Intervista e Ismail Kadarese dhënë TV Koha Vision

20.11.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Intervista

Kadare:

Abuzimi me fenë islame

Intervista e Ismail Kadarese dhënë TV Koha Vision në Prishtinë

Vizita e shkrimtarit Ismail Kadare në Kosovë është parë si një rast nga auditorët ku ai ka folur dhe nga mediat, për të marrë prej tij mendimet e hedhura publikisht në Tiranë për çështjet e ditës dhe të ditëve të shkuara, për tema aktuale dhe tema që kanë ricikluar debate të herëpashershme. Disa prej tyre Kadare i sqaron në këtë intervistë dhënë kryeredaktorit të Televizionit të Prishtinës Koha Vision, Adriatik Kelmendi. Shkrimtari pranon edhe një herë më fort, se ka gabuar kur ka shkruar se me prirjen drejt fesë së krishterë “Kombi shqiptar do të bënte një korigjim të madh historik, çka do të shpejtonte bashkimin e tij me kontinentin mëmë: Evropën”. Ai pohon edhe se debati me publicistin dhe studiuesin Rexhep Qosja do donte të mos e kishte bërë fare.

- Ka disa vite që nuk keni qenë këtu, si e keni gjetur kësaj radhe Kosovën?
- Çdo herë që vij në Kosovë më duket se diçka e mirë ndodh, sepse këtu pritem shumë mirë, kam shumë miq, kam shumë dëshirë të vij. Çdo vizitë më duket e bukur. Këtë herë kam ardhur në një kohë shumë interesante, në prag të ngjarjeve të mëdha. Të thuash që Kosova është në një orë të mirë të sajën siç është gjithë kombi shqiptar, në një orë shumë të mirë të tij. Tashmë e dëgjoj shpesh që njerëzit kanë padurim që ajo e mira që presin të arrijë sa më shpejt. Është e natyrshme, populli shqiptar ka njohur vuajtjen, pritjen, robërinë e gjatë. Megjithatë këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Kam një shpresë, jo shpresë të kotë, fantaziste, si të thuash, poetike. Këtu bëhet fjalë që të jetë një e mirë më e madhe se e mira që presim. Me kohë gjithçka do të vijë. Liria e Kosovës që është kryesorja, është e siguruar për jetë të jetëve. Çdo gjë mund të parashikojmë në botë, por kjo nuk kthehet më, kjo është themelorja. Po të marrim më të keqen, ka vetëm një shtyrje të lehtë.

- Nuk e merrni me shqetësim këtë?
- Fare nuk e marr me shqetësim. I kuptoj njerëzit e thjeshtë “se prapa kësaj ka një dredhi që na kthehet”. Asgjë nuk kthehet prapa. Procesi ecën, çdo gjë do të ecë përpara, shpresojmë që nuk do të ketë shtyrje, por edhe nëse ka nuk ka për t’u shqetësuar asgjë.

- E përmendët që në Kosovë çdo herë priteni mirë. Kësaj radhe ju u shpërblyet me çmimin “Kepi i Shpresës së Mirë – Fahredin Gunga”...
- Erdha me gëzim të madh, me dëshirë. Zakonisht kur kam ftesa për udhëtime, në mënyrë instiktive shikoj t’i refuzoj, në kuptimin që e kam vështirë, më prishen planet, më prishet puna letrare dhe gjëja e parë që mendoj është: jo, ndoshta jo. Këtë herë sinqerisht kur z. Bejta më mori në telefon dhe më tha kemi një takim kulturor dhe kemi nevojë që të vini, u premtova që do të vij. Atë ditë do duhej të ndodhesha në Angli. U thashë në mund ta shtynin për disa ditë takimin dhe u bë kjo gjë, u bë shumë mirë.

- Përmendët Anglinë ku vepra juaj është rinjohur me përmasa më të gjëra pas fitimit të Çmimit “Man Booker International”. Sa ju ka hapur dyert ky çmim në botën anglo-saksone?
- Unë kam qenë i botuar në Angli dhe Amerikë menjëherë, pas Francës, në vitin ‘70-të. Është e vërtetë kjo që thoni ju. Ky çmim gjithmonë i hap dyert më shumë dhe interesimi shtohet. Unë kam pasur disa ftesa më tepër që pa këtë çmim nuk do t’i kisha.

