërroi kur erdhi në Prishtinë .
Pse ndryshoi qëndrim Kadare?
Mos heq dorë tani kur e sheh se reaksioni i opinionit është i madh? Mos heq dore tani kur e sheh se në qëndrimet botërore një qëndrim i tillë po shihet i dëmshëm dhe i rrezikshëm për botën? Nuk i duhet botës trajtimi i pabarabartë i dinjiteteve fetare, racore dhe njerëzore. Botës i duhet trajtimi i barabartë. Çfarë është humanizmi? Nuk është humanizëm përpjekja të krijojmë një njeri të përsosur. Humanizëm është trajtimi i tjetrit si i barabartë me veten, ky është humanizmi. Kolegu im nuk e dëshmon humanizmin, kolegu im i ndërron qëndrimet përditë. Është kjo cilësi? Është kjo konjukturë? Kjo do hetuar, do shpjeguar. Megjithatë, unë e them një gjë; Andre Zhidi ka mbajtur një sërë ligjëratash për shkrimtarin rus, Dostojevski . Ai konstaton se personazhet e Dostojevskit për shkak se frikësohen se vendimet e tyre s’do të mund t’i mbajnë gjatë, i ndërrojnë shpesh vendimet dhe marrin vendime të paparashikueshme, të papritura. Në romanin e tij, “Shpirtra të këqij”, zonja Liza thotë: Vendimet e mia qëndrojnë një minutë, prandaj po marr vendim që tani. Ismail Kadare sillet si zonja Liza. I ndërron qëndrimet shumë shpesh.
Kadare, pjesëmarrës në robërimin e Shqipërisë.
Kolegu im vjen në Mitrovicë dhe thotë: “Për herë të parë në Mitrovicë kam qenë në vitin 1972, erdha në një qytet të robëruar prej një vendi të robëruar”. Po mirë, tingëllon mirë për veshin që nuk mendon më tutje, për mendjen që nuk shkon më tutje. Ismail Kadare ishte tre here deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Ismail Kadare ishte nënkryetar i Frontit Popullor të Shqipërisë dhe duke qenë nënkryetar i Frontit Popullor të Shqipërisë, do të thotë se ishte në lidhje me njerëzit në kupolën e pushtetit në Shqipëri. Ismail Kadare ishte në marrëdhënie të ngushta miqësore me familjen e personit të dytë të kupolës së Shqipërisë, të Kryeministrit të Shqipërisë. D.m.th, një njeri që ishte ideolog i realizmit socialist, që ishte deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë tre herë, që ishte nënkryetar i Frontit Popullor të Shqipërisë, që gëzonte të gjitha privilegjet, që nuk ishin shumë të mëdha sigurisht në atë kohë, deklaron se vij në një qytet të robëruar në Kosovë, prej një shteti të robëruar. Mendja normale do të shtrojë pyetjen: Po nuk ishe dhe ti një nga ata që e robëruan Shqipërinë? Mos ishe dhe ti pjesëmarrës në robërimin e Shqipërisë? Përgjigja është po. Çfarë të drejte morale ka të flasë një njeri që ishte njeri afër kupolës? A është ky moral intelektual? Në asnjë rast jo. Hedenburgu ka botuar librin “Vitet, njerëzit, jeta”, ku thotë: “Tërë jetën më ka munduar, kam vuajtur, pse Stalini nuk më ka ngacmuar, nuk më ka trazuar”.
Kjo polemike krijoi probleme mes shqiptareve në Tiranë dhe atyre në Kosovë. Jeni i të njëjtit mendim, apo i shikoni anë pozitive kësaj polemike?
Pavarësisht se e thonë disa apo pavarësisht çfarë tha dhe oponenti im, Ismail Kadare, mendoj se kjo polemikë pati disa rezultate pozitive. E para, se qëndrimi i Ismail Kadaresë ndaj besimit islam ishte i gabuar. Si shumë herë me vonesë, edhe kësaj radhe, ai e pranoi gabimin e tij. Mendoj se rezultat tjetër pozitiv, fryt tjetër pozitiv i kësaj polemike është edhe kjo: Ata që kanë përcjellë fushatat elektorale në Shqipëri, ata që kanë përcjellë ato që thonë prijësit partiak në Shqipëri, e dinë sesi fjala vjen në vitin 1998, kryetari i Partisë Socialiste, thoshte se do ta ndëshkojmë në mënyrën më të ashpër krimin politik dhe islamik. Fatos Nano i ftonte zgjedhësit që të mos votonin për ferexhenë myslimane dhe mes Haxhi Qamilit dhe Kristoforidhit, të zgjedhin Kristoforidhin. Gazeta partiake në Tiranë e quante kryetarin e Partisë Demokratike: “Ai myslimani”. Në anën tjetër, vetë kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, e quante një prijës tjetër partiak, sheiku Metullah, një drejtor ose drejtorin e asaj kohe të RTVSH-së, e quanin Mulla Omari, ose po kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë thoshte: Flamuri shqiptar është flamuri i krishtërimit. Dhe në këtë mënyrë, objektivisht iu merrte të drejtën shqiptarëve të besimit mysliman të identifikohen me flamurin kombëtar. Në këtë mënyrë, praktikisht shkelej një e drejtë elementare njerëzore. Mendoj se pas kësaj polemike nuk do të mund të përsëriten shkelje të tilla të të drejtave njerëzore, për këtë fe apo për atë fe, që kanë këtë besim apo atë besim. Pas kësaj polemike, është e kompromentuar çdo fyerje e cilësdo feje.
Ju cilit besim i përkisni?
Unë i përkas besimit mysliman, por nuk lidhem me asnjë fe praktikisht. Unë jam ateist. Doja të vazhdoja me pozitivitetet; Ne e dimë se në jetën tonë bëhen disa gara mes feve, në radhë të parë mes fesë myslimane dhe fesë së krishterë, më konkretisht fesë katolike. Pas kësaj polemike, mendoj unë, do të duhej të dalë ligji për fetë që nuk e ka as Shqipëria dhe as Kosova. Ligji për fetë, në të cilin sipas mendimit tim, shfaqet e nevojshme të parashihet parandalimi i racizmit fetar
Flamuri i Qoses në këtë polemikë
Jo, nuk kam flamur fetar. Unë kam flamur kombëtar dhe e bëj në emër të flamurit kombëtar. Unë e di sesi garat fetare, sesi tejshquarja e vetëdijes fetare, pavarësisht fesë myslimane, fesë ortodokse, fesë katolike, mund të kenë pasoja negative në vetëdijen fetare dhe në integritetin e shoqërisë shqiptare(...)