Albin Kurti-E Keqja

19.11.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

E Keqja

Për mediat dhe mënyrën e tyre është thënë që lajmi i mirë është lajm i keq
dhe se lajmi i keq është lajm i mirë. Mirëpo, në Kosovë situata është krejt
tjetër.

Si bëhet që e keqja në Kosovë nuk është lajm? Në Kosovë njëmend ka më shumë
autocensurë në këtë kinsedemokraci sesa cenzurë në atë kinsesocializëm,
mirëpo, a thua ky shpjegim është shterrues? Pra, a është duke u ndrydhur e
vërteta kur ajo është e keqe apo ka edhe diç më shumë se kaq? Ose, a është
kuptimi i mediave kosovare i reduktueshëm vetëm në përshtatjen e tyre të
pambarim? Nëse vrojtohen me vëmendje proceset politike në Kosovën e
pasluftës vërehet se ka një esencë tjetër këtu, një imanencë që i përvidhet
suksesshëm analizave sipërfaqësore. Jo vetëm që në Kosovë ndrydhet një fakt
i keq por e keqja nuk paraqitet dhe nuk transmetohet meqë thjesht nuk duket.
Dhe, nuk duket e nuk shihet jo meqë është e padukshme por meqë është
gjigante. Ngjashëm sikurse atëherë kur syri i njeriut i afrohet tepër shumë
një objekti të cilin s'e dallon dot më. E mjegulluar është jo vetëm ajo që
mezi shquhet në horizont por edhe ajo që i bëhet ekskluzive shikimit tonë
për ta mbyllur atë, edhe ajo gjë tërësia dhe thelbi i së cilës i reziston
efektshëm përthekimit nga shqisa jonë e të parit.

E keqja më e madhe në Kosovë është që e keqja nuk është ngjarje. E keqja
është veçse një proces i gjerë, i qetë dhe i thellë. Duke mos qenë ngjarje,
e keqja mbetet e pavërejtshme, tërësisht normale dhe madje e natyralizuar.
Njerëzit nuk informohen për të meqë nuk ka më sasi informacioni aty. Kur
dikush thotë se dielli lindi sot, këtu padyshim që sasia e informacionit
është zero. Sasia e informacionit qëndron në proporcion të zhdrejtë me
gjasën. Ngjarja që nuk përcjellet prej mediave është vlerësuar paraprakisht
të mos ketë qenë e tillë. Rrjedhimisht, ngjarja mbetet e pashquar; ajo nuk
është e dallueshme. Ose, më saktë, është aq e shpeshtë dhe e zakonshme saqë
nuk është. Ajo është kudo andaj nuk është askund. Megjithatë, mediat tona
mbushin eterin dhe faqet e tyre edhe me atë që trumbetohet të jetë denoncim
i të këqijave. Mbase mu tani është momenti për ta bërë dallimin kualitativ
ndërmjet të këqijave dhe të Keqes. Të këqijat (e vockëla) janë vetëm
manifestime të papërsosurisë eventuale të së Keqes themeltare. Ato shumë
rrallë arrijnë të diferencohen nga shtrati që paraqet të Keqen. Dhe, mu këto
janë ato të këqijat që identifikohen por menjëherë ndrydhen nëpër mediat
tona. Shtrati i lumit nëntokësor mbetet i paprekur dhe i pacenuar. Aty-këtu
ndonjë shpërthim i burimit në sipërfaqe sanohet duke u maskuar. Pra, mund të
flasim për të Keqen dhe të këqijat. Të këqijat vijnë nga e Keqja por për ato
kryesisht nuk raportohet fare. Nëse nuk injorohen ose fashiten dot, atëherë
kamuflohen. Të këqijat të cilat e afirmojnë atë që maskojnë (të Keqen), janë
tregues se e Keqja nuk e ka të pafundme homogjenitetin dhe kohezionin e saj,
se ajo nuk është solide sikurse një monolit. Edhe nëse nuk arrijnë të
kamuflohen të këqijat kjo ende nuk flet shumë. Fundja, mënyra më e mirë për
t'u mbrojtur e Keqja është duke u marrur vetëm me të këqijat, duke i
problematizuar vetëm ato. Periferia e cila nuk paraqitet si e tillë mohon
ekzistencën e Qendrës.