- Menjëherë pas këtij çmimi u botua në Angli romani “Pasardhësi” i cili ka qenë në listën e 20-30 librave më të kërkuar në ato javë në Britani të Madhe.
- Ky ishte një libër i çmuar mjaft nga kritika dhe edhe shitjen e ka pasur shumë të mirë. Me një fjalë, në publikun anglez tashti librat e mi ose letërsia shqipe u bë më e njohur, është më e pranishme. Bota anglo-saksone ka një organizim të shkëlqyer të propagandimit të librit, ka një kritikë të nivelit shumë të lartë ka zakone shumë të bukura, një ndër to është se për kolegun e tyre shkrimtar të huaj shkruajnë vetë shkrimtarët anglezë ose amerikanë. Një zakon që tregon një solidaritet, një respekt për kolegun gjë që disa vende duhet ta mësojnë.

- Por kjo ndoshta nuk është e dyanshme në aspektin lexues dhe autor i huaj. Dihet se në Britani të Madhe dhe në SHBA nuk parapëlqehen gjithaq shkrimtarët e huaj.
- Është e vërtetë që vendet e mëdha kanë një farë rezerve, sepse nuk kanë po atë nevojë si vendet e vogla. SHBA-të janë një kontinent i tërë, gjuha angleze është një gjuhë e përhapur dhe kanë shumë shkrimtarë të tyre, kështu që vetvetiu shkrimtarët e huaj kanë vështirësi për të hyrë. Ndryshe, në vendet e vogla ku si zakonisht shumica e botimeve janë të shkrimtarëve botërorë dhe është e drejtë kjo. Por kur një autor hyn dhe çmohet, ai pritet shumë mirë, nuk ka më dallim pse është shqiptar, hungarez, amerikan ose anglez, respektohet njëlloj.

- Do të kalojmë në një sferë tjetër të bisedës, por që sërish lidhet me Britaninë të Madhe. Kohëve të fundit në një sondazh ku qytetarët janë pyetur se cilat shtete kanë gjasa më të mëdha që të pranohen në BE ose cilat dëshirojnë ata që t’i shohin në këtë organizëm të madh, në vendin e parë me përgjigje negative është radhitur Shqipëria. Si e shpjegoni këtë refuzim ndaj Shqipërisë?
- Shumë nuk më çudit kjo gjë. Kemi qenë vendi më i ashpër stalinist në Evropë dhe kjo luan një rol sigurisht. Kemi një imazh jo të mirë, ka propagandë kundër Shqipërisë shumë të fortë. Për një pjesë të kësaj, duhet ta pranojmë, jemi vetë shkaktarë. Nuk duhet t’ia hedhim vetëm të huajve fajin, por për të qenë të sinqertë ose të drejtë, duhet të pranojmë gjithashtu që të metat e shqiptarëve përgjohen shumë.

- Ndodh kjo veçanërisht me shqiptarët?
- Ka një prirje racizmi e që ne duhet ta luftojmë, sepse është e tepruar. Unë e kuptoj, ne s’kemi pse të marrim në mbrojtje as banditët, as trafikantët, as ata të drogës e të prostitutave. Na vjen keq që janë shqiptarë kur i kapin, por s’duhet të kemi asnjë mëdyshje. Le t’i dënojnë. Kam përshtypjen se bandit dhe trafikant ka nga shumë vende, për fat të keq ne biem shumë në sy. Mafia është ndërkombëtare në botë, por shpeshherë përmendet sikur një pjesë të kësaj mafieje e drejtojnë shqiptarët. Unë nuk e besoj kurrë. Nuk kanë kaq forcë shqiptarët që të drejtojnë mafien evropiane, e botërore aq më pak. Neve na ka dalë nami, na ka dalë nami i keq. Kjo nuk është e përhershme, kjo mund të ndryshojë sigurisht dhe disa herë po ndryshon. Ka disa vende që kanë përmirësim të imazhit. Kultura e një populli e lufton imazhin e keq, por disa herë nuk arrin. Është më i fortë imazhi sesa ajo. Në vende të ndryshme ka një luftë midis imazhit të keq dhe imazhit të mirë. Këtë luftë ne nuk e kemi fituar dot ende, por shpresoj që mund ta fitojmë.

