ADEM DEMÇI DHE DOSJET E SHKRIMTARËVE NË KOSOVË

13.11.2006 · Myrvete & Begzad BALIU(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

Adem Demaçi
ADEM DEMÇI DHE DOSJET E SHKRIMTARËVE NË KOSOVË

Myrvete & Begzad BALIU, Prishtinë

Prej dosjeve të mbyllura në Shqipëri, dimë vetëm majën e Ajsbergut

 Ka disa vjet që në Shqipërinë postkomuniste kanë filluar të fliten e
përfliten dosje nga më të ndryshmet: dosjet partiake (të Partisë Komuniste
të Shqipërisë a të Frontit Popullor) dosje institucionale (të Lidhjes së
Shkrimtarëve të Shqipërisë), dhe kryesisht dosje personale (të Enver Hoxhës,
Mehmet Shehut, Ramiz Alisë), dhe sidomos dosje e ngjarje të disa prej
krijuesve, (Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Kasem Trebeshinës, Bilal
Xhaferit, Fadil Paçramit, Vilson Blloshmit e Genc Lekës) të cilët me jetën
dhe me veprën, me mendimin politik dhe letrar, kanë vazhduar të sulmojnë a
të mbrohen prej dosjeve të institucioneve dhe dosjeve personale, prej
dosjeve politike dhe prej dosjeve kulturore, prej sulmeve kryesisht politike
të bashkëkohësve dhe prej sulmeve kryesisht morale të brezit më të ri.

 Mbi dokumentet e nxjerra nga arkivat kryesisht private, por edhe atyre të
institucioneve kulturore, shkencore dhe madje atyre shtetërore, janë
realizuar shumë tryeza dialogjesh në radio e television, janë bërë shumë
dokumentarë radio e televizivë, janë botuar shumë vepra publicistike dhe
janë mbushur me mija faqe shtypi ditor e javor. Por, nga dosjet e hapura
deri tash, mbi të cilat është përfolur, si duket dimë vetëm majën e
ajsbergut. Me dosje, e sidomos me dosjet e krijuesve të artit e të kulturës,
kultura shqiptare do të merret shumë dhe do të merret gjatë. Nuk janë ato
dosje të një nate, qoftë ajo edhe e vetëm një nate: natës së thikave të
gjata. Shkrimi i tyre është bërë me muaj, me vite, gjendja e tyre është një
dhe shumështresore, formimi i tyre ka zgjatë me dekada, kur me zjarmi e kur
me hope, ato, në fund janë dosje të atij projekti gjysmëshekullor, në të
cilin punuan shqiptarët nga brenda e ndërkombëtarët nga jashtë, për të
ndritur një mesjetë bashkëkohore të gjysmës së dytë të shekullit XX.

 Me këtë temë, më në fund, kur më pak e kur më shumë ka filluar të merret
dhe madje të merret me ngulm edhe “Ars”-i. Me të drejtë. Redaksia që nga
fillimi e shquan në mënyrë të veçantë moralin e individit (në këtë rast
krijuesit) dhe moralin e mendimit, si kusht për sendërtimin afatgjatë të
mendimit kritik dhe si koncept prioritar të vetëdijes historike mbi kulturën
dhe sidomos letërsinë, ishte dhe është e pamundur t’i ikim kësaj teme, e
cila ka lënë dhe vazhdon të lërë gjurmë të thella në mentalitetin njerëzor
dhe krijues të shoqërisë shqiptare. Angazhimi i krijuesve në këtë temë, sot
më parë se sa guxim qytetar, tashmë i tejkaluar pas mënjanimit të ligjit mbi
propagandën, do të duhej të quhej guxim intelektual dhe madje angazhim
human. Le ta thonë të ‘vërtetën e tyre’ krijuesit duke botuar dokumentet e
arkivave personale dhe shtetërore në këtë revistë, la ta thonë të ‘vërtetën
intelektuale të tyre’ krijuesit duke rrëfyer për të kaluarën e tyre apo të
krijuesve të tjerë që pësuan pranë tyre, dhe më në fund le ta thonë të
‘vërtetën e shpirtit’ për dhembjen që ua shkaktuan kolegëve të tyre ‘për
shkaqet që vetëm ata i dinë‘.

Adem Demaçi dhe dosjet e shkrimtarëve në Kosovë

Adem Demaçi

A ka dosje të shkrimtarëve në Kosovë?!

