Xhevat Bislimi- Kosova me (pa) Ushtrinë e saj

19.11.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

[highlight]Kosova me (pa) Ushtrinë e saj[/highlight]
   
  Rreth Kosovës dhe për TË po bëhen përditë dhe nga shumë qendra (të mëdha e të vogla) raporte dhe “prognoza”nga më të ndryshmet (pozitive e negative, inkurajuese e dëshpruese). Drejt Kosovës dhe për TË po udhëtojnë diplomat, ushtarakë e personalitete të njohura të politikës botërore. Mediat, veçmas këto në gjuhën shqipe, dhe “korrespondentët” e tyre të shpërndarë në qendra të ndryshme të botës raportojnë se bota po merret “intenzivisht” me çështjen e Kosovës. Madje, kur i dëgjon këto “raporte” të mediave tona të krijohet përshtypja se bota nuk ka hall më të madh se ky i Kosovës! Qeveritarë dhe zyrtarë të “lartë” të Kosovës po vizitojnë kryeqytetet e ndryshme të botës për t’ua mbushur mendjen atyre se “kërkesa për shtet të pavarur dhe sovran është e drejtë dhe e vetmja zgjidhje për Kosovën”! Ndonjëherë ngatërrohen dhe thonë se “Kosova e pavarur është zgjidhja më e mirë”! E kush nuk e dinë se cila është zgjidhja më e mirë? Nejse. Kur s’ka shi bënë edhe breshër, thotë populli ynë. “Elita” politike e Kosovës ka kohë që e ka ulur pazarin (qysh se pranoi partneritetin e Serbisë në çështjen e Kosovës)!! Kjo “elitë” tashmë ka pranuar edhe “kompromise” të tjera në dëm të Kosovës dhe të popullit të saj shqiptar. Nuk ka se si të ndodh ndryshe kur Kosova “përfaqësohet” nga “politikanë” të kalibrit Haziri, Shala, Hyseni e kompani… Se zgjidhja për Kosovën nuk do të jetë konform kërkesës minimaliste për “shtet të pavarur dhe sovran” tashmë po duket qartë. Kundër kësaj zgjidhjeje, Kosovës sovrane, janë edhe marrëveshjet e miratuara (pranuara) nga “grupi negociator” gjatë bisedimeve me Serbinë. Koncesionet e bëra nga “elita” politike e Kosovës cenojnë deri në “asgjësim” sovranitetin, për të cilin aq shumë u luftua. Sovranitet ka kuptimin e “fjalës së fundit”. Në Kosovë “fjala e fundit” është mbreti i saj, që quhet Kryeadministrator. Sipas të gjitha të dhënave dhe informatave që po shpërndahen, por edhe sipas “marrëveshjeve” që ka pranuar “grupi negociator”, shqiptarët ose të zgjedhurit e tyre nuk do të jenë “fjala e fundit” as pas statusit të ri, që po i gatuhet Kosovës. Krahina shqiptare, që po quhet Kosovë, edhe në të ardhmen nuk do të ketë Ministri të Mbrojtjes, Ministri të Jashtme, nuk do të ketë karriken e saj në OKB… Kufiri me Serbinë, sipas “raporteve” të deritashme, nuk do të bëhet kufi ndërkombëtar… “Elita” aktuale politike e Kosovës nuk është e zonja t’i prish këto “sehire” të bëra edhe me bekimin e saj. Tirana zyrtare duket se ka “çështje” më të ngutshme për të zgjidhur se kjo e Kosovës!! Mbeten dy mundësi (shanse): “Lëvizja dhe trysnia nga poshtë ose ndonjë interes i amerikanëve dhe aleatëve të tyre për t’i prishur këto “sehire” me rreziqe afatgjata për lirinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit. Me çështjen e “ushtrisë” së Kosovës është marrë edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG)…    