- Kush e ka një pjesë të përgjegjësisë për këtë imazh të keq, ju i përmendët disa raste. Dhe a ndodh kjo ngaqë shqiptarët nuk dinë t’i vetëreklamojnë punët e mira?
- E para ne nuk dimë të bëjmë propagandë të mirë për vendin tonë, propagandë pozitive. Përkundrazi e shtojmë propagandën negative. Nuk është puna që të mburrim veten, është shumë e keqe kur një popull fillon e hedh pudër për të fshehur atë që ka, por ne të themi të vërtetën. E vërteta nuk është kaq e hidhur kundrejt shqiptarëve. Ndonjëherë ne nuk dimë ta reklamojmë të vërtetën që është në favorin tonë, për të mirën tonë. Dhe prandaj i hapim rrugë të keqes. Gjithashtu nuk duhet harruar që ka propagandë antishqiptare nga rrethe antishqiptare për arsye të konflikteve në Ballkan. Mos harroni, çështja e Kosovës është ende në rend të ditës dhe kur shtrohet çështja e pavarësisë, gjithë bagazhi antishqiptar do të ringjallet, do të thonë se shqiptarët janë të aftë vetëm për prapësira, nuk janë të aftë për punë pozitive. Sigurisht duan të vijnë tek ajo që Kosova nuk duhet të marrë pavarësinë. Nuk duhet të çuditemi për këtë. Propaganda e vjetër antishqiptare ringjallet përnjëherësh. Kështu shpjegohet, nuk është rastësi. Pse u ringjall tashti prapë?!

- A mund të na pengojë kjo që të anëtarësohen si Shqipëria si Kosova në organizmat ndërkombëtare? Kemi një sinjal të fundit nga Komisioni Evropian se nuk do të ketë zgjerim të shpejtë, ose anëtarësim të vendeve të reja. Nuk përmendet Shqipëria fare për aderim në BE. Sa është kjo me rrezik për ne?
- Nuk duhet tepruar kjo gjë. E para kur përmendet Ballkani Perëndimor, nuk përmendet vetëm Shqipëria. Në qoftë se u tha do të ketë shtyrje në pjesë të Ballkanit, do të ketë për të gjithë.

- Përmendet që Kroacia dhe Maqedonia janë më afër BE-së.
- Janë disa shtete që mbeten: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Ju siguroj, mëndja ma thotë që nuk ka se si Evropa të lerë jashtë një copë të ngushtë, nuk bëhen as 15 milionë banorë. Këta janë popuj që kanë qenë në pararojën ku është përplasur vala anti-evropiane. Do të triumfojë një e vërtetë tjetër. Do të ketë ndoshta një pengesë, një shtyrje. Nuk mund të ndodhë që Evropa me gjysmë miliard njerëz, të lerë 15 milionë përjashta që s’janë as në anë të saj por janë pothuajse afër qendrës. Nuk ka assesi. Andaj këto janë disa alarme të cilat gazetarët, analistët i teprojnë. Kemi shumë qejf të bëjmë tragjedi kur nuk ka ndodhur tragjedia.

- Do të thotë, nuk e besoni?
- Assesi. Është një lloj pedagogjie që u bëhet këtyre popujve. E quaj të drejtë, në fakt është njëfarë presioni që rregulloni punët, ejani në vete, hiqni dorë nga prapësitë ata që nuk heqin dorë, sepse do t’iu bëjmë një lloj nderi. Është një pedagogji që u bëhet popujve të vegjël për të cilët historikisht nuk ka ndonjë kujdes të madh Evropa. S’ka ndonjë gjë të keqe, le të sillet ashpër, ndoshta ndonjëherë bën mirë kjo gjë.

- Të flasim për debatin me Qosjen. Ka qenë temë edhe gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë. Në fakt ka pasur në thelb “mosdurim të ndërsjellë” nga të dy. Nuk ishte shkas vetëm debati për identitetin e shqiptarëve. Edhe në intervista që kam pasur me ju më herët, keni shprehur doza nervozizmi për njëri-tjetrin. Kur ka filluar kjo?
- Ju bëtë një simetri. Natyrisht do të them se s’është e vërtetë. Mendoj objektivisht, nuk kam pasur kundër tij kurrë, asgjë. Ndërsa disa herë prej tij ka pasur ndaj meje diçka që s’e kam kuptuar mirë dhe sinqerisht kam qenë i pavëmendshëm, dhe do ta vërtetoj që kam qenë i pavëmendshëm. Shumë vite përpara ai ka pasur polemikë me shkrimtarë të rinj në Kosovë dhe ndërkohë nuk e di pse jam gjendur dhe unë pa dashur në këtë farë polemike dhe kam qenë objekt sulmesh. Tashti kam harruar, ka kaluar shumë kohë. Por një periudhë ftohjeje më kujtohet, kur kam ardhur në Kosovë për herë të parë në 72-shin. Kam përshtypjen se kam takuar shumicën e shkrimtarëve të Kosovës. Me atë kishin marrëdhënie shumë të ftohta për shkak të tij, mendoj unë. Ka qenë një periudhë ftohtësie, një periudhë sjelljeje normale, nuk e di pse.