 Kur na kanë treguar disa nga miqtë tanë në Tiranë dhe Shkodër për dosjet e
shkrimtarëve dhe sidomos veprimet e disa prej krijuesve gjatë kohës së
diktaturës në Shqipëri, nuk kemi besuar se letërsia ka mundur të bëhet në
ato përmasa, madje nga brenda, doktrinë me kaq shumë ndikim politik,
shoqëror, social dhe psikologjik në një popull të tërë. Prej dëshmive të
tyre, sado pak të vërteta qofshin, prej kujtimeve me shkrim dhe me gojë,
shkrimtarët që kishin kaluar nga njëra golgotë në tjetrën tregonin për
diskutimet e akcilit shkrimtar të rëndësishëm sot apo të harruar me kohë, të
cilët me diskutimet për ‘vlerat e dyshimta’, për ‘ndikimet borgjeze’, për
‘orientime pluraliste” të veprave të tyre, ua kishin bërë jetën skëterrë, jo
vetëm atyre por edhe familjes së tyre. Kishte mjaftuar një varg i vetëm i
përkthyer nga një krijues me koncepte të tjera letrare nga ato që
mbretëronin në letërsinë shqipe, një ngjarje ndërndikuese, një psikologji
personazhi, një ndërdije letrari etj., dhe autori të përjetonte ato që i
kishin përjetuar krijues si Kasem Trebeshina, Frederik Reshpja, Bilal
Xhaferri, Zyhdi Morava, Visar Zhiti etj.

 Gjatë diskutimeve për përvoja nga më të ndryshme të kësaj natyre, në
Kosovë dhe në Shqipëri, fillimisht kemi menduar se në Kosovë, dosje të tilla
jo vetëm nuk kishte po, as nuk kishte kushte politike dhe kulturore të
krijoheshin.

 Në Kosovë, politika jugosllave, që nga viti 1952 i kishte tejkaluar
problemet e rrymave dhe drejtimeve letrare në letërsi, prandaj nuk mund të
pritej edhe diskutimi dhe mosmarrëveshjet mbi këto aspekte.

Në Kosovë, natyrisht diskutohej për vepra letrare, për vlerat artistike, për
ndikimet e rrymave dhe drejtimeve letrare, për gjuhën e tyre, dhe madje për
mesazhin e tyre kur e kur edhe ideor, por deri sa përktheheshin Elyari,
Dostojevski e madje edhe Ezra Paundi, nuk kishte pse të flitej për ndikime
të jashtme dhe të papranueshme.

 Në Kosovë shkrimtarët kanë mundur të shkruajnë dhe të deklarohen për ose
kundër realizmit në letërsi, në kontekst të një libri a të një problemi
teorik, në interes të një metode a të një procesi shkencor-historik, madje
edhe përmes ndonjë promemorieje të hapur, dhe të mos të mos kishe asnjë
pasojë nga sistemi politik dhe shtetëror.

 Në Kosovë, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, janë shkruar vepra
letrare me koncepte të ndryshme ideore, filozofike, kuptimore dhe
psikologjike, duke iu përmbajtur një rryme a një drejtimi tjetër, por liria
e shprehjes në letërsi, nuk i ka lënë krijuesit letrar pa dosje.

 Nuk e kemi fjalën këtu për pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në jetën
politike, pjesëmarrjen e tyre në dënimin e Lëvizjes Nacional Demokrate si
dëshmitarë, si porotë, apo si procesmbajtës.

 Nuk e kemi fjalën për vrasjen e tyre (Fazli Grajçevcit, Rexhep Elmazit,
Jusuf Gërvallës) dhe për shumë krijues të tjerë, emrat e të cilëve u mësuan
pas vdekjes, për arsye se dënimi madje edhe vrasja e tyre u bë në emër të
aktivitetit të tyre politik në Lëvizjen ilegale shqiptare.

 Fjalën e kemi për dëshimitë e botuara kohëve të fundit në veprën e Prof.
dr. Hakif Bajramit, “Dosja Demaçi”, (Dokumente, tri proceset gjyqësore
kundër Adem Demaçit), botoi Brezi '81, Prishtinë, 2004, vepër e cila e
përgënjeshtron mendimin tonë për dosjet e krijuesve.

 Le të lexojmë vetëm disa prej dëshmitarëve, të cilët përveç që ishin
shkrimtarë apo pretendonin të bëheshin, dëshmitë e tyre i ndërtojnë mes
tjerash edhe mbi veprën letrare të Adem Demaçit:

 Dëshmitari i parë, kryeshkrimtar: Demaçi më ka thënë:Pushtetarët
kompetentë ndalojnë botimin e veprave të disa shkrimtarëve shqiptarë, dhe
përmend rastin e Gjergj Fishtës, me tezat e të cilit Demaçi pajtohet dhe
përpiqej të më bindte edhe mua në drejtësinë e tyre. Në të vërtetë, Demaçi
thotë se Fishta ka pasur plotësisht të drejtë kur thoshte se Kosmeti (më tej
Kosova, v.j) është pjesë përbërëse e Shqipërisë dhe kjo është e drejtë
historike e saj.

