Na shau dhe iku!Na shau dhe iku
Nga Abdyl Kadolli *
Kadare erdhi për t’u shfryrë në Kosovë dhe tregoi fytyrën e vet. Udhëtoi
deri te Kepi i shpresës së mirë për ta marrë një çmim letrar. A e dinte
Kadare se ai manifestim sot është simbol i Mitrovicës së ndarë, sepse
mban emrin e një poezie të F.Gungës së ndjerë kushtuar Titos së tij të
dashur?!
A dinte se poeti i asaj poezie kishte denoncuar disidentin Demaçi më 1959, tok me
disa shkrimtarë të tjerë, që tashmë dihen nga libri Dosja Demaçi. Në sajë të kësaj
besnikërie, ai ishte bërë edhe veprimtar shoqëror-politik i diktaturës së Titos,
duke vjellë shumë helm mbi disidencën shqiptare dhe vetë Shqipërinë.
Kështu, shkrimtari Kadare ia ktheu shqelmat diktatorit të vet, por përqafoi simbolin
e një diktatori të huaj. Kur kishte ardhur për herë të parë në Kosovë, Kadare kishte
zgjedhur ciklonin e shkrimtarëve të pushtetit, sepse ishte kritikuar Dasma e tij, që
edhe vetë e pranon si veprën më të dobët. Përse e fut aty edhe Çabejn e madh, që
është çmuar gjithherë në Kosovë?! Tash Kadare erdhi e na bezdisi me shumë rrëfime e
denigrime të tij.
Qosja të shkojë në psikiatri!-urdhëroi diktatori Kadare.
Veçse nuk u mor vesh si të shkojë: si Frojdi për psikanalizë apo si Jungu për
arketipat?
Njëmend Kadare është një fenomen interesant i psikanalizës!
Mori çmimin dhe na shau. Nuk e ofendoi vetëm rivalin e tij, por edhe të gjithë të
pranishmit në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Dhe, në fund, poshtëroi edhe
vetveten, sepse kur nuk ke argumente të arsyeshme, të mbetet vetëm sharja, fjalori i
rrugaçërisë. Ata duhej ta braktisnin e të mos zgërdhiheshin, ta linin fillikat
vetëm.
Kadare sillet sot si mbret i letrave. Askush nuk guxon ta kritikojë e të mos
pajtohet me të, por vetëm ta lavdërojë. Lavdia për të është mbi të gjitha. Ai është
alkimist i fjalës, sepse saora i rrotullon fjalët dhe mendimet.
Ai ësht demiurg: ka të drejtë të zemërohet, të marrë inat, madje edhe të shajë e të
mallkojë!
Asgjë nuk ka ndryshuar nga mendësia e tij ballkanike e komuniste, edhe pas qëndrimit
16-vjeçar në Paris.
Ububu, çfarë diktatori do të bëhej sikur ta kishte pushtetin!
Ai di edhe të kërcënohet: Nuk po e them tjetrin version, sepse versioni tjetër është
shumë më i rëndë. Ky njeri shtyhet nga dikush!
Po, kush qenka ai Dikushi?!
Kështu vepronin të gjithë diktatorët: i shpallnin të çmendur gjenitë para se t’i
linçonin.
Kadare është moderator i madh, arkitekt i pallatave të ëndrrave dhe dirigjent i
koncerteve të dimrave. Ai ishte shkrimtar pushtetar.
Derisa ai nuk mund të heqë dorë nga romanet e tij politike, nuk ka as të drejtë
morale të kërkojë dënimin e diktaturës.
Kadare kërkon hapjen e dosjeve, por së pari të hapet dosja e mëkateve të tij.
Kadare i lazdruar ka paranojë: i bëhet sikur të gjithë po e sulmojnë, prandaj
grindet me të gjithë.
Kadare është i gjithdijshmi i botës: ai e vlerësoi, pa e parë fare, edhe filmin e
lauruar Kukumi, si tragjedi e popullit të Kosovës në sytë e një të çmenduri !
Është mirë që në historinë e letërsisë hyjnë vlerat letrare e artisike dhe jo
biografitë e shkrimtarëve, sepse ndryshe do të tmerroheshin lexuesit.
Kadare si person u zhvesh në Kosovë, ku vdiq miti i tij i shkrimtarit të famshëm. Ai
sot është kontributi ynë më i madh për botën dhe falë i qoftë asaj!
Iku Kadare kokulur nga Kosova, duke lënë shumë helm e pezëm.
Ai nuk vuri asnjë lule mbi përmendoret e dëshmorëve e të martirëve.
Në purgator Dante do ta pyesë për gjithë metamorfozën e tij politike, për mëkatet me
kolegët dhe për një dashuri të këputur e shumë tragjedi familjare.
Falja, Dante, mëkatet!
Amen!