- Pse e quani sjellje normale? Jeni takuar, keni kontaktuar në ndonjë mënyrë gjatë viteve, e keni lexuar njëri-tjetrin?
- Jemi takuar, por është punë e harruar kjo gjë. Që unë e kam harruar e tregon fakti që kam bërë çmos të botohen dy libra të tij në Francë. “Çështja shqiptare” bile është botuar te botuesi im francez, dhe romani i tij të cilin e kam shoqëruar me një parathënie të gjatë. Ju do thoni që në parathënie flitet kryesisht për Kosovën dhe më pak për romanin. Po, është e vërtetë. Në pjesën kryesore ka qenë e lançuar kultura e Kosovës me çdo kusht.

- Do të ndodhte botimi pa kujdesin, insistimin, do të thosha, pa ndihmesën tuaj?
- Mund të ndodhte, por kishte gjasë më tepër të mos ndodhte. Unë bëra një parathënie mbi 20 faqe që ishte rekomandim-parathënie dhe sugjerim për ta botuar. Mund të ndodhte edhe pa këtë.

- Ju i keni hapur portat në gjuhën frënge Rexhep Qosjes?
- Për librin “Histori e Çështjes Shqiptare” absolutisht e kam çuar te botuesi im dhe i kam thënë: të lutem botoje se ndihmohet populli të cilit unë i përkas dhe ti ke vite që po më boton. E shoqëruar nga parathënia ime, ka luajtur një rol. Nuk pres ndonjë mirënjohje. Por sidoqoftë kjo tregon se nuk kam pasur ndonjë zemërim me të, ajo është harruar. Më vonë ai ishte acaruar përsëri në ngjarjet e ‘97-ës. Ka bërë ca letra që kanë qenë të marra, d.m.th me një ngazëllim të madh për atë që ka ndodhur në Shqipëri, edhe pse unë nuk kam marrë pjesë që ta përshëndes.

- E keni fjalën për ciklin e shkrimeve “Revolucioni i vonuar demokratik”?
- Pikërisht, më janë dukur letra të marra. S’i jam përgjigjur dhe nuk i kam dhënë asnjë rëndësi, të them të drejtën. Kam qenë shumë i dëshpëruar në atë kohë. Për mua djegia e Shqipërisë në ‘97-n ka qenë një tragjedi kombëtare, një turp i jonë si komb. U turpëruam përpara ndërgjegjes sonë, para gjithë Evropës dhe para gjithë botës. Të gëzohesh që është djegur Shqipëria, ta quash revolucion të vonuar demokratik është vërtet të mos jesh mirë nga mendja. Ka kaluar dhe kjo, pastaj kanë ardhur diskutimet e vonshme. Nuk i kam bërë me një sulm, kam kritikuar tezën e tij që nuk jemi plotësisht evropianë.

- Megjithatë libri, sprova juaj, ka qenë në njëfarë mënyre e lidhur me shkrimin që kishte bërë Rexhep Qosja më parë?
- Shiko, atë sprovë do ta shkruaja sikur Rexhep Qosja të mos ekzistonte në këtë botë. Nuk është ai që më ka kushtëzuar me këtë gjë. Ka qëlluar, sapo është marrë me këtë problem e kam kundërshtuar siç bëhet në një polemikë. Kaq. Shumë e thjeshtë. Pastaj ai ka degraduar gjithçka. Ka bërë dy libra kundër meje, për disa paragrafë që kam unë, për disa faqe. Kjo është historia. Një mllef i jashtëzakonshëm, i çuditshëm. Në kohën kur kemi të tjera punë për të bërë, e harroi çdo gjë, e harroi problemin e pavarësisë së Kosovës, e harroi Serbinë, dhe dola unë armiku kryesor i Kosovës, i popullit shqiptar, i letërsisë, i mendimit, i filozofisë, i të gjithave. Është një absurditet, unë nuk e kuptoj si mund të kesh kaq pasion ndaj kolegut tënd. Mund të kesh zemërim, mund të sulesh një herë ose dy, por të mos lodhesh për këtë gjë. Nuk ka histori të komplikuar, është shumë e thjeshtë.