 Dëshmitari i dytë, shkrimtar dhe kulturolog: Ai (A. S., v. j.), më ka
folur se Demaçi shkruan shumë bukur si shkrimtar dhe përmes veprave të tij
alegorike e shpreh atë që mendon dhe në këte mënyrë ia përcjell ato
popullit. Në lidhje me një tregim që e ka shkruar Demaçi, ai, ka biseduar me
mua më se një orë. Demaçi më ka shpjeguar se si në atë tregim, përmes maces
ka paraqitur ikjen e shqiptarëve nga Kosova, edhe pse ata e duan atdheun e
tyre – Kosovën. Në këtë tregim përshkruhet ndarja e maces nga shtëpia dhe
kthimi i saj. Maceja vështirë e braktis shtëpinë, ashtu si edhe shqiptarët
atdheun e tyre.

 Dëshmitari i shtatë, që deshi të bëhej shkrimtar: Në bazë të gjithë kësaj
kam përfunduar se Demaçi mendon se do të ishte mirë sikur në Shqipëri të
ishte regjimi perëndimor, sepse perëndimi do t’ u ndihmonte shumë
shqiptarëve për çlirimin e tyre dhe për bashkimin e Kosovën me Shqipërinë. E
di këtë sepse më ka folur për këtë diku në vitin 1957, por nuk më kujtohet
muaji.

 Dëshmitari i nëntë, kryeshkrimtar i pashallakut të tij:Intensivisht para
meje ka filluar të shprehet armiqësisht pas burgimit të grupit të
intelektualëve shqiptarë në Prishtinë. Atëherë ka pasë filluar të mbajë edhe
ditarin personal “Ditari i shpirtit”. Në atë ditar i ka shënuar mendimet e
veta intime politike. Më ka thënë se është ftuar nga UBD-ja në Beograd dhe
se i është tërhequr vërejtja për grupin që është dënuar në Prishtinë, për
çka ka qenë i frikësuar dhe e ka kallur ditarin, që të mos u bjerë në duar
organeve të pushtetit. (…) Në periudhën 1957 - 1958 Demaçi u afirmua si
shkrimtar i ri shqiptar në Kosovë, duke botuar romanin “Gjarpijt e gjakut”.
Edhe unë merrem me shkrime dhe mund të them se në mesin e shkrimtarëve
shqiptarë të Kosovës konsiderohet si shkrimtari më i talentuar. Ndërkaq, në
këtë kohë, prej vitit 1957, veprimtaria e tij armiqësore fillon të marrë
gjithnjë e më shumë formë të organizuar. (…) Më ka thënë se ai mendon që
trupi udhëheqës i organizatës duhet të jetë nga shkrimtarët.

 Dëshmitari i dhjetë, shkrimtar që shkruante në frymën moderne: Për shkakun
se unë shkruaj poezi lirike në frymën bashkëkohore, shumë herë jam kritikuar
nga Demaçi, i cili më fliste vazhdimisht që të mos shkruaja në frymën
moderne, por të shkruaj në frymën realiste për jetën e shqiptarëve në
Kosovë.

 Pra, në Kosovë, ku kolegët nuk mund të akuzoheshin për ndikime të jashtme
ideore dhe letrare, dëshmonin për anën përkatësisht frymën nacionale të
veprave letrare, sado jo, thuhej, me recensione publike dhe anonime.

