Margjinalizimi

15.11.2006 · Skënder Limani(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

[highlight]Margjinalizimi [/highlight]

Prej se e mbaj mend vetveten, situata në Kosovë gjithmonë ka qenë e ‘tensionuar’. Nëse shikohet historia e popullit shqiptar, ky ‘tension’ ka ekzistuar edhe më herët. Tash për tash, nuk është e rëdisishme kur ka filluar tensionimi i situatës në Kosovë. Ajo se çfarë e bënë këtë ‘muhabet’ të rëndësishëm dhe interesant janë aktorët e kësaj situate dhe sjellja e popullit shqiptar, në këtë rast, e shoqërisë Kosovare.

Pra disa ditësh na u kumtua edhe zyrtarisht se zgjidhja e statusit të Kosovës është shtyrë pas vitit 2006. Si rezultat, kishte vetëm reagime të pakënaqësisë dhe atë nga ana e ‘politikanëve’ të Kosovës. Reagime thuaja që ata nuk kanë qenë të njoftuar se çfarë po ndodhë, thuaja që ata nuk janë mu arsyeja e kësaj shtyrje.

Kosova ka humbur shumë vlera të saja shoqërore gjatë viteve 1990 për arsye të cilat dihen. Situata e përgjithshme që do të rezultojë me luftë bëri që të humbim disa vlera themelore njerëzore siç është besimi, mbështetja, përkrahja ndaj njëri tjetrit, etj., etj. Pas vitit 1999 do të humbim edhe këto vlera. Shumëkush e fajëson UNMIKun për këtë dhe kanë të drejtë. Në Kosovë kanë hyrë aq shumë para gjatë tërë këtyre viteve. Veç UNIMIKut dhe cilësdo Qeveri të Kosovës askush tjetër nuk e di se ku kanë shkuar ato të holla, askush nuk e di se ku janë ‘investuar’ këto para.

Më tutje, sistemi arsimor në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më i shkatërruar dhe shkatërrimtar sesa në kohën e tashme. Ekonomi nuk ka fare. Kafenetë dikush i quan zhvillim ekonomik. Shëndetësia në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më e sëmurë. SHPK dhe TMK më shumë funksionojnë në baza e premisa personale. Vaj halli për atë që ndeshen me këto grupacione ‘shoqërore’. Etj. etj.

Partitë politike në Kosovë më shumë funksionojnë si grupe të biznesit. Qasja e  tyre politike nuk ka ndërruar që nga viti 1990. Jemi mbushur me deklarata sterile tash e 16 vjet dhe asgjë më shumë. Ndërkohë, gazetaria në Kosovë asessi të themelohet e vendoset. Për ilustrim, po të kishte gazetari në Kosovë ajo nuk do të ishte marrë me fjalimet sterile të politikanëve Kosovar kur dihet publikisht dhe mirëfilli që edhe ashtu këta njerëz nuk vendosin e nuk do të vendosin për asgjë, kur dihet që këta politikanë as që kanë vendosur ndonjëherë për diçka. Më askush si dëgjon, nëse i ka dëgjuar ndonjëherë.  

Këto ditë një raportues-gazetar ndërkombëtar thoshte që me shtyrjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës ka gjasë të ketë reagime popullore, ka gjasë që situata të keqësohet. Nuk e di pse por raporti i atij gazetari-ndërkombëtar më shumë më dukej përkthim i ndonjë raporti të ndonjë “gazetari’ Kosovar që ia kishte përcjellur këtë kumtesë përmes postës elektronike. Derisa dëgjoja këtë deklaratë mendoja se si t ‘i them këtij ndërkombëtari dhe të tjerëve si ky që shtyrja e statusit të Kosovës është relaksim për neve qytetarët e Kosovës, është fije shprese që dikush diku e kupton seriozitetin e situatës në të cilën gjendet populli i Kosovës. Si t’i them atij gazetari që shpëtimi i popullit të Kosovës shihet mu te moszgjidhja e statusit të Kosovës. Si t’i them atij që askujt në Kosovë nuk i duhet statusi i zgjidhur i Kosovës në një situatë çfarë jemi tash e 7 vjet resht. Si t’i them atij gazetari që zgjidhja e statusit të Kosovës vështirëson edhe me thellë situatën shoqërore në Kosovë. Si t’i them atij gazetari që statusi i zgjidhur i Kosovës mund të rezultoj më dhunë ndërqytetare në Kosovë mes shqiptarëve.

Procesi i pastrimit është proces i natyrshëm jetësor. Njeriu pastrohet pas punës së lodhshme, kur qohet në mëngjes, pra, në situata të caktuara. Me këtë synohet mbajtja e pastërtisë së vazhdueshme personale. Pastërtia është diçka e domosdoshme, diçka që nuk diskutohet nëse duhet ose jo. Në këtë kuadër, Kosova nuk është pastruar tash e disa dekada. Kosova ka nevoj të pastrohet. Zgjimi i Kosovës nënkupton përdorimin e banjos mu për arsye/higjiene personale. Shkurt, ne jemi të palarë, të papastruar nga shumëçka e gjithçka. Ne duhet të pastrohemi para se të dalim nga dera e shtëpisë.

Kosova duhet të pastrohet, situata duhet të qartësohet, përpara se të përmbyllet statusi. Kosova ka çka të mendoj e çka të bëjë derisa t’i vij radha pavarësisë. Ka kohë për pavarësi. Nuk mund t’i lejojmë vetes pavarësi si të palarë sepse kjo do të na kushtoj shtrenjtë. Nuk mund të kalojmë edhe një herë nëpër luftë qytetare-politike sikurse gjatë viteve 1997 e 1998 edhepse askush nuk flet për të.

Pata lexuar diku njëherë një përkufizim interesat për shqiptarët në përgjithësi: Shqiptarët lërini rehat, mos i prekni sepse kështu ata do të vetëshkatërrohen. Pata qeshur me këtë përkufizim. Sot, kam harruar kur kam buzëqeshur herën e fundit. Kosova është kthyer në një fytyrë të hidhëuar, përplot mllef e varfëri, dëshprim e zhgënjim që në çdo rast mund të ndërroj jetë.

Skënder Limani