- Kjo mund të vlerësohet edhe si njëra ndër polemikat që zgjoi interesimin më të madh në të gjitha anët ku jetojnë shqiptarët dhe kishte edhe vazhdim, pasi që u shkrua shumë nga shumë të tjerë. Kishte të tillë që vlerësuan se nëse kemi këso ndeshje, sidomos tash kur po bëhen përpjekje për afrim më të madh të Kosovës dhe Shqipërisë, kjo mund të ndikojë edhe negativisht, pasi dy nga ata që u quajtën kolosë, ju dhe Qosja, ndesheni në këtë mënyrë dhe, ç’është më e rëndë, nganjëherë edhe nuk zgjidhni fjalë për t’i vënë epitete negative njëri-tjetrit. Mund të sjellë gjë pozitive kjo?
- Unë jam kundër epiteteve: kolosë, korife, baba i kombit, bacë... Këto për mua janë gjepura. Ne duhet të mësohemi pa këto. Nuk është nder i një vendi të qytetëruar të përdorë koncepte të këtilla. Këto janë koncepte klanike, kur zihen në shtëpi dhe bien në gjak, ku baca i njërës dhe baca i tjetrës bëjnë bisedime merren vesh etj.

- Po ky ishte reflektimi që u dha kryesisht nga shtypi mbi polemikën.
- Po, pa të keq është mendja jonë e prapambetur që e koncepton këtu. Unë do ta refuzoja një fjalor të tillë në raport me kolegun tim. Ne jemi kolegë në letërsi, të tilla askush s’ka të drejtën të uzurpojë me titullin e bajraktarit, të kolosit etj.

- Megjithatë, ju jeni të dy personalitete me ndikim në kulturën shqiptare.
- Kultura shqiptare ka disa personalitete, nuk jemi vetëm ne të dy. Nuk e pranoj këtë gjë. Nuk pranoj këto struktura dyshe ose treshe. I refuzoj.

- Ose mos doni të thoni vlejnë për mua, por nuk futet edhe Rexhep Qosja këtu?
- Unë i refuzoj parimisht. Këto janë karakteristika të mentaliteteve të prapambetura. Dhe prandaj po thoni ju që është e vërtetë që kjo nga një pikëpamje është një polemikë jo e mirë. Është koha për një tjetër gjë. Në këto raste nuk duhet të bëjmë një simetri patjetër të shikosh kush merret me çfarë merret. Dhe në qoftë se kjo punë zë një pjesë të vogël të asaj që unë shkruaj dhe te tjetri zë 90% të asaj që po bën, sigurisht që edhe faji ndahet ndryshe. Ta zëmë që po, jemi të dy fajtorë që u futëm në polemikë. Unë nuk e përjashtoj dhe nuk më vjen keq të them po të kem bërë një gabim që vajta u futa kot në një polemikë të tillë. Është e lehtë të shikosh proporcionet, përmasat. Kur tjetri e kapërcen 20 herë që aty ai është i humbur, dhe ne duhet të kemi guximin t’i themi zotëri të ka thënë kaq, i ke thënë 20 të tilla. Është në të drejtën botërore kur përgjigja është e proporcionuar, dhe aty gjykohet lehtësisht. Në këtë rast siç e thatë ju që kemi probleme të tilla, vërtet polemika mund të jetë fatkeqe.

- Do dëshironit të mos e kishit bërë fare?
- Po, mund të mos ishte.

- Ju e keni thënë edhe më herët që feja u imponua si çështja kryesore brenda këtij debati, brenda identitetit shqiptar. Përse?
- Problemi në këto polemika është një mashtrim i madh i palejueshëm. Një nga gjërat më të shëmtuara është abuzimi me fenë. Sepse polemikë e pandershme quhet ose siç kam thënë unë, polemikë e pabesë, kur ngre një tezë që tjetri nuk e ka dhe thua frazë më frazë në këtë sprovë “Ismail Kadare ka një përçmim, një dënim të myslimanizmit shqiptar, është kundër myslimanizmit është pro katolicizmit”. Pasi e thua një herë pas pesë paragrafësh të ngrihesh kundër myslimanizmit si Ismail Kadare, shpif një herë, thua një mashtrim që është krim. Pastaj e përsërit dhe i ke bindur mendjen vetes, prandaj këtu fillon edhe psikopatia, që kjo është e vërtetë sepse thua këtu nis e pamoralshmja, shpreson që publiku të thotë që me sa duket Kadare me të vërtetë e ka thënë këtë sepse ky kot nuk e thotë. Këtu është abuzimi që çdo vend i qytetëruar nuk e lejon kurrë. E ndalon me gjyq, që te ne për fat të keq nuk ekziston. E ndalon sepse kështu pritet shpifja. Zotëri ke gënjyer pa pikë turpi. Ku e ke gjetur këtë?! Asnjëherë nuk kam thënë asnjë fjalë fyese për myslimanizmin shqiptar. Teza ime është që ne duhet të hyjmë në Evropë me myslimanët e të krishterët bashkë. Asnjë pengesë nuk është myslimanizmi shqiptar për Evropën, asnjë ndryshim s’ka myslimani shqiptar. Jemi të gjithë shqiptarë, myslimanë katolikë, ortodoksë dhe ateistë bashkë.

- Kjo thoni është nxjerrë nga konteksti, ngase ju nuk keni qenë kundër myslimanizmit? Megjithatë ju gjithherë jeni shprehur me një simpati për krishtërimin. E keni parë atë si diçka më të afërt me Evropën.
- Pse të mos e shoh krishterimin kështu? Çfarë ka të keqe? Vetë shprehja juaj keni parë edhe krishtërimin... sigurisht edhe ajo është feja jonë. Ne kemi tri fe dhe një komb. Përse është katolicizmi sidomos feja më e goditur gjatë diktaturës komuniste?! Duhet ta pranojmë, e goditur egërsisht. E goditur nga dy burime: sepse ishte fe, sepse ishte mishërim i perëndimit, sipas mentalitetit komunist. Ndërsa për ortodoksizmin mund të kishte njëfarë zbutje sepse ishte feja zyrtare e Rusisë, gjithë vendeve komuniste. Katolicizmi quhej feja e Vatikanit, SHBA-ve, NATO-s, Evropës Perëndimore. Prandaj ajo ka qenë më e goditura. Edhe në koloni katolikët janë goditur më ashpër sesa të ishin shumicë. Megjithatë katolicizmi ishte në teh të goditjes. Shkrimtarë katolikë të veriut, nuk kanë numër më të madh të martirëve sesa midis tyre. Janë goditur edhe myslimanët, në mesin e të pushkatuarve ka po aq. Po në rastin e shkrimtarëve klerikë, katolikët zënë vendin parë. Unë kështu e di dhe besoj se kështu është e vërtetë. Ne e kemi për detyrë morale ta themi këtë gjë, aq më tepër unë që vij nga një tjetër fe. Është normale, e detyrueshme moralisht, ti që ke tjetër fe të mbrosh fenë tjetër. Në qoftë se ajo fe ka pësuar më shumë, sipas mendjes tënde, të jesh ti i pari të thuash, kjo ka shumë martirë.
Kjo ju ka nxitur të shkruani në librin “Nga një dhjetor në tjetrin” se: “Prirja e Shqipërisë do të ishte drejt fesë së krishterë, ngaqë ajo lidhej me kulturën, kujtimet e vjetra, dhe nostalgjinë e kohës paraturke. Me kalimin e viteve, feja e vonë islamike, e ardhur bashkë me otomanët, do të zbehej (së pari në Shqipëri e më pas në Kosovë), derisa t’ia linte vendin fesë së krishterë, ose më saktë kulturës së krishterë. Kështu që së paku nga një e keqe (ndalimi i fesë më 1967) do të vinte një e mirë. Kombi shqiptar do të bënte një korigjim të madh historik, çka do të shpejtonte bashkimin e tij me kontinentin mëmë: Evropën”. Kjo pjesë është përdorur edhe nga Rexhep Qosja, në polemikë.

- Kjo është tjetër. Ky është abuzimi, abuzim i pastër i pandershëm. Pse?
- E para kjo është një bisedë, është një kujtim që unë vetë e kam nxjerrë. Nuk është një që ka kapur një dokument ku Ismail Kadareja ka thënë këtë dhe këtë. Unë vetë kam kujtuar një bisedë me Ramiz Alinë. Është abuzuese kur një ditë rrëfimin për diçka që ka bërë dikush ti fillon dhe abuzon me të. E para gjë është ta pyesësh njëherë. E dyta unë jam shkrimtar në një vend që feja është ndaluar dhe shkoj te shefi i shtetit komunist, komunist i egër, armik i fesë, dhe i kërkoj hapjen e kishave dhe xhamive, i kërkoj lejimin e fesë. Kjo është kurajoze sepse situata është absurde, feja është e ndaluar dhe bisedojmë për një gjë që nuk ekziston ende. Dhe unë kam deklaruar në intervistë. Ka qenë mendimi im krejtësisht i gabuar, parashikim krejtësisht i gabuar, që nuk doli.

- Ju e quani të gabuar sot?
- Pa diskutim. Nuk e kam përsëritur kurrë më sepse kam thënë që ka qenë i gabuar, e ti çfarë bën, nuk shikon ç’ka ndodhur më pas, por gërmon me një kënaqësi të madhe ja ç’ka thënë njëherë Ismail Kadare. “Ja pra zotëri e kam thënë gabim”. Është gabim pa asnjë hezitim. Dhe po të duash, të thellohesh, gabim i bërë në rrethana krejtësisht lehtësuese, në kuptimin se unë vetë e kërkoj në fund të fundit dhe them të hapen kishat katolike, ortodokse, po të duan dhe xhamitë, megjithëse mendoj, unë them se myslimanizmi shqiptar ka për t’u zbehur nga shkaku i hyrjes në Evropë. Mendim i gabuar, parashikim i gabuar, çfarë do më tepër. Ç’është kjo kënaqësi për të kapur të keqen, kjo është e shëmtuar, kjo nuk ndodh asgjëkundi, vetëm në mbretërinë e të ligës mund të ndodhë një gjë e tillë. “Do të gjej patjetër mendimin tënd të gabuar ndonëse ti e ke korrigjuar më vonë, je shumë i kujdesshëm për të mos e përsëritur më”. Kjo s’ndodh kurrë. Na pëlqen e liga, na pëlqen mallkimi, na pëlqen e zeza. Nuk duam të shohim asgjë të mirë.

- Ne shqiptarëve na ndodh shpesh?
- Për fat të keq na ndodh disa herë, jo shpesh. Unë jam kundër asaj që e dënojmë veten të mallkuar. Abuzimi në këtë është një burracakëri e jashtëzakonshme. Kanë abuzuar, jo vetëm Qosja, kanë abuzuar edhe të tjerë, një ish.zv Ministër i Jashtëm një Pëllumb Xhufi. E nxori ai me vrap, “historiani”. Jo, jo, të ketë turp, historian. Historiani vajti e gjeti këtë, por unë kam njëmijë mendime të tjera korrigjuese të kësaj. Por jo, ajo u intereson, vetëm e keqja, sepse ata janë një klan që i shfrytëzojnë këto.

- Lidhur me këto sulme, shpesh e keni përdorur fjalën zili, cmirë.
- Ka shumë, ka disa arsye, mund të jetë edhe ajo. Nuk kam dëshirë të flas për këto më duket e padenjë të flas për këto gjëra.

- A mendoni se fati i shqiptarëve do të ishte më ndryshe sikur të ishim në shumicë të krishterë? Ka disa teza që e mbështesin këtë.
- Një populli nuk mund t’i kërkohet kurrë ajo që mund të ishte, të bëhen hamendje. Populli është ai që është. Ne s’mund të bëhemi më të bukur se ç’jemi. Jemi ata që jemi. Unë nuk mendoj që kjo ka qenë një fatkeqësi kaq e madhe. Ndoshta, me sa duket, përpara. Na ka penguar me atë që për sa kohë Serbia e mbajti nën çizme Kosovën duke pëshpëritur jo shumë haptazi por fshehurazi, këta janë islamikë, këta janë të rrezikshëm, për të pasur dorë të lirë nga Evropa për t’i rënë, dhe të them të drejtën ka pasur njëfarë suksesi. Tani kjo gjë është e kapërcyer, tashti Shqipëria po rehabilitohet, në qoftë se hyn në Evropë. Pa myslimanët kombi shqiptar prishet, prandaj është absurde të kesh mendime kundër myslimanëve. S’mund të ketë. Unë jam shkrimtar, i kam të tërë lexuesit e mi. Pse të them unë që pjesa më e madhe e popullit tim s’janë më shqiptarë. Këto janë marrëzira, vetëm fantazirat më të këqija, më makabre mund t’i pjellin. Feja nuk është një pengesë, ne jemi ata që jemi, nuk ka pse të zbukurojmë veten, por as ta keqësojmë. Do të hyjmë në Evropë kështu siç jemi dhe nuk i kemi borxh askujt. Duke u marrë me shkaqet pse është bërë konvertimi, jam përpjekur të shoh anën e fisme të kësaj gjëje, sepse shumë thuhet e bënë shqiptarët për servilizëm, e bënë nga dhuna, për arsye karriere, për taksa. Këto të gjitha janë cilësi që e rëndojnë ndërgjegjen shqiptare. Ka diçka të vërtetë në të gjitha, por është përqindje shumë e vogël. Unë mendoj që nga arsyet madhore, ose arsye e madhe, e kam thënë së paku që nuk e ka përmendur asnjë historian shqiptar. Mendoj që me këtë konvertim jo për t’u hequr shqiptarëve një faj se nuk është ndonjë faj, arsye kryesore ka qenë problemi i armës, i mbajtjes së armës. Kush e njeh psikologjinë evropiane dhe ballkanase, problemi i armës ka luajtur një rol të madh për dinjitetin e njeriut. Një popull i armatosur, shtëpi që ka armë është gjysmë e lirë. S’mund të jetë kurrë plotësisht i robëruar një njeri që ka armë jo ilegalisht, legalisht. Prandaj okupuesi otoman i vuri shqiptarët përpara një dileme tragjike, do të mbash armën jep fenë. Unë jam i sigurt se mijëra e mijëra njerëz kanë kaluar net pa gjumë për të zgjidhur këtë dilemë që është dilemë e pastër tragjikisht: fenë apo armën. Sepse je mësuar me armë e dorëzon, por t’i dukesh i zhveshur, i pambrojtur, pa dinjitet dhe i turpëruar dhe thotë më mirë po jap fenë, ta mbaj armën. Armë do të thotë dinjitet dhe prapa armës qëndron ideja e lirisë, një vend i pushtuar, dhe e kanë bërë këtë gjë. Të tjerët e kanë menduar: lë armën, mbaj kryqin. Shqiptarë janë të dy palët. Njëlloj unë vuaj përpara kësaj dileme të tmerrshme, ti dot nuk e di kujt t’i japësh të drejtë. Unë këtë nuk e gjej dot. Prandaj e shfajësoj popullin shqiptar. Si mund të kem përçmim për myslimanizmin kur populli ka zgjedhur të ndahet në dy rrugë. Dhe sot ende nuk mund të them kush ka bërë mirë, kush ka bërë keq, kur sa është po aq mirë sa edhe keq. Ky është qëndrimi i shkrimtarit ndaj popullit të vet. Ti del dhe kërkon bisedën me Ramiz Alinë. Nuk i intereson se njëri ka thënë... është edhe tragjike edhe komike në të njëjtën kohë.

- Një riciklim të këtij problemi, i kësaj dileme, ndoshta po e shohim tash kur Kosovës i premtohet pavarësia, por a do ta ketë ushtrinë e vetë. A do mund të bëhet Kosova shtet i pavarur, pa ushtri?
- Askush nuk ia ka mohuar ushtrinë Kosovës, nuk do t’ia mohojë, absolutisht kurrë. Mos e mendoni këtë gjë. Në Kosovë është bërë siç e kam thënë disa herë, një luftë për moralitet që është gjë e rrallë në historinë e botës, e vetmja ndoshta. Morali evropian këtu u vë në provë, nuk u bë për vajguri, as për diamante e gjëra të tjera, u bë për moral. Tani Evropa hap një epokë të re për shkak të shqiptarëve dhe shqiptarët duhet ta kenë për nder historinë e tyre që e shtyn kontinentin evropian drejt një lufte të tillë, të tipit të ri. Evropa, se nuk kam thënë asnjëherë vetëm ajo, duke ndihmuar luftën e popullit shqiptar, emancipoi vetveten. U ngrit një qytetërim evropian në nivel më të lartë, është në nderin e saj. Evropa nuk mund të shkelë më mbi këtë moralitet, nuk do të kthehet prapa. Prandaj populli shqiptar në Kosovë nuk do të humbasë asgjë, do t’i ketë të gjitha, përfshirë edhe armën që thatë ju.

- Nuk do të ketë më dilema të tilla, ose fenë në njërën anë, ose shtetin, Evropën?
- Absolutisht.