 Dyshimi bie edhe në këtë drejtim, sado që dosjet vazhdojnë të jenë të
mbyllura. Ndryshe si të shpjegohen thashethemet në shtyp për dorëshkrimin ‘e
ndaluar’ të Hivzi Sulejmanit “Njerëzit”, II, edhe pse mosbotimi i këtij
dorëshkrimi tash e sa vjet e vë në dyshim ekzistencën e tij. Dihet se një
numër veprash janë ndaluar për shumë vite, ndërsa disa të tjera
përgjithmonë. Në vitin 1974 janë ndaluar për botim katër vepra në mesin e të
cilave edhe romani i Jusuf Gërvallës “Dy florinjë të një dashurie” dhe ai i
Musa Ramadanit “Romani pa kornizë“. Në vitin e madh, 1981, për një tregim të
botuar në revistën “Fjala”, u dënuan me burg Arif Demolli dhe Sabit
Rrustemi. Romani i Emin Kabashit, “Dimri i Drinisë” qe vlerësuar në konkurs
anonim, por u ndalua me të kuptuar emrin e tij, ndërsa kusht për botimin e
tij redaktorët e “Rilindjes” i kishin vënë ‘futjen në tekst të një
personazhi serb, gjithësesi nga aspekti pozitiv’; shkrimtarit Zeqir
Gërvalla, kusht për botimin e veprës së tij, i qe vënë ‘vendosja e një
poezie kushtuar Titos(!), brenda përmbledhjes me poezi’; qe ndaluar
antologjia tregjuhëshe e bashkim - vëllazërimit ”Lulet në ballkon” për shkak
të dënimit, më vonë, të njërit prej autorëve të saj Mustafë Xhemajlit; qe
ndaluar për shkaqe politike një antologji me krijues nga Ferizaji etj.

 A mund të ndaloheshin vepra të tilla përkohësisht apo përgjithmonë pa
recensione të kolegëve të tyre shkrimtarë e kritikë, a mund “të merrte
vendime Komiteti i Partisë Komuniste të Kosovës”, sikur thuhet tash për
dorëshkrimet e ndaluara, nëse që më parë kolegët e tyre shkrimtarë dhe
kritikë, nuk dërgonin recensionet e tyre kritike për vlerat e dyshimta dhe
sidomos për përmbajtjet e ‘dyshimta’ të këtyre veprave?

 A mund të flitet edhe më tej për ‘dëshmitarë‘ të panjohur dhe injorantë(!)
në redaksitë e “Rilindjes” (gazetës dhe shtëpisë botuese), të cilët me kaq
perfiditet ndalonin veprat e njërit apo kolegut tjetër?

Diskutimet e ndërprera

 Vite më parë, menjëherë pas fillimit të shthurjes së federatës jugosllave
në shtypin e Kosovës pat filluar diskutimi në temën kush ka shkruar,
përkthyer dhe madje redaktuar e korrektuar botimet politike të redaksisë së
“Rilindjes”. Se, kush i kishte shkruar veprat e Sinan Hasanit, kush kishte
përkthyer, dhe cilët ishin shtyrë me bërryla për korrektimin e veprave të
Titos etj. Më vonë ndër koluare qe përshpëritur madje edhe për ‘përkthyesit
e besuar’ të veprave të Enver Hoxhes në gjuhën serbokroate, për interesa të
Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, të cilët kujdeseshin që
këtë ta bënin para përkthyesve qeveritarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme
të Shqipërisë.

Nuk mund të thuhet se qe thënë ndonjë gjë e rëndësishme për t’u përsëritur
edhe sot, për disa arsye:

-Autorët e këtyre teksteve, nuk patën sjellë ndonjë dëshmi të shkruar dhe
ndonjë deklaratë për referencë të sigurtë.

-Autorët e teksteve ‘problematike’ i takonin brezit të atyre krijuesve dhe
gazetarëve të cilët si duket sado pak ishin prekur nga virusi i
jugosllavizmës dhe nuk arritën të bëheshin bartësit e mendimit të ri në
qarqet kulturore dhe letrare të Kosovës.

-Autorët e këtyre teksteve në artikujt e tyre identifikuan emrat e disa prej
redaktorëve të “Rilindjes”, të cilët kishin redaktuar e riredaktuar jo vetëm
veprat e Sinan Hasanit, por edhe poezitë, prozat, dramat, ditarët, kujtimet
dhe shkrimet kritike, pothuajse të të gjithë shkrimtarëve të Kosovës, të
cilët në vitet ’50 e ’60 filluan të botonin në gazetën “Rilindja”, në
revistën “Jeta e re” dhe më tej botuan edhe veprat e para të tyre në
Redaksinë e botimeve “Rilindja”.

 Përtej idenitifikimit të disa prej emrave të shtyrë në moshë apo të vdekur
decenie më parë, autorët e këtyre teksteve nxitëse për debat, bënë një gabim
me vetëdije: nga tekstet e tyre nxorën emrat e brezit më të ri, të cilët në
një mënyrë apo një tjetër kishin kontribuar për rrumbullakësimin e veprave
të këtij politikani, i cili kishte arritur të hynte në institucionet më të
larta shkencore, pra deri në Akademinë e Shkencave të Kosovës.

 Debati, ende pa filluar mirë, dhe me ndonjë rezultat të rastit, siç ishte
ai për përvetësimin e një tregimi të Adem Demaçit nga Tajar Hatipi, qe
mbyllur, kur veç tjerash u kuptua se në hartimin e veprës së Sinan Hasanit
kishin marrë pjesë shumë historianë dhe letrarë anonimë, ndërsa i vetmi
autor, i cili nuk ishte konsultuar për përdorimin e emrit, dhe i cili sikur
kishte deklaruar, nuk kishte dhënë asnjë kontribut në shkrimin dhe
përgatitjen e veprës së S. Hasanit, ishte poeti Rrahman Dedaj. E megjithatë
emri i tij ishte përdorur si redaktor.

 Debate të këtilla natyrisht nuk mund të ishin pa rëndësi për zhvillimet
kulturore në Kosovë. Por ato edhe kur u nxitën lidheshin kryesisht me
kontekstet individuale. Bie fjala, një polemike në kontekst të angazhimit të
Abdullah Zenelit në redaksinë e “Rilindjes” solli një fakt interesant. Ky i
fundit, në kulmin e debatit, nxori gjithë korrektorët e veprave të Titos për
të gjithë blejt e botuar dhe ata që duhej të botoheshin.

 Por, si të shpjegohet ngrirja e debatit për dosjet e shkrimtarëve në
Kosovë? Kujtojmë se kjo lidhet me disa koncepte politike, kulturore dhe
madje psikologjike, që kanë udhëhequr jetën kulturore dhe shkencore në
Kosovë.

 Në Kosovë ky debat është luftuar hapur, por më shumë i është zënë prita
nën rrogoz, me konceptin demagogjik: “Të mos merremi me grryerje biografish,
të shohim ndërmjet gishtave disa aspekte individualedhe disa procese
kulturore në shoqërinë shqiptare, t’i falim ata që janë penduar sepse të
penduarit i fal edhe zoti, kemi punë më të rëndësishme që të merremi, në
vend se të merremi me individë dhe individualitete”.

 Me këto koncepte aspak intelektuale dhe krejtësisht demagogjike, shtypi i
Prishtinës shpesh i stërmbushur me artikuj dosjesh për pjesëmarrjen e
shkrimtarëve të Shqipërisë në krimet shtetërore, ‘harron‘ mëkatet e Hivzi
Sulejmanit në Kosovë; shtypi i Prishtinës, shumë i kujdeshëm ta botojë
kontributin e Ismail Kadaresë në Frontin Popullor të Shqipërisë, ‘harron’
dhe nuk do ta identifikojë faktin se Ibrahim Rugova në jetën pluraliste ka
hyrë nga simotra e Frontit Popullor të Shqipërisë në Kosovë, pra nga Lidhja
Socialiste e Kosovës. Njohësit e Lëvizjeve demokratike në Kosovë (e kjo
është një kohë e afërt, e cila na kujtohet secilit prej nesh), e dinë se në
rrethin e parë të personaliteteve që u angazhuan në jetën pluraliste ishin
Shkëlzen Maliqi e Veton Surroi në lëvizjen reformiste jugosllave që i solli
ardhja e kroatit Markoviq, në krye të qeverisë, dhe Rexhep Qosja, Ibrahim
Rugova e Agim Vinca në lëvizjen separatiste që në mënyra të ndryshme bartej
nga Lëvizja ilegale shqiptare (Qosja e Vinca) apo që përpiqej të krijohej si
një frymë e re (Rugova), si dhe Zekeria Cana në institucionet e të drejtave
të njeriut. Nga të gjithë këta, krijues, filozofë e analistë, vetëm Maliqi e
Rugova institucionalisht vinin nga rrethet politike të sistemit shetetëror
dhe politik jugosllav, ndërsa Surroi identifikohej me to për shkak të
trashëgimisë familjare.

 Mbase kjo është arsyeja pse nga Arkivi dhe biblioteka e Komitetit Krahinor
të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës u nxorën dhe ‘u asgjësuan’ dosjet dhe
veprat që u ishin dhuruarar me nderim dhe nëshkrim disa prej drejtuesve të
Partisë; ndoshta kjo është arsyeja pse dosjet e “Rilindjes” (si gazetë dhe
redaksi e botimeve) qëndruan koridoreve deri në shpërndarje dhe tretje. Si
duket, nëse pushteti serb kishte nevojë për dokumentet e kadastrit dhe të
sigurisë prandaj me kohë i nxori nga Arkivi dhe i dërgoi në Serbi, ne kishim
nevojë për eleminimin e dosjeve kulturore dhe individuale të krijuesve në
Kosovë. Nuk ishte fjala për konceptet letrare, fjala ishte për njerëzoren,
nacionalen.