Për mediat dhe mënyrën e tyre është thënë që lajmi i mirë është lajm i keq
dhe se lajmi i keq është lajm i mirë. Mirëpo, në Kosovë situata është krejt
tjetër. Duke qenë se e Keqja te ne është e gjithpranishme dhe aq e
nënkuptueshme saqë mbesim përherë disi të pavetëdijshëm për të, lajmi i keq
nuk është lajm i mirë. Keqësia nuk është e rrallë që të bëhet lajm - ajo
është diçka me të cilën tashmë jemi mësuar të bashkëjetojmë. Për më tepër,
duke mos u ballafaquar me të, qetas por sigurt gjithnjë jemi përshtatur. Në
Kosovë, lajmi i keq është lajm i keq. Njëkohësisht, edhe lajmi i mirë është
lajm i mirë. Pra, e mira, meqenëse është raritet, shumë lehtë bëhet lajm.
Dhe, pikërisht meqë është raritet ka një prirje që ajo të fabrikohet, të
shpiket, dhe njerëzit të ndjehen të kompensuar dhe më komod. Ngjarjet e mira
cilësohen si të tilla edhe nga mediat dhe raportohen mjaft shpesh pasi që
ato kanë probabilitet të vogël që të ndodhin. Lajmet e mira janë të shpeshta
meqë ngjarjet e mira janë të rralla. Kësisoj, mediat i kemi bukur shumë të
përfshira me lajme të mira për ngjarje të mira. Dhe, si rezultat i kësaj,
kemi mbjellje të iluzioneve te njerëzit se situata në Kosovë është e
kënaqshme dhe po shkojmë drejt një përparimi të pandalshëm. Përshtypja e
përgjithshme që krijohet është ajo për qenien e një të Mire bazike. Por, kjo
e Mirë ka vetëm ekzistencë subjektive që paraqet negacionin e së Keqes e
cila për dallim ka një ekzistencë objektive. Mirëpo, çfarë është kjo e Keqe
e cila determinon këto zhvillime te ne, e cila kushtëzon rrjedha të këtilla
që i jetojmë në formë pasojash? Dhe, çka e bën të mundur këtë të Keqe
mbizotëruese? Është kjo Rezoluta 1244. Ajo e ngërthen dhe i referohet
dokumentit të Rambujesë që decidivisht e kërkoi demilitarizimin e UÇK-së dhe
mbetjen e Kosovës pjesë të Serbisë e Jugosllavisë, me një fjalë
defaktorizimin politik e ushtarak të Kosovës. Është kjo Rezolutë ajo e cila
e themeloi UNMIK-un, një regjim ky antidemokratik e neokolonialist. Është
kjo Rezolutë ajo që shpërfill vullnetin, interesat dhe historinë e popullit
të Kosovës. Është kjo Rezolutë ajo që e pranon sovranitetin dhe integritetin
territorial të Jugosllavisë (tash Serbisë) mbi Kosovën. Është kjo Rezolutë
ajo që parasheh vetëm autonomi substanciale për Kosovën. Është kjo Rezolutë
ajo që i bën faktorë për Kosovën të gjitha vendet e botës, prej Portorikos e
deri te Kina e Rusia, përveç vetë Kosovën. Është kjo Rezolutë ajo e cila
kërkon institucione të kota vendore me politikanë të korruptuar e servilë.
Është kjo Rezolutë ajo e cila i hap rrugë restaurimit të Serbisë në Kosovë.
Është kjo Rezolutë ajo e cila e mundëson veten e saj duke u vazhduar
automatikisht dhe vetvetiu për çdo 10 qershor. Është kjo Rezolutë ajo që
paraqet problemin themelor dhe problematizimi i së cilës pothuajse që nuk
bëhet te ne. Dhe, është kjo Rezolutë ajo që e quajta e Keqja: një gjë e
padallueshme për shkak të madhësisë së saj dhe aq kushtëzuese mbi ne për
shkak të pavarësisë nga ne.


Prishtinë, 15 nëntor 2006
Albin Kurti