  Raporti i tij për Ushtrinë e Kosovës është mjaft interesant. Mirëpo, ky Grup, dhe veçmas qendrat e vendosjes, duhet të « korrigjojnë » gabimin ose fajin esencial që kanë bërë gjatë dhe pas intervenimit të NATO-s. E para, NATO-ja dhe ata që marrinë vendime politike në emër të saj gabuan që nuk lejuan dhe që penguan armatosjen e UÇK-së, e cila nuk ishte formacion "paramilitar", siç e quan ky Grup, por formacion çlirimtar. Kjo ishte mënyra më e mirë për ta ekuilibruar forcën ushtarake midis Serbisë dhe popullit shqiptar të Kosovës dhe garancia më e mirë për ruajtjen e paqesë dhe të stabilitetit në rajon e më gjerë. Po të behej kjo, angazhimi i forcave të NATO-s dhe shpenzimi i milionave ose miliardave do të ishte i panevojshëm. Sikur t'i jepeshin UÇK-se vetëm gjysma e parave, që janë shpenzuar nga NATO-ja dhe UNMIK-u Serbia do të dëbohej nga Kosova dhe nuk do t'i shkonte mendja kurrë të kthehej më... E dyta, meqë, ndodhi kështu siç ndodhi, NATO-ja dhe "eprorët" e saj politikë “gabuan” edhe më rëndë kur lejuan tërheqjen e forcave të mundura serbe me gjithë armatimin e tyre, me të cilin kishin kryer gjenocidin dhe holokaustin në Kosovë dhe në republikat e ish-Jugosllavisë, nga njëra anë, dhe çarmatosjen UÇK-së (ky është faj edhe i yni), nga ana tjetër. E treta, NATO-ja dhe organizmat që marrin vendime politike, pas gjithë tragjedisë "jugosllave", të shkaktuar nga shovinizmi dhe hegjemonizmi serb, do të duhej të vendoseshin, siç ishte normale të pritej, në Serbi dhe jo në Bosnjë e në Kosovë. Vendi që duhej vënë nën kontroll dhe mbikëqyrje të rreptë ndërkomëtare ishte Serbia, shkaktare e të gjitha luftërave, gjakderdhjes dhe shkatërrimit masiv. Kështu pati ndodhur me Gjermaninë hitleriane, e cila jo vetëm u vu nën kontroll të plotë, por edhe u nda në dy pjesë (shtete) të kontrolluara rreptësisht.
 "Ushtria", që parashikon (propozon) GNK-ja në raportin për Kosovën dhe i gjithë propozimi i këtij Grupi do të ishte shumë i përshtatshëm dhe i dobishëm për Serbinë dhe ushtrinë e saj. Kjo do të ishte zgjidhje afatgjate edhe për paqen dhe sigurinë në rajon…
Kosova dhe pergjithësisht Shqipëria Natyrale dhe shqiptarët nuk janë dhe nuk ishin shkaku i luftërave dhe konflikteve në Ballkan. Luftërat Antipushtuese dhe Çlirimtare të kombit shqiptar ishin pasojë (rrjedhim) i copëtimit të Shqipërisë dhe tokave të saj. Njohja dhe pranimi i këtij fakti, i kësaj të vërtete historike dhe aktuale do të përbënte fillimin e mbarë të zgjidhjes së "nyjes" shqiptare dhe ballkanike. Populli shqiptar tashmë është faktor dhe aktor I dorës së parë në Ballkan dhe Evropë. Për këtë të vërtetë po ndërgjegjësohet gjithnjë e më shumë edhe Evropa dhe pjesa tjetër e botës… Prandaj, bota demokratike duhet të gjejë “formulën” më pak të dhimbshme për zgjidhjen e përherëshme të kësaj ÇËSHTJEJE shqiptare dhe evropiane, kusht “sine qua non” për paqe dhe stabilitet të përhershëm në Ballkan dhe më gjerë. Zgjidhjet e pjesëshme dhe të paqarta do të jenë zgjidhje të përkohëshme dhe me situata të paparashikueshme për sigurinë dhe paqen në Ballkan.
Zgjidhja e perhereshme e çeshtjes shqiptare ne pajtim me shtrirjen kombetare te shqiptareve dhe të Shqipërisë Natyrale do te ishte ne pajtim edhe me parimet dhe filozofine evropiane dhe boterore per integrime...                                                                                                                  
                                                                                                           Xhevat